GAMORI DHE EVOLUCIONI NË GJUHË

nga Enkeleida Kapia

“Kanë një shprehje epike tironcit për gjithë ata që sistematikisht fusin hundët në gjëra që as i kuptojnë, as u takojnë: Graj gamorin tat!”, iu kundërvu Veliaj Metës në Twitter për qëndrimin që mbajti ndaj faktit që qeveria e kaloi pronësinë e godinës së Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kulturës te Bashkia e Tiranës. Rishfaqja e gamorit në ligjërimin publik, e pazakonshme për skemat rutinë të këtij komunikimi, tregon që folësi ka dashur qëllimisht të krijojë një individualitet gjuhësor, një idiolekt të vetin, duke i bërë jehonë urtësisë popullore. Në këtë rast, e folmja tipike tiranase rehabilitohet në zyrtarishte me qëllim që të vendosë një marrëdhënie hierarkike me bashkëfolësin (Metën, në këtë rast) duke dashur të bëjë zap ligjërimin mes tyre.

Ndodhte ndryshe në një shkollë në Tiranë. Në një nga ditët që bëja vjelje aty, mbajta frymën pas dere kur dëgjova mësuesen që i bërtiste një nxënësi të klasës së parë “ô, ô, kshu flitet, fol? Foool po të them, si flitet?”. Trokita dhe thërrita nxënësin e rradhës që të luante me mua një “lojë në kompjuter”, pa e ditur as ai vetë që loja ishte një lloj ushtrimi gjuhësor. Po do ma thush si e thu n’shpi, i thashë, jo si e thu n’shkollë. Katunarçe ta them?, – më pyeti, dhe vështrimi iu qesh.

Gamori dhe fjalë të tjera si gamori, i.e. damote, mol, spinoq, të cilat i gjejmë kryesisht në të folmet e Tiranës, Elbasanit, Peqinit, etj, ose siç e kanë quajtur ndryshe dialektologët këtë zonë, në zonën e gegërishtes jugore (por shih Bahri Becin së fundmi, i cili ka një mendim krejt tjetër për ndarjen dialektore të shqipes), janë objekte gjuhësore, të vlerta si ato muzealet, por ndryshe nga to jo të dekontekstualizuara, me anë të të cilave mund të mësojmë ç’ka ka ndodhur ose ç’po ndodh me gjuhën në një kohë të caktuar. Këto fjalë shërbejnë si një kanal që na lidhin jo vetëm me të kaluarën e shqipes, por edhe na mundësojnë një tablo të detajuar të së tashmes. Me fjalë të tjera, këto fjalë dialektore, të cilat bien në kontakt me forma të tjera paralele, luftojnë për mbijetesë sa herë që shqiptohen dhe në çdo moment të bashkëjetesës së tyre me format paralele mbartin në vetvete një “kod”, i cili na ndihmon të kuptojmë se ç’po ndodh me gjuhën në atë moment. Në kohërash trysnie të pazakontë, siç janë edhe ato në të cilat ka kaluar Tirana dekadat e fundit[1], natyrshëm pritet që dhe gjuha e saj të pësojë ndryshime. Po si ndryshon gjuha? Pse ndryshon? Cilët faktorë ndikojnë në ndryshimin e saj? Pse disa tipare i humbasim më shpejt se të tjerat? Ose pse disa tipare s’i gjen gjë e ca të tjera janë më të ndjeshme? Sa mund të përgjithësohen ndryshimet nga njëra gjuhë te tjera?

Nuk ka nevojë të jesh gjuhëtar që të dallosh që gamori ndryshon nga gomari në dy aspekte dhe që të dyja kanë të bëjnë me zanoret /a/ dhe /o/. Në rrokjen e parë, zanorja /o/ është kthyer në /a/ dhe në rrokjen e dytë, zanorja /a/ është kthyer në /o/. Kalimi nga /a/ te /o/ dhe anasjelltas është diçka krejt e natyrshme nga pikëpamja fiziologjike dhe kjo ka të bëjë me pozicionin e gjuhës në gojë kur i shqiptojmë këto zanore. Kalimi nga /a/ në zanoren /i/, nga ana tjetër, nuk do të ishte aq i thjeshtë sepse kërkon që gjuha (organi i mishtë brenda gojës së njeriut) të bëjë më shumë akrobacira. Në Fig. 1 më poshtë, janë paraqitur skematikisht me anë të lakoreve[2] lëvizjet e gjuhës brenda gojës kur shqiptojmë tingujt /a/, /o/ dhe /i/. Vëreni sa afër janë /a/ dhe /o/. Pra, është krejt normale dhe e mundur fiziologjikisht që /a/ dhe /o/ të kthehen në variante të njëra tjetrës. I ndan një fije peri, si me thënë. Por kjo s’do me thënë që të gjitha a-të dhe o-të janë ndërkëmbyer me njëra tjetrën në rrjedhë të kohës. Faktorë të tjerë luajnë rol po kaq të rëndësishëm.

Fig. 1. Pozicionet e gjuhës për shqiptimin e zanoreve /a/, /o/ dhe /i/

Arsyet, përveçse ato fiziologjike, se pse fjala gomar është kthyer në gamor, i përkasin kohëve të shkuara dhe nuk mund t’i dimë me siguri. Për kalimin e go-margo-mor (pra, ndryshimin që vërejmë te rrokja dytë) dimë që në vitet 60-70 prof. Met Çeliku pat shkruar që ky proces ka përfunduar në shumë zona rreth e përqark Tironës, por mund të jetë ende i papërfunduar për disa prej tyre. Sipas tij (Çeliku, 1966) në shumë prej këtyre fshatrave dukuria madje nuk dilte as me zanoren /a/ e as me zanoren /o/ në fshatrat qendrore të kësaj zone, por me një zanore diku të mesme, midis a-së dhe o-së. Çeliku e shpjegon përhapjen e dukurisë në këto fshatra gjitone me lëvizjen e fiseve nga njëri fshat te tjetri.

Po sot, po ta fusim gamorin, mocin dhe molin në “mikroskop”, çfarë shohim? Fare lehtë mund të hamendësojmë që varianti gamor dhe të tjera si kjo duhet të jenë në zhdukje e sipër në të folmet e tiransave të vjetër që jetojnë në Tiranën e sotme jo më homogjene. Tirana e sotme është çerdhe e gjithë të folmeve të shqipes e mbi të gjitha jeton nën një presion të vazhduar të standardit që ushtrohet me detyrim në ambiente mësimore, por ndoshta dhe administrative. Kështu që është krejt e arsyeshme të mendojmë që gamorin nuk e gjejmë më n’Tiron’. Kurse në fshatrat e Tiron’s, situata mund të jetë ndryshe. Marrim Bërzhitën, një fshat vetëm 15 km larg Tiranës, shtrirë rrëzë disa kodrave të buta, me popullsi fare të vogël, e cila i gëzohet tokave bujqësore që ka në luginën e lumit Erzen. Bërzhitarët merren me bujqësi e u shesin prodhimet e tyre, jo më me gamor, po me furgon, qytetarëve të Tironës. Rrinë në fshat, e kanë inat [inot?] Tironën, madje ka nga ata që kanë ‘bo shkollat n’Tiron dhe jan kthy me nejt n’fshat’.

Por a ka ndodhur kështu në të vërtetë? A ka pasur ndikim te këta folës fakti që rrethanat e tyre sociolinguistike kanë ndryshuar gjatë dekadave të fundit? Në Institutin e Gjuhësisë në Tiranë dhe atë të Fonetikës e Përpunimit të Gjuhës në Mynih kemi disa vite që shqyrtojmë ndryshimet që ndodhin në gjuhë dhe faktorët që sjellin këto ndryshime.(*) Përveç tiparit të gamorit[3], kemi futur nën lupën studimore edhe disa tipare të tjera, të cilat nuk po i trajtoj fare këtu. Informatorët tanë denbabaden tironsa, nga katuni e nga qyteti, të rritur dhe fëmijë, i kemi intervistuar duke folur katunarçe, siç e quajnë ata vetë të folmen e zemrës. Siç pritej dhe siç mund ta shihni dhe vetë në Fig. 2[4] katunarët e qytetit e kanë standardizuar gamorin[5], kurse ata të Bërzhitës herë-herë i thonë gamor e herë-herë i thonë gomar. Fëmijët qytetarë gomarit i thonë gomar qysh në klasën e parë dhe nuk e luan as topi, kurse ata nga fshati kanë filluar t’i largohen të folmes katunarçe drejt trajtës me –a-, pra gomar. Madje, duhet thënë që kalamojtë e katunit tregojnë qasje drejt standardit shumë më të theksuar se prindërit e tyre, i.e. më shumë i thonë gomar sesa gamor. Këto vëzhgime, pra, flasin për ndryshim – në qytet, në folmen shpejtë e pasforcuar të folësve, gamorit s’i ka mbetur as nami dhe as nishani, kurse në fshat ndryshimi ka filluar të ndodhë, dhe udhëheqës në “lëvizjen për ndryshim” duket që të jenë fëmijët.

 

Fig. 2. Përndarja e varianteve me /a/ dhe me /o/ tek të rriturit dhe fëmijët, në të folmet e qytetit dhe fshatit në zonën e Tiranës

 

Në rrugëtimet e tyre, në situata kontakti mes popujsh (madje dhe fisesh, siç e pamë më lart në hulumtimet e Çelikut), gjuhët pikëpriten me gjuhë të tjera, dialektet takohen me dialekte të tjera. Nga këto takime e kontakte, të parat që pësojnë ndryshime janë tiparet që lidhen me tingujt e gjuhës, të cilat ndryshojnë me ritme të ndryshme në varësi të një mori faktorësh që lidhen me vetë gjuhën dhe me rrethanat e saj. E sakaq që fëmijët njihen si një ndër aktorët kryesorë që shtyjnë përpara procesin e evolucionit të shkallëshkallshëm të gjuhëve në rrymë të kohës, unë nuk do i jepja rol më pak të rëndësishëm stigmës shoqërore që i karakterizon disa tipare gjuhësore në krahasim me të tjerat. Pa atë, stigmën pra, prefekti më i paharruar i Tironës nuk do të ishte dhe sot e kësaj dite Qazim Mulleti.

O Qazim, ore Qazim, puna jote aferim, gamor ti, gamor kush t’vuni, sot a neser valo druni. Kini hak, kini hak, gamor ene fort biles jom, përderisa maj krriçat ktuna me vete! Amo, keni për ta pa ne ju sa t’forta kan për t’qen shqelmat e gamorit t’Qazim Mulletës, kur t’i hani turinit.

 

© 2021, Enkeleida Kapia. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Në bazë të të dhënave të Bashkisë së Tiranës, qyteti është trefishuar në 20 vitet e fundit.

[2] Lakoret në këtë figurë janë agregate të modeluara nga disa folës të shqipes.

* Projekti është i financuar nga European Research Council Grant no. 742289 Human interaction and the evolution of spoken accent (2017-2022).

[3] Tiparin po e përgjithësoj me fjalën /gamor/ këtu nisur nga popullariteti i kësaj fjale, por lexuesi të ketë parasysh që për studimin e këtij tipari janë marrë në konsideratë dhe fjalë dhe shprehje të tjera.

[4] Studimin e plotë mund ta ndiqni në fundgusht në konferencën ndërkombëtare Interspeech 2021 në faqen https://www.interspeech2021.org/.

[5] Sërish, kujtoj lexuesin që këta grafikë nuk janë vetëm të fjalës gomar/gamor, por janë agregate të të gjitha fjalëve në studim që ilustrojnë dukurinë.

Rreth Autorit

Enkeleida Kapia është kërkuese shkencore për çështjet e gjuhës pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe Universitetit Ludwig Maximilians në Mynih. Puna e saj kërkimore përqendrohet në aspektet psikolinguistike dhe sociolinguistike të gjuhës si dukuri njerëzore tek individët një- ose disa- gjuhësh. Është autore e disa librave, ndër të cilat edhe Psikolinguistika, i cili trajton anën konjitive dhe fiziologjike të gjuhës, me të dhëna dhe ilustrime edhe nga shqipja. Përpara kthimit të saj në Evropë, ajo ka punuar në Universitetin e Bostonit, ku ka kryer dhe studimet e saj doktorale. Pasioni i saj është hulumtimi i faktorëve që ndikojnë në përvetësimin e gjuhës nga fëmijët e vegjël si premisë kryesore jo vetëm në debatin “nature vs nurture”, por edhe në zbërthimin e natyrës modulare dhe evolucionare të gjuhës. Afërmendsh që dashuria e saj është shqipja.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin