KULLA E RINDËRTUAR

Librin tim Kulla e Sahatit, të ripunuar dhe të zgjeruar në krahasim me versionin e vitit 2003, do ta gjeni të paktën në libraritë kryesore në Tiranë.

Kjo ese semiotike, me nota personale, i kushtohet qendrës së Tiranës të shkruar, të fshirë dhe të rishkruar sa e sa herë nga politika, duke u përqendruar në vitet 1960-1980.

Megjithatë, lexuesit të sotëm nuk do t’i shpëtojnë paralelet dhe analogjitë e shumta me çfarë po ndodh sot në Tiranë; pa çka se ky aktualitet i esesë nuk ka natyrë alegorike.

Mbase kjo do të njihet edhe si vlerë e shtuar e botimit të ripunuar: konstatimi që regjimi urbanistik i politikës së sotme nuk dallon dhe aq, në krahasim me të djeshmen; sikurse nuk dallon megalomania për t’ia imponuar kryeqytetin Tiranës qytet dhe qytetarëve të saj.

 

6 Komente

  1. E kam lexuar kete liber, dhe me ka pelqyer shume. Me ka pelqyer kryesisht per nje gje, per dashurine pashembull per qytetin e Tiranes, perveç si shkrim niveli edhe si stil. Kur e lexoja me dukej sikur isha une autori, sepse me ngjallte gjera te varrosura ne kujtese pergjate gjithe jetes, perfshire edhe femijrine e hershme kapur per dore me prindet.

    Te siguroj qe ky eshte komplimenti me i mire qe mund te behet ne kete rast, ky liber, me duket libri i pare, eshte vete autori. Si gjithnje librat e tjere jane ne thelb i njejti liber ne variante te ndryshme.

    Shpresoj se ripunimi dhe rafinimi prej maturise, plus ndikimi i betejave urbaniste me pas, nuk e ka demtuar frymen e pare, por e ka nxjerre me teper ne pah.

    1. Të falënderoj shumë, “Kulla” zë vend të veçantë edhe për mua. I pari dhe ndoshta i vetmi libër imi i shkruar me dorë (me stilograf) në fletore: sot nuk do ta bëja dot.

      E kam lëmuar kryesisht në stil dhe në frazë, duke e pastruar nga gjëra parazitare, pleonazma dhe klishe, emërzime të panevojshme, e kështu me radhë.

      E kam plotësuar me disa mikro-ese për policin e trafikut që rrinte atëherë në sheshin bosh, “pesëmbëdhjetëkatëshin” në kontekstin e shtëpive të ulëta, altoparlantët në sheshin e mitingjeve të mëdha dhe funksionin e orës mekanike në organizimin e jetën e qytetit.

      Por nuk ia kam ndryshuar referencën kohore, meqë plagët e sotme të qendrës i kam prekur veç tërthorazi, ose siç i kisha prekur në botimin e parë.

  2. Kenaqesi e madhe te lexosh shkrimet tuaja pergezime! Libri eshte shperndare dhe jashte Tiranes?

    1. Ju falënderoj edhe unë. Meqë libri doli nga shtypshkronja vetëm javën që shkoi, ndoshta duhen disa ditë që të fillojë të shpërndahet normalisht jashtë Tiranës.

      1. Ne ç’librari gjendet “Kulla” Ardian dhe sa kushton? nuk isha në panair.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin