BULEVARDI QË NUK MERITON (KËTË) EMËR

nga Adela Radovani

“Kam parë qytet pa bulevard por jo bulevard pa qytet”, një thënie nga një roman i Kadaresë, Ardian Vehbiu e citon ndërsa diskutimi papritur fokusohet për nga jeta embrionale e bulevardit të ri të hapur pranë ish Stacionit të Trenit. Takimi në Fakultetin e Arkitekturës për ribotimin e esesë Kulla e Sahatit mori drejtime interesante të natyrshme, si një rrugëtim mendor nga Kulla dhe Xhamia, drejt sheshit duke parë për nga kollonat e Operës dhe Baletit, me një sy nga Banka e Shqipërisë, drejt hinkës së Bulevardit Zogu I, për të përfunduar te Bulevardi i Ri. Janë disa gjëra që njeriu i ka vënë re kohë më parë, por vetëm kur një mendje e mprehtë ia organizon detajet në struktura që mund të shpjegohen, arrin t’i kalosh në ndërgjegje.

Bulevardi i Ri i Tiranës ende nuk e ka një nofkë. Në fakt ai nuk ka ndonjë emër veç cilësimit se është “i ri”. Ende ai nuk përmendet prej kujt si vendtakim, tregues thelbësor i pafuqisë për t’u ingranuar në jetën e përditshme e banorëve. Banorët e Tiranës nuk e kanë për zakon të thonë se do shihen në rrugën Reshit Petrela, aty ku pritet me Bulevardin Zogu I, ata takohen “te treni”. Kjo nofkë e fiks asaj pikëprerje rrugësh, e shumë pika të tjera, janë mistere për ata që nuk jetojnë në Tiranë. Disa studente nga Fieri më pyetën para pak ditësh, “Po treni ku është?”, “Është në zemrat tona.” iu përgjigja me gjysëm shaka. Kaq pak njihen emrat e rrugëve saqë unë mendoja deri para pesë minutash se kjo rrugë quhej Ferit Xhajko e jo Reshit Petrela[1]. Bulevardi i Ri është vështirë të bëhet pikë takimi edhe sikur të ketë dalje nga të dyja anët e saj; është larg nga qendra dhe në të nuk ka asgjë që mund të shërbejë si “landmark”. Nuk duket sikur është e mundur që diçka ta krijojë këtë shenjë, bulevardi është çuditërisht shumë i gjatë, nuk e ka mbi supe histori. Megjithatë, shkaku i ngërçit mbetet zvarritja e punimeve.

“Brenda tij ka gjithçka që do duhej të kishte një bulevard real, ka korsi biçikletash, pemë, trotuare, vend kalimi për autobusat por asnjë prej tyre nuk është në punë – i ngjan një maketi në përmasa 1:1.” thotë Ardiani më tej[2]. Do kishte qenë shumë më me mend të lidhej rruga “Siri Kodra” me “Reshit Petrelën” e më pas zhvillimi në sensin e një bulevardi me lulishte dhe hapësira parkimi. Por s’duhet ta harrojmë: parkimi mbaroi i pari dhe nisi funksion para se lulet e para të mbilleshin e të rriteshin sepse atij i nxirret një fitim i prekshëm direkt. Rilindja është kapitaliste shumë e egër, sidomos për një qeverisje që pretendon se është e majtë.

Rruga “Siri Kodra” është një rrugë e vjetër e lidhur historikisht me ish Frigoriferin, e ndërtuar pak dhe e lidhur me Unazën e Vogël me një hyrje të vetme te ambulanca e Dispancerisë. Ana tjetër shkon në Bregun e Lumit ku ndërtimi i unazës së madhe.

Mendohet si urë e jashtme për minibashkitë: një ditë. Bulevardi i ri është mjeti i bashkimit të “Siri Kodrës” me Unazën e vogël, është e vetmja mënyrë për t’i rënë Tiranës direkt nga ish Fusha e Druve, tani Alliasi, ose më tutje Kombinati e Porcelani, për në Zog të Zi ose Unazë të Vogël, ose “Don Bosko” e Laprakë. Për shkak të mungesës së një rrugice qoftë dhe për kalimtarë që do lejonte një dalje më të shkurtër, në Siri Kodra nuk ka ndërtim të vrullshëm, çmimet e shtëpive janë të ulta, popullsia e vobektë, mungesë biznesesh tipike tiranase si kafene e lloto dhe zona madje nuk ka as ndriçim të plotë natën. Në rreth një kilometër, e vetmja gjë që të mbetet në mend është një maçok i dashur që rri te dera e një marketi shumë të varfër.

***

Fjala bulevard në shqip, në anglisht kryesisht e njohur si “avenue” nga baza latine “venire”[3], është një rrugë e drejtë e rrethuar me pemë uniforme e cila të çon diku dhe anash ka diçka për t’u parë. Arsyet pse rruga “Karl Gega” nuk e meriton ende atë emër është se nuk të çon askund, të paktën për momentin, dhe as ka ndonjë gjë për të parë anash. Në njërën anë, bulevardi i gjatë dhe luksoz është i mbyllur tërësisht nga rruga paralele e Siri Kodrës, banorët e zonës, por dhe të Alliasit e të tjerë më sipër, shohin me sy e qajnë me zemër, një mur herë llamarine e herë betoni me tel me gjemba i mban në anën tjetër. A është kjo ndjesia që kishin dhe berlinezët e ngecur në Lindje? Ti i sheh rrugët që duhet të ishin aty, tashmë të mbyllura nga avllitë derisa arrin në fund, poshtë Frigoriferit, gati në Nënstacionin elektrik ku rruga hapet dhe më në fund bulevardi i ri lidhet me pjesën tjetër. Deri në verën e këtij viti ishte ende në ndërtim një segment i gjatë dhe jo pak herë kishte llucë deri në gju. Do mendoje se do ishte e thjeshtë të prishje oborret pa leje. Vërtet, do e mendoje duke parë sa e thjeshtë është të nxjerrësh banorët e një zone tjetër si Astiri në rrugë.

Ana përballë është një fushë e madhe ku lopë, dele dhe kafshë të tjera të disa shtëpiave private kullosin. Kaq. Nuk ka rrugë, dy pallate të reja janë ndërtuar në zonën e ish-tregut të fruta-perimeve, dhe pjesa tjetër është bar, gurë, lëndina me fshatarë që ecin përgjatë terrenit të thyer për të dalë tashmë direkt në unazë. Përtej asaj nuk ka mundësi kalimi më tutje.

Nëse Bulevardi që nuk e meriton këtë emër nuk i shërben njerëzve, nuk të çon kund e nuk shërben për gjë, për çfarë duhet ai? Për të majmur xhepa pushteti me para parkimi, për prerje shiritash? Mushkëri e re për qytetin nuk është, lulishtja e rrafshët dhe pemët e pakta nuk kanë fuqi pastrimi siç bashkia e reklamon. Prisni thotë kryetari, por ndërtimi po shkon vite e vite dhe zona ka mbetur gangrenë betoni, trafiku vetëm rëndohet, pa asnjë plan për tren ose metro. Një skelet i dhunshëm të një lokomotive të lyer me qëllimet, e besoj vërtet, më të mira, vetëm të qesh në fytyrë me arrogancë se kjo tashmë i përket së shkuarës. Si një monument përkujtimor i diçkaje ose dikujt tashmë të vdekur. Nuk ka më trena për këtë (krye)qytet. Ne i harrojmë këto sepse jemi mësuar të kërkojmë pak dhe të ndihemi si të padëshiruar; jemi mësuar që të përdorim atë çka na jepet. Ardiani na kujtoi që ne që banojmë duhet ta ​shijojmë qytetin, ai të ndërtohet për ne e jo ne të adaptohemi në të si minj laboratori. Një koncept i harruar por i keqpërdorur nga pushteti: qyteti duhet të na rrisi cilësinë e jetës, jo vegël fitimi për ​ata​, kushdo qofshin.

Herë e parë që ndodh por ja ku e kemi, një bulevard pa qytet e pa jetë, mbahet me taksa dhe punë krahu dhe shërben si vend fotosh për reklamat e Mobike-ut dhe hashtagje politike. Rinia dhe një grumbull qytetarësh, në dukje vizitorë, ecnin dhe uleshin në stolat e mëdhenj në mbrëmjet e nxehta, bënin foto dhe shihnin dritat. Fëmijët luanin me duart e tyre ose ndonjë top i rastit. Ndjesia e boshllëkut që të jepte ishte e arsyeshme. Duhet të pranoj ama, andej nga mesi, fiks te një bredh i vetmuar dhe disa bimëve të gjata si shkop e me fryt të kuqëluar, është vendi më ideal i Tiranës për të qëruar fara. Jo keq, si fillim.

 

© 2018, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara


[1][Kush është Reshiti njëherë? Po Feriti? Kushedi! As në kërkim online nuk del gjë mbi këto dy figura pa mëdyshje historike, por që janë më të famshëm si emra rrugësh tashmë

[2] perifrazim i përafërt

[3] fjala “boulevard” ka sot kuptimin e rrugës shumëkalimëshe për automjete, ky ndryshim erdhi sidomos pas viteve 1850 kur disa bulevarde në Paris u riemërtuan si “avenue” duke i dhënë jetë dallimit të këtyre dy fjalëve; më herët dhe etimologjikisht bulevardi ishte një rrugë e rrethuar me mure.

 

10 Komente

  1. “…një bulevard pa qytet e pa jetë…” ka pas qene edhe ai qe ndertuan italianet dikur. Majtas e djathtas tij qyteti ishte inekzisten per nje kohe te gjate.
    Me gjithe pjesen tjeter, por sidomos me frymen e ketij shkrimi jam dakort. Madje keto qe shofim e degjojme meritojne dhe me shume se kaq. Te shkon mendja te Gomari i Babatasit.

  2. Aah, aroma aq e njohur e skepticizmit elitar!
    Kete rradhe per bulevardin e ri.
    Tani kemi kritike per emrin e munguar, jo per vepren fiziike.
    Para ca kohesh ishte nje shkrim tjeter ketu qe harbuterine e “ushers” ja vishnin teatrit Turbina. Edhe atje, emri ja hante buken shkruesit…
    Ja ca emra qe kane mbetur ne Shqiperi …
    Pazar i Ri, Stacioni i Ri, Materniteti i Ri, Katund i Ri, Grude e Re, Lagja e Re, etj etj.
    Vemi me gjere…
    Newcastle, New York, Nova Zemlja, Novi Pazar dhe Nona e te gjitha gjonace te reja, per dashamiresit e historise, Kartagjenat, kudo qe ndodhen…

    1. Pazari i Ri erdhi sepse u hoq Pazari i Vjetër, Materniteti i Ri njihet edhe si Gliozheni, ashtu si Materniteti i Vjetër njihet si Geraldina. Bulevardi e ka mundësinë të quhet Bulevardi i Trenit, gojarisht nga banorët. Nuk po ndodh ende. Ja të presim. Qeveria nuk është se do bjerë ndonjë nga këto ditë.

  3. Natyrisht qe ky bulevard eshte i pakonfiguruar akoma keshtu qe i duhet dhene pak kohe per ta vleresuar perfundimisht. Sidoqofte une vej re dy gjera.

    E para me duket si bulevard pa identitet. Jo thjesht me ndertesat ne krahet e tij por edhe me vetveten ka probleme. Pavaresisht kendeve fotografike reklamuese apo ndertimeve te reja ai nuk merret vesh me tamam se cfare eshte. Nuk duket as si bulevard as si rruge autostrade, as si park as si rruge per kembesore. E megjithate te gjithe keto elemente jane aty. Por integrimi i tyre te jep nje shije jo te mire. Le dicka per te deshiruar. Bulevard deledash. Plus kesaj, mua me duket se ka disnivele sidomos aty ku perputhet me bulevardin Zogu i Pare. Dmth aty bulevardi duket sikur rri ne hava, nderkohe qe qyteti shfaqet poshte dhe jo bukur ne te dy krahet e tij. Pra ka edhe nje thyerje perspektive qe nuk e ben kembesorin te ndihet mire.

    I dyti eshte aspekti infrastrukturor. Ku te con ky bulevard dhe per cfare sherben. Dmth e shfryn ai trafikun dhe a lidhet me ndonje nyje te rendesishme me tutje. Edhe ne kete rast ndoshta duhet te presim sepse pershtypja ime eshte se ata qe e kane projektuar duan ta rrafshojne te gjithe zonen rreth e qark tij dhe te ndertojne serish. Ne kuader te asaj qe po ndodh tek Astiri, edhe kjo teori behet e besueshme. Por mua nuk me duket se ai ka ndermend te lidhet me ndonje arterie te rendesishme. Psh ka qene nje propozim interesant i Spartak Ngjeles vite me pare kur ai kandidonte per postin e kryetarit te Bashkise se Tiranes. Sipas ketij propozimi, ky bulevard duhet te vazhdonte dhe te sherbente si rruge hyrese per Veriun ne Tirane. Nuk e di sa e realizueshme ka qene atehere dhe nese Ngjela e kishte seriozisht apo thjesht premtim elektoral. Por besoj se sa me shume kalojne vitet aq me e veshtire behet kjo pasi edhe zona e zgjatimit verior te bulevardit (Paskuqan, Bathore, Kamez) sa ka ardhur dhe eshte zgjeruar ne ndertime. Keshtu amatorisht them se kjo ide ia vlen te konsiderohet pasi do te jete nje shfryrje e trafikut qe vjen prej Veriut. Ndersa keshtu sic eshte nuk ka gje ne vije dhe bie dakord me autoren.

    P.S. Ndersa ajo lokomotiva e vjeter aty me ngjan me ato zbukurimet ne qytetet Afrikane.

    1. Bulevardi dhe qendra për momentin krijojnë të njëjtën ndjesi ankthi te kalimtarët. Ka diçka që nuk shkon me to. Të njohur më thonë se janë gri, uniformë, të sajuar me zor me bimë që nuk e kanë vendin aty, nuk ka bar që krijon ngjyrë të gjelbër natyrale. Mua më bezdis dhe mungesa e pemëve, fakti që nuk kanë lidhje me pjesën tjetër. Sa del nga qendra a bulevardi nis një Tiranë tjetër. Nga aspekti arkitektonik do duhej një ekspert që të fliste më shumè, jam e bindur që ka shumë më tepër arsye pse të dy këto punime ngjallin emocione negative.

  4. Treni nuk puqet me paradigmen e sistemit, ku shtetit duhet t’i reduktohen kompetencat derisa te jene ato te bashkise, ca taksa ketu e atje, ndonje rregullim i vogel, ca police bashkiake e kaq.
    Treni kerkon nderhyrjen financiare te shtetit edhe ne vendet e zhvilluara, sepse mundesohet qarkullim me kosto te ulet, ku avantazhet nuk jane te dukshme ne bilanc, por ne teresine e marredhenieve ekonomike. Privati has probleme serioze ne konceptin e lehtesimit sistemik te qarkullimit, sepse sheh xhepin e vet.

    Nga ana tjeter, stacionet e trenave behen ne periferi, pastaj qyteti zmadhohet dhe ato ngecin ne zona mes qendres e periferise, por stacioni duhet te jete ne periferi (nqs eshte e mundur).

    Tirana nuk eshte e madhe per metropolitane, po ashtu paradigma e sistemit e perjashton metrone sepse ate mund ta ndertoje vetem shteti, se asnje privat s’ka fonde te mjaftueshme ( privati me i fuqishem eshte financiarisht nje liliput ne krahasim me shtetin).

    Nderkohe qe si metroja, si trami, kerkojne qytete/kryeqytete aktive, qe levizin, gjallojne, nga pikepamja e aktiviteteve ekonomike, jo nje qytet si Tirana ku njerezit rrine kafeneve e llotove gjithe diten. Normalisht ne nje kryeqytet europian, neper kafene rrine turistet.

    Tirana ka nevoje per rruge te gjera kudo ku eshte mundesia, bulevardi hyn tek ky koncept minimalist qe lidhet me aktivitetin e ulet te banoreve, me pak fjale nqs bulevardi behet sa me gjate dhe rruge te tjera kryesore arrijne te ngrihen ne statusin e bulevardit, sepse mund te jene te gjera, atehere kjo eshte gjeja me e mire e mundshme ne kushtet shqiptare.

  5. qe ti dhe googli nuk keni indeksuar diku Reshitin dhe Feritin, eshte rast per ty te vesh ne biblioteken kombetare, ose bashki. Historia e Shqiperise nuk shkruhet ne google.

    1. Problemi është se emrat e përvetshëm të anëtarëve të çetave tiranase nuk studiohen me detaje në libra historie të shkollave të mesme, unë të paktën nuk kujtoj të jenë përmendur. Ashtu si unë nuk i njoh ata ama, edhe ti duhet të informohesh se Biblioteka Kombëtare ka dy vjet që nuk i shërben publikut me libra. Nuk është justifikim për injorancën sigurisht; thelbi i asaj që doja të thoja është se banorët nuk i perceptojnë më si individë por si vija gjeografike. Të dyja rrugët të cilat mbajnë emrat e personave që kanë kryer aty operacione luftarake ndaj pushtuesit (që me sa kuptoj, i njeh e unë prapë të pohoj se nuk i di e as dua t’i di, çështje interesash), nëse do i besojmë historisë së shkruar në atë regjim, sot kanë famë për çmime të larta qirash dhe shitjesh. Te ky kontrast e kam fjalën: rrugët janë pjesë e Unazës dhe ekonomikisht e kulturalisht me vlerë gjë që tregon se janë të zhvilluara dhe të gjalla.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin