SHËNIME PËR GJININË

Me konvencion, në shqipe – si në shumë gjuhë të tjera që kanë dy gjini gramatikore – format mashkullore janë zgjedhur, me marrëveshje, të funksionojnë edhe si forma gender neutral; në kuptimin që aktor shënjon një profesion të caktuar, dhe shumësi aktorë zakonisht shënjon aktorë edhe meshkuj edhe femra; ndërsa aktore, si në njëjës si në shumës, shënjon vetëm femëroren. Dukuria është e përgjithësuar. Kur lexojmë një fjali si protestuesit u ndalën para Bashkisë së qytetit, asnjëherë nuk kujtojmë se kanë protestuar vetëm meshkuj; përkundrazi, protestueset u ndalën para Bashkisë së qytetit na njofton se po protestonin vetëm vajza/gra. Disa mendojnë se kjo përshtatje e formave mashkullore si forma gender neutral është shenjë, pasojë por edhe shkak i vendit dytësor që i është dhënë gruas në shoqëritë mashkullo-centrike – dhe në gjuhë.

Diçka e ngjashme ndodh me prapashtesat që formojnë emra të gjinisë femërore, të tilla si -e, -eshë e ndonjë tjetër. Prirja është që emrat femërorë p.sh. të profesioneve, si aktore, infermiere, police të formohen mbi tema mashkullore (aktor, infermier, polic), çfarë e bën sërish femëroren kategori të shënjuar (marked), në raport me mashkulloren.

Vetë dallimi gjinor si dallim morfologjik, nëpërmjet një prapashtese, si në rastin e lexues/lexuese, punëtor/punëtore etj., është trivial dhe gjithsesi jo-problematik. Më problematike janë rrethanat kur një emër mashkullor, në njëjës ose në shumës, përdoret për të shënjuar edhe gra ose vajza, si në rastin e protestuesve që janë zakonisht të së dyja sekseve. Mund të sillen shembuj të panumërt emrash në gjininë mashkullore njëjës, të përdorur si gender neutral, si në të gjitha ato raste kur është fjala për një emër vepruesi (nomen agentis) të parë në esencën e vet: aktori ka nevojë të përgatitet, para se të hyjë në skenë; këtu aktori, edhe pse në gjininë mashkullore, nuk i referohet një aktori mashkull, por një profesioni(sti) të caktuar. Përballë këtij përdorimi, forma aktore/aktorja duket se përdoret në kontekste të tilla si Fatma është aktore e dobët – ku gjinia është çështje përshtatjeje në rrjedhë të thënies; ose Na duhet një aktore e mirë për rolin e Zhuljetës. Por prania e gatshme në leksik e formës femërore si aktore, nuk arrin ta shtyjë aktor në skajin e kundërt; gjë që do të thotë se gjinia mashkullore e aktor, në një numër të madh kontekstesh, vjen e i ngjan, tipologjikisht, gjinisë mashkullore të emrave si laps ose ulli (thjesht duke përcaktuar sjelljen morfologjike të emrit në fjali).

Nga ana tjetër, në shqipe nuk e kemi problem të pranojmë emra të përveçëm vajzash/grash që lakohen si të gjinisë mashkullore, si Irisi, por marrin mbiemra të gjinisë femërore: Irisi m’u duk e lodhur sot; njëlloj ndodh edhe me emra të përveçëm si Pirro, Niko që përdoren për djem/burra, edhe pse lakohen si të gjinisë femërore (Pirroja m’u duk i lodhur sot). Mirëpo nuk themi dot: piloti m’u duk e lodhur, në rastin e një piloteje femër; dhe kjo sepse shqipja na e ofron menjëherë formën pilote; me fjalë të tjera, Iris është emër femëror ndryshe nga ç’është emër femëror pilote sikurse edhe ndryshe nga janë emra femërorë fushë, fasule dhe dëborë.

Zgjidhja për ta pasur formën mashkullore edhe si gender neutral nuk është as artificiale, as krejt arbitrare. Një emërtim si Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve nuk do të thotë se shkrimtaret dhe artistet nuk mund të jenë pjesë e kësaj organizate, dhe as se nuk kanë qenë kur ajo organizatë u krijua në krye. Megjithatë, shqipja – ashtu siç e përdorim sot – i ruan në strukturat semantike dhe gramatikore të gjinisë disa koncepte dhe hierarki përndryshe të kapërcyera, ku aktiviteti publik ishte prerogativë dhe ekskluzivitet i burrit. Ndoshta kjo mund të shpjegojë edhe pse, njëlloj si në disa gjuhë të tjera, emrat e tipit aktore, regjisore, piktore ndërtohen me prapashtesë mocionale[1], mbi temat përkatëse mashkullore, çfarë e bën njëfarësoj femëroren të prejardhur nga mashkullorja.[2]

Nga ana tjetër, shumë emra vepruesi e shënjojnë dikë në bazë të një veprimi që kryen a që e ka për profesion ta kryejë – një fjalë si lexues e shënjon personin në fjalë në bazë të aktivitetit të leximit (lexues është dikush që lexon), me fjalë të tjera, të foljes lexoj. Por foljet në shqipe nuk kanë gjini. Që lexues është fjalë e gjinisë mashkullore në shqip, këtë e përcakton prapashtesa –(ue)s, e cila arbitrarisht dikton që emri të lakohet si mashkullor. Kur thua se ky libër është pëlqyer nga lexuesit, emri lexuesit nuk është se u referohet lexuesve meshkuj, por thjesht do të thotë se bëhet fjalë për persona që lexojnë; përkundrazi, kur thua se ky libër është pëlqyer nga lexueset, vetvetiu kuptimi është se librin e ka lexuar kryesisht, në mos ekskluzivisht një publik femëror. Një nga arsyet pse ndodh kjo, është se shumë emra të kësaj kategorie morfo-semantike janë të ngjashëm me mbiemrat cilësorë, të cilët e marrin gjininë nga emri të cilit i referohen. Lexuese është një vajzë ose grua që lexon, por nuk ka asgjë kuptimisht femërore tek akti ose aktiviteti i leximit.

Ka pastaj fjalë që janë mirëfilli gender neutral, p.sh. prind, pa çka se edhe kjo lakohet si mashkullore. Por ndryshe nga nëna dhe babai, prindi si fjalë relacionale (mund të jesh prind jo në vetvete, por gjithnjë në raport me fëmijën/fëmijët e tu) e shënjon rolin vertikalisht, duke e zhveshur nga gjinia – ngjashëm me fjalën fëmijë, e cila është gjithashtu gender neutral dhe nuk i referohet detyrimisht gjinisë (aq sa folësit luhaten deri edhe në mbiemrat që do të përdorin me të: fëmijë e mirë apo fëmijë i mirë?). Ka edhe emra të tjerë që haptazi funksionojnë kështu, por prind dhe fëmijë nuk kanë forma mocionale, çfarë tregon – në kontekstin tonë – se shqipja është në gjendje t’i pranojë forma të tilla (një tjetër emër jo-mocional është njeri, që përdoret në mënyrë indiferente për një burrë ose një grua, edhe pse formalisht e gjinisë mashkullore; edhe shumësi njerëz i mbulon indiferentisht edhe burrat, edhe gratë). Mes emrave dhe përemrave të tjerë gender neutral të shqipes, vlejnë të përmenden edhe individ, person, rob, subjekt ose përemrat kush, dikush, askush, kushdo, disa, shumë, ndonjë, etj. Edhe përemrat vetorë/dëftorë ato/këto, në të folmen bisedore të Tiranës dhe të viseve të tjera të gegnishtes, kanë marrë disa atribute të neutralitetit gjinor: shko fol me ato nuk implikon se duhet folur me persona të gjinisë femërore, sa kohë që format ata/këta nuk përdoren më.[3]

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Mocionale quhet ajo prapashtesë që formon emra (dhe mbiemra) femërorë nga tema emrash (dhe mbiemrash) mashkullorë, si në shqipe -e, -eshë, e ndonjë tjetër.

[2] Zakonisht supozohet (shih këtu) se efektet kognitive të gjinisë gramatikore varen nga vetitë e mëposhtme të sistemit të gjinisë të një gjuhe: (1) numri i gjinive – gjuhët me dy gjini pritet të gjenerojnë efekte gramatikore të gjinisë më të forta se gjuhët me tre ose më shumë gjini; (2) shkalla e korresponencës mes gjinisë gramatikore të emrave dhe seksit biologjik të referentëve (hipoteza e seksit dhe gjinisë); (3) shtrirja e përshtatjes në gjini të pjesëve të ligjëratës si përemra, mbiemra, numërorë, etj. me emrin.

[3] Është lënë jashtë këtyre shënimeve problematika që sjellin në ligjërim – por edhe në gjuhë – transgjinorët dhe kategoritë e tjera fluide të seksualitetit; thjesht ngaqë kjo problematikë nuk duket të ketë zbarkuar ende në brigjet e shqipes. Gjetiu – si në anglishte – bëhen diskutime të zjarrta për përemrat që duhen përdorur me individë që u përkasin këtyre grupeve ose që identifikohen sipas modeleve jo-tradicionale të identitetit seksual. Për shqipen po mjaftohem të them që (ende) nuk i ka mjetet për t’u bërë ballë trysnive si ato që janë shfaqur për anglishten – ndoshta do të na duhet të shohim si do të reagojnë ndërkohë gjuhë dhe kultura të ngjashme, si ato të gjuhëve romane (italishtja, frëngjishtja, spanjishtja).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin