“Foli kundra” – TË SOTMËVE, SI T’UA TREGOSH KOMUNIZMIN?

Nga Eda Derhemi

1. Historia rri lidhur pas detajesh

Ka shumë vjet që më godet fort dhe vazhdimisht ideja se ata që e jetuan socializmin si fëmijë, ose që nuk e jetuan hiç, nuk e dinë se ç’është, si u zhvillua dhe u jetua nga shqiptarët, çfarë pasojash i ndihen sot, si ta kallëzojmë e fjalësojmë atë kohë. Kanë kaluar vetëm pak dekada, por gjithnjë e më shumë kupton që fëmijët nuk e dinë si jetuan prindërit dhe gjyshërit, pse ndodh diçka e pse thuhen shprehje të caktuara. Dëgjon madje shpesh nëpër Tiranë e Shqipëri shprehjen “S’e kishte keq Enveri!…” Kjo normalisht vjen nga njerëz që e jetuan atë kohë, që ndoshta kanë qenë edhe kundër Enverit kur kjo s’para ishte e modës. Të vjen të vësh kujën kur dëgjon këtë lloj psherëtime, sado keq qofshin punët sot! Them se ndoshta njerëzit harrojnë si ka qenë vërtet ajo kohë. Kujtesa dështon (ndoshta qëllimisht) të rikrijojë frikën e zgjimit dhe të shkuarjes në shtrat me idenë se mund të të arrestonin, që ishte një ndjesi e përhershme dhe tejet intime për një pjesë të shqiptarëve që guxonin thjesht të mendonin me kryet e vet. Kujtesa lë të shkasë urinë e dëshirimin për nevojat më minimale materiale që karakterizonin gjithë shqiptarët pa përjashtim. Mirë pleqve që i janë kthyer Enverit, që mund edhe t’i lësh t’i afrohen horizontit të jetës pa i kundërshtuar; po të rinjve – atyre të zinjve si t’ua tregosh socializmin realisht dhe bindshëm? Pa e ditur, rriten të cungët, nuk lidhen dot as me vendin as me komunitetin, bëhen kollaj të manipulueshëm e të traumatizueshëm. Sidomos nëse jetojnë në familje ku komunizmi ende nuk shihet si një faqe e zezë e jona.

E pashë veten që kisha harruar edhe unë, kur para pak ditësh lexoja diku për poezinë “Kuajt” të Gjek Marinajt nga Brruti i Bajzës së Kastratit të Malësisë së Madhe, botuar në gazetën aq të ndjekur prej gjithë shqiptarëve me çfarëdo pretendimi letrar e artistik, të dielën e fundit të gushtit të vitit të mbrapshtë 1990. Prej asaj poezie të vogël, që kur e lexon sot nuk të impresionon edhe aq, Drita e asaj jave ishte mbaruar në çdo pikë shitjeje, e përpirë nga njerëzit. Kuptohet që “Partia” ish shqetësuar dhe kish nisur të hetonte. Më 11 shtator Gjeka merr një letër nga Dega e Brendshme Shkodër ku e kërkojnë të paraqitet në Degë ditën e nesërme. Dhe po më 11 shtator, Gjekë Marinaj arratiset për Jugosllavi prej një pike të afërt kufiri ku para fare pak kohe ushtarët i kishin vrarë tre shokë që po arratiseshin.

Iu riktheva shiritit të kohës me ndjesinë që s’ishte e mundur! Të kish qenë situata kaq e rënduar ne fund të 90-ës?! Unë ika nga Shqipëria më 4 Tetor të po atij viti, më pak se një muaj prej ikjes së Gjekës. Edhe unë ika me planin që të mos kthehesha, por me avion dhe me time bijë tre vjeçe me vete. Kisha frikë se do më kthenin në Rinas, sido që, me vizë. Por nuk kisha frikë se do më burgosnin. Mendoja që, po të më ndalonin, maksimumi do më mbanin për të hetuar si e pse po ikja. E do më lironin pasi të shpjegoja diçka. Dy realitete të skajshme tonat, ai i Malësive të Shkodrës dhe ai i Tiranës, sido që në të njëjtin ferr. M’u desh t’i kujtoj vetes ngjarje e njerëz që të sillja vërtet në mend situatën. Ishte sikur po bindja veten. Një mbledhje e madhe kolektivi e Histori-Filologjisë ku ende sekretarët e partisë dhe komunistët drejtonin mbledhjen e i jepnin tonin diskutimit. Atëherë duhet të më ndëshkonin sepse im shoq i asaj kohe, kish “ikur me ambasadat”. Nuk di nëse ishte gusht apo shtator 1990. Por sido që retorika në mbledhje mbetej e njëjtë, ndihej që situata nuk ishte ajo e para një viti. Njerëzit më mbronin edhe duke heshtur, sido që në mbledhje u vendos të mos jepja më mësim si shembull i keq për studentët. Do kaloja në Akademinë e Shkencave dhe duhej të divorcoja tim shoq të atëhershëm. Unë e shihja pa frikë gjendjen. Dhe kisha vendosur të ikja e të mos i bindesha as atyre kërkesave që në fund të fundit “më ngrinin në pozitë”, edhe pse jetë-vdekja nuk ishte fare në diskutim. Tirana kish nisur të zbutej; të binte. Edhe pse bënte sikur mbahej dhe ishte e fortë, partia e kish humbur davanë në zemër të Shqipërisë në vjeshtën e 90-ës. Vetmia e të qenit i fundit në Europën Lindore, i fundit i një vargu tigrash që ranë njëri pas tjetrit si të ishin prej letre, e kish bërë të flashkët komunizmin shqiptar. Por nuk qe ashtu Shkodra, nga qytetet tradicionalisht më antikomuniste të Shqipërisë. Ndoshta ndaj edhe i tregonte më keq dhëmbët atje pushteti.

I kujtoj vetes ngjarje konkrete e të vogla që të kem një perspektivë të qartë. Më tre shkurt të atij viti Ilir Zari ishte vrarë nga rojet e kufirit në Rehovë të Kolonjës; e kujtoj që im shoq ish dëshpëruar shumë nga ajo ngjarje; e dija që bënte plane me një mik që të arratiseshin me kamion nga kufiri; i pata thënë jo, se ishte shumë e rrezikshme dhe se qëllohej mbi kamionët që turreshin për të kapërcyer kufirin. Por gjendja nuk krahasohej me para një viti, me 1988-ën, kur Havzi Nela ishte varur se kish shkruar poezi. Pra, 1988, Shqipëria ende ish në terr e terror. Mendoni që Europa ecte ndryshe: më 1989 bie Muri i Berlinit. Kur Enveri e këputi, më 11 prill 1985, terri mes nesh ishte ende krejt i plotë e i dendur. Dukej se nuk do ndryshonte kurrë asgjë. Kujtoj si shoqet e mia të klasës, liberale në kuptimin sipërfaqësor që përdorej atëherë, kishin shkuar (pa i detyruar askush) të bënin homazhe para Enverit të vdekur; dhe më pas, disa prej tyre më tregonin se sa e si disa të tjera kishin qarë me lot e rënkime. Nuk çuditesha atëherë. E mbaj mend aq qartë kafshimin në zemër të frikës së atij mëngjesi dhe asaj dite të tërë. Një frikë që më hidhëron fytin edhe sot. Nuk e dija që gjatë natës kish vdekur flama e vendit. Arrij si zakonisht tek ndërtesa e filologjikut. Dy shoqe me të cilat “flisnim kundër” më dalin përpara në mes të oborrit dhe më çojnë drejt një cepi që të më kallëzojnë diçka. Më thonë çfarë ka ndodhur. U them se sa herë kanë thënë që ka vdek; ndoshta s’është e vërtetë. Më thonë është e sigurtë dhe po pritet që Ali Xhiku (dekani i atëhershëm) të japë njoftimin zyrtar për studentët. Sa s’po ulërija e nisa të kërceja pupthi nga gëzimi. E të përqafoheshim të treja. Njëra, më e mençur, tha, ngadalë se tufa e gocave të tjera po na vëzhgonte. Nuk kisha menduar që ndërkaq të gjithë në oborr e dinin ç’kish ndodhur. E mblodha veten dhe me frikë po i afrohesha hyrjes. Nuk u ndala fare tek grupi më i madh i gocave të klasës. Veçse pas pak minutash, një shoqe e afërt prej atij grupi vjen e më thotë: “T-ja, kur ti po hidheshe përpjetë e përqafoheshe me ato të dyja, tha: ‘ç’pati Eda Derhemi që u gëzua aq fort?!’”

U bëra tym e nisi të më përzihej. Një frikë si eth nuk më shqitej. Po sikur T-ja apo ndokush tjetër që kish dëgjuar komentin e T-së, të raportonte gjëkundi. Marrëdhëniet mes meje dhe T-së s’ishin fort të mira, sido që mendoja se pa asnjë arsye. Po sikur… njerëzit bënin thagma atëherë në momente si ai. Po të mos donte të bënte keq, pse ta kish bërë komentin në grup atëherë?! Mund ta kishte mbajtur për vete, sidomos duke qenë se e dinte se Enveri kish vdekur. Ishte një lloj frike që më kapte shpesh e më shpesh pas vitit kur im atë ishte përjashtuar nga Televizioni më 1973 dhe ish çuar për riedukim. Më ndiqte ditën dhe natën ajo frikë. Sidomos po të thoja a bëja diçka “të dënueshme”. Pas mbledhjeve me dekanin, sekretarin e Partisë dhe shefat e katedrave, u ktheva në shtëpi me sebepin që s’ndihesha mirë. I fundit llaf i thënë prej të gjithëve, ishte të mprehim vigjilencën dhe luftën e klasave, sepse armiku tani do kërkojë të përfitojë nga dhimbja e madhe për humbjen e udhëheqësit legjendar. Për mua ishin kambana që godisnin fort e çjerrë në një pikë të vetme: duhej të zgjidhja problemin e atij mëngjesi. Nuk i thoja dot kujt në shtëpi ç’kish ndodhur. Fola vetëm me mikeshën time që më kish treguar për vrojtimin me zë që kish bërë T-ja. I thashë se duhet të bëj diçka e të shpëtoj veten dhe robt e shtëpisë.

Ndërkohë një pjesë e imja ishte në festë për vdekjen e Enverit që në shtëpinë time shihej si xhelat dhe përgjegjës personal i burgut ku jetonim të gjithë. Zgjidhja që gjeta ishte një çmenduri që e kam të vështirë t’ua shpjegoj vajzave të mia që nuk kanë qendra aktive komplekse në tru se si të dalin nga rrezikimi imediat i jetës. Dhe përse ta kenë e ç’u duhet?! Është fat që as i kuptojnë ata që e kanë.

Shkrova një poezi për vdekjen e Enverit; e mora dhe shkova e ia lexova një tjetër shoqeje të afërt, por me bindje ideologjike të kundërta me të miat dhe me prindër komunistë dhe me pozita. Një aftësi për të pjellë alibi, ajo e imja, që sot ndoshta e kanë vetëm kriminelë të nivelit të lartë të cilëve u rri kosa mbi krye pas çdo vrasjeje që kryejnë. Plani im funksionoi. Mikesha ime e mirë me sinqeritet e pranoi poezinë time, iu rrëmbushën sytë me lot dhe ia tregoi mamasë. Ishte pikërisht ky hap i fundit që unë doja, dhe që e kisha përllogaritur. Dhe ja kështu, turpshëm, unë tradhtova një miqësi për të shpëtuar lëkurën nga raportimi. Një vit më pas, e qetësuar që as T-ja dhe as tjetërkush nuk më kishin raportuar, desha t’i tregoj shoqes sime se çfarë kisha bërë. E ftova në Pastiçeri Partizani poshtë 9-katësheve t’i thoja si e sa keq e kisha përdorur. Nisa duke i thënë se nuk mund të ishim shoqe, se kish gjëra të mëdha që na ndanin, dhe që idetë tona ishin shumë të ndryshme. Por për dy orë rresht, nuk i thashë dot asgjë të qartë dhe asgjë për ngjarjen. Mikja ime nuk ishte si unë. Do shkonte tek prindërit menjëherë pas bisedës me mua. Po sikur? Po sikur? Po sikur? Frika se kjo do më raportonte “tek Sigurimi” ishte më e fortë se tradhtia që i kisha bërë besimit të saj. Dhe frika për jetën dhe humbjen e “lirisë” (që në fakt nuk e kisha) që jetonin pa pushim me mua, fitoi. Unë ende kam një peng me atë mikeshë, dhe asnjëherë nuk do di nga t’ia nis e si të rrëfehem.

Ja kjo më erdhi në mendje kur kërkoja të zgjidhja si ishte e mundur që në vjeshtë të 1990 një shqiptar duhet të arratisej, sepse përndryshe do e arrestonin se paskësh shkruar poezinë e gabuar! E kam gjithnjë vështirësinë se si t’ua shpjegoj atyre që nuk e jetuan komunizmin, pa dramatizëm e pa patetizëm, se ikje për një llaf e barceletë! Se poetët, kompozitorët e piktorët në ato kohë përfundonin në burg a kampe përqendrimi, madje edhe u ikte koka për fjalë, ritme e penelata. Si peshorja e drejtësisë rëndohej nga art mikroborgjez në vjedhës i pasurisë socialiste dhe sabotator e pastaj armik i popullit. Gjithçka mund të të ndodhte; gjithçka dhe në çdo moment; dhe jo vetëm atyre që “flisnin” apo “ishin kundra”.

Dhe menjëherë m’u kujtua një tjetër episod i fundit të 1989-ës, kur mikesha ime e hijshme franceze Pascale – së cilës në verë i kisha bërë kurse shqip dhe që ish kthyer në Shqipëri atë dimër të takonte të dashurin e vet gjerman që punonte në ambasadën gjermane në Tiranë – papritur i bie ziles së apartamentit tim në katin e gjashtë (pa ashensor) në një pallat të shëmtuar socialist tek Medreseja një natë në fund-dhjetorin e 1989-ës. Im shoq i atëhershëm dhe unë, ngrimë kur e pamë në derë. Jo veç franceze, por edhe banuese e përkohshme në ambasadën gjermane!! E futëm në korridor mos e shihnin komshinjtë. Ishte natë vonë. E kisha takuar për kafe sapo kish arritur në Tiranë. E dija ku rrinte, dhe i kisha thënë që mund të shiheshim shumë rrallë, e do I thoja unë. Erdhi sapo kish parë se si ishin pushkatuar Ceausesku me të shoqen: “Eda, do ndodhë edhe këtu! Do ndodhë shumë shpejt, Eda! Do vijë liria! Nuk ka më komunizëm! Është çështje ditësh!” Ne – dy të tjerët në korridor – rrinim të shtangur. Pascale më përqafonte. Nuk përmbahej e s’merrej vesh në qante a qeshte nga emocioni. Nuk e kuptonte në ç’rrezik na vinte. I thashë se e dinim për Ceausescun. Por se situata tek ne qe ndryshe, e kish qenë gjithnjë shumë më keq se Rumania. Pse, thoshte Pascale, pse? Sikur më përgjërohej t’i thoja që ishte njëlloj edhe Shqipëria. Pas 10 minutash i thashë të ikte. U përqafuam prapë në korridor. Ajo natë ishte hera e fundit që kam parë Pascale. E kishim vendosur me tim shoq që po të na thërrisnim për çfarë ndodhi, të thoshim se Pascale më kish bërë një vizitë surprizë që të më uronte ditëlindjen. Por ajo datë preçize dhe ajo ngjarje e mbetur në kujtesë në detajet më të imëta, më kujtoi tamam situatën e atij momenti në Tiranën komuniste, ashtu siç ma kujton edhe dita e vdekjes së Enverit, apo gjendja e Gjekës poet nga Malësia, apo edhe dita kur të futurit nëpër ambasada u nisën pa gdhirë nëpër destinacionet jashtë Shqipërie. E imagjinoj si i kanë jetuar sekondat e pafund mes ambasadave dhe portit, pasigurinë, frikën, ëndrrën, harenë, jetëvdekjen.

Nuk mund t’ua shpjegosh bindshëm dhe realisht komunizmin atyre që s’e njohin, me shprehje e përshkrime të përgjithshme. Nuk do e ndienin, dhe, ashtu, thjesht do u shtohej në kokë një slogan historik më shumë. Por edhe ne vetë që e jetuam, kemi tendencën që me kohë të përgjithësojmë. Mua vetë, që të kuptoja gjendjen e momentit kur Gjeka u arratis, m’u desh të sjell në kujtesë disa vektorë historikë të fjetur, përfshirë edhe ikjen time një muaj pas tij, që, veç duke i ngjallur, më sollën ndjesinë reale të Shqipërisë së vitit ’84, ’89, ’90. Ndryshe, do kisha deformuar të vërtetën e vjeshtës së vitit të gjatë ’90 në Shqipëri.

 


Vijon pas dy javësh me pjesën e dytë:

Të sotmëve, si t’ua tregosh komunizmin?

2. “Foli kundra”- duke lexuar Gjuha e thyer, gjuha që thyen

 

(c) 2021, Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

About the Author

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page