HISTORI E SHKRUAR NË RËRË

Gazeta Dita boton sot një intervistë të Auron Tares, me Robert Buchar, një kineast çek i arratisur në Perëndim në vitet 1980, në lidhje me prapaskenat e përmbysjes së regjimeve komuniste në Europën Lindore.

Buchar i prezantohet lexuesit si emigrant politik; sot ai është profesor i asociuar i kinematografisë në Columbia College, në Chicago. Libri i tij, “And Reality Be Damned…: Undoing America: What media didn’t tell you about the end of the Cold War and the fall of communism in Europe” është botuar në 7 mars 2012 dhe shitet, nga Amazon, vetëm në format elektronik.

Për këtë libër, Dita thotë se “ ka ngjallur jo vetëm kureshtje, por edhe debate të shumta”, pa çka se në faqen e Amazon lexojmë se libri zë vendin e 888 574-t në klasifikimin e shitjeve në Kindle Store; dhe se faqja përkatëse nuk ka asnjë koment për bé, me përjashtim të një vlerësimi nga Lt. Gen. Ion Mihai Pacepa, që duhet të jetë i ushtrisë rumune.

Pa hyrë në meritat e intervistës në Dita dhe në autoritetin e këtij kineasti, dua vetëm të vërej mënyrën si është paraqitur në gazetë paragrafi i mëposhtëm i intervistës së Buchar:

Përshtypja e përgjithshme është që atë kohë pati një kryengritje dhe forca e popullit e mposhti atë regjim, duke rrëzuar komunistët dhe duke ndryshuar historinë. Për mua, e gjithë kjo nuk është e vërtetë. Dokumentet që po dalin për këtë çështje, por që askush nuk dëshiron më t’i lexojë, tregojnë një histori krejt ndryshe. Forca e popullit nuk kishte të bënte fare me këtë çështje. E gjithë lëvizja antikomuniste apo rënia e komunizmit ishte një skenar i përgatitur dhe i orkestruar nga Moska.

Ma merr mendja, duke ndjekur edhe rrjedhën e intervistës, se Buchar aty e ka fjalën për çfarë ndodhi në Çekosllovaki, jo në krejt Lindjen; por fotografia që ka vënë Dita përbri, lë të kuptohet se edhe shembja e regjimit Alia në Tiranë, e paraqitur simbolikisht me rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës të paraqitur në foto, ka qenë edhe ajo “skenar i përgatitur dhe i orkestruar nga Moska.”

Capture

Duke pasur parasysh se këto ditë – dhe pikërisht dje – kremtuam përvjetorin e lëvizjes së Dhjetorit, unë këtë ndërhyrje të Ditës nuk mund ta marr, veçse si marrje të hapur pozicioni, të kësaj gazete, në lidhje me çfarë ndodhi pikërisht në dhjetor të vitit 1990 në Shqipëri; nën dritën edhe të debatit të paradokohshëm për “Katovicën shqiptare.”

Nuk ka komente

  1. Xha Xha,
    më grishi kureshtjen ky shkrim, e ndaj e gugullova pak këtë zotërinë, i cili rezulton te jetë “cinematographer, filmmaker, film director and producer” sipas faqes së wikipedia-s.
    Sigurisht që në tregun e lirë te ideve Z. Buchar mund të qarkullojë versionet e tij për historinë e afërt e të largët. Çka më bën më tepër përshtypje është fakti që teoritë e Z. Buchar janë përcjellë (madje më shumë se përcjellë, në anglisht do te thoshin “endorsed”) nga Z. Tare i cili synon të ndikojë tregun shqiptar të ideve nëpërmjet evokimeve të së kaluarës historike si ҫelës për të kuptuar të sotmen. Teksa Zoti Tare përpiqet të zotërojë opinionin publik nëpërmjet pretendimit për saktësi shkencore e qibër morale, është e pakuptueshme përcjellja që u bën teorive konspirative të paverifikuara gjetiu. Mbase po kërkon sensacionin si mjet për të ndikuar publikun? Apo thjesht për të impresionuar shefat? Për t’u bërë i nevojshëm? I domosdoshëm si dijetar e zotërues i padiskutueshëm i të vërtetës historike? Nëse është kështu, sa keq për Zotin Tare!

  2. Pacepa qe ka bere komentin aty eshte, me siguri qe shume veta e dine, ish-drejtues i sherbimit sekret te Rumanise, i larguar ne Perendim ne vitin 1982. Libri i tij “Sekretet e shtepise Caushesku” eshte perkthyer edhe ne shqip. Eshte zyrtari me i larte i sherbimeve lindore qe dezertoi nga Lindja. Sa per dhjetorin ’90, jo se ka lidhje me qendrimin e Dites, qe mund te jete cilido, por mendoj se i ngjan shume 29 nentorit pas renies se komunizmit. Cka do te thote se ajo qe ndodhi ne dhjetor do te jete e shumta nje kujtim per ata naivet apo idealistet qe kane qene pjesemarres aty. Per disa ishte nje menyre per te mbajtur bythen te ulur ne karrige. Per te tjeret, per ata qe cmojne jeten me te vertete, dhjetori ’90 ishte vetem nje shans per te bere ate qe eshte bere perhere ne kete vend, pavaresisht nga sistemi: te ikesh. Ndaj ata qe perpiqen qe te sajdisin ushtaret me festa dhe martire, apo edhe ata qe duan te besojne se dicka me te vertete e re lindi ne ndergjgjejen tone publike me 8 dhjetor, minimalisht nuk vene ne hesap kete qe kaluam keto 23 vite. Qe vetem proces i natyrshem nuk jane. U gdhine te gjithe me 8 dhjetor libertatore, demokrate dhe optimiste. Te gjithe me nga nje teser te kuqe ne xhep. Ndoshta me 8 dhjetor PPSH-ja i beri nje fleterrufe vetes dhe ja epoka e lirise erdhi shpejt.

    1. Jam dakort me ju Dosja K.
      Ky paska qene sensi dhe domethenia e vertete e autokritikes…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin