NË KUJTIM TË ATJON ZHITIT

Sot më 30 gusht 2020, Atjon Zhiti do të ishte 25 vjeç. Kur na la aq befasisht, në 2014, vazhdonte studimet për Filozofi në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano, në Itali.

Janë bërë disa botime me emrin e tij: përmbledhja “Për atë që dua(m)”, me shkrime që ai i quante “traktate”, albumi “Opera Atjon”, me vizatime dhe piktura të fëminisë dhe adoleshencës.

Në Prishtinë sapo ka dalë libri “Jam Atjoni”.

Për këtë përvjetor ende shumë të trishtë për prindët dhe të afërmit, shokët dhe miqtë e tij dhe të familjes dhe të gjithë ne që kurrsesi nuk mund ta pranojmë këtë lloj ikjeje, kemi zgjedhur për lexuesin një nga esetë e Atjonit: 19 vjeç ishte kur e shkroi, por na duket sikur ta ketë shkruar dje…


KUR U SHPIK 1+1: MIZORIA QË LULËZON NGA DOBËSIA

nga Atjon Zhiti

– njëri nga Traktatet e Studentit të Filozofisë –

Një flashback i vazhdueshëm që kthehet vazhdimisht në të tashme, kurrë e shkuar e kurrë e ardhme, një lojë që vizaton portretin më besnik të shoqërisë shqiptare në kohërat tona. Vetëpyetesh pse, pse ndodh kaq stishëm, gjërat duhet të ishin normalizuar, s’duhet të kishte të korruptuar, të paktën jo kaq. Dhe jo, ata jo vetëm nuk janë zhdukur, por kanë vazhduar pa i bezdisur kush, bile janë shumuar, janë shumëzuar, kanë rafinuar teknikat bashkë me kompetencat kriminale.

Pse korrupsioni është sistem? Sistem deri në atë pikë që seleksionohen të korruptuarit dhe diskriminohen të ndershmit duke i vendosur në konditat që të mos dëmtojnë me të paparashikueshmen dhe antisistematiken ndershmëri të tyre. Ka një arsye nistore, besoj. Që nuk është pak e vërtetë për të qenë një zbulim i momenteve të fundit. Korrupsioni është një krim ndaj kolektivit, një plagë ndaj të mirave të saj materiale dhe jo. Gjithsesi. Jepet rasti që shoqëria jonë që prej hapjes së tregut të lirë është kthyer në një konglomerat privatësh dhe partikolarësh ku pasioni civil nuk ka zënë rrënjë.

Kuptohet që në këtë habitat korrupsioni është i toleruar, bile i mirëparë edhe nga kush nuk ka asgjë tjetër në dorë përveçse të humbasë. Në qoftë se nga një anë publikisht e rrallëherë shprehet përçmim ndaj këtij fenomeni, privatisht e shpeshherë gjendet gatishmëria për ta admiruar dhe, po u pat mundësia, të imitohet nga kush ia del pa u kapur dhe kush ndërton pasurinë mbi këtë “virtyt” të pështirë.

Qytetari i ndërgjegjshëm ama duhet të bëjë kujdes ndaj dialektikës së kontrollit, sepse ai/ata që po aq shumë shajnë (antagonistin politik), po aq shumë dëshirojnë të jenë në vendin e tij (pushtetarit).

Kontrollimi i këtij fenomeni është patjetër i domosdoshëm, por të mos krijohen iluzione: nuk do të ketë asnjë kontroll derisa ky “virtyt” të jetë virtyti më i virtytshëm. Por në një shoqëri tashmë të bërë kështu kjo nuk është epiqendra e problemit. Nuk është fort në modë të thuhet, por korrupsioni rrjedh nga fort-e-dashura shoqëria civile: që ka pushtuar botën e sipërmarrjes, të kreditit dhe të informacionit, ka kalbur privatin gati po aq sa gjënë publike.

Dhe vatra e problemit është politika, sepse e tillë është bërë veshja, por prapë nga vatra mund të vijë ndryshimi, në këtë rreth ku i përbashkët është fillimi dhe fundi.

Kur politika nuk dallohet më nga rruga,

pasoja e menjëhershme dhe e pashmangshme është një mynxyrë. Kokëposhtë – kthimi i vlerave përfiton nga këto sjellje antisociale që legjitimohen nga ndjenjat e përbashkëta dhe fatkeqësisht rezultojnë të përligjura.

Urgjentisht duhet katalizatori i një reforme intelektuale e morale.

Kush e bën sot politikën në atdhe? Kampionët e moralit të thyer ose të çalë dhe interpretuesit e modernitetit shqiptariot. Në hipotezën më të mirë ata janë teknikë pa vizion, më shpesh adept punësh që njohin tejmirë rrjetën e relatave që u kanë lejuar të pushtojnë poste dhe fuqi.

Ndërkaq në sfond kemi një sistem partish që rron për t’u riprodhuar pa përdorur masa mbrojtëse ndaj sëmundjeve të transmetueshme, duke mos kaluar nëpër mend as një çast hipotezën për t’u vetëvendosur nën kthetrat e kritikës. Dhe në sajë të saj, hipotezat, hamendësimet ose teoritë janë në funksion të problemeve: janë dyshime që duhen kontrolluar. Dhe çdo kontrollim i një propozimi në vetvete është një tentativë flakjeje.

Hipotezat tona derisa vihen në praktike nuk mund të verifikohen, nuk mund të demonstrojmë të vërtetën e tyre: ato, ama, mund të falsifikohen, të shqyrtohen edhe si të pasakta. Dhe sa më parë ne gjejmë që një teori është e rreme, aq më shpejt komuniteti do të ndodhet në nevojën shtrydhëse për të shpikur dhe për të provuar një teori më të mirë se ajo paraardhëse, me të pasur në përmbajtje, parashikuese dhe shpjeguese.

Gabimet e gjetura dhe të zhdukura përbëjnë dritën e vogël e të mjegullt, që na lejon të dalim nga terri i shpellës së injorancës tonë.

Shkencat shkojnë para, sepse nuk gabojnë dy herë në të njëjtën mënyrë po ashtu si dhe njerëzimi. Ky qëndrim i ndërgjegjshëm kritik kundrejt vetë ideve tona është diferenca reale midis qenieve me dije dhe qenieve pa shtylle kurrizore. Qeniet me dije gabojnë, por në një mënyrë ndryshe nga jokurrizorët, qeniet me dije janë vazhdimisht të eksituara nga dëshira për të gjetur një gabim tek teoria e vet; me dëshirën për ta asgjësuar sa më shpejt. Ndërkohë jokurrizori vdes bashkë me teorinë e tij të gabuar.

A domethënë kjo të jesh i korruptuar? Në shkallë të gjerë po. Dhe prapë se prapë kuptohet që korrupsioni zhvillohet shumë thjeshtë, kur finaliteti i të bërit politikë është të bërit politikë.

Ndjenja e shumëshpeshtë që “të gjithë bëjnë kështu” është vetëm maska e asfiksimit, “populli” nga një anë stigmatizon këto lloj sjelljesh dhe kërkon gijotinën ndaj këtij fenomeni, nga ana tjetër është i projektuar që të mirëkuptojë e të justifikojë. Dhe për këtë arsye “populli” ose “shoqëria” i qëndron larg si kundrejt një murtaje politikanit vizionar dhe ideologut idealist.

Shoqëria jonë duhet të jetë e hapur

Ndaj një zgjedhjeje vlerash më të shumta, ndaj më shumë vizioneve të botës, ndaj një shumësie propozimesh për të zgjidhur problemet konkrete dhe një sasie më të madhe kritike (kuptohet, asaj konstruktive).

Shoqëria e hapur është vetëm kur pranon të qaset edhe ndaj një numri më të madh të mundur idesh dhe idealesh të ndryshme, bile dhe në kontrapozicion me njëra-tjetrën. Shoqëria e hapur është e mbyllur vetëm ndaj intolerancës.

Dhe burimi më i pastër për intolerantët është suponimi fatal i besimit të të ndodhurit në poses të një të vërtete absolute, të një vlere të vetme, të qenit në të drejtë dhe të paturit detyrën për ta imponuar këtë të vërtetë dhe këtë vlerë. Për ters, në rastin konkret flitet për pseudo të vërteta e pseudo vlera. Shembujt i kemi vazhdimisht përpara prej shtatëdhjetë vitesh.

Fasada është e bukur plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat…

 

5 Komente

  1. Familjes dhe te gjithe adhuruesve te tij: Te rrojme qe ta kujtojme!

  2. Per prinderit e te afermit humbja e femijes ne ate moshe eshte e pangushellueshme, madje edhe per nje te panjohur si une qe eshte prind vete. Po ne rastin e Atjonit eshte dicka shume e e madhe se aq. Eshte humbje per te ardhmen e kombit. Nese ky komb ka nje fije shprese kjo qendron vetem te fakti qe eshte ne gjendje te rrise e edukoje te rinj si Atjoni. I kam lexuar librat qe permenden dhe me ka lene mbresa per kthjelltesine e mendimit pjekurine dhe talentin.Ka lene pas nje veper te bukur qe i thote shume edhe brezit tim, brezit te prinderve te femijeve si ai qe nuk po dine ta bejne ate vend sic duhet.

  3. A do të mundej kjo esé e mrekullueshme e Atjon Zhitit të përfshihej të paktën në lëndën e letërsisë – qoftë edhe si tekst alternativ – të shkollave të mesme në Shqipëri apo edhe Kosovë?

    Ja një shembull i rrallë i shqetësimit qytetar, i sjellë nga penda e brishtë e plot kurajo e nerv e një djaloshi nëntëmbëdhjetvjeçar, që nuk mund të mos përbëjë frymëzim moral për bashkëmoshatarët e tij, e jo vetëm nga ata.

    1. Shume mire do te ishte, madje – e pse jo!!! – ne perqasje me vete Migjenin si shperthime paralele dyplaneshe te shpirtit njerezor ndaj varferise shoqerore dje dhe sot.

  4. Kjo puna e femijes super te zgjuar me kujton pak vehten time dhe gjyshen e mamase rafmet paste. Kur hapej ndonje muhabet “ideologjik” apo fetar app thjesht edhe marredheniesh njerezore mes meje kur isha I vogel dhe asaj, gjyshja gjithmone e mbyllte duke u dorezuar me fjalet “Epo ne kaq dime o bir se jemi te vjeter e pa shkolle. Ju te rinjte I dini me mire keto pune. Shifni e shkruni si te dini vete”. Nuk e merrni me mend sa krenar dhe te zgjuar me bente te ndjehesha ky dorezim I gjyshes.
    Nga ana tjeter me kujtohet qe gjyshi sa here hahej per ndonje muhabet me gjyshen thoshte: “Ehe, eskile e vjeter ajo. Bo sikur fle gjume gjithe diten, po I nigjo te gjitha e te jep uje ne bisht te luges”
    Aq sa une fillova ta shikoj a gjyshen me dyshim se mos vertet na I vinte luget mbrapsh ne tavoline. Po prape se merrja vesh as gjyshin as gjyshen se ku donin te dilnin. Vetem tashti, dekada me mbrapa I bej pyetjen vetes “Mos vallë gjyshja ka qene me e zgjuar se une atebote, megjithese nuk kishte mbaruar studimet? E? “

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin