Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filologji / Lexim

DANTJA I PAKAPSHËM

Kur flasim për Komedinë Hyjnore të Dantes, jo gjithnjë arrijmë të mbajmë parasysh se poema u krijua në një kohë kur ende nuk ishte shpikur shtypshkrimi dhe u lexua, për më se një shekull, si dorëshkrim; madje si një varg dorëshkrimesh të ngjashme, por kurrë identike. Dhe nuk është gjetur ndonjë dorëshkrim autograf i Dantes vetë, aq sa shumë studiues mendojnë se poema që në krye qarkulloi në trajtë këngësh (canti) të veçanta dhe se origjinali, si i “botuar nga autori” nuk ka ekzistuar ndonjëherë. Vetë titulli, “Divina Commedia”, shfaqet për herë të parë në një tekst të hershëm nga Boccaccio, bashkëngjitur një botimi – të shtypshkruar – të vitit 1477; titulli i hershëm i poemës me gjasë i përdorur edhe nga autori ishte thjesht “Comedía”, theksuar si në shqip.

“Komedia Hyjnore” hyn në ato vepra që është shumë më lehtë t’i lëvdosh, se t’i lexosh – i përgjigjet kështu një përkufizimi ironik që i ka dhënë Mark Twain-i veprës klasike: “një libër që njerëzit e lëvdojnë, por nuk e lexojnë”. Edhe pse shqipja është me fat që ka një përkthim të gjykuar si shumë të mirë, mbetet problematike si mund t’i qaset lexuesi i sotëm shqip një poeme të rrënjosur në teologjinë kristiane dhe në historinë e “Italisë” mesjetare; pa përmendur vështirësinë tjetër – të përgjithshme – për të lexuar letërsi në formën e poemave të gjata. Normalisht, leximi i “Komedisë Hyjnore” do të kërkonte vite studimi të përkushtuar, për t’u njohur dhe familjarizuar me alegoritë e shumta, kontekstin filozofik dhe teologjik, implikimet religjioze dhe jetën politike të qyteteve italiane në Mesjetë. Por në çdo rast, është gjë e mirë dhe e dobishme për kulturën bashkëkohore që dashamirësit dhe admiruesit e shumtë të Dantes mes nesh qoftë edhe vetëm të hiqen ose të bëjnë sikur t’ia kenë lexuar dhe shijuar veprën.

© 2021, Peizazhe të fjalës™.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading