AMERIKA DHE 11 SHTATORI: PAS 20 VJETËSH

nga Dr. Ernest Nasto

Sot mbushen 20 vjet nga sulmet e 11 shtatorit 2001 mbi World Trade Center në New York, si edhe mbi Pentagonin. Ato sulme përcaktuan prej atëherë në një masë të madhe politikat e jashtme e të brendshme të Amerikës, saqë mund të thuhet se Amerika e sotme nuk ngjan fare me atë të para 20 viteve.

Ato ishin momentet kur uniteti kombëtar ishte në kulm, kur kongresmenët dhe senatorët amerikanë kënduan himnin popullor “Zoti bekoftë Amerikën!” në shkallët e Kapitolit, në krah të njeri-tjetrit, jo si republikanë apo demokratë, por si amerikanë.

Ato ishin momentet kur presidenti Bush, mbi rrënojat e kullave në New York, lajmëronte me megafon hakmarrjen e rreptë amerikane mbi autorët e atij akti terrorist dhe mbështetësit e tyre, dhe tërë Amerika duartrokiste, e bashkuar si kurrë më parë.

Ato ishin momentet kur edhe vullneti i mirë i pjesës tjetër të botës kundrejt Shteteve të Bashkuara arrinte nivele të papara: fqinji verior, Kanadaja, në modestinë e saj karakteristike, pa zhurmë e pa bujë, mobilizonte forcat e armatosura e hapte dhjetra baza në Nova Scotia, Québec, Newfoundland e Labrador për pasagjerët e avionëve që s’mund të uleshin në Amerikë, i strehonte ata e u krijonte kushte për ta kaluar gjëmën me sa më pak tronditje. Ai vullnet i mirë shprehej po ashtu në mënyrë lakonike në titullin e faqes së parë të gazetës pariziane Le Monde “Nous sommes tous americains!” (Jemi të gjithë amerikanë!)

Vështirë të përshkruhet ndjenja e unitetit, e një kombi me një qëllim të përbashkët, që u shfaq aq menjëhershëm e aq spontanisht.

Shumë paralele u hoqën asokohe ndërmjet sulmeve të 11 shtatorit 2001 dhe sulmit japonez mbi Pearl Harbor 60 vite të shkuara, në dhjetor 1941. U komentua gjerësisht se ky do të ishte Pearl Harbor i brezit të të rinjve të atëhershëm, në kuptimin e një ngjarjeje më të madhe se vetë jeta, që përcakton rrugën e mëpastajme të të rinjve në fjalë.

Mirëpo ai sulm s’ishte një Pearl Harbor, e bile mund të thuhet se krahasimet me të ishin mjaft të tepruara. Kjo padyshim ishte një anë e mirë, sepse s’duhet harruar se Pearl Harbor ishte vetëm fillimi i një lufte shumë më vdekjeprurëse, por krahasimi pa vend zbulonte njëkohësisht edhe arsyen se përse ajo ndjenjë e unitetit kombëtar do të shpërbëhej aq shpejt.

Ndryshimi më i madh mes 11 shtatorit dhe Pearl Harbor është realiteti i pamohueshëm se ky i fundit ishte siç thamë operacioni i parë i një fushate ushtarake gjithëpërfshirëse kundër Shteteve të Bashkuara në një front prej mijëra kilometrash, një sulm që shtyu Amerikën të angazhohej në një luftë ekzistenciale mes qytetërimesh, një luftë që ishte asokohe në zhvillim të plotë. Nga ana tjetër, edhe pse sulmet e 11 shtatorit ishin padyshim shkatërruese dhe me më tepër viktima se ai në Pearl Harbor (1), s’mundemi kurrsesi të pohojmë se xhihadi islamik përbënte kërcënim ekzistencial për Amerikën, e aq më pak për qytetërimin perëndimor. Autorët e sulmeve të asaj dite s’kishin asnjë mundësi t’i vazhdonin ato me një fushatë sadopak të krahasueshme me atë të një superfuqie ushtarake, siç ishte  Japonia e viteve ’40. Pra një betejë e hapur ishte jo vetëm e pamundur, por do të sillte edhe asgjësimin e menjëhershëm të xhihadistëve.

Mirëpo fakti i padiskutueshëm i epërsisë ushtarake s’mund të çojë në përfundimin se sfida ndaj Amerikës ishte e papërfillshme. Xhihadistët vërtet s’ishin kërcënim për qytetërimin amerikan, por ata mund ta dëmtonin atë në një masë të konsiderueshme, bile aq sa të sillnin ndryshime të mëdha negative e afatgjata. Dhe mundësia e një dëmtimi të tillë mbetet ende reale, prandaj vendosmëria amerikane për vetëmbrojtje është padyshim jashtë çdo diskutimi.

Për më tepër, para autoriteteve amerikane ekzistonin asokohe dilema të mprehta lidhur me metodën më efikase për t’u mbrojtur nga ky armik, pavarësisht nga pohimet e sigurta të ekspertëve të panumërt. Pra zgjedhja s’ishte kurrë e qartë ose e lehtë. Dhe kjo fillonte qysh në nivelin konceptual: a duhej shikuar kërcënimi terrorist në optikën e drejtësisë kriminale, apo në atë të një objektivi ushtarak? Në këtë drejtim Amerika zgjodhi të zbatonte të dy konceptet së bashku.

Pastaj ishte edhe debati taktik e strategjik: a do të qe strategjia më e mirë kundër terrorizmit ajo e goditjeve të forta, shkatërrimtare, ndaj vatrave të tij individuale kudo ku ato mund të shfaqeshin? Apo duhej një qasje më sistematike, duke synuar zotërim terreni e duke krijuar në vendet përkatëse sisteme politike e qeveri të qëndrueshme aleate, që të paktën të mos kërcënojnë interesat amerikane? E këtu përsëri, drejtuesit amerikane vendosën të veprojnë në të dy drejtimet së bashku.

Ndërkaq, një faktor themelor për përkrahjen masive të popullit amerikan ndaj angazhimit me çdo mjet kundër terrorizmit, por edhe për zhgënjimin e shpejtë që pasoi, ishte ajo se vendi hyri në luftë duke parashikuar suksesin e menjëhershëm dhe tërësisht dërrmues ndaj kundërshtarit përballë. Kjo ishte qartazi e kushtëzuar nga konfliktet e fundit kur suksesi kish qenë vërtet i tillë. Amerikanët ishin përgatitur mendërisht për të pësuar humbje të mëdha në operacionin “Desert Storm” në fillim të 1991, mirëpo për shpartallimin e ushtrisë irakiane të Sadam Huseinit, një nga më të mëdhatë në botë asokohe, rezultoi të duheshin vetëm 4-5 ditë luftime tokësore. Më vonë, fushatat ajrore në Ballkan, më 1995 në Bosnje dhe më 1999 në Luftën e Kosovës, i arritën objektivat pa pësuar asnjë humbje të vetme nga ana e personelit ushtarak amerikan.

E pastaj, pas sulmeve të 11 shtatorit, me futjen e trupave amerikane në Afganistan më 2001 edhe Kabuli ra shumë shpejt, gjë që u përsërit pas dy vjetësh, kur edhe Bagdadi ra po me atë shpejtësi tronditëse. Gjithçka pra dukej e lehtë, të paktën në planin ushtarak, pavarësisht nga debatet e shumta që ngjalli sulmi ndaj Irakut. Dhe atëherë Amerika realizoi papritur se gjendej para një rruge të paqartë, aq shume kish harruar, pikërisht nga sukseset e mëparshme, se zgjedhja edhe në ato raste kish qenë po aq e vështirë.

Në Luftën e Dytë, e cila për to filloi në Pearl Harbor, Shtetet e Bashkuara u përballën me sfida të mëdha dhe patën viktima të panumërta, mirëpo qëllimi themelor i konfliktit ishte fare i qartë, jo vetëm për Amerikën e qytetarët e saj, por edhe për tërë botën. Ai qëllim i padiskutueshëm ishte, si në çdo konflikt ushtarak klasik, mposhtja në fushën e betejës e një shteti armik (apo e disa të tillave) dhe arritja e një paqeje të favorshme, sa më jetëgjatë e të qëndrueshme.

Ndërkaq, në mungesë të një kërcënimi ekzistencial pas 11 shtatorit dhe në kushtet e paqartësive konceptuale, strategjike e taktike që përmendëm, ishte e pashmangshme që përgjigja amerikane do ta polarizonte vendin, ose më saktë, do ta thellonte polarizimin që kish filluar prej kohësh. Një tregues domethënës për këtë është ai që quhet “polarizim negativ” e që jepet nga përqindja e votuesve të secilës parti që përbuzin ose urrejnë partinë kundërshtare, ose me fjalë të tjera e shohin atë pa asnjë vlerë, gati gati  si armiqësore. Dhe kjo prirje ka qenë prej kohësh në rritje: më 2016, pra edhe para presidencës Trump, ajo masë ndër votuesit republikanë ishte 58 përqind, përkundrejt vetëm 24 përqind më 1994. Ndërsa për votuesit demokratë këto shifra ishin përkatësisht 55 dhe 17 përqind. Kjo do të thotë se polarizimi ishte i qartë dhe i prekshëm, dhe periudha e shkurtër e unitetit pas 11 shtatorit s’ishte veçse një shmangie krejt e përkohshme nga kjo prirje, përndryshe tepër e dëmshme e minuese.

Një argument i njohur në shkencat politike është se përballja me një rrezik të jashtëm ndikon pozitivisht në zbutjen e anashkalimin e kontradiktave dhe mosmarrëveshjeve të brendshme të një vendi. Për amerikanët krizat e njëpasnjëshme të Depresionit të Madh të viteve 1930, të Luftës së Dytë e pastaj të Luftës së Ftohtë, krijuan një periudhë uniteti kombëtar, manifestuar me forcë e entuziazëm, por për të cilin zhvillimet e mëvonshme treguan se kish qenë krejt i sipërfaqshëm. Kërcënimet ekzistenciale ekonomike, ushtarake dhe ideologjike ndikuan në maskimin e atyre mosmarrëveshjeve të thella në shoqërinë amerikane, kuptohet që jo plotësisht, por në një masë thelbësore. Nevoja, apo më saktë, domosdoshmëria e fitores ushtarake në Luftën e Dytë, dhe parandalimi i konfliktit shkatërrimtar gjatë Luftës së Ftohtë bënë që SHBA të mbanin në këmbë një ushtri masive, diçka krejt e pazakontë e përjashtimore në historinë e deriatëhershme amerikane.

Nëse konsiderojmë periudhën e viteve 1990, pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, me mentalitetin e sotëm e me avantazhin e distancës kohore, duket qartë se rënia e Bashkimit Sovjetik dhe triumfi i hegjemonisë globale amerikane do të çonte herët a vonë në ridaljen në sipërfaqe të kontradiktave e të përçarjeve karakteristike të pjesës më të madhe të historisë amerikane, diçka e afërmendshme për një demokraci me përmasa kontinentale, me përzierje etnish, kulturash e besimesh fetare. Sado të tmerrshme të ishin ngjarjet e 11 shtatorit, efekti i tyre unifikues s’mund të ishte veçse për një periudhë të shkurtër, ashtu si ndodhi në të vërtete. E thënë ndryshe, Amerika u përball me një krizë realisht të rrezikshme, por vetëm aq sa për t’i tërhequr vëmendjen, dhe jo të mjaftueshme për ta bashkuar, krizë që ishte njëkohësisht edhe aq e komplikuar sa të sfidonte çdo përgjigje të thjeshtë e në dukje të lehtë.

Duke pasur parasysh këtë realitet, është e jashtëzakonshme që Amerika mundi të angazhohet në një luftë kaq të gjatë. Dhe kjo u mundësua kryesisht nga fakti se shumica e amerikanëve, nëse dëshirojnë, janë në gjendje të mos mendojnë kurrë për luftën. Kjo jo vetëm nga numri i pakët i viktimave krahasuar me standardet historike, po edhe nga ajo se çështja e një mobilizimi të përgjithshëm ushtarak as që u shtrua kurrë gjatë tërë këtyre viteve. Atyre që u rreshtuan vullnetarisht në forcat e armatosura e që luftuan konkretisht në terren u takoi të shkonin në front jo një, po disa herë me radhë.

Kësisoj lufta kundër terrorizmit, megjithëse politikisht e diskutueshme, mbeti e përballueshme nga ana psikologjike. Me përjashtim të javëve menjëherë pas 11 shtatorit, Amerika kurrë s’u ndje si një komb i angazhuar në luftë. Shumica e amerikanëve as që e kanë idenë se si ishte lufta e kurrë s’do ta kenë një ide të tillë. Këtu ndryshimi me Pearl Harbor është përsëri prominent, sepse lufta e filluar në dhjetor 1941 u përjetua thellësisht e në përmasa të paprovuara ndonjëherë më parë nga i tërë kombi amerikan.

Kështu që edhe në këtë përvjetor të 11 shtatorit luftën e pasojat e saj do t’i ndjejnë kryesisht veteranët dhe familjet e viktimave, ata që janë prekur direkt nga ngjarjet e tmerrshme të asaj dite dhe nga zhvillimet pasuese të viteve në vazhdim. Kësaj i shtohet këtë vit, në mënyrë krejt ironike, edhe tërheqja nga Afganistani, me pamjet e panikut që u kujtuan shumë njerëzve Saigonin e prillit 1975 e që u shoqëruan me mjaft aludime për Amerikën si “një perandori në rënie”.

Pavarësisht nga pamjet tronditëse, kjo duhet marrë me rezerva, sepse Amerika ishte në gjendje ta vazhdonte në fakt luftën shumë më gjatë se mendohej më 2001. Forcat e armatosura amerikane s’është se janë të rraskapitura, përkundrazi ato e ruajnë të paprekur forcën e tyre të jashtëzakonshme. Vërtet që Shtetet e Bashkuara përjetuan gjatë këtyre viteve dështime, e bile gafa skandaloze, nga ana e drejtuesve të tyre politikë e ushtarakë, por dështime të tilla s’janë doemos tregues të një rënieje kombëtare (e kam fjalën thjesht për anën ushtarake, sepse Amerika përjeton sot turbullira të mëdha të brendshme, rreziku i të cilave është më i madh se ç’duket në sipërfaqe, por me të cilat s’mund të merremi tashti këtu). Dhe realiteti është se krizat gjeopolitike të fundit të viteve 1970 ishin shumë më të rënda sesa krizat me të cilat përballemi sot, pavarësisht nga ngritja e pandalshme e Kinës.

E në përfundim mund të themi se Kulla e Lirisë, e ngritur në vendin e Kullave Binjake në New York, na kujton se Amerika është një vend me aftësi krijuese të pafundme, ajo ende mund të ndërtojë gjëra madhështore, dhe përkundrejt tërë përçarjeve e sfidave, ajo ka mundur të evitojë një përsëritje të 11 shtatorit. Kjo sigurisht s’është e pakët dhe duhet të përbëjë frymëzim për të tejkaluar me sukses edhe pështjellimin e tanishëm në situatën politike të brendshme.

 

(c) 2021 Ernest Nasto. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

==========

(1) në Pearl Harbor humbën jetën 2400 ushtarakë amerikanë, përkundrejt 3000 viktimave në sulmet e 11 shtatorit.