GJUHA QË NA DETYRON

Kur vijmë në këtë botë e fillojmë socializimin duke hyrë në gjuhën e nënës, e cila na bën njerëz duke na folur. Kjo gjuhë e nënës nuk është thjesht mjet që na ndihmon të japim e të marrim me të tjerët, por edhe një sistem i ndërlikuar konceptesh, i cili na ndihmon të organizojmë perceptimin dhe arsyen.

Edhe pse ky sistem është tejet fleksibël dhe plural, sërish na imponohet, duke na detyruar t’i nënshtrohemi kornizimeve të tij konceptuale.

Le të marrim një thënie të thjeshtë të tipit më dhemb koka; jo gjithnjë jemi të vetëdijshëm se si e ndërmjetëson shqipja formulimin dhe pastaj komunikimin e këtij informacioni: edhe pse jam unë (folësi) që e përjetoj dhimbjen, thënia e paraqet kokën si subjekt (kryefjalë), paçka se koka është ajo pjesë e trupit tonë nga ku na duket se vjen dhimbja – ose burimi i ndjesisë. Unë si subjekt shprehem te thënia nëpërmjet një përemri vetor trajtë të shkurtër, , në një rasë të zhdrejtë (dhanore) e cila rasë, në këtë thënie, vetëm sa tregon se koka është imja (më përket mua). Më në fund, folja dhemb, që e shënjon dhimbjen si proces, është e detyruar ta lokalizojë atë në momentin e tanishëm, ose në kohën e tashme; në kuptimin që nuk mund ta komunikojmë këtë përjetim pa specifikuar se kur ndodh: tani, në të shkuarën apo në të ardhmen.

Nuk mund të themi, në shqip, “dhemb koka”, pa e saktësuar se kush po e përjeton këtë – përveçse po të nominalizojmë dhe të themi dhimbje koke. Nuk mund ta përcjellim informacionin se koka që dhemb është “imja”, nëpërmjet një pronori: koka ime dhemb tingëllon gati jo-shqip. E kështu me radhë. Edhe një formë alternative e shprehjes së të njëjtës eksperiencë, si kam dhimbje koke, e jep lidhjen e procesit (dhemb) me subjektin (unë) nëpërmjet foljes kam, e cila shpreh pronësi a përkatësi.

Shumësi është një tjetër kategori gramatikore komplekse: tek emrat, ai tregon zakonisht shumësí, p.sh. katër lepuj në krahasim me një lepur; por te mbiemrat cilësorë shumësi nuk ka, në thelb, asnjë kuptim: te togfjalëshi lule të freskëta, shumësi i mbiemrit i freskët nuk tregon gjë ndonjë shumësí të cilësisë së freskisë (cf. anglishtja fresh flowers), ndërsa te folja, p.sh. lepujt u fshehën në shkurre, shumësi u fshehën nuk tregon ndonjë shumësí të veprimit, por vetëm që atë veprim po e kryejnë disa subjekte.

Edhe më komplekse është gjinia gramatikore, sidomos në raport me seksin – dhe kjo edhe për shkak se gjinia gramatikore i ka rrënjët te semantika e seksualitetit binar. E kuptojmë pse emri djalë është i gjinisë mashkullore ndërsa emri vajzë i gjinisë femërore; luhatemi me gjininë e fjalës fëmijë; por nuk e shpjegojmë dot pse emri libër është i gjinisë mashkullore, ndërsa emri revistë i gjinisë femërore; dhe sidomos, nuk e shpjegojmë dot se çfarë avantazhi i sjell kjo gjini (gramatikore) gjuhës. E megjithatë, shqipja na detyron t’i japim gjini gramatikore çdo emri – madje edhe një emri që nuk ekziston si fjalë: mund të mos e dimë se ç’kuptim ka fjala shtyllak, por e dimë se është e gjinisë mashkullore. Kjo shpjegon edhe një farë ngurrimi që kemi, për të përdorur përemrat vetorë për sende dhe të themi, bie fjala, ajo nuk mbyllet mirë, për dritaren.

Shqipja ka pasur edhe një gjini të tretë, asnjanësen; që sot mezi mbijeton, në emra prejfoljorë të tipit të shkruarit (me dorë) e në ndonjë formë tjetër; këtë gjini e kanë edhe gjuhë të tjera indo-europiane, dhe rrëgjimi i saj në shqipe mund të krahasohet me një proces të ngjashëm në gjuhët romane, në krahasim me latinishten. Përkundrazi, një gjuhë edhe ajo indo-europiane si anglishtja e ka humbur gjininë krejt. Edhe pse anglisht-folësit ndonjëherë e quajnë anijen me përemrin e gjinisë femërore she, për këtë gjithnjë ekziston një shpjegim gati poetik (qoftë ky edhe i pasaktë); ndërsa për gjininë e sendeve në shqipe jo.

Ose të marrim nyjën shquese, që – në ato gjuhë që e kanë, si shqipja – luan rol kritik në organizimin e thënies. Kur flasim shqip, gjithnjë na duhet të zgjedhim mes formës së shquar dhe të pashquar të një emri – p.sh. të themi bleva një makinë dhe m’u prish makina; por edhe nuk më duhet makinë, për të shkuar atje (pa një). Ata që i kanë gjuhët amtare pa nyja – siç është rusishtja – heqin keq për t’i mësuar këto nuanca.

Në përgjithësi, gramatika gjithnjë detyron – dhe këtu nuk e kam fjalën për gramatikën që mësohet në shkollë, por për gramatikën si parim organizues të çdo gjuhe. Për gjuhën amtare, këtë detyrim nuk e ndiejmë; por kur e mësojmë standardin në shkollë dhe detyrohemi të zgjedhim midis formave të tilla si male të larta dhe male të lartë, ose edhe më keq, po due me thanë dhe po dua të them koercioni na shfaqet edhe në vetëdije; njëlloj siç na shfaqet kur fillojmë të mësojmë një gjuhë të huaj.

Natyra shtrënguese (koercitive) e gramatikës nuk e bën gjuhën detyrimisht anti-liri (edhe pse Barthes-i e pat quajtur dikur fashiste, në një kontekst tjetër, më të nuancuar); por ideologët gjithnjë janë tunduar nga vetia gati magjike e gjuhës për t’i maskuar dhe kamufluar detyrimet gramatikore, duke i shtyrë në pavetëdije, duke u rrekur pastaj që ta përdorin koercionin gjuhësor jo vetëm si model, por edhe si vektor të koercionit ideologjik.

Mund të diskutojmë, për shembull, nëse folësit e gjuhëve që e kanë gjininë si kategori gramatikore e kanë botëvështrimin më të kushtëzuar nga gjinia dhe seksi (si shqipja) se folësit e gjuhëve të cilave u mungon gjinia si kategori gramatikore (p.sh. turqishtja). Ose, për shembull, që gjuhë si shqipja, që kanë fjalë si njeri, të cilat e shënjojnë dikë pavarësisht nga seksi që ka a që prezanton në publik, janë më pak “seksiste” se gjuhw si italishtja, që duhet detyrimisht të zgjedhin mes uomo dhe donna. Një shkollë linguistike (general semantics) ka pasë sugjeruar dikur se ndërhyrjet në ligjërim (dhe në gjuhë) mund të kenë efekt terapeutik në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Sot e kësaj dite, janë të shumtë ata që besojnë se patologjitë sociale mund të kurohen, ose të paktën të zbuten, nëpërmjet terapisë gjuhësore.

Edhe më e logjikshme duket që shkolla të ngulitë idenë se koercioni gramatikor – dhe në përgjithësi gjuhësor – është i dobishëm, por edhe arbitrar ose të paktën jo i domosdoshëm; dhe se fakti që dyshemeja në shqip është e gjinisë femërore, ndërsa tavani i gjinisë mashkullore nuk do të thotë se këto pjesë të dhomës mund të qëllojë të tërhiqen heteroseksualisht ndaj njëra-tjetrës; dhe se mashkullsia gramatikore e fjalës dem nuk ka ndonjë lidhje të thellë me mashkullsinë biologjike të demit si gjallesë (gjermanishtja Mädchen, “vajzë”, është e gjinisë asnjanëse, das Mädchen), çfarë do të thotë, përtej shakasë, se nuk duhen ngatërruar vetitë e fjalës me vetitë e sendit që i referohet fjala – ose që, siç e kanë thënë të vjetrit, fjala qen nuk ka kafshuar kënd deri më sot. E gjithë kjo nuk është aq naive sa ç’mund të duket.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: Shembujt më lart janë të thjeshtuar – mund të sillen gjithnjë kundërshembuj dhe përjashtime. Uroj që lexuesi të mos kapet pas këtyre të fundit.

Kopertina: Herr Mond und Frau Sonne (© Anja Uhren); në gjermanishte fjala Hënë është e gjinisë mashkullore, ndërsa fjala Diell e gjinisë femërore (flm M. Huta!); kjo kushtëzon edhe përfytyrimin e tyre si personazhe në folklor dhe në imagjinatën kolektive.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin