GJELL- E SHQIPES SI LËNDË E PARË PËR ANTROPOLOGJINË

nga Albert Riska

 

Një vlerë e lidhjeve dhe e përkimeve leksikore

Nga hetime në studimet etimologjike[1] në fushë të gjuhës shqipe mund të arrihet lehtësisht në përfundimin se në fondin e vet të trashëguar shqipja ka ruajtur shumë dhe shumë mirë gjurmët e një dukurie të lashtë të gjuhëve indoevropiane siç është apofonia.

Gjatë hulumtimeve mund të vihet re se fjalë të ndryshme bashkohen në çerdhe me lidhje të qarta gjuhësore, por, veç këtyre, midis këtyre fjalëve, apo grupeve të fjalëve, mund të zbulohen edhe marrëdhënie të natyrave të tjera që do të mund të përbënin prurje shumë interesante e do të ndihmonin për diskutimin e çështjeve shumë të rëndësishme, deri në lëmë të studimeve të natyrës antropologjike.

Natyrisht që terreni është ai i etimologjisë shqipe, por duket shumë e rëndësishme të theksohet se nuk është fjala vetëm e thjesht për marrëdhënie fonetiko-leksikore brendagjuhësore. Rasti në fjalë do të tregojë se raportet që mund të lexohen brenda shqipes mund të bëhen dëftues të rëndësishëm për të kërkuar të njëjtat raporte edhe midis përgjegjëse të këtyre fjalëve shqipe në gjuhë të tjera, detyrimisht edhe në nivel të familjes gjuhësore indoevropiane.

Pra, ajo çka ruan dhe ofron gjuha shqipe mund të ndihmojë për të zbuluar lidhje leksikore të pavëna re ose të papranuara midis fjalësh me të njëjtën përbërje fonematike në gjuhë të tjera të familjes.

Është e qartë se marrëdhënie të tilla ndërgjuhësore janë krejt normale brenda familjes, por një çerdhe fjalësh shqipe do të fitonte rëndësi të veçantë për shkak të vlerës që mbart, e ritheksojmë, jo thjesht për atë tufë përkimesh ndërgjuhësore, por për atë çka i ofron dijes shoqërore me natyrën e të dhënave jetësore që ka ngurtësuar.

 

Lidhjet e mundshme midis fjalëve shqipe gjellë, gjallë dhe gjollë e i njelmët

Në aspektin fonematik nuk mund të dyshohet se gjallë e gjellë dhe gjollë e i njelmët përbëjnë një çerdhe fjalësh shqipe me lidhje të qarta etimologjike. Nga rindërtimet fonetike mund të vihet re se dallimet midis tyre qëndrojnë vetëm në zanoret rrënjore, të cilat duket se përfaqësojnë shkallë të ndryshme vokalike të zanores bazë dhe do të duhej të pranonim, kështu, raporte apofonike.

Gjollë “vendi ku i hidhet kripë bagëtisë” shfaqet sot me përdorim të kufizuar, por mund të ndiqet shumë mirë në toponimi, edhe me trajtat vgjollë e jollë, çka do të tregonte se ajo ka pasur dikur një përdorim shumë më të gjerë.

Edhe i njelmët (< i ngjelmët) “i kripur” ka sot përdorim të kufizuar, dhe kjo kuptohet për shkak të sinonimisë me i kripur, veçse në bazë të saj mund të veçohet një gjel-, që do ta lidhte në mënyrë të padyshimtë me grupin.

Më të përdorshmet e më të njohurat e këtij grupi, gjallë e gjellë, janë pa dyshim fjalë të fondit themelor të shqipes, janë shumëvlerëshe dhe, bashkë me derivatet e tyre, krijojnë një grup fjalësh me shumë interes në aspektin historiko-gjuhësor.

Kështu, në fjalorët e shqipes së sotme gjejmë katër njësi me përbërjen fonematike gjallë, si njësi leksiko-gramatikore të ndryshme dhe me një larmi kuptimore që tregon se kemi të bëjmë me një bazë shumë aktive dhe me histori shumë të gjatë.

Është fakt i njohur se gjellë dëshmohet në gjuhën shqipe me dy kuptime, “jetë” e “ushqim” dhe nëpërmjet tyre ajo shfaq lidhje semantike, nga njëra anë, me gjallë dhe, nga ana tjetër, me gjollë e i njelmët.

Gjellë bëhet kështu nyjë lidhëse për të gjitha fjalët e çerdhes. Lidhja me gjallë implikon kuptimin abstrakt “jetë”, ndërsa lidhja me gjollë ka të bëjë me kuptimin konkret “ushqim”. Në këtë mënyrë, në qoftë se do të pranohej lidhja midis këtyre dy kuptimeve, do të pranohej detyrimisht edhe lidhja midis gjallë e gjellë “jetë” me gjellë “ushqim”, gjollë e i njelmët, për të pasur, kështu, një çerdhe fjalësh me lidhje etimologjike të mbështetur shumë mirë edhe semantikisht.

E në fakt kemi të bëjmë me dy kuptime që lidhen mirë me njëri-tjetrin, sepse rrjedhin nga i njëjti koncept, sipas Çabejt, nga koncepti i “të qenit, të mbajturit gjallë”.

 

Përkime të fjalëve të çerdhes në gjuhë të tjera

Bie në sy se në trajtimet etimologjike të fjalëve të kësaj çerdheje shqipe thirren në lojë përgjegjëse të gjuhëve të tjera që duket se qëndrojnë me njëra-tjetrën në të njëjtat raporte fonematike sikurse në shqipe.

Kështu, mund të përmendim:

te greqishtja kemi όλος “i tërë” dhe aλς ~ aλός “kripë”, që, në aspektin fonematik, dallojnë me njëra-tjetrën vetëm nga zanorja rrënjore dhe mund të flitet për shkallë të ndryshme apofonike;

tek armenishtja “i shëndoshë, i tërë” dhe “kripë”, provohet e njëjta situatë;

te latinishtja salvus, salūs “i tërë, i shëndoshë” dhe sāl ~ sălis “kripë”, gjejmë të njëjtën zanore rrënjore me shkallë të ndryshme sasiore;

mund të shtohet këtu edhe sllavishtja e vjetër kishtare solь e rusishtja e vjetër sal, të dyja për “kripë”.

Materiali që ofrohet nga këto gjuhë, por edhe nga gjuhë të tjera, ka bërë të mendohet një bazë e përbëshkët indoevropiane, *sel-.

Nga një bazë e tillë, me mënyrat e ndryshme të reflektimit të bashkëtingëllores nistore, mund të sillen normalisht rrënjët greke e armene ol-/al-, rrënja latine sal-/sāl, rrënjët sllave solь/sal, si edhe rrënjët shqipe gjellë, gjallë, gjollë.

Dallimet në shkallë të ndryshme vokalike të zanores rrënjore dëshmojnë të paktën tri shkallë apofonike dhe duket se gjendja më e plotë e skemës së lashtë të fjalëpërftimeve indoevropiane ruhet në gjuhën shqipe.

 

Si përfundim:

Në një situatë të tillë të marrëdhënieve leksikore do të ishte normale të diskutohej nëse kemi të bëjmë me një shumësi lemash indoevropiane me përbërjen fonematike *sel- (të paktën dy) apo kemi të bëjmë me një lemë të vetme, me kuptim gjenerik, nga e cila, me zhvillime semantike largvajtëse, janë përftuar disa njësi të ndryshme leksikore në gjuhë të ndryshme.

Për natyrën e saj, çerdhja leksikore shqipe do të mund të mbështeste mundësinë e një leme të vetme indoevropiane me përftime leksikore paralele në disa gjuhë, kuptohet për rrethana që duhen ndjekur.

Këto lidhje dhe, për më tepër, përfshirja në këtë çerdhe e fjalës gjallë, nuk ka dyshim se do të kërkonin një mbështetje të natyrës antropologjike. Kjo mbështetje duket se qëndron te roli i kripës në jetën njerëzore.

Dihet se njohja e kripës është shumë e hershme për njerëzimin dhe se në një kohë të caktuar kripa ka shërbyer edhe si mjet shkëmbimi (dëshmuar prej fjalës italiane salario). Edhe Rruga e Mëndafshit dikur mbante emrin Rruga e Kripës.

Mund të thuhet se përdorimi i kripës (në regjje lëkurash dhe në përgatitjen e ushqimit) është një nga ato aftësi që i ka mundësuar njeriut të bënte një hap të rëndësishëm në shkëputjen nga pararendësit e vet.

Për t’u shënuar këtu vërejtja e Çabejt se në emrin indoevropian të “kripës” shqipja merr pjesë me dy fjalë, njelm e shije/shile.

Për më tepër, në gjuhën shqipe gjejmë edhe derivate të fjalës gjellë që shënjojnë po kripën, si gjellëz “kripë gjelle” dhe gjillesë “kripë, shije”. Këto të dhëna, jo vetëm sigurojnë lidhjen midis gjellë, gjollë e i njelmët, por mund të lejonin të supozohej që fjala gjellë mund të ketë pasur edhe një kuptim të tretë,“kripë”.

Studimet e thelluara antropologjike në këtë lëmë do të kenë një mbështetje të fuqishme në materialet gjuhësore që ofron shqipja.

 

(c) 2021 Albert Riska. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Për të lehtësuar raportet me lexuesit nuk kemi përdorur citime dhe kemi shmangur referencat, por sigurojmë lexuesin se është respektuar në mënyrë rigoroze mendimi i specialistëve në çdo rast.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin