RICIKLIMI I SË KALUARËS

 Nga Prof. As. Dr. Konstantinos GIAKOUMIS

Pastërtia e Humbur (Purity Lost) është titulli sarkastik i një libri të medievalistit të njohur amerikan Steven A. Epstein1, ku i referohet realitetit etnik të Mesdheut lindor gjatë mesjetës. Lidhjen e ngushtë të mitit të pastërtisë etnike me nacionalizmin dhe regjimet totalitare, “duke pasur parasysh përzierjen e racave në gjendjen e sotme”, e trajtonte edhe filozofi dhe teoricieni italian Julius Evola diku në janarin e vitit 1934 në esenë e tij “Raca dhe Kultura”. Në fjalët e tij: “mbrojtja e jashtme e pastërtisë së thjeshtë etnike, së toku me një mosbesim themelor të gjithçkaje që ka të bëjë me “tjetrin” … për arsye praktike” nuk është gjë tjetër, veç “një ndërmarrje e pashpresë”2.

Këto ishin mejtimet e para të miat, pasi ndoqa me vëmendje temën “Kur Gjini u “bë” GREK… Dropulli, grek apo shqiptar? E vërteta” të emisionit Gjurmë Shqiptare të gazetarit Marin Mema. Vetë konstruksioni binar “grek apo shqiptar”, i cili përjashton përzierjen e tyre (dhe jo vetëm të këtyre elementeve), përbën kinse-dilemën e këtij emisioni. Duke u nisur nga realiteti i pakicës etnike në Dropull, gazetari ngriti pyetjet nëse kjo pakicë ka qenë ‘gjithmonë’ aty dhe nëse kanë jetuar edhe shqiptarë në këtë zonë. Në trajtimin e tij ai, me ndërmjetësimin e historianëve të mirënjohur Pëllumb Xhufi dhe Ferit Duka, ‘përdor’ dokumente që, sipas tij, “zbulojnë gjithçka”. Gazetari nuk mbetet në prezantimin e tyre; madje, për të ngacmuar kuriozitetin e shikuesve dhe të ndjekësve të teorive konspirative, ngre pyetje më ekzistenciale, si “[ç]farë qëndron pas tyre dhe përse heshtet?”. Duke krijuar kështu një atmosferë joshëse dhe misterioze, u nis në ‘gjurmët’ e pozicionimeve të profesorëve-referues, me kamera të fshehta, duke ngritur vizualisht pretendimin se diçka e tmerrshme fshihet aty, për hulumtimin e rrezikshëm të së cilës ishin të domosdoshme kamera të fshehta që filmojnë njerëz pa dijeninë e tyre dhe pa i pyetur nëse duan të marrin pjesë apo jo në atë emision.

Jo pa arsye emisioni ka ngritur reagime si nga intelektualë3 dhe pedagogë të zonës4, nga autorë pseudonimë5, ashtu edhe replika dhe pozicionime më të dokumentuara prej Pëllumb Xhufit6 dhe Dhori Qirjazit7. I ndërgjegjshëm që në histori “[e] vërteta e madhe”, sipas promocionalit (teaser) të Marin Memës, nuk ‘zbulohet’ nëpër kanale televizive, aq më tepër prej gazetarëve jo-specialistë, prisja që profesorët e përzgjedhur ose ta kishin udhëzuar gazetarin t’u kërkojë mendim edhe studiuesve që mbrojnë teza të ndryshme nga të tyret, ose, të paktën, të përmendnin me fjalët, mbase edhe – pse jo – me kritikat e tyre, argumentet e mbështetësve të pikëpamjeve ndryshe. U zhgënjeva që nuk e bënë (të paktën me aq sa u transmetua në emision). Prapëseprapë, nuk kisha ndërmend të dilja publikisht e të flisja për këtë temë, nëse në këtë emision dhe shkrimet që pasuan studimet dhe pozicionimet e mia nëpër forume shkencore, por edhe vetë emri im, nuk manipuloheshin dhe tjetërsoheshin, për t’u shërbyer synimeve që nuk përkojnë me përmbajtjen e tyre.

Emisioni qe prodhim i shkeljes së dy nga parimet themelore të historiografisë, parime të cilat, sigurisht, i dinë shumë mirë profesorët e nderuar. Bëhet fjalë për parimin e këndvështrimeve të shumëfishta (multiple perspectives) dhe parimin e kritikës së burimeve (source criticism), parime që dhunoheshin nën regjimin komunist, sepse dimensioni historiografik nuk mund të ishte tjetër veçse linja e Partisë, ndërsa çdo burim që devijonte prej saj përjashtohej si burim diversiv dhe politikisht i dëmshëm. Prandaj edhe seria “Burime të Zgjedhura për Historinë e Shqipërisë” e Institutit të Historisë përmbante vetëm pjesë të shkëputura dhe të përshtatura në shërbim të kësaj linje. Ndërsa këto bëheshin në kohën kur shkencëtarët nuk shkruanin “nën hijen e Akropolit”, për të përdorur një thënie emblematike të Akademik Eqrem Çabejt, të cilën ia pat thënë mësuesit tim, Titos Johalas në një konferencë, nuk pajtohem me mosreflektimin e tyre në ditët e sotme, aq më tepër nga profesorë të staturës së P. Xhufit dhe F. Dukës. Prandaj, pozicionimi im strukturohet në tri shtylla: 1) Implementimin e parimeve të këndvështrimeve të shumëfishta dhe të kritikës së burimeve për çështjen në fjalë; 2) kompleksitetin e fenomenit të identifikimeve në mesjetën e vonë; 3) problematikën e mospasjes së debateve të gjera mbi çështjet ekzistenciale të identifikimeve historike në Shqipëri.

  1. Burimet Historike dhe Etniciteti i Dropullit

Bazat historike të tezës dhe të hulumtimit kinse-antropologjik të emisionit ishin kryesisht katër: e ashtuquajtura “Kronika e Dropullit” apo “e Gjirokastrës”, një ekstrakt prej defterit të detajuar (mufassal defter) i vitit 1520 nga sanxhaku i Vlorës, veshja e vashës arvanitase prej Athine e krahasuar me veshjen dropullite, si edhe një letër patriarkale e vitit 1854 (data me shifra greke: αωνδ). Në replikën e tij pas emisionit, P. Xhufi shtoi, inter alia, edhe një citim të Evlogjios Kurilas8. Mbase nuk kishte ditur të citonte edhe Vasil Zoton9, i cili mes fshatrave të Dropullit, që cilëson si shqipfolëse, nuk përfshin vetëm Frashtanin dhe Lugarin, por shton edhe Terihatin. Duke trajtuar përmbledhurazi problematikat e këtyre burimeve, mundohem të vë në dukje tezën se “popullsi greqishtfolëse dhe shqipfolëse gjithmonë kanë jetuar së bashku” në trevat e Epirit dhe Shqipërisë së jugut10.

Problemet e “Kronikës së Dropullit” si burim historik për periudhat e lashtësisë, që i vuri në pah si autori pseudonim, ashtu edhe Dhori Qirjazi, i paska ditur Prof. Xhufi, siç pohon në replikën e tij, edhe pse në qëndrimet e tij në emision nuk la hije dyshimi mbi besueshmërinë e këtij burimi. Megjithatë, në replikën e tij ngul këmbë në përdorimin e saj si burim për një zhvendosje të një popullsie nga Athina në Dropull, të cilën e daton në mesjetë, edhe pse burimi problematik, pikërisht në pjesën e tij të fabrikuar, e vendos atë migrim në kontekstin e luftës trojane! Profesori mënjanon si studimin tim të sipërcituar, ashtu edhe vepra të tjera që paraqesin një këndvështrim ndryshe nga ai që mban vetë, si, midis të tjerash, studimet gjuhësore që përmend Dhori Qirjazi në shkrimin e tij, ashtu edhe studime historike lehtësisht të aksesueshme, siç është punimi im “Qasje Zanafillëse Gjuhësore e Kodikut të Dositheut, Peshkopit të Drinopojës dhe Gjirokastrës, 1760-1859”11 dhe, së fundmi, librin tim mbi kodikun kishtar të Gjirokastrës12, por po ashtu edhe mbishkrimet kishtare që botoi Theofan Popa13, mbishkrimet e afreskeve të kishës bizantine të Peshkëpisë, etj., pa përmendur këtu mbishkrimet e lashta që janë gjetur si në fshatrat e Dropullit, ashtu edhe në Adrianopojë, pranë Sofratikës.

Sigurisht, të dhënat e mësipërme nuk mund të shihen si dëshmi të një pranie të pandërprerë, aq më tepër ekskluzive, të grekofonisë në atë zonë, dhe këtë e dëshmon edhe ekstrakti i regjistrit që trajtoi në emision Prof. Ferit Duka nga studimi i tij prej vitit 199114. Duke qenë se regjistri u përpilua për arsye të regjistrimit të taksave të mbedhshme nga zona dhe të personave të tatueshme me nivelin e taksave, pra jo me synimin e paraqitjes së realitetit ‘etnik’ (pa hyrë këtu në problematikën e projektimit të këtij termi në shek. XVI) në Dropullit të fillim-shek. XVI, aparati metodologjik i kësaj përpjekje të konklavitur duhet të ishte, sipas kritikave të artikullit15, shumë më kritik dhe rigoroz se ç’ka qenë. Mirëpo, edhe Prof. Duka ka zgjedhur jo vetëm të injorojë kritikën e metodologjisë së tij15, por edhe të hyjë përsëri në çështje të onomastikës greke, gjë që del jashtë specializimit të tij. Regjistri në fjalë konfirmon tradita edhe më të hershme (p.sh., letra e dhespotit Simeon Paleologut në vitin 1361 për Suhën), ku bëhet fjalë për prani vllehësh në Dropull16. Një sërë toponimesh sllave në zonë, si edhe emrat e paktë sllavë të regjistrit në fjalë, tregojnë praninë e një pakice sllavishtfolëse gjatë njëfarë periudhe, ndërsa përfshirja e zonës në shtetin osman me siguri çoi edhe në një pakicë sado të vogël turqish në ato anë. Të presësh pastërti gjuhësore ose etnike në formësime të mëdha shtetërore, si shtetet bizantine dhe osmane, është iluzion. Prandaj, nuk përbën çudi prania e popullsive shqipfolëse në Dropullin e 1520-s. Çudi është zhdukja e popullsisë greqishtfolëse në fjalët e Prof. Dukës dhe Prof. Xhufit mbi mesjetën e zonës.

Në mbështetje të pretendimit të pabazuar në burime të besueshme historike se popullsia greqishtfolëse e Dropullit u soll për të punuar tokat e bejlerëve të Gjirokastrës në luginën e Drinos, Prof. P. Xhufi solli shembullin e 12 fshatrave shqipfolëse të Pogonianisë, që iu drejtuan Patrikut të Kostandinopojës më 1854, duke kërkuar emërimin e një prifti njohës të gjuhës shqipe në fshatrat e tyre17. Mirëpo, vendndodhjen e këtyre fshatrave Prof. Xhufi e çoi në Pogon (zonë tjetër me pakicë greqishtfolëse) duke e shpërngulur nga Pogoniani-a, për të cilën dëshmonte dokumenti në fjalë. Ndërsa autori pseudonim, në baza të panjohura, e kritikoi atë duke i zhvendosur këto fshatra në Leskovik, Prof. Xhufi, pa u konsultuar as me burimin origjinal (kopje të të cilit në Fig. 1),

Fig. 1: Kodiku i Korespondences Patriarkale Nr. 30, f. 153 (arkivi i autorit).

as me transkriptimin e tij, u kthye në replikën e autorit pseudonim me kundërsulm, duke deklaruar se “[d]okumenti e thotë shkoqur që 12 fshatrat shqipfolëse ishin në Pogon dhe vareshin nga mitropolia e Janinës, e jo nga mitropolia fantomatike e Pogonianit, siç ai [d.m.th. autori pseudonim] rreket të thotë”. Shprehjet e përgjigjes miratuese të Patrikut se “ἐπαρχιῶται τοῦ ἁγίου Πωγωνιανῆς” (banorë të rrethit të [peshkopit] të shenjtë të Pogonianisë) dhe “προτρεπόμεθα … ὅπως προσκαλεσαμένη τὸν ἐπιζητούμενον ἱερέα, ἀποστείλῃ αὐτὸν εἰς τὰ χωρία ταῦτα τοῦ ἁγίου Πωγωνιανῆς, συνιστῶσα αὐτὸν ἀπὸ προσώπου τῆς Ἐκκλησίας” (nxisim [kryepriftërinë tënde] të ftosh priftin e kërkuar dhe ta dërgosh në këto fshatra të [peshkopit] të shenjtë të Pogonianisë duke e rekomanduar atë nga ana e Kishës) nuk konfirmojnë as se fshatrat vareshin nga Mitropolia e Janinës, as se ndodheshin në Pogon.

Duke qenë se dihet që Peshkopata e Pogonianisë shtrihej në zona greqishtfolëse, shqipfolëse dhe vllahishtfolëse18, edhe pse si autor i studimit në fjalë mund të kisha një arsye më tepër për të mos u konsultuar edhe një herë me origjinalin, duke u mjaftuar në studimin tim, u angazhova edhe një herë për të studiuar origjinalin (Fig. 1). Aty zbulova se transkriptimi im, që u botua në studimin e para 10 vjetësh, ka pasur gabime në deshifrimin e emrave të tre fshatrave në fjalë. Emrat duhen lexuar si Ποστένιανη (Postenani, sot pjesë e bashkisë së Kolonjës), Βλάσοβα (Lashova, sot pjesë e krahinës së Korçës) dhe Τζαρίσοβα (Çarshova, sot në rajonin e Përmetit), siç tregoj në ekstraktin e Fig. 1 që paraqes më poshtë. Pra leximi i saktë na çon te fshatra që sot e kësaj dite mbeten shqipfolëse dhe (kryesisht) ortodokse, pra ‘Gjinët’ qëndruan si ‘Gjinë’.

Nuk është e lehtë të pranosh publikisht gabime. Nga ana tjetër, pikësëpari, transkriptimi i gabuar nuk ndryshon asgjë në synimet e artikullit tim të vitit 2011. Pikësëdyti, gabimi im përbën mësim për studentët dhe studiuesit e historisë se si pozitivizmi i tepruar dhe moskritika e burimeve na çon në qorrsokak. Tekefundit, asnjë nga profesorët nuk foli për shumëgjuhësinë kulturore, të dëshmuar edhe në arkivin e Ali Pashës, të shkruar greqisht dhe osmanisht, një realitet mbizotërues deri në imponimin e monofonisë (me pak përjashtime) prej kombshteteve (nation states).

Sa për krahasimin e veshjes së vashës arvanitase nga Atika dhe veshjes dropullite: profesorët mjaftonte të hapnin vëllimin e parë të serisë Veshje Popullore Shqiptare, jo më studime të thelluara, si punimi i Angeliki Haxhimihalit, ku trajtohen me detaje edhe veshjet popullore dropullite, për të evidentuar se larmia e kostumeve dropullite nuk mbështet hipotezën e tyre, sipas së cilës veshja dropullite është një. Rrjedhimisht, do t’i mënjanonin krahasimet jobindëse.

  1. Kompleksiteti i Identifikimeve në Mesjetë

Edhe pse Marin Mema u josh pas konstatimit se “Gjini u bë Grek”, asnjë nga profesorët me të cilët u konsultua nuk e ndërgjegjësoi se, në kushtet e fluiditetit të identifikimeve përgjatë mesjetes, pseudodilema “Dropulli, grek apo shqiptar” është absurditet, përderisa, të paktën para gjysmës së dytë të shek. XIX, nuk është çudi as për Gjinin të bëhet grek, as për grekun të bëhet Gjini. Në një studim mbi vetëidentifikimet e Himariotëve në shek. XVI-XIX që paraqita në një konferencë në prani edhe të Prof. Xhufit19, kam sjellë në vëmendje fluiditetin e identifikimeve të tyre në raport me kë prezantohen (anëtar i grupit të brendshëm apo të jashtëm), në cilat rrethana historike komunikojnë dhe çfarë shpresojnë të arrijnë me komunikimin e tyre. Në konkluzionin tim, identifikimet e individëve dhe të grupeve shoqërore janë dinamike dhe jo statike. Prandaj, Georgios Demetriou (siç prezantohet vetë ai), me origjinë prej Vanishtës, në librin e tij të gramatikës greko-latine, duke theksuar ndjenjat e tij atdhetare (τοῦ προσκυνητοῦ κυρίου εὐπατρίδους), deklaron prejardhjen e tij “nga Gjirokastra e Albanisë europiane” (ἐξ Ἀργυροκάστρου τῆς Εὐρωπαίας Ἀλβανίας)20, me siguri për t’u distancuar nga përfytyrimi i përhapur në shek. XVIII (e nganjëherë i pretenduar edhe sot nga jashtë Shqipërisë), se shqiptarët kanë migruar nga Kaukazi21. Premisat janë se Albania, atdheu i tij, përdorej si përcaktues gjeografik dhe jo si përfytyrim i ndonjë entiteti politik, siç do të tregoj më poshtë.

Vetëidentifikimet e emigrantëve nga Dropulli dhe zona të tjera të Shqipërisë së sotme në Perandorinë Habsburge tregojnë të njëjtën luhatje identifikimesh që konstatova në Himarë. Në regjistrime të popullsisë nga autoritetet austro-hungareze (që sigurisht s’kishin konflikte interesash për të regjistruar atë që deklaron i regjistruari) gjejmë perla. Kështu, ndërsa dropullitët (nga Vanishta?) Haxhi Leondi Kristo (Χατζη-Λεόντιος Χρήστου) dhe Kristo Kostandini (Χρήστος Κωνσταντίνου), xhaxha dhe nip, në testamentet e tyre duket se priren drejt një identifikimi vendor (identitetin gjirokastrit), të cilin e përfytyrojnë të përbërë edhe nga besimi ortodoks, edhe nga të nxënit e gjuhës greke22, 19 emigrantë nga Shipska dhe Voskopoja që u regjistruan para autoriteteve austro-hungareze në Pest (Budapest) në vitin 1775, për të marrë një pikë të vetëm kohore, deklaruan vendndodhjen e prejardhjes së tyre dhe rrjedhimisht identitetin e tyre të origjinës si më poshtë23:

Emri i Vendit Vendndodhja e Prejardhjes Numri
Albania Maqedonia Turqia GJITHSEJ
Shipska 6 2 2 10
Voskopoja 0 6 4 9

 

Fig. 2: Mbishkrimi mortor i Kostandin Beneal nga Voskopoja, Kisha e Shen Gjergjit e Serbëve, Pesti, 22.09.1757 (arkivi i autorit).

Formulimi më i zakonshëm për origjinën nga Shqipëria është “ex loco Albaniae Zibiska”. Për Maqedoninë, referencë te krahinat e Maqedonisë së lashtë, zakonisht shkruhet “natus in Macedonia loco Moszkopolii” ose “Szipiszka”. Kur identifikohen me prejardhje nga Perandoria Osmane, zakonisht deklarojnë “natus in Turcia Loco Szipiska” ose “Moszkopolje”23. Emigrantët e brezit të parë kanë ruajtur fort kujtesën e prejardhjes dhe kontaktin me atdheun e origjinës, siç duket në mbishkrimin në gjuhën greke të varrit të Kostandin Theodhor Bendeal nga Voskopoja (Fig. 2), i cili vdiq më 22.09.1757 në moshë 23 vjeçare dhe u varros në kishën serbe të Shën Gjergjit në Pest.

 

Mbishkrimi i Athanas Panajotit nga Vithkuqi, i varrosur po aty në gjysmën e dytë të shek. XVIII, është edhe më interesant, pasi në epigramën mortore ai shpall për së fundmi etninë e tij shqiptare, duke porositur që mbishkrimi të shkruhet greqisht, gjë që dëshmon për marrëdhëniet midis grekëve dhe shqiptarëve edhe në diasporë habsburge24:

ΩΔΕ ΤΕΘΑΠΤΑΙ Ο ΕΝ ΜΑΚΑΡΙΤΑΙ

Σ ΑΘΑΝΑΣΙΟΣ ΠΑΝΑΓΙΩΤΟΥ

ΤΟ ΜΕΝ ΓΕΝΟΣ ΑΛΒΑΝΙΤΗΣ ΕΚ

ΔΕ ΠΟΛΕΩΣ ΒΙΘΚΟΥΚΙ ΖΗΣΑΣ ΕΤ

Η 60 ΑΝΕΠΑΥΘΗ 2 ΜΑΡΤΙΟΥ

KËTU ËSHTË VARROSUR I NDJERI

ATHANAS PANAJOTI

SHQIPTAR SIPAS ETNISË NGA

QYTETI VITHKUQ QË JETOI

60 VITE. U PREH MË 2 MARS.

Përkundrazi, kur brezat kalojnë në diasporë (Fig. 34), kujtesa zbehet dhe familjet asimilohen, siç është rasti i familjes gjirokastrite që u krijua nga migrimi i Dhimitër Pavlit në Iaşi të Rumanisë. Dhe për dyshuesit që mund të mendojnë se identiteti i paraqitur këtu përmes gjuhës së shkrimit mund të ndikohej nga Kisha ortodokse, Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë ka plot fonde arkivore të ndërmarrësve shqiptarë dhe esnafeve të tyre, të cilët gjer në shek. XIX shkruajnë më së shumti greqisht dhe më pas osmanisht.

Fig. 3: Varri familjar i familjes gjirokastrite Pavli (nga Vanistër?), Varrezat e Përjetësisë, Iasi (arkivi i autorit). Vihet re humbja e lidhjes me prejardhjen e tyre në mbishkrimet mortore – dëshmi asimilimi.

Fig. 4: Epigramë rumanisht i Kostandin Pavlit, nënës dhe motrës së tij, Varrezat e Përjetësisë, Iasi (arkivi i autorit). Detaj i Fig. 3.

Fluiditeti i identifikimeve gjatë mesjetës nuk është një terra incognita për Prof. Dukën dhe Prof. Xhufin. Megjithatë, në rastin më të mirë, u joshën prej pseudodilemës “Dropulli, grek apo shqiptar?”, të ngritur nga një gazetar tendencioz, lakmitar për shikueshmëri të madhe, që flirton me një nacionalizëm të dalë boje, me qëndrim tejet shpërfillës ndaj kompleksitetit të proceseve (vetë)identifikuese në periudhën e mesjetës.

  1. Rishikim i së Kaluarës apo Riciklim i Historisë?

Ka kohë që më rëndon mungesa e debatimit të mjaftueshëm e konstruktiv për çështjet e identitetit  në Shqipëri. Në vendin tim të lindjes, Greqi, festimet e 200-vjetorit të Revolucionit të 1821-shit u bënë shkas për debate të zjarrta dhe thellësisht identitare, një ide e të cilave mund të merret në një gjuhë më të aksesueshme në podcast-in Ideja e Greqisë. Në Shqipëri, pas debatit të madh (shkencor dhe jo) midis Kadaresë dhe Qosjes dhe gjithë atyre që gjetën tokë pjellore për të shprehur mendimet e tyre, ndjej boshllëk. Në konferencat që organizohen nga Akademia e Shkencave, institute dhe organizata të ndryshme, shumë rrallë lihet kohë për debat – folësit kumtojnë dhe ulen ose ikin fare nga konferenca pas kumtesës së tyre, më së shumti pa pyetje, kritikë apo oponencë, gjithmonë me duartrokitje, vetëm për t’u pasuar nga folësi tjetër, në një atmosferë gostie narcistike. Rrjedhimisht, etjen time për të ndjekur debate për çështje thellësisht identitare, si p.sh., ato që ngrihen nga arkeologë si William Bowden25, s’po gjej ‘burim’ për ta shuar.

Në kontekstin e diskutuar këtu, kam bindjen se kamerat e fshehta, konsultimi vetëm me profesorët që pranojnë të mbështesin një tezë të vjetër, pa kritikë të burimeve dhe pa u konsultuar me pikëpamje alternative, dhe pseudonimati janë faqe të së njëjtës problematikë: të mungesës së kulturës së debatit. Nuk kam dyshim se mungesa e debatit publik mbi çështje të tilla ndikon edhe te kultura e dialogut dhe e debatit publik, politik ose jo. Prandaj, edukimi i brezit të ri me kulturën e dialogut të informuar nga parimet themelore të shkencës brenda së cilës debatohet, ka një rëndësi jetike për të ardhmen. Frikë kam se, me emisione të tilla, dhe sidomos me profesorë që nuk ngurrojnë të mos respektojnë parimet bazë të shkencës së tyre, për hir të pak publiciteti, brezi i ri nuk do të brumoset me kulturën e debatit të shëndoshë, duke ricikluar, rrjedhimisht, si historinë, ashtu edhe problemet që ajo na ka trashëguar.

(c) 2021, Konstantinos Giakoumis & (për këtë botim) Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


1 – Epstein Steven A. 2006. Purity Lost. Baltimore: Johns Hopkins University Press.
2 – Evola Julius. 2015. A Traditionalist Confronts Fascism. London: Arktos, 57.
3 – Zako Eleana. 19.01.2021. “Candid Camera në Dropull.” Peizazhe të Fjalës
4 – Barka Panajot. 19.01.2021. “Debati për Dropullin/ Panajot Barka i përgjigjet Marin Memës: Provokove pleq e plaka me kamera të fshehtë. 70% e të diplomuarve në qarkun Gjirokastër në vitin 1927 ishin grekë.” ARGJIRO Lajm Net
5 – Tannhäuser. 24.01.2021. “Të Pathënat e Dropullit.” Peizazhe të Fjalës
6 – Xhufi Pëllumb. 24.01.2021. “Një Përgjigje pa Adresë.” Peisazhe të Fjalës
7 – Qirjazi Dhori. 26.01.2021. “Greqishtja në Shqipërinë e Jugut. Rreth diakronisë dhe diatopisë së të folmeve greqisht të Shqipërisë së Jugut.” Peizazhe të Fjalës
8 – Kourilas Eulogios. 1944. Τὸ Κράτος τῆς Ἀληθείας: Κραυγὴ τοῦ Ἀδικούμενου Ἑλληνισμοῦ ἀπὸ Δωδώνης καὶ Τομόρου μέχρι Ταΰγετου: Σλάβοι καὶ Ἀλβανοί ἐν Ἑλλάδι. Athinë: I. L. Aleuropoulos, 296.
9 – Zotos-Molossos Vasileios. 1878. Δρομολόγιον της Ελληνικής Χερσονήσου. Αρχαιολογικόν, Ιστορικόν, Γεωγραφικόν, Στρατιωτικόν και Εμπορικόν, v. 4, Nr. 4. Athinë: Shtypshkronja Kombëtare, 83-84.
10 – Giakoumis, Konstantinos. 2003. “Fourteenth-century Albanian migration and the ‘relative autochthony’ of the Albanians in Epeiros. The case of Gjirokastër.” Byzantine and Modern Greek Studies 27, 171-184.
11 – Giakoumis Konstantinos. 2013. “A Preliminary Linguistic Approach of the ―Codex of Dositheos, Bishop of Dryinoupolis and Gjirokastra (1760-1858).” Albanohellenica 5, 167-174.
12 – Giakoumis Konstantinos. 2020. Ο Εκκλησιαστικός Κώδικας Δρυϊνουπόλεως και Αργυροκάστρου (1760-1858). Tirana: University College LOGOS.
13 – Popa Theofan. 1998. Mbishkrime të Kishave në Shqipëri, red. Nestor Nepravishta -Kostandin Gjakumis, Tirana:  Akademia e Shkencave – Instituti i Historisë.
14 – Duka Ferit. 2009. “Realiteti etnik i Dropullit në burimet osmane të shek. XVI (Defteri osman i regjistrimit të pronave dhe popullsisë të Sanxhakut të Vlorës i vitit 1520)”. Në: Ferit Duka, Shekujt osmanë në hapësirën shqiptare (studime dhe dokumente), Tiranë: UET Press, 265-333. Ribotuar nga Studime Historike 3-4 (1991), 167-199.
15 – Shih, inter alia, Giakoumis Konstantinos. 2002. The Monasteries of Jorgucat and Vanishtë in Dropull and of Spelaio in Lunxhëri as Monuments and Institutions During the Ottoman Period in Albania (16th-19th Centuries). Tezë doktorate pranë Universitetit të Birmingham-it, Birmingham. E aksesueshme në http://ethos.bl.uk/OrderDetails.do?uin=uk.bl.ethos.390688, ff. 790-791.
16 – Giakoumis 2002, 110, shënim 321-322.
17 – Giakoumis Konstantinos. 2011. “The Policy of the Orthodox Patriarchate toward the use of Albanian in Church Services” Albanohellenica 4, 141, 142.
18 – Aravantinos, Panagiotis. 1857. Χρονογραφία της Ηπείρου : των τε ομόρων ελληνικών και ιλλυρικών χωρών διατρέχουσα κατά σειράν τα εν αυταίς συμβάντα από του σωτηρίου έτους μέχρι του 1854, v. 2. Athinë: S.K. Vlastos, 371-372 dhe Lambridis Ioannis. 1886. ”Ἡ Ἀρχιεπισκοπὴ Πωγωνιανῆς”, Παρνασσός 10, 269-276.
19 – Giakoumis Konstantinos. 2016. “Self-Identifications by Himarriots, 16th to 19th Centuries”, Erytheia 37, 205-246.
20 – Demetriou Georgios. 1785. Γραμματικὴ Ἑλληνολατινίς. Vjena: Josip Baumeister; cf. Giakoumis 2002, 211-212, 275 (shënim 92), 334-335.
21 – Schmitt Oliver Jens. 2012. Shqiptarët. Një Histori midis Lindjes dhe Perëndimit, përkth. Ardian Klosi Tiranë: K&B, 43.
22 – Giakoumis 2020, 176-189 (Aktet 43 dhe 44).
23 – Füves Ödön. 1961-3. ”Conscriptiones Graecorum in Comitatu Pest – Pilis – Solt Hungariae in Saeculo XVIII. Peractae”, Μακεδονικά 5, 214, 215, 217, 218, 219 dhe 221.
24 – Lambros Spyridon. 1911. “Ἐπιτύμβια Ἑλλήνων, ἰδίως Μακεδόνων ἐν Πέστῃ”, Νέος Ελληνομνήμων 8/4, 464 dhe 468.
25 – Bowden William. 2019. “Conflicting Ideologies and the Archaeology of Early Medieval Albania”, Archeologia Medievale XLVI, 41-50.

Rreth Autorit

* Dr. Konstantinos (Kosta) Giakoumis është profesor i asociuar i Historisë, Historisë së Artit dhe Metodikës së tyre pranë Departamentit të Pedagogjisë dhe Psikologjisë edhe Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane dhe Komunikimit Gjuhësor të Kolegjit Univeritar LOGOS. I doktoruar pranë Universitetit të Birmingham-it, Angli (2002), ka kryer studime të zgjatura për çështje të ndryshme të historisë dhe arteve në Ballkanin perëndimor. Ai është autor i një sërë artikujsh, kapitujsh dhe librash mbi historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin