NJË EMËR PËR NJË RRUGË

Vite më parë, pak kohë pasi ndërroi jetë im atë, mora garanci – pa i kërkuar – edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës i asaj kohe, Edi Rama, edhe nga Presidenti Bamir Topi, se kishin vënë në lëvizje mekanizmat burokratikë të nevojshëm, për t’ia dhënë një rruge të kryeqytetit emrin Ulvi Vehbiu. Duke e ditur se ç’komedi luhet me emrat dhe emërtimet publike në Shqipëri, ky premtim nuk më mallëngjeu shumë; nuk i bënte nder tim eti, përkundrazi, e përfshinte në një karnaval të politizuar dhe të përkohshëm, të cilit po të ishte gjallë do t’i kish ndenjur larg. Megjithatë, i falënderova të dy personalitetet, të cilët edhe i njihja nga afër dhe i vlerësoja si miq – i bindur se ishin nisur për mirë.

Kaluan kohë, por si familje nuk dëgjuam gjë, as nga Bashkia as nga Presidenca; titullarët e këtyre institucioneve ndërkohë u ndërruan dhe ne, familja, kujtuam se praktika ishte harruar. Mirëpo befas më shkruan një ditë një kushëri, i cili kish qëmtuar në hartën e Tiranës dhe kish ndeshur atje në rrugën Ulvi Vehbiu, diku afër ish-Stadiumit të Lojërave me Dorë. U përpoqa ta kontrolloj edhe unë: me sa duket një emër i tillë ekzistonte, madje mund të ish vënë që pa u ngritur rreth rrugës qyteti – siç është zakoni në Tiranë. Pashë disa fotografi në “street view”, më erdhi keq për babanë dhe për mundimin e tij prej mjeku, sikurse më erdhi keq për një shtet që i kujton kështu profesionistët e përkushtuar.

Dhe e lashë me kaq. Ngaqë kam shkuar shpesh në Shqipëri këtë periudhë, nuk ka nevojë që të ma kujtojë mospërputhja mes pamjes së kësaj rruge dhe kujtimit që kanë familja, kolegët, ish-studentët dhe mijëra të sëmurët për të cilët është kujdesur im atë në rrjedhë të viteve, se sa e brishtë dhe e pagarantuar është memoria kolektive në atdhe. Nuk më kanë bërë këmbët të shkoj dhe ta shoh rrugën vetë, por jam pothuajse i sigurt se ata që jetojnë aty nuk e kanë idenë se ç’ka qenë personi, emri i të cilit u shfaqet rregullisht në adresat dhe në dokumentet; nga fotografitë, më duket sikur “Rruga pa emër” do t’i shkonte më mirë, si emër.

I përfshirë dikur në një debat, për emërtimet urbane, Umberto Eco-ja pat sugjeruar – te “Via le vie!”, një Bustina di Minerva – që duhet pritur njëqind vjet, para se t’ia vëmë një rruge emrin e dikujt, për të shmangur rivlerësimet, kontestimet dhe “anulimet”. Dhe më tej: “Duhet mbajtur parasysh edhe se, të paktën në shenjë respekti për të vdekurit, se t’ia vësh një rruge emrin e dikujt është mënyra më e lehtë për ta dënuar me harresë publike dhe me anonimat shurdhues.” Ah. Ja që edhe intuita ime paskësh qenë e përligjur… (për këtë ka shkruar te Peizazhet edhe Rando Devole: Leksioni në testament).

Marksi pat vërejtur një herë: “Unë nuk di asgjë për një njeri, nëse di që e quajnë Jakob” – këtë na e përsëritnin në lëndët e gjuhësisë teorike, si provë të arbitraritetit të shenjës; edhe pse mendimi i Marksit është edhe i pasaktë edhe i referohet një shenje që nuk është arbitrare. Por ajo pak e vërtetë, në fjalët e filozofit, më vjen në mendje tashmë e metamorfizuar në “unë nuk di asgjë për një rrugë, nëse di që e quajnë U.V.” – sepse emërtimi, nga Bashkia ose kushedi ç’institucion tjetër trushkulur, nuk ka lidhje me natyrën e rrugës; nuk di që atje të kenë vënë në plan të ngrenë ndonjë institut të psikiatrisë, ndonjë qendër të psikoterapisë a ndonjë azil të sëmurësh psikikë kronikë… Madje, banorët e rrugës, po ta dinin se për çfarë duhet të mbahet mend im atë, mbase do të protestonin për emrin!

Te shkrimi i cituar më lart, Eco-ja kujton një Via Calandra, në Torinon e viteve të tij universitare, që e pat marrë emrin nga një Edoardo Calandra, shkrimtar i respektuar i shekullit XIX, por që në mendjen e qytetarëve u bashkëlidhej rregullisht shtëpive publike; dhe se në Milano, bordelloja më e frekuentuar nga ushtarët ishte në Via Chiaravalle, e emërtuar sipas një abacie “fisnike dhe zëmadhe.” Unë do të shtoja këtu se nga të gjithë ata që vijojnë përdorin rregullisht emrin “21 dhjetori” për një udhëkryq të Tiranës, pak do të kenë mbetur që e dinë se i referohet datëlindjes së Stalinit. Sikurse do të shtoja se në Romë ka një Quartiere Africano, u rrugët i kanë marrë emrat nga kolonitë afrikane të Mbretërisë së Italisë (via Tigrè, via Tripolitania, via Gadames, viale Libia, via Asmara – ku gjendet edhe ambasada e Shqipërisë, ironi më vete); të mendojmë tani sikur, me kalimin e kohës, banorët e qytetit etern të kujtonin se lagjja quhet ashtu, ngaqë aty jetojnë emigrantë nga vendet e Bririt të Afrikës!

Për emrat e rrugëve në Shqipërinë post-komuniste, kam shkruar dhe më parë; përtej nacionalizmit naiv dhe kitsch, ato përcjellin dëshirën e dobët të establishmentit kulturor të tanishëm për të imponuar një version “zyrtar” të kujtesës historike; pa çka se kjo i jep qytetit hijen e një varreze të dorës së dytë, diçkaje për t’u shmangur, edhe nga udhëtarët më kuriozë. Aq më tepër që vetë emërtimet kanë historinë e tyre, dhe u referohen shijeve, preferencave dhe manipulimeve ideologjike dhe kulturore të emërvënësve – origjinave të tyre krahinore, rivendikimeve dhe përrallave që u tregojnë njëri-tjetrit, në përpjekje për t’u mirëmbajtur si grup dhe për t’u riprodhuar.

Edhe pse i palodhur, në punën e vet disa dekadash si mjek dhe si pedagog, im atë u nëpërkëmb nga regjimi “demokratik” dhe “europian” që instaloi ish-kolegu i tij Sali Berisha; e nxorën me zor në pension kur mund të jepte akoma shumë dhe pa e zëvendësuar dot; mungesën e tij më thonë se ia ndiejnë sot e kësaj dite në spitalin ku punonte, në Fakultetin e Mjekësisë; edhe të sëmurët, edhe kolegët. U zhvendos, jo pa trishtim, në SHBA; por pas disa vjetësh u kthye sërish në Tiranë, për të pleqëruar; ku edhe vazhdoi të punonte edhe si mjek edhe si pedagog në universitetet private. Jam habitur kur më ka thënë, një nga kolegët e vet, se e kishin pasur të ndaluar ta ftonin për leksione, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës. Kur vdiq, disa fytyra institucionale-protokollare i kërkuan nënës sime që të lejonte organizimin e një ceremonie zyrtare, në Universitet; por nëna literalisht i dëboi nga shtëpia, meqë kurrsesi nuk donte të kishte gisht te ky kalim stafete i pështirë.

Edhe emërtimi i rrugës në mes të asgjësë po më duket, prandaj, si një orvatje e mëtejshme për atë damnatio memoriae, që e trajton Eco-ja; ose impotenca e një autoriteti kulturor që kërkon ta ruajë memorien historike duke e zhgarravitur kuturu mbi pergamenën e qytetit. Po të ishte kjo ligjërisht e mundshme, do t’i kisha kërkuar Bashkisë që t’ia vinin asaj rruge emrin e “Mjekut të panjohur.”

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin