DY KODIKË NË PEKIN

Dokumenti si monument dhe marrëdhënia e pushtetit me të.

nga Sokol Çunga

“Nisja nga Tirana për në Kinë u bë më datën 18 mars 1971, bashkë me 30 shqiptarë, që edhe ata udhëtonin për në Kinë, duke ndjekur itinerarin Tiranë-Beograd. Këtu qëndruam vetëm një gjysmë ore, sa u furnizua avioni me karburant. Çanta nuk u lëshua asnjë çast nga dora. Nga Beogradi udhëtuam për në Budapest. Këtu fjetëm një natë në hotelin e aeroportit, meqë ishim tranzit. Këtu erdhën shokët e ambasadës sonë për t’u interesuar për fjetjen. Në hotel fjeta në një dhomë bashkë me një shok shqiptar.

Të nesërmen u nisëm përsëri me avion për në Moskë. Në aeroportin e Moskës qëndruam 8 orë. Në asnjë vend ku kalova nuk më kontrolluan dhe as dyshuan çfarë kisha brenda. Nga Moska u nisëm për në Omske. Në aeroport qëndruam vetëm një gjysmë ore dhe përsëri udhëtojmë për Irkutsk, ku fjetëm një natë. Të nesërmen u nisëm për në Pekin, ku mbërritëm në ora 11 para dite.

Më datën 21 mars mbërritëm në aeroportin e Pekinit. Kishin dalë për të na pritur këshilltari i ambasadës tonë dhe shokë të Akademisë së Shkencave të RP të Kinës dhe të Institutit Arkeologjik; kryetari i degës së punëve të jashtme pranë Akademisë së Shkencave, përfaqësuesi i ushtrisë pranë Institutit Arkeologjik, përgjegjësi i Institutit Arkeologjik dhe punonjës shkencorë të tij, si dhe përkthyesi. Çantën me kodikët e dorëzuam në ambasadë për ta ruajtur.”

Sa herë rasti e sjell të rikujtojmë, të riprodhojmë apo të rilexojmë tekstin e mësipërm, në mend na kalojnë dy ide: 1. ngjan si fragment skenari i shkëputur nga ndonjë film policesk; 2. na kujton poezinë “Vallja e yjeve” të Lasgush Poradecit (kjo e dyta pak si shaka lojcake). Nuk është asnjë nga të dyja. Teksti i mësipërm është shkëputur nga relacioni i datës 28.11.1971 rreth udhëtimit vajtje-ardhje të dy arkivistëve që shoqëronin kodikët e Beratit, të cilët u çuan për t’u restauruar nga Tirana në Pekin, në Republikën Popullore të Kinës.[1] Me gjasë fjalët e mësipërme janë shkruar nga restauratori Reshat Alia, njëri prej dy arkivistëve që shoqëronin kodikët e Beratit në Kinë, teksa fjalët “në hotel fjeta në një dhomë bashkë me një shok shqiptar” i shkojnë më shumë për shtat atij, nga dyshja e arkivistëve. Historia, sigurisht, nuk është e panjohur. Megjithatë, ende sot, 50 vite pas restaurimit të dy dorëshkrimeve, mes shumë të tjerave, mbetet dhe pyetja: PSE? Përgjigjen absolute nuk mund ta kemi, por mund të bëjmë një përpjekje, teksa rikujtojmë një nga ngjarjet dhe restaurimet më të rëndësishme për trashëgiminë kulturore dhe arkivore të shqiptarëve dhe botës. Mirëpo, më parë, le të sjellim ca informacione elementare dhe le të shpjegojmë rrethanat.

Kodikët e purpurt të Beratit, Beratinus 1 dhe Beratinus 2 (ose Aureus Anthimi) kanë qenë ndodhur dhe ruajtur në Berat që para vitit 1356, deri më 1968.[2] Veç rëndësisë që kanë për historinë e librit të dorëshkruar, historinë e transmetimit të tekstit biblik dhe trashëgiminë materiale të shqiptarëve, këto dy dorëshkrime janë krenari e përveçme e beratasve, aq sa, me të drejtë, kur themi “kodikë”, ke thënë “Berat”, dhe anasjelltas. Është epike këmbëngulja e parisë së lagjes Kala të Beratit për të ndjekur traditën e ruajtjes së kodikëve edhe përpara kërcënimit, edhe përpara besë së rreme, edhe përpara rrezikut për jetën. Pavarësisht se pas Luftës II Botërore kodikët kërkoheshin prej organeve shtetërore sa në mënyrë të drejtpërdrejtë, aq dhe në rrugë operative nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit, betimi i beratasve për të mos treguar vendin e fshehtë nuk ishte thyer. Teksa dukej se diktaturës nuk do t’i vinte fundi, udhën për në vendin e fshehtë e tregoi Nasi Papapavli, pasardhës i një prej priftërinjve të lagjes Kala të Beratit, të cilit, veçse detyrohemi t’i pranojmë meritën që ruajti të fshehtën sipas betimit, duhet t’i njohim edhe meritën që tregoi vendin e fshehtë në kohën e përshtatshme, para se të ishte tepër vonë për integritetin fizik të kodikëve.

Kthehemi tek kronika e restaurimit, duke riprodhuar historikun e përgatitur nga restauratorët e Arkivit të Shtetit, shokët Reshat Alia e Sanije Mara.[3] Dy dorëshkrimet mesjetare u zbuluan, pas një periudhe të gjatë fshehjeje, më 12 gusht 1968 në kishën katedrale të Fjetjes së Shën Marisë në Berat (sot Muzeu “Onufri”, S. Ç.) dhe u morën në dorëzim nga oficerët e Degës së Punëve të Brendshme të Beratit. Më 21 gusht të po atij viti kodikët iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave nga Ministria e Arsimit. Për shkak të dëmtimeve të mëdha që kishin pësuar, kodikët kishin nevojë të menjëhershme për restaurim, gjë e cila nuk ndodhi shpejt në kohë. Pas komunikimeve përmes kanaleve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, më 18 mars 1971, dy arkivistë të AQSh, Reshat Alia dhe Sanije Mara, u nisën për në R. P. të Kinës, vend i cili kishte shprehur gatishmërinë për të kryer restaurimin e kodikëve në laboratorin e Institutit Arkeologjik. Restauratorët kinezë pohuan se nuk kishin asnjë përvojë pune me materiale të tilla, por premtuan se do të bënin të gjitha përpjekjet për restaurimin. [Figurat: 1, 2, 3, 4]

Restaurimi kaloi në disa procese. Procesi i parë ishte shkëputja e fletëve të ngjitura me njëra-tjetrën. Për këtë arsye u ndërtua një arkë prej xhami, u montua një aparat i thjeshtë për prodhimin e avullit dhe futjen e avullit brenda arkës. Në arkë u vendos një barometër, për të vëzhguar temperaturën dhe lagështinë, duke i lënë fletët në atë mjedis për 3 orë. Gjatë këtij procesi u bë dhe numërimi i fletëve. [Figura: 5]

Procesi i dytë ishte restaurimi dhe ngjitja e fletëve, të cilat ishin dëmtuar gjatë shkëputjes nga njëra-tjetra. Gjatë këtij procesi është bërë edhe pastrimi nga precipitimet e ujit, pluhurit dhe mykut. Më pas është bërë rrafshimi i fletëve, duke i futur ato mes dy xhamave organikë, dhe duke i vendosur nën pesha. [Figurat: 6, 7]

Procesi i tretë ishte mbyllja e fletëve në xhama organikë në mënyrë hermetike. Mbyllja është bërë brenda një balloni që nuk përmbante ajër, por vetëm azot dhe thynol të pastër. Në fund, xhamat që mbanin fletët e të dy kodikëve u vendosën në zarfe plastike dhe u lidhën në vëllime. 190 fletët e Beratinus 1 u vendosën në 9 vëllime, kurse 420 fletët e Beratinus 2 u vendosën në 21 vëllime. [Figurat: 8, 9]

Krahas restaurimit u bë edhe një punë e madhe, e kushtueshme financiarisht dhe mjaft e gjatë në kohë, për përgatitjen e kopjeve të dy kodikëve dhe të maketeve të tyre. Për të prodhuar kopjen e kodikut Beratinus 2, Instituti i Arkeologjisë së Kinës tërhoqi nga Banka Kombëtare e Pekinit 50 gram ar për shkrimin, si dhe u therën 119 kokë dhi për të prodhuar 420 fletët e pergamenës.

Më 6 nëntor 1971, 9 arkat në të cilat ishin vendosur kodikët edhe materialet e tjera, u ngarkuan në vaporin “Vlora” dhe u nisën për në Shqipëri. Vapori mbërriti në Portin e Durrësit më 31 dhjetor të atij viti. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave i mori në dorëzim arkat e kodikëve më 6 janar 1972, kur vapori “Vlora” u fut në Portin e Durrësit. Më 15 janar, në DPA, u zhvillua ceremonia e marrjes në dorëzim të kodikëve, në praninë e Drejtorit të DPA, Skënder Hajro, Këshilltarit të Ambasadës së R.P. të Kinës, Sia Sin Fën, dhe personaliteteve të shkencës: Androkli Kostallari, Stefanaq Pollo, Aleks Buda, Marika Vogli, Ballkeze Haxhihyseni, Mevla Kaba, Gani Strazimiri, e të ftuarve të tjerë. [Figurat: 10, 11, 12.]

Raporti i dy arkivistëve mbyllet me fjalimet dhe dollitë e rastit. Teksa shpërngulemi mendërisht dhe emocionalisht në vitet më të errëta dhe më të ashpra të totalitarizmit në Shqipëri, nuk mund të mos ngremë pyetjen e arsyeshme që shumëkujt do t’i vinte në mendje: ç’e shtynte shtetin diktatorial të Tiranës, atë që pak vite pas këtij operacioni të ndërlikuar shpëtimi do të shpallej i vetmi vend ateist në botë, të investonte dhe të shqetësohej për ruajtjen e dy dorëshkrimeve fetare të cilët, veç legjendës që bartnin, teksa studime dhe analiza të hollësishme të tërësisë së tyre si dokumente mesjetare nuk ekzistonin, nuk sillnin ndonjë dobi materiale për diktaturën. Në kuadrin e “luftës kundër zakoneve prapanike”, qysh një vit para rigjetjes së kodikëve, rinia, që përfaqësonte “njeriun e ri socialist”, ishte lëshuar me kazma, qysqi e çdo mjet tjetër për të shkatërruar objektet e kultit, zbrazur dhe shkatërruar arkivat apo bibliotekat që ende ndodheshin brenda tyre, kurse mbajtja e simboleve fetare, praktikimi i lutjes vetjake në fshehtësi apo publikisht dhe mbajtja e librave fetare dënohej deri dhe penalisht. Në një kohë kur shfrytëzimi i dokumenteve arkivore kryhej vetëm me leje të posaçme nga Komiteti Qendror, kush vallë do të shfrytëzonte këto monumente të së shkuarës? Për më tepër, dokumentet e natyrës fetare pakkush kishte autorizim t’i studionte lirisht dhe vetëm për arsye specifike të lidhura me punën (ndoshta më pak se gishtat e njërës dorë qenë individët nga viti 1968 e më pas).

Duke lënë mënjanë retorikën e njohur të mbledhjes së çdo burimi dokumentar për të shkruar historinë “e lavdishme” të popullit tonë, pasi shteti diktatorial i Shqipërisë dëfteu se nuk shqetësohej drejtpërdrejt për popullin, por për pushtetin, kjo, e dyta, mbetet të jetë arsyeja kryesore e kërkimit dhe shpëtimit të dorëshkrimeve. Pushteti diktatorial jo thjesht dëshironte ta thoshte me fjalë se shtrihej edhe në të shkuarën, por dhe dëshironte ta demonstronte me fakte. Thënë me fjalët e Vëllait të Madh të Orwell-it (perifrazoj), “Partia ka në dorë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen”. Përmes këtij shpëtimi, vetvetiu pushteti diktatorial merrte pozitën e trashëgimtarit të gjithçkaje që kishte lidhje me historinë e popullit shqiptar. Veç kësaj përzgjedhjeje për patronizim të së shkuarës, duket se shteti diktatorial mbetet i joshur përpara një përmase, tashmë, të sanksionuar prej tensionit që krijon legjenda: monumenti. Kodikët e Beratit ishin jo thjesht libra, por objekt nderimi nga besimtarët, kurse për studiuesit ende shumë të pakët konsideroheshin thesare të paçmueshme. Sjell këtu si arsyetim të kësaj joshjeje përcaktimin e Jacques Le Goff mbi monumentin (dhe dokumentin): “Kujtesa kolektive dhe forma e vet shkencore, historia, vënë në veprim dy lloje lëndësh: monumentin dhe dokumentin. Ajo që mbijeton nga e shkuara nuk është tërësia e asaj që ka ekzistuar në të shkuarën, por zgjedhja e kryer si prej forcave që veprojnë në zhvillimin e përkohshëm të botës dhe të njerëzimit, ashtu dhe prej përfaqësuesve të studimit të së shkuarës, historianëve. Kjo lëndë e kujtesës mund të paraqitet në dy forma kryesore: monumentet, trashëgimi e së shkuarës, dhe dokumentet, zgjedhje e historianit”.[4] Në vitin 1971 ende nuk ishte argumentuar vlera unike e këtyre dy dorëshkrimeve (madje, procesi i studimit vijon ende sot). Mirëpo, ndoshta pikërisht për shkak të mosnjohjes dhe të vellos enigmatike, statusi monumental i dorëshkrimeve vetëm lartohej. Shi këtu fillon një përmasë tjetër, me të cilën Le Goff nuk u mor hollësisht: marrëdhënia e pushtetit me dokumentin. Tek cikli i leksioneve të veta, më pas botuar nën titullin Archive Fever, Jacques Derrida arsyeton: “[…] struktura teknike e arkivit arkivues përcakton, po ashtu, strukturën e përmbajtjes së arkivueshme, madje deri dhe mënyrën si vjen në ekzistencë, bashkë me marrëdhënien që ndërton me të ardhmen. Arkivizimi prodhon [lëndë arkivore, shënimi im, S. Ç.] po aq sa dhe regjistron ngjarjen.”[5] Ndodhur përballë pamundësisë për të prodhuar lëndë arkivore të një kohe që tashmë është e shkuar, shteti diktatorial i Shqipërisë gjen një zgjidhje tjetër për të shtrirë kontrollin e vet emocional dhe faktik edhe mbi të shkuarën: përmes tekstit më të vjetër dhe më legjendar që gjendet në territorin e Shqipërisë. Kësisoj, konceptet e saktësuara të monumentit dhe dokumentit (Le Goff) dhe të dekonstruktuara (Derrida), pleksen në një amalgamë Orwellian-e të formës “Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen”.

Çdo pushtues apo çdo pushtet që merr autoritetin qeverisës me veprime që nuk mbështeten në sistemin e përfaqësimit, krijon, ndër të tjera, edhe një marrëdhënie joformale dhe emocionale me trashëgiminë dokumentare të trashëguar nga pushteti paraardhës (sigurisht, nuk përjashtohen nga kjo simptomë edhe qeveritë e zgjedhura). Arkivi është prova materiale që dëshmon se pushtetari është kalimtar, kurse vijimësia e dinamikave jetësore premton të jetë e përjetshme. Ndaj dhe në epokën moderne një nga tiparet dalluese të pushtetit është patronizimi i trashëgimisë kulturore në tërësi. Mbetet ende monumental (si shembull që nuk duhet imituar) shpërngulja e arkivit dhe e bibliotekës së Vatikanit nga Roma në Paris prej Napoleonit, pasi ky pushtoi Italinë, apo tjetërsimi i paligjshëm prej tij i artefakteve kulturore në gjithë Evropën. Më pas Rajhu III ndërmori të njëjtin operacion, duke mbledhur në Nurenberg çdo objekt kulturor të lëvizshëm. Që të dyja ndërmarrjet, veçse dëshmojnë një marrëdhënie frojdiane të pushtetit me trashëgiminë kulturore, janë shembuj të nevojës së pushtetit autoritar për të legjitimuar veten përmes patronizimit të trashëgimisë kulturore dhe historisë së të shkuarës.

Rrethanat dhe ngjarjet nuk janë të krahasueshme me rastin e restaurimit të dy dorëshkrimeve në Kinë, por marrëdhënia e nevojës për legjitimim është po ajo. Deri në vitin 1971, kohë kur dorëshkrimet dërgohen për t’u restauruar, shteti diktatorial ka ndërmarrë veprime thelbësore për shkrimin e historisë së vendit, ka ngritur dhe vënë në funksion të gjithë nivelet e sistemit arsimor, ka ngritur një universitet shtetëror dhe një Akademi Shkencash, si dhe ka ndërtuar një numër jo të vogël muzesh apo bërthamash muzeale që përpiqen të mbulojnë të gjitha periudhat e historisë. Këto ndërmarrje janë detyrime të çdo qeverie, mirëpo, përmes narrativës ideologjike të PPSh, pushteti nuk harron dhe të saktësojë se po të mos kishte qenë diktatura e proletariatit (dhe udhëheqësi, etj., etj.), ky realitet nuk do të ekzistonte, duke vendosur veten në majën e piramidës së historisë. Vetë fakti që kodikët e Beratit nuk ndodhen më në duart e komunitetit që i pati ruajtur ndër shekuj, por në Arkivin Qendror Shtetëror, institucion i krijuar prej vetë shtetit dhe administruar prej tij, plotëson narrativën e shtetit patronizues, njëkohësisht dhe pronar.

Pas ceremonisë së marrjes në dorëzim të kodikëve të restauruar, objektet i vizituan një numër shumë i kufizuar individësh. Kuptohet, privilegjin e kanë përfaqësuesit politikë. Një bllok i thjeshtë, i pagëzuar “Libri i vizitorëve të kodikëve të restauruar në R. P. të Kinës” [Figura 13], një lloj ditari, me gjasë i mbajtur nga një arkivist, më shumë se libër shënimesh i vizitorëve, shërben si informues për individët që kanë soditur kodikët e restauruar. Sipas “Librit”, më datë 10 janar 1972 “Shokët Ramiz Alia e Kahreman Ylli erdhën për të parë kodikët e restauruar në R. P. të Kinës, të cilët i pëlqyen shumë për teknikën e lart (sic) të shkencëtarëve kinez (sic) dhe lanë porosi që të ruhen dhe të mbahen mirë.” Më datë 19 janar 1972 “Libri” na informon: “Shoku Enver Hoxha, ashtu siç u interesua për kodikët që të dërgoheshin në R. P. të Kinës për restaurim, përsëri u interesua për të parë kodikët dhe mbas restaurimit. Sh. Enver i pa me një interesim të madh dhe lavdëroj (sic) punën e madhe dhe shkencën që kanë bërë shkencëtarët kinez (sic) për kujdesin që ata kanë treguar në restaurimin e kodikëve. Sh. Enver dha këto porosi: Kodikët në mënyrë të veçantë të ruhen dhe të mbahen mirë. Çdo kodiku ti (sic) nxirret kopje që të punohet me to, kurse origjinali mos të nxirret në përdorim dhe as ti (sic) tregohet kujt.” [Figurat 14, 15.]

Nuk jepen informacione të hollësishme se në ç’mënyrë i ka parë diktatori kodikët, duke shkuar në vendruajtjen e tyre, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, apo duke shkuar kodikët tej ai. Sidoqoftë, prijësi i Partisë së Punës dhe i strategjisë ateiste të shtetit shqiptar jep porosi si të ruhen dorëshkrimet, duke marrë rolin e mbrojtësit dhe shpëtuesit. Në listën e autoriteteve shtetërore lokale të mesjetës, apo prijësve fetarë të Mitropolisë së Beratit, që kishin marrë pozitën e bamirësit dhe shpëtuesve të kodikëve, futet edhe… arkitekti dhe ideologu i luftës kundër fesë dhe zakoneve prapanike, shkatërruesi i asaj trashëgimie kulturore që binte ndesh me ideologjinë e pushtetit të tij!

Mes vizitorëve të kodikëve të restauruar më i rëndësishmi, jo për nga ofiqi, por për nga kontributi, është, ndoshta, vetëm njëri: Nasi Papapavli. Për datën 10 shkurt 1972 në “Libër” shkruhet: “Shoku Nasi Papapavli, plak 75 vjeç, pa kodikët, i cili ka kontribuar në gjetjen e kodikëve me sinjalizimet e tija. Ay (sic) i pa me kujdes të madh dhe u kënaq për restaurimin e mirë të kodikëve.” [Figura 16] Qoftë dhe simbolikisht, tradita e vjetër shekullore u pajtua dhe ra në një mendje me traditën e re të shtetit social-diktatorial, duke pohuar arritjet e pakrahasueshme dhe supermacinë e tij ndaj zakoneve prapanike…

 

Figura 1: Kodiku i Purpurt i Beratit nr. 1, gjendja në të cilën mbërriti në RP të Kinës.

 

Figura 2: Kodiku i Purpurt i Beratit nr. 1 para restaurimit.

 

Figura 3: Kodiku i Purpurt i Beratit nr. 2, para restaurimit.

 

Figura 4: Kodiku i Purpurt i Beratit nr. 2 para restaurimit.

 

Figura 5: “Procesi i parë ishte shkëputja e fletëve të ngjitura me njëra-tjetrën. Për këtë arsye u ndërtua një arkë prej xhami, u montua një aparat i thjeshtë për prodhimin e avullit dhe futjen e avullit brenda arkës. Në arkë u vendos një barometër, për të vëzhguar temperaturën dhe lagështinë, duke i lënë fletët në atë mjedis për 3 orë. Gjatë këtij procesi u bë dhe numërimi i fletëve.” Në foto: arkivistët restauratorë Sanije Mara dhe Reshat Alia.

 

Figura 6: “Procesi i dytë ishte restaurimi dhe ngjitja e fletëve, të cilat ishin dëmtuar gjatë shkëputjes nga njëra-tjetra. Gjatë këtij procesi është bërë edhe pastrimi nga precipitimet e ujit, pluhurit dhe mykut. Më pas është bërë rrafshimi i fletëve, duke i futur ato mes dy xhamave organikë, dhe duke i vendosur nën pesha.”

 

Figura 7: “Procesi i dytë ishte restaurimi dhe ngjitja e fletëve, të cilat ishin dëmtuar gjatë shkëputjes nga njëra-tjetra. Gjatë këtij procesi është bërë edhe pastrimi nga precipitimet e ujit, pluhurit dhe mykut. Më pas është bërë rrafshimi i fletëve, duke i futur ato mes dy xhamave organikë, dhe duke i vendosur nën pesha.”

 

Figura 8: “Procesi i tretë ishte mbyllja e fletëve në xhama organikë në mënyrë hermetike. Mbyllja është bërë brenda një balloni që nuk përmbante ajër, por vetëm azot dhe thynol të pastër. Në fund, xhamat që mbanin fletët e të dy kodikëve u vendosën në zarfe plastike.”

 

Figura 9: “Procesi i tretë ishte mbyllja e fletëve në xhama organikë në mënyrë hermetike. Mbyllja është bërë brenda një balloni që nuk përmbante ajër, por vetëm azot dhe thynol të pastër. Në fund, xhamat që mbanin fletët e të dy kodikëve u vendosën në zarfe plastike.”

 

Figura 10: Ceremonia e marrjes në dorëzim të kodikëve, DPA, 15 janar 1972, në prani të përfaqësuesve diplomatikë, të Drejtorit të DPA, arkivistëve dhe intelektualëve të vendit.

 

Figura 11: Ceremonia e marrjes në dorëzim të kodikëve, DPA, 15 janar 1972. Më këmbë, majtas: Akademik Aleks Buda.

 

Figura 12: Ceremonia e marrjes në dorëzim të kodikëve, DPA, 15 janar 1972.

 

Figura 13: Libri i vizitorëve të kodikëve të restauruar në R. P. të Kinës.

 

Figura 14: Libri i vizitorëve të kodikëve të restauruar në R. P. të Kinës.

Figura 15: Libri i vizitorëve të kodikëve të restauruar në R. P. të Kinës.

 

Figura 16: Libri i vizitorëve të kodikëve të restauruar në R. P. të Kinës.

 

© 2021 Sokol Çunga. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit.


[1] Shaban Sinani, Kodikët e Shqipërisë në “Kujtesën e Botës”, Tiranë 2011, fq. 492.

[2] Për hollësi rreth historisë së dy kodikëve dhe bibliografi të studimeve kryer për ta shih: Andi Rembeci, Sokol Çunga: “Studimet në fushën e paleografisë bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri: vlerësime për të shkuarën dhe të tashmen, perspektivat dhe sfidat e së ardhmes”, në Journal of the Albanian Young Academy, Vol. 1, Tiranë 2019, fq. 67-95.

[3] Arkivi Qendror Shtetëror i RSh, Fondi “Komiteti Qendror i PPSh (Sektori i Edukimit), Viti 1971, Dosja 390: “Historiku i përgatitur nga punonjësit e Arkivës së Shtetit, shokët Reshat Alia e Sanie Mara, si dhe një shënim i shokut Kahreman Ylli mbi zbulimin e kodeve të shekujve VI dhe IX në vitin 1968 në Berat dhe restaurimi i tyre në Republikën Popullore të Kinës”.

[4] Jacques Le Goff, “Documento/  Monumento”  Enciclopedia  Einaudi, bot. Ruggiero  Romano et  al., Torino, Einaudi, 1978, 5, 38 (fragmenti i përdorur është përkthimi ynë).

[5] Jacques Derrida, Archive Fever, The University of Chicago Press, 1995, fq. 17.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin