BUGIARDINO

nga Arben Dedja

Po mbaja radhën për të bërë vaksinën antiCovid19 AstraZeneca, kur erdhi lajmi që qe pezulluar. Për mua, si ish i sëmurë, bëhej fjalë për një single shot. Ç’t’i bësh! Natyrisht, në radhë filloi diskutimi. Dikush ish me të vërtetë histerik.

“Po këta” më tha një koleg, ndër të paktët aty që shfaqte atë temperantia të latinëve që aq është zhvleftësuar sot e gjithë ditën sa e gjejmë të vështirë edhe ta përkthejmë, “i kanë lexuar ndonjëherë fletudhëzuesit e paracetamolit, brufenit, valiumit…?”

U ngërdhesha. Nuk ish shumë e qartë kush ishin “këta”: ankestarët pranë nesh apo, tamam-tamam, cilët kishin vendosur për pezullimin. Ndoshta të dyja palët. Por mua më bëri përshtypje që kolegu, për atë që në shqip e quajmë “fletudhëzues” (të ilaçeve), nuk përdori termin – le ta quajmë “term teknik” – “foglietto illustrativo”, por fjalën “bugiardino”. Është kurioze, por edhe ironike, që për një diçka kaq serioze si fletushkat që shpjegojnë përdorimin e ilaçeve, gjuha italiane ruan fjalën bugiardino.

Po të bëjmë pak etimologji, bugiardino rrjedh qartazi nga bugiardo. Bugiardo, fjalë e kahershme e italishtes (nel tempo de li dèi falsi e bugiardi, i rrëfen për veten Virgjili Dantes në Këngën e Parë të Ferrit) vjen nga një bugiare (nga gjuha provencale bauzar ose, siç thotë Devoto/Oli, nga latinishtja mesjetare bausiator). Por në italisht folja ka humbur, ka mbetur veç mbiemri bugiardo (i prodhuar me sufiksin e të folmeve të Italisë veriore -adro, e pastaj -ardo), që don të thotë: rrenacak, gënjeshtar, mashtrues, batakçi, i gënjeshtërt, kallp… (mund edhe të vazhdojmë, po të doni, se shqipja është tejet e pasur me kësi fjalësh). Me bugiardino kemi të bëjmë me trajtën zvogëluese të fjalës bugiardo dhe me kalimin e saj nga një mbiemër që i referohet një frymori në një emër që i referohet një jofrymori. I bukur kapërcim!

Po si ka ndodhur që për një fletëz letre me informacione aq thelbësore si përbërja, mënyra e përdorimit, efektet e padëshiruara të ilaçeve, të barnave në përgjithësi gjuha zgjedh një mënyrë të shprehuri aq sfiduese e skeptike, fataliste do të thosha? Nuk është shumë e qartë. Gjurmët më të sigurta – siç lexoj në një konsulencë të botuar nga Accademia della Crusca – na çojnë në Toskanë gjatë fashizmit, ku thërrisnin bugiardo posterat (ose pllakatet) e faqes së parë të gazetave, që gazetashitësit ekspozonin në qoshkun e tyre. Dhe dihej që, në atë kohë, gazetat gënjenin. Që këtu, ndoshta, u nisën folësit, duke i dhënë fjalës trajtën zvogëluese, meqë bëhej fjalë tashmë për një fletushkë që duhej të rrinte brenda kutiçkave të ilaçeve. Po përse “gënjente” fletushka? Kemi mbërritur ndërkaq në vitet gjashtëdhjetë, vite të boom-it ekonomik, që ishte, mes të tjerash, edhe boom farmakologjik. Nëpër fletushkat që i shoqëronin, barnat reklamoheshin si mrekullibërëse e kaloheshin nën rrogoz problemet, efektet e padëshiruara, ndoshta edhe kundërindikacionet. Pastaj erdhi koha kur, në të mirë të konsumatorit, ligjet u shtrënguan: sot rregullat e rrepta të shëndetit publik i detyrojnë kompanitë farmaceutike të shpallin me hollësi të gjitha efektet anësore të barnave, pa llogaritur përbërjen kimike e mënyrën dhe kohën e marrjes (pozologjinë). Mirëpo kutiçkat ku fletëzat do të futen njësoj të vockëla mbeten. Ndaj germat u zvogëluan, rreshtat u dendësuan, teksti u zgjat e u bë gjithnjë e më teknik – i pakuptueshëm, pra, për të shumtët ose, në rastin më të mirë, pak i kuptueshëm – teksa renditja alfabetike e efekteve anësore, po qe se syzet e të moshuarit ia bëjnë të mundur leximin, ishte aq gjithëpërfshirëse, sa më mirë të kalohej përciptazi ose, bile, të mos e lexoje fare. Pra, kohët ndryshuan, por një efekt i gënjeshtërt, i tëhuajshëm – kësaj radhe saje palexueshmërisë – gjithnjë ngeli. E bashkë me të edhe fjala bugiardino.

Teksa shkruaja këto rreshta, European Medicines Agency (EMA) u shpreh, në një konferencë për shtyp që, pas analizës të një numri trombozash – nganjëherë edhe dramatike – që kishin ndodhur te persona të sapovaksinuar, vaksina antiCovid19 AstraZeneca mbetej efikase dhe e sigurt. Fushata e vaksinimit me të mund të rifillojë, pra. EMA, ama, kërkoi që kompania farmaceutike që prodhon vaksinën të përditësojë “fletudhëzuesin” përkatës (për respekt, nuk po e quajmë më: bugiardino).

 

Padovë, 18 mars 2021

(c) 2021 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin