LUFTË NARRATIVASH

Këto ditë lexoja – jo pa interes – një debat të ashpër në faqen e avokat Edmond Petrajt, në Facebook (këtu), fill pas përurimit të një statuje të Sali Butkës në qendër të Ersekës. Avokati Petraj, që është i angazhuar fort me komunitetin arumun (vllah) në Shqipëri, e kundërshton ngritjen e statujës me argumentin se çetat e komanduara nga Butka, gjatë Luftës I Botërore, kanë kryer masakra të pashembullta ndaj vllehëve të Voskopojës.

Ata që ia ngritën statujën Butkës, përkundrazi, besojnë se ky ka qenë patriot i madh dhe luftëtar i paepur i çështjes kombëtare, çfarë më rezulton të jetë pak a shumë edhe qëndrimi i disa historianëve shqiptarë me autoritet, të cilët kanë vënë në dukje rolin e Butkës në mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë së Jugut ndaj synimeve greke por jo vetëm. Me sa shoh tani, krahu tjetër pretendon se Butka, gjatë Luftës I Botërore, ka vepruar si përfaqësues i interesave austro-hungareze dhe me paratë e asaj pale. E kështu me radhë.

Nuk jam në gjendje të marr pjesë dhe as guxoj të marr pjesë në këtë debat. Por duke e ndier gjallërinë e revoltimit të palës arumune/vllehe, që thotë se kujtimi i masakrave të atyre kohëve ka mbijetuar sot e kësaj dite në familjet e prekura t zonës dhe jo vetëm, besoj se ka vend të pyetet nëse ia vlen dhe sa ia vlen – për Shqipërinë sot – që t’i mëshojë vetëdijes historike dhe të nderojë “heronjtë” e një periudhe e cila nuk është zbardhur, e mbase nuk do të zbardhet dot kurrë, nga pikëpamja morale e mbase as kombëtariste.

Gjatë Luftës I Botërore, shqiptarët – si shqiptarë – nuk kishin agjenci, por ishin të rreshtuar me ato fuqi që kishin shkelur trojet e tyre: kush mbante anën e austro-hungarezëve, kush të italianëve, kush të francezëve, kush të serbëve, kush të grekëve, kush të turqve. Aq sa trojet shqiptare erdhën dhe u fraktalizuan, për të riprodhuar, në miniaturë, gjeografinë e kontinentit të përfshirë në konflikt.

Ushtritë që hynë në këto troje dhe u përleshën, kishin synimet e tyre pa lidhje me interesat tanë kombëtarë dhe prandaj shfrytëzuan edhe “diversitetin” e vendësve: kush bashkëpunoi me katolikët, kush me ortodoksët, kush me myslimanët; kush me grekët, kush me vllehët[1] e kush me ndonjë pakicë tjetër. Diversiteti në Shqipërinë e sapo-krijuar të 1912-ës trashëgonte dhe pasqyronte edhe ai historinë e turbullt dhe dramatike të shqiptarëve nën Perandorinë Osmane, por palët ndërluftuese e vunë në shërbim të tyre, siç edhe pritej ta bënin.

Shqiptarët dhe arumunët/vllehët bashkëpunuan ngushtë, sikurse dihet, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare; një përvojë që i solli këta dy popuj edhe më afër njëri-tjetrit. Është fakt që një pjesë e madhe e arumunëve/vllehëve të trojeve shqiptare, sidomos nga elitat e tyre, u ndien mirë si të përfshirë në shtetin e ri shqiptar të 1912-ës. Mirëpo kjo nuk do të thotë se në marrëdhëniet e tyre me fqinjët shqiptarë nuk kish potencial dhe rrezik për konflikt të përgjakshëm.

Më se 100 vjet kanë kaluar nga vitet e Luftës I Botërore, siç u përjetuan në trojet shqiptare. Por me sa duket një shekull është pak, për ta qetësuar kujtesën kolektive, sidomos ndër viktimat. Dhe meqë Shqipëria, dhe shqiptarët vetë, rregullisht kanë luftuar mes tyre, herë me bindjen se po i shërbenin kombit e “flamurit”, herë ngaqë për atë gjë paguheshin, konsakrimi i historisë së këtyre konflikteve – në vetvete të trishtuara – nuk mund të shërbejë si bazë për rithemelimin e marrëdhënieve mes komuniteteve.

Duke theksuar edhe një herë se unë nuk di se çfarë ka ndodhur pikërisht midis Butkës dhe arumunëve/vllehëve të Voskopojës, dua të vërej, duke përfituar nga kjo ngjarje por pa iu referuar asaj drejtpërdrejt, se më duket e parakohshme – në mos e papërshtatshme – që të ngulim këmbë duke përkujtuar dhe përlavduar figura dhe ngjarje historike problematike. Dhe kjo jo vetëm sepse historia e shqiptarëve, e vjetra dhe më pak e vjetra, nuk është rrëfyer dhe as po rrëfehet si duhet; por edhe ngaqë ne, si kulturë, ende priremi ta rrëfejmë të kaluarën si epikë të pak heronjve të shenjtërueshëm; një prirje, në rastin më të mirë, foklorike.

Me gjasë, komunitetet në Kolonjë dhe gjetiu kanë vendosur ta kujtojnë Sali Butkën si hero kombëtar, prandaj edhe ia ngritën monumentin. Është e drejta e tyre. Por ka ndodhur, të themi gjetiu, që gjeste të tilla përlavdimi t’i kenë shërbyer jo kujtesës historike, por ripërtëritjes së identiteteve dhe krenarive partikulare dhe lokale. Me fjalë të tjera, ka ndodhur që historia të jetë rekrutuar në shërbim të konflikteve të sotme, sikurse ka ndodhur që konfliktet e sotme të jenë ndezur dhe mbajtur gjallë në vazhdim të atyre të djeshmeve, ndonjëherë nga të njëjtët kukulltarë që lëvizin fijet nga lart.

Dhe nëse ka ndodhur kështu, atëherë do të pranojmë që konfliktet e sotme – me rrënjë politike, ekonomike ose fetare – të shfaqen në trajtat e konflikteve të dikurshme, duke ndjekur vijat e tyre narrative; sikurse do të pranojmë edhe që konfliktet e dikurshme të zhvarrosen dhe të kthehen në jetë, duke marrë trajta arketipale.

Mendimi im në këtë mes, për aq sa vlen, është se qytetarët e Shqipërisë së sotme nuk mund dhe nuk duhet ta themelojnë unitetin e tyre vetëm mbi narrativat dhe virtytet historike (siç kanë bërë ca të tjerë në Ballkan, madje duke nxjerrë sytë), sepse shqiptarët, tradicionalisht, kanë pasur shumë pak agjenci në historinë e tyre. Do të ishte më logjike që ta vinim theksin – në kalendar, në kronologji, në plane dhe në ëndrra – tek e ardhmja, duke investuar më mirë e më shumë në çfarë do të bëjmë bashkë, se në çfarë kemi bërë bashkë.

Ata që do të turfullojnë me çfarë shkrova, le të (ri)lexojnë Vitin e mbrapshtë të Kadaresë, si literaturë e detyruar për përsiatje të kësaj natyre.

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi në mediat elektronike. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.


[1] Që nga fundi i shekullit XIX, politika italiane kish treguar interes për arumunët në Ballkan, përfshi edhe ata të trojeve shqiptare, duke i parë si vazhdues të popullsisë latine atje dhe si elementin ku mund të mbështetej, të paktën kulturorisht, ekspansioni i interesave italiane imperiale në gadishullin përbri.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin