CANDID CAMERA NË DROPULL

nga Eleana Zhako

Edhe këtë vit, sipari i emisioneve udhëtuese të Top-Channel-it u hap me dy emisione mbi Dropullin. Në 2020-ën ishte emisioni i Ilnisa Agollit mbi fshatin Derviçan të Dropullit të poshtëm, ndërsa sivjet e pati radhën emisioni “Gjurmë shqiptare” i Marin Memës i fokusuar kryesisht në Dropullin e sipërm. Dropulli dhe minoriteti grek është obsesioni i fundit i Top-Channel-it. Për t’i shërbyer më mirë vizionit të tij tashmë të njohur, autori Mema solli një tufë dokumentesh shumëgjuhëshe dhe thirri në ndihmë dy historianë të njohur shqiptarë, për t’i dhënë një kinse legjitimim akademik temës.

Theksi u vu në regjistrat osmane, si prova “objektive” se zona kish qenë e banuar nga arbërorë autoktonë, të cilët për arsye të paqarta u rralluan e u tretën përgjatë shekujve të sundimit osman. Vendin e tyre e zunë arbërorë të tjerë të ardhur nga zonat përreth Atikës, që nën ndikimin e klerit grek, u konvertuan në greqishtfolës. Këtu i ftuari si eskpert prof. Pëllumb Xhufi iu referua librit “Kronika e Dropullit” e shkruar në greqisht në fund të shekullit të XVIII, e cila i paraqet banorët e Dropullit si pasardhës të atikasve, që shtegtuan drejt Dropullit të sotëm pas mbarimit të Luftës së Trojës, dhe jo si të ardhur në shekujt XVII-XVIII. Vështirë që “arvanitasit” e riatdhesuar të Xhufit të kenë lidhje me historinë e hershme të dropullitëve të përshkruar me nota mitologjike te kjo Kronikë e Dropullit, burimit kryesor që ai citon, krahas regjistrave otomanë.

Edhe pse njohës i mirë i arkivave mesjetare, Xhufi nuk është në gjendje të na shpjegojë se përse konvertimi etnik i pretenduar ndodhi pikërisht në këto vendbanime, dhe jo në krahinat e Lunxhërisë dhe Zagorisë, ku gjithashtu popullsia ishte dhe mbeti ortodokse, por shqipfolëse. Aq më tepër që, siç e kanë vënë re ekspertët e onomastikës, shumica e toponimeve të Dropullit e Pogonit, janë me origjinë sllave ose greke, dhe vetëm rrallë mund të gjendet ndonjë fshat me emrin të shpjegueshëm përmes gjuhës shqipe.

Mema përmend se në fjalorin enciklopedik të shqipes dy fshatra minoritarë të cilat ai nuk i specifikon (por që janë Frashtani dhe Lugari) njihen si me kombësi shqiptare, por nuk shpjegon më tutje pse ka ndodhur kështu. Dokumentarit të tij investigues, duket se i ka “shpëtuar” rasti i fshatit Koshovicë në Dropullin e sipërm, i cili gjatë caktimit të kufijve u nda në mënyrë të dhimbshme mes dy shtetesh, Greqisë e Shqipërisë.

Që origjina e toponimeve të tanishme nuk mund të përbëjë kriter shkencor për përcaktimin e origjinës së atyre që banojnë në vendet përkatëse, këtë e tregon fakti që një pjesë e mirë qyteteve dhe fshatrave shqiptare kanë emërtime sllave. Veçanërisht në Jug toponimet sllave mbizotërojnë. Krahina e Himarës, që prof. Xhufi e ka aq për zemër, përmban një numër të madh toponimesh me prejardhje greke, por kjo nuk shpjegon vetvetiu karakterin etnik të zonës. Analizat historike të Xhufit ngrihen mbi vazhdimësinë e pandërprerë të kombit shqiptar përgjatë shekujve (të cilën vazhdimësi ai s’e ka për gjë t’ua mohojë të tjerëve) pa marrë parasysh zhvendosjet e popullsive dhe përzierjet ndëretnike dhe ndërgjuhësore, aq më tepër në komunitetet e krishtera që praktikonin ekzogaminë dhe martoheshin lirisht mes etnive, sa kohë që krushqitë ndanin të njëjtën fe. Në këtë pikë Xhufi historian dhe ideolog esencialist etnocentrik bashkohet me Memën gazetar, duke i perceptuar bashkësitë njerëzore si realitete njëngjyrëshe.

Duke e prezantuar regjistrin osman të zonës si një zbulim faktik të jashtëzakonshëm, Mema nuk ndalet në përmasa të tjera identitare, siç janë gjuha dhe vjetërsia e saj, monumentet kishtare, folklori, këngët e vajet. Teksa Xhufi rreket të identifikojë arvanitasit me dropullitët, anashkalon faktin që arvanitasit e mirëfilltë kanë (ose kishin) si gjuhë familjeje e folklori arbërishten; ndërsa minoritarët, kanë si gjuhë familjeje greqishten dhe vajet e këngët e tyre janë ekskluzivisht në greqisht. As duket të ketë gjetur njeri prova ose gjurmë të ndonjë substrati të arbërishtes së Greqisë në greqishten e fshatrave të minoritetit. Po ashtu, krahasimi që Xhufi arkeolog i kulturës materiale përpiqet të bëjë, duke njëjtësuar veshjen e dropullites me veshjen e gruas arvanitase, nuk mund të konsiderohet i njëmendtë, po të marrim parasysh se popujt e Ballkanit otoman kanë doke e veshje të ngjashme, të ndikuar nga njëri-tjetri dhe të kushtëzuar nga i njëjti treg dhe të njëjtat zakone vestimentare. Në Ballkan është gjithnjë më lehtë të krahasosh dhe të gjesh ngjashmëri, se të përcaktosh primate të origjinës. Njëjtë edhe me folklorin, ku variante të së njëjtës baladë, kënge, etj, ndeshen në shumë kultura ballkanike njëherësh. Është për të ardhur keq që metodologji të tilla nacionaliste romantike shfaqen si pa të keq edhe në shekullin XXI.

Elementet onomastike arbërore në Dropullin historik nuk janë përcaktues për identitetin e veçantë etno-kulturor të minoritetit grek përgjatë shekujve dhe për lidhjet e tij zanafillore me gjuhën greke dhe grecitetin. Tingëllon groteske që identitetin minoritarit grek sot të vihet t’ia përcaktojë një dokumentarist si Mema dhe një historian etnocentrist si Xhufi, pa ua kërkuar këtë kush. Identiteti është produkt kompleks i historisë dhe i kulturës specifike, sidomos kur bëhet fjalë për një minoritet të kapur mes dy etnive, njërës prej të cilave ai i përket dhe me tjetrën ka shekuj që bashkëjeton në paqe dhe përfitim të dyanshëm. Kur për shumë shqiptarë të sotëm minoriteti grek është pasuri e vyer dhe motiv për miqësi me fqinjin grek, duket të paktën anakronike të rrëmosh në rrënjët dhe në dokumentet e hershme, për të zbuluar atë që fakt ishe nisur ta kërkosh me paramendim (do të vraponte të bënte gjë dokumentar të ri Marin Mema sikur të “zbulohej” në ndonjë regjistër venedikas se Shkodra para-osmane e “Statuteve” ishte në fakt qytet i romanitetit ballkanik, ku flitej dalmatisht dhe venecianisht, por jo edhe arbërisht?). Përkundrazi, dokumentarë si ky i tanishmi dëshmojnë sa lehtë interesimi për kombin në histori dhe historinë e kombit mund të degradojë në histeri kombëtariste, me licencë akademike.

 

© 2021, Eleana Zhako. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa lejen eksplicite të autores.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin