PËR ARSHI PIPËN E LARGËT

nga Visar Zhiti

Çfarë u bë në atdhe për Arshi Pipën në këtë vit që po mbaron, që shënjonte 100 vjetorin e tij, atë lindjes? Kujtesa është kulturë dhe ndodh të mos dish të kujtosh, po e quajmë padituri, por kur nuk do të kujtosh? E sidomos kur kujtesa është më shumë se sa kulturë?

Një poeti Italian, ndër më të njohurit në Europën e shekullit XX, i botuar dhe në SHBA, Mario Luzi, thoshte “Të tregosh është kujtesë dhe të kujtosh është të jetosh… Ne jemi ajo që kujtojmë.”

Te kujtimi jeton dhe ai për të cilin po tregohet. Çfarë u tha për Arshi Pipën? E thirrëm?…

Unë dua ta kujtoj, duke kujtuar kështu dhe kujtimet e mia. Kaq mund të bëj.  Është detyrë e studiuesve, e kritikëve, e historianëve, jo vetëm të letërsisë, e institucioneve, akademive, ministrive përkatëse, asaj të Kulturës dhe e Punëve të Brendshme dhe e Diasporës, që është krijuar së voni, se jeta e Arshi Pipës ngërthen shumë çështje, poetin dhe filozofin, kundërshtarin dhe të burgosurin, të arratisurin dhe të mërguarin në SHBA. Dhe drejtuesit e vendit, të kulturës, deri edhe kryeministër e president, duhej të kishin homazhe për Arshi Pipën, sepse ashtu siç janë nderimi dhe qëndrimet për Arshi Pipën, harresa e dëmshme, etj, ashtu është dhe shteti ynë.

Marr ndër duar fletë të kujtesës, nga ato që kam shkruar. Po e nis nga burgu,. ç’thoshin atje?…

NË “RRUGËT E FERRIT”

Në burg Maks Velo… po më tregonte me mllef e zili se një ditë, kur qe ndodhur në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, vjen një pako me një libër gri, me kapak të fortë. Arshi Pipa. Libri i Burgut. Poezi. Botuar në Romë. Shqip. Desha ta shfletoj, të lexoja vetëm një poezi. Vetëm një. Një varg. Aty më këmbë. S’ma lanë as ta hapja. S’lejohej. Kishte ardhur posaçërisht për kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Dhimitër Shuteriqin, maskarai, shau, por do të futej në fondin e zi të Bibliotekës.

Arshi Pipa është i arratisur. Ka qenë në burg, në kënetën e Vloçishtit. Mbeti gjallë. Doli nga burgu i Burrelit. Tani është profesor universiteti në Amerikë.

Të burgosurit thonë se ai ka shkruar një skenar filmi “Qershiza”. Jo roman? Dhe është realizuar nga Hollivudi. Duket si e pabesueshme. Rrëfehen tmerret e burgjeve tona, sidomos atij të Burrelit. Se si i vrisnin të burgosurit në ditën e fundit, në atë të lirimit të tyre dhe i varrosnin tek ajo qershiza. Kishte nga ata që u binte të fikët, teksa shihnin filmin në Perëndim, vazhdonin të tregonin të burgosurit, ulërinin në kinema, vinte ndihma e shpejtë ambulanca, njëri kishte nxjerrë revolverin dhe kishte qëlluar mbi ekran për të prapsur një oficer shqiptar, që po copëtonte të burgosurin e vet. Nuk dimë gjë, thoshin ata që kishin ardhur nga jashtë si “suedezët”, Agron amerikani, “francezët” e Veriut, gjermani, grekërit…

Ne, të burgosurit, e ndiejmë nevojën e një mbrojtjeje, të një apeli të madh kundër shtypjes që na bëhet, indiferencës së tmerrshme dhe harresës më të tmerrshme. Na duhet një vepër arti. Dikush po e bën a duhet ta bëjë… Jashtë… Se të tjerët brenda, sa më shumë lavdi marrin, aq më shumë kanë mashtruar.

TAKIMI NË SHTËPINË E TIJ NË UASHINGTON

…telefonoi se na priste në shtëpinë e tij atë paradite në Uashington, ora 10:00. Meqenëse kishim dhe ca kohë, vendosëm të futeshim në librarinë pranë dhe pastaj të vazhdonim një shëtitje të shkurtër. Uashingtoni ngërthente një joshje potente, qytet i gjerë, europian, do të thosha, pa qiellgërvishtëse, siç ishte përfytyrimi i shqiptarëve të padalë për Amerikën, blerime kudo, rrugë të pastra e qetësi të bardhë. Mbase këtë ndjesi ta ngulitnin Shtëpia e Bardhë, Kapitoli, Bibliotekat e famshme të Kongresit Amerikan, të gjitha të bardha. Një kryeqytet që ka shumë e shumë më tepër pemë, se… policë. Se propagandohej ndryshe për metropolet e kapitalizmit.

Dhe sa shumë ketra! Ketra qytetarë!… Ndalnin, na shikonin në sy, s’kishin frikë nga njerëzit, madje prisnin t’u jepje diçka për të ngrënë; biskota, shiteshin enkas dyqaneve, afroheshin, tundnin bishtin e madh e të bukur si të argjendtë, dilnin dhe në rrugë, vraponin poshtë veturave të ndalura, endeshin, ktheheshin pas, u ngjiteshin me vrull pemëve, një zot e di se ç’kërkonin.

Unë me Edën time tani po nxitonim. S’donim të bëheshim vonë për në shtëpinë e profesor Arshi Pipës, nën një diell që po më dukej i bardhë dhe ai.

Arshi Pipa dhe Eda Agaj-Zhiti, në shtëpinë e Arshiut në DC.

Mbas trokitjeve tona të buta, portën na e hapi motra e moshuar e profesorit, ndërsa në krye të shkallëve të drunjta lart, në katin e dytë, na priste vetë Profesori, në këmbë, i gjatë dhe i hollë, i drejtë, me flokët e bardha, “të uashingtonta”, por dhe si borë e largët e atdheut, që nuk shkrin kurrë. Vetullat çuditërisht të zeza, siç dukej një shenjë e përzishme që nuk shkëputej për jetë nga fytyra fisnikërisht gjatoshe e tij. S’dita ta përcaktoj në e theksonin apo e neutralizonin pamjen disi skeptike të asaj fytyre, a i jepnin rini më shumë, bashkë me një pesimizëm të mençur, por gjithsesi me një përzemërsi të palodhur.

– E di emrin tënd, – më tha, kur u ulëm në kolltukët e thjeshtë, – je poet i ri dhe ke qenë në burg. Kësaj së dytës unë i jap rëndësi… për shkrimtarin, – shtoi.

Menjëherë i tregova ç’dija për “Librin e burgut” të tij, të botuar në vitin 1959 në Romë, ç’kisha dëgjuar dhe si e kisha lexuar më në fund. Kur autori qe arratisur, pikërisht ato sonete skëterrore kishin bërë rrugë të kundërt me autorin, po aq të rrezikshme, në mos më shumë, qenë futur fshehurazi në atdhe, përmes telave me gjemba. Kisha bërë përpjekje për të botuar një cikël prej tyre në shtypin e ri opozitar tonin.

Arshi Pipa më tregoi letrat e cigareve, ku i kishte shkruar të gjitha poezitë, me një shkrim të imët, i gjithë libri ishte sa një kuti shkrepse, e mori me vete, kur u arratis. U mahnita, u drodha. Dhe unë i kisha nxjerrë të gjitha fletoret e mia nga burgu, rreth 300 poezi, i kam dhe sot, ashtu me njolla dheu e gjaku të burgut, por nuk thashë gjë. Kujtova një sonet të tij për një të shtrirë në një vig, që teksa ecnin, vdekja e shndërroi në arkivol lecke…

– Më ka ndodhur… me tim atë, – shpjegoi Profesori, – vdiq udhës në burg. Edhe zëri i tij sikur zbardhte, i njëllojtë, me pak ngjirje që ai ia vinte fajin torturave, – prandaj më del i tillë. Me ftohje. Çimento qelish. – Në fisin tonë, – po tregonte profesori – s’kemi kënd me zë të tillë. Pastaj ne e çuam në spital, – qesh me ironi, por zëri iu prish. Kë kishin çuar në spital, babain e vdekur apo zërin? S’ka zë të tillë në fis…

– Ne e njohim këtë zë, – ndërhyra, – që s’e prishi dot diktatura. As liria e largësitë, as mirëqenia e këtejshme e suksesi. Dhe tregova librat e tij mbi tryezë, te të cilët ai i solli dhe po hidhte autografe, po m’i dhuronte mua.

Eda, shkrepi befas aparatin fotografik mbi ne. Me siguri do t’i jetë fanitur gjyshi i saj, të cilin dhe atë e burgosën në kënetën e Maliqit, ja, atje, ku ishte dhe Profesori, do të jenë njohur sigurisht… mbi baltë, ku shpesh, policia të rrëzuarit, ata që binin nga mundimi i madh dhe uria e madhe, i shkelte me këmbë. Hipnin me çizme mbi shpinën e njeriut të dënuar derisa e zhysnin thellë e më thellë, në llumin e pafund, në kënetën e vdekjes. Po gjyshi i saj Dane Zdrava, mbeti gjallë, edhe atëherë kur i hodhën një bombë policët e një njeri tjetër kërceu, se e dinte copë buke e donte ta priste, por u bë copë-copë. Dhe prapë do ta arrestonin pasi u lirua njëherë, gjithmonë, sepse kishte qenë në Itali, kishte kryer Akademinë e Marinës në Napoli, u bë biznesmeni i parë, kishte sjellë kinemanë e parë në qytetin e tij, në Berat, sillte centrale elektrike, autokombajna në tokat e tij dhe falte peliçe apo bënte pajën e të gjitha vajzave të miqve të tij dhe teksa e nxirrnin nga shtëpia të lidhur me pranga, përqafon për herë fundit mbesën e vogël, të sapokthyer nga shkolla… e ajo tani fotografon bashkëvuajtësin e gjyshit.

E pse të mos e përqafonte, teksa ai bisedonte me të shoqin e saj, si të ardhur nga ferri.

– Jam familje borgjeze, – vazhdonte të rrëfente Profesor Pipa, – jo në kuptimin që e përdorin komunistët. Në familjen time janë marrë me Drejtësi të gjithë: gjykatës e avokatë ishin e mua m’u desh të bëja punë proletari, më të rëndë se proletarët. Po burgut i jap rëndësi, e quaj universitet…

– … të zi, – shtova unë. I panevojshëm, thoshim në burg.

Pastaj se si ra fjala për Fransua Vijonin, poetin rebel, vagabondin, të burgosurin, të dënuarin me varje, por që i shpëtoi litarit… – po tregonte Profesori. – E dua Vijonin, – m’u duk sikur pati një si hovëzim në zë Profesori, gjithsesi i qetë, me qetësinë e mistershme që gjen në një tempull. – Me Vijonin shihet se jeta është tjetër gjë dhe tjetër poezia. Edhe krijimtaria e Kadaresë është kështu… Madje, edhe “Dasma” është roman disident…, – tha dhe heshti gjatë. S’doja t’i ndërhyja. Vetëm doja ta dëgjoja. Ashtu siç dhe thuhej, Arshi Pipa shihej që ishte njeri i prerë, autoritar, “madhërisht i pamëshirshëm” me totalitarizmin dhe si ide, të cilën ai e sfidoi, si mendimtar dhe poet, por dhe si  mërgimtar politik. Profesori do të pohonte pa mëdyshje që Atdheu ynë është më mirë se dikur, me gjithë rezervat e mëdha që mund të kihen. Diktatura e bunkertë u ça nga brishtësia e demokracisë. Në fund të fundit, demokracia është edhe kritikë për të përmirësuar veten.

Dhe më tregoi përkthimet e tij nga klasikët e mëdhenj, Dante e Petrarka, Gëte… francezë, rusë e rumunë.

– I kam shqipëruar, – po thoshte Profesor Pipa – ca me toskërisht e ca me gegërisht. Po t’i jap, por mos i boto. I përgëzoj botimet kosovare që arritën të shkruhen në gjuhën letrare, megjithëse ata ishin për përdorimin e dy dialekteve, edhe unë. Janë pasuri, – këmbënguli.

– Edhe gjuha e përbashkët letrare është!, – iu përgjigja.

– Erdhi shpejt, – tha sërish.

Ndërsa pinim kafetë, unë u ngrita të shoh raftet e çuditshme të librave. Të gjatë dhe bosh! Bo-o(h)-osh… Vetëm ca fjalorë, dorëshkrimet e fundit në një qoshe, ksomblat e librave të tjerë, vepra të mikut të tij të madh, arratiakut tjetër, poetit Martin Camaj. Kaq! Dhe një dhimbje si e drunjtë, familjare si mobiljet. Ç’kishte vdekur aty?.. Se si dukeshin ashtu raftet, dramatikisht bosh, sër:e-sërë si arkëmorte, thashë me vete, nëse shkruaj për këtë ditë. Ku janë librat, desha të bërtas së brendshmi. Kërkova se mos shoh nga dritarja ngrehinën e mrekullueshme të Librarisë së Kongresit Amerikan, që të lehtësoja frymëmarrjen disi. Të gjithë bibliotekën e tij, librat e të gjithë jetës, Profesori ia kishte dhuruar bibliotekës së qytetit të Shkodrës. Ndihej dhe qytetar shkodran, edhe pse ishte libohovit me origjinë. Qytetar amerikan. Një gjest i lartë ky i dhurimit të librave, i dha qysh në gjallje, pa ia lënë si detyrë testamentit. Pse? Mendoja rrugës së kthimit. Ku e gjeti fuqinë të ndahet me librat e vet, bota e jetës së tij?

– Vazhdoj me filozofi, – më tha, kur e pyeta se ç’po shkruante. Ai tani po bashkëjetonte i qetë me vdekjen e tij, me ikjen e pashmangshme në jetë të tjera, qiejve. Mos ishte sfidë filozofike e të ngritur mbi të zakonshmen ashtu si shpirti, kur ikën prej nesh? S’ke pse e mposht vdekjen, ajo është tjetër formë e jetës, triumf i gjithëkohësisë? Dhe pikërisht, kur unë i tronditur kundroja atë boshësi të drunjtë, bibliotekën e librave të padukshëm, të mërguarën, dëgjoja zërin e tij që kritikonte një seminar ortodoks në Amerikë të lobit grek. Pastaj folëm për eposin ballkanik. Ka një trill dhe turp,- tha ai, – për të vjedhur histori të të tjerëve. Zhvatim tokat dhe legjendat dhe trazojmë të vdekurit. Politizojmë miqësitë, por dhe sëmundjet. Eposi ynë, – e ktheu befas. – Jo se nuk është i bukur, përkundrazi, është i bukur, madhështor, por sepse karakteristikë për vargjet tona tradicionalisht është përdorimi i tetërrokëshit, kurse eposin e kemi njëmbëdhjetë rrokësh. Që e kanë sllavët e jugut. Atëherë ç’mund të themi? Shkrimtari jugosllav, Ivo Andriq, gjeta rast dhe po i thosha, thotë se Kënga e Gjergj Elez Alisë është shqiptare. Po, shqiptare është, pohoi duke pritur me një kërshëri si të ftohtë. Ku do të dilja? Po a është dhjetërrokësh “Gjergj Elez Alia?”, gati bërtita me adhurim. Po, tha përsëri dhe heshti. Në sy po vezullonin rafte librash, kujtesa e tyre sipërane. Po shikoja dedikimet në veprat që më dhuroi: “… poetit të ri dhe shokut të burgut…”, “… këtë libër të shkruar dhe plotësuar në mërgim”, “për kujtim të takimit në Washington, më 23 gusht 1994, përzemërsisht…” dhe kishte firmosur poshtë emrit të shtypur në frontespic: “Arshi Pipa”, me shkronja të vogla. Seç m’u bë brenda në kraharor një si brengë dhe boshësi si ajo e rafteve. Desha të kujtoja patjetër ketrat dhe zgjata dorën në ajër, sikur po i ndillja.

Kisha takuar Arshi Pipën, një legjendë e burgjeve tona. Nuk guxova ta pyes për filmin e tij hollivudian, “Qershiza”. Po sikur të mos dinte gjë? M’u nëpërmendën sytë e tij, kishte vëmendje dhe ngulm vezullues në to dhe një picërim të mugët kundër socrealizmit. E dinte që ishte i sharë nga Kadareja. Sikur kishte bezdi të fliste për këtë. Ndoshta here tjetër, kur të miqësohesha me të. A do ta takoja më?

Herën tjetër ai erdhi në Tiranë, mbajti një leksion të shkëlqyer për veprën e Martin Camajt. Me poezinë e tij fillon paqja në letrat shqipe, tha Profesori. Ndërsa vetë kishte drejtësi të hekurt, në intervistat që kishte dhënë të dënohej e keqja, te mbartësit e saj kryesorë, sekretarë të parë, kryetarë degash… Prandaj dhe pritja zyrtarisht kishte qenë e ftohë.

KARTELA TË REALIZMIT TË DËNUAR

Në librin tim të ri, një sprovë e gjatë letrare, me kartela për autorë vepra që vijnë nga burgjet dhe internimet, pra të “letërsisë tjetër”, është dhe ajo e Arshi Pipës:

Poeti, eseisti, filozofi, gjuhëtari, përkthyesi, pedagogu Arshi Pipa do të ishte ai që do të realizonte atë ëndërr të të gjithë të burgosurve politikë: ikjen.

Të ikje, jo vetëm nga burgu, por dhe nga Shqipëria “e diktaturës së kuqe” dhe të tregoje nëpër botë dënimet e tmerrshme, mbylljen e rëndë, vuajtjen e një populli pa liri, të përçarë me luftë klasash, kur klasa s’kishte më, pa të drejtat e njeriut, pa besim… pa…

Se dalin shkrimtarë jashtë shtetit, ata të partisë, por s’e hapin gojën. Turp! 1000 herë turp! – thoshin në burg.

Libohoviti që lindi në Shkodër në 28 korrik 1920… me babanë jurist, të diplomuar në Stamboll. Arshiu mësimet e para i mori në Kolegjin Severian pastaj në gjimnazin klasik të Shkodrës dhe pastaj studioi Letërsi dhe Filozofi në Universitetin e Firences, u diplomua me tezën “Morali dhe feja tek Bergson”.

U kthye në atdhe në kohë lufte, në vitin 1941, kur po themelohej Partia Komuniste. Jepte mësim atë që mungonte, lëndën e filozofisë në licetë shtetërore në Tiranë, Shkodër dhe Durrës, teksa dëgjoheshin gjëmimet e betejave. Vtiteshin mësues… edhe nxënësa…

Në 1944 boton librin e parë poetik “Lundërtarët”. Për ku? Në kohën që po vinte, me fitimtarët mizorë?

Pas luftës është në Lidhjen e Shkrimtarëve, në këshillin drejtues, teksa nisi të dalë revista “Bota e re”, vetëm Pipa dhe Kuteli nuk ishin komunistë. Por do t’i arrestonin shpejt ata të dy e të tjerë.

Më 1947 Pipa u akuzua se “kishte drejtuar revista me ideologji fashiste dhe se tani u thoshte studentëve që pushtetit komunist është terrorist” dhe e dënuan me 20 vjet burg. Vuajtja nisi në burgun e Durrësit për të vazhduar në në Kalanë e Gjirokastrës, në Burrel e Korçë, në kampet e shfarosjes në kënetën e Vloçishtit, Gjatë dënimit e merrnin për të dhënë mësime filozofie dhe të gjuhëve të huaja ashtu siç përdornin skllevërit.

Lirohet në vitin 1956  dhe një vit më pas, në verë, arratiset bashkë me të motrën. Por me vete kishte dhe “Librin e burgut”, poezi, që do t’i botonte në Romë në vitin 1959,  Një gri e zymtë vdekjeje që vërshonte dhe te kopertinat, një hata e vërtetë, ku Sonetet e Kanalit të asaj kënete të tmerrshme burgu do të ishin, sipas meje, “Ferri” i poezisë shqipe.

Por eja tash e shifi ndaj kanalit:
Njimijetreqind vetë, nji mizërí.
Lopata e bela tunden me furí
e qerrkat mbarin plisat e moçalit.

Tri metra e gjysëm kub për çdo njeri.
Qofsh babagjysh qi ke djalin e djalit,
a qofsh i smundë sa dalun prej spitalit,
bani ja vdis: ankimi s’ban dobí.

Shef të gjymtuem e pleq ngarkue mbi shpina
dhogat e randa e qerrkat mbi kaptina,
qi binë e ngrihen e zvarnisen krrut.

U mshon polici me dajak sa mundet.
Por ndodhë sa herë qi njeni sish nuk tundet.
Me vig e çojnë e vigu mbrrîn tabut.

Është ai libri që nuk ia dhanë as ta shfletonte Maks Velos dhe e groposën në fondin e zi të Bibliotekës Kombëtare. Në burg kishte shkruar dhe poemën “Rusha”, por e boton në mërgim, në Munih, në 1968.

Arshi Pipa do të vinte në SHBA, për përherë. Do të bënte pedagogun dhe profesorin e asociuar, ligjërues i filozofisë, letërsisë dhe i italishtes në disa universitete amerikane, do të drejtonte seminare të kritikës letrare, etj, për shkrimtarët e mëdhenj Dante, Bokaçio, Leopardi, Manzoni, Ungareti e Montale, etj, hermetizmi italian dhe simbolizmi francez, etj, temat krahasuese Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë, etj,.

Pasi la ligjërimet, do të vendosej përfundimisht në Washington D.C. e do të forconte lidhjet me “Vatrën” e shqiptarëve dhe gazetën “Dielli” të tyre duke treguar me artikuj se si të mund të organizoheshin më mirë. Në vitin 1991 Pipa zgjidhet Kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj. Punoi një vit me qëllim që “Vatra” të vihej përsëri në shërbim të çështjeve me rëndësi të Kombit, demokracisë në Shqipëri  dhe çlirimi i Kosovës.

Studimet e tij janë të shumta e të rëndësishme dhe e vendosin Arshi Pipën në një rang, si të thuash, botëror. Profesori kishte botuar në anglisht dhe një studim “Montale dhe Dante”, me lejen e vetë Montales, që do të ishte, në një farë mënyre, paraprirës i çmimit “Nobel”, që do t’i jepej poetit gjenovez. Vepra eshtë përkthyer dhe në italisht dhe në shqip. Dua të veçoj dhe studimin për letërsinë e realizmit socialist, një ndihmesë për një rend të ri në letërsi, sipas studiuesve të tjerë. Po kështu dhe ai për gjuhën e njësuar. Gjuha. Zëri i vuajtje. E kam të ngjirur, m’u përsërit zëri i tij, që nga burgu, m’u sëmur laringu… Ndjeva tmerr kur mendova të sëmururit e gjuhës.

*  *  *

Kam dashur dhe herë tjetër ta gjeja vilën e tij, dikur na kishte shoqëruar për atje zonja Flutura Greva, bashkëshortja e Ilia Thereckës, që dhe ai kishte bërë shumë vite burg në atdhe dhe punonte në “ Zërin e Amerikës”. Aty afër kishte qenë shtëpia e Profesorit, diku pas “Capitolit”, po, po, do më thoshte dhe Muç Xhepa, që, nga i përndjekur, erdhi diplomat në Uashington dhe mbas ngjarjeve tronditëse të ’97, nuk u kthye më, por kërkoi azil politik, edhe ai e kishte takuar Arshi Pipën dhe kujton se i quante xhonturq ata që erdhën në pushtet gjatë postdiktaturës në atdhe.

Jo të gjithë donin të flisnin për të, kështu më dukej, ngaqë s’kishte qenë dhe aq “diplomat”, por i rreptë dhe i prerë, antikomunist, i debatit pa kompromis në këtë çështje, i drejtë dhe acar sidomos ndaj atyre veglave të persekutimit njerëzor.

Dhe Profesori tjetër, Sami Repishti, shkrimtar ndërkohë, ish i burgosur politik, i arratisur dhe ai, më kishte treguar se, kur mbërriti në SHBA, u prit nga Arshi Pipa, u mbështet prej tij.

Sa e madhe është Amerika, gjithkush aty gjen lirinë e vet, jo vetëm mirëqenien, madje dhe ata që kanë punuar në shtypjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në diktaturat e tyre. Ndërkaq, duket se dhe Amerika po pëson ndryshime… dhe… dhe…

Korpusi i Veprës së Arshi Pipës vazhdoi të botohej postume në atdhe, nën kujdesin e familjarëve, duke përfshirë dhe dorëshkrimet që i ruajtën përmes rreziqesh motra e tij Bukuria dhe i ndjeri kunati, shkrimtari tjetër i burgjeve, Uran Kalakulla. Jo, këmbëngulte ai, në tubime letrare, nuk e ka shkruar Arshi Pipa “Qershizën” – filmin e famshëm që s’u bë kurrë. Donte të ishte i vërtetë, e nderonte të vërtetën, si do që të ishte. Po ç’rëndësi kishte kjo?

PËRSIATJE PËR VEPRËN QË S’U BË

…por ka ca të pa vërteta që janë më të vërteta, mendoja unë që atëherë. Ia thosha dhe Edës time. Gjyshi i saj vdiq në burgun e dytë dhe ç’kishin hequr për t’i gjetur varrin…

Nga vuajtjet e pafund dhe të pa shpresa, avitet një fantazi, ashtu danteske dhe moderne ndërkohë, që i nxjerr halli dhe kërkojnë një sendërtim, të paqena si vepër, janë më domethënëse dhe më të forta se e vërteta, që dhe sikur të ishin.

Ne donim një denoncim të madh të së keqes së madhe, një dëshmi, që Shqipëria vuante. Shteti lejonte të dilnin vepra të tjera nëpër botë, mbështeste botimin e tyre për interesa të veta.

Kush do të ulërinte për ne, kur ulërima jonë mbytej aty nën tokë? Duhej një vepër, një film, se ai ka më efekt dhe shikohet më shumë, që ta tronditë botën. Po ai është, “Qershiza” jonë, nën të cilën rropateshin të burgosurit e vrarë apo ata që ndërronin jetë nga uria e sëmundjet, që as të vdekur nuk i lironin. Film i kinemasë më të fuqishme në botë në superfuqinë e botës, në SHBA, dhe i kushtohej, pra, vendit më të humbur në botë, ferrit tone, burgut tonë, neve.

Vepra ishte. E pashkruar, e pa parë. Qarkullonte gojarisht ndër breza të burgosurish.

Ç’antimekanizëm llahtari i misterit të kujtesës së burgjeve e polli? Një thashethemnajë kolektive, krijim, më saktë, për të cilin të mos dënohej dot askush, që dhe nuk e zhdukje dot, i fortë si e paqena.

Që të ishte i vërtetë siç është i vërtetë Hollivudi, duhej një autor, që nuk e kapnin dot më, po jo kushdo, që të mund ta mbarte. Dhe ishte zgjedhur një emër që e meritonte për ne, Arshi Pipa.

“Qershiza” është vepër e të burgosurve bashkë. Antropologji burgu. Që na ngushëllonte dhe na mbante nën hijen e saj. Dhe yjet sipër telave me gjemba përskuqnin si ide të qershive. Që u ishte harruar shija. Qershitë u ngjajnë plagëve. Ne qëndruam me çoroditjen tonë tragjike, gjysmë të vdekur, me më shumë art, ashtu anonim dhe i copërluar, që s’besohet se është, por më i dobishëm se ai i shquari, i socrealzmit.

Po të mos ishte emri i Arshi Pipës, do ia dilnim ta ëndërronim? Tani do të doja një vepër tjetër, qoftë dhe film, për filmin që s’u bë kurrë, mirazh, një bukuri utilitare, që me dëshpërimin e vet të gëzon aq shumë estetikisht.

HIRI

Teksa qëmtoja nëpër ato që kisha shkruar, po thosha me vete: 100 vjetori i Arshi Pipës… Iku. U kujtua nga ai? Domethënë nga ajo që do të duhej nga përjetimet e një vuajtje të madhe? Çuditërisht nuk u përkujtua as 28 korriku ditëlindja e tij… Po në korrik, në 20, është dhe data e vdekjes së tij, viti 1997. Pse këto harresa kështu, teksa kujtohen herë pas here dhe sundimtarë, gjyqet e tyre, kur ata asgjësonin njëri-tjetrin, tamam “larje hesapesh mes vrasësish”, rilexojmë për ministrin e Brendshëm të diktaturës dhe Kryeministrin, që e vetëvranë, që do të ndëshkohej se një djalë i tij u fejua me një vajzë të bukur, por që kishte dajë kundërshtarin e madh, armikun e diktaturës komuniste, Arshi Pipën.

“Vatra” e shqiptarëve të Amerikës përgatiti një simpozium on line, tani nën diktaturën tjetër, atë të pandemisë së Koronavirusit, me studiues të rinj, me poetë e profesorë të diasporës, me arbëreshë… por do të duheshin simpoziume dhe konferenca në atdhe, emra rrugësh “Arshi Pipa”, buste, ribotime luksoze të Veprës, futja e saj nëpër shkolla, mbështetje të përkthimeve. Ta kishte një popull tjetër atë krijimtari me atë jetë prej martiri, do nderonte shumë e më shumë e do ta kishte bërë të njohur ndërkombarisht, kur dhe diktaturat bënin me shkrimtarët e tyre.

Vendi ynë, shoqëria shqiptare, për të mos thënë shteti, nuk bën ndonjë gjë për atë që quhet “letërsi tjetër”, që erdhi nga burgjet dhe internimet, që solli së pari, po e përsëris, të vërtetën dhe moralin që i mungonin letërsisë pararendëse, solli dhe qëndresën dhe guximin, por dhe vlera reale letrare. Që më shumë i çmojnë kritikët dhe studiuesit e huaj.

Po ku është varri i Arshi Pipës, në Shqipëri, ç’epitaf ka në të, se te ne, kur je i vdekur të kujtojnë më shumë, apo është në SHBA, te ëndrra ku mbylli sytë? Ku është mermeri i tij për të venë një lule? Asgjëkundi dhe kudo.

Ai vetë kishte kërkuar që të digjej, hiri i tij të shpërndahej… mbi atdhe. Në detin Adriatik. Hiri ka brenda ripërtëritjen, ai nuk është harrim, së pari është purifikues dhe ushqen tokën dhe kohën. Vepra e hirshme e Arshi Pipës është pasuri tashmë e kulturës tonë, e qëndresës kulturore në tërësi, fosfor ndriçues, vlerë e pazëvendësueshme, veçse me veten.

Le të bjerë ai hi mbi Tiranë e tiranë, mbi burgjet dhe akademitë, mbi Burrel e Spaç e Qafë Bari e Bibliotekën Kombëtare e vendet e internimeve, Tepelenë, Lushnjë, më tej, mbi Institutin e Studimeve të Krimeve të Komunizmit dhe mbi Parlament, mbi shkolla dhe Autoritetin e Hapjes së Dosjeve… mbi kujtesën tonë dhe ndërgjegjet tona, mbi letrat shqipe.

(c) 2020, Visar Zhiti. (c) 2020, Peizazhe të fjalës, për këtë version. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin