QIMJA E NDËRRUAR E CENSURËS

Një herë e një kohë, censura e librit nuk kërkonte shumë mund: merrnin një zotëri të besuar, një mesoburrë të ditur dhe të rreptë, të shëndoshë nga trupi dhe zakonet, dhe e ulnin në një tryezë; pa i jepnin edhe letër dhe laps, dhe e vinin të hartonte një listë alfabetike të librave që nuk i duheshin dhënë lexuesit.

Paskëtaj, kur ndonjë djalë kërrente ndonjë vëllim me vjersha për mëmëdhenë, ia sillnin dorëshkrimin prapë këtij zotërisë që ta këndonte dhe të vendoste nëse libri do ta shihte “dritën e botimit” apo jo. Kështu punët shkonin si sahat, kujdesin e ushtronin, dhe popullin e mbronin nga degjenerimi politik dhe moral që mund të sillte libri i dëmshëm.

Sot censura ka evoluar krahas telefonisë celulare dhe modeleve të çizmeve për gra, duke përmirësuar metodat dhe efikasitetin, deri aty sa të bëhet e padukshme për vdekatarin e të arrijë çka Baudelaire-i ia atribuonte djallit, kur shkruante se marifeti më i madh i këtij të fundit, ishte që t’i bindte njerëzit se nuk ekziston.

1. Biblioteka e Babelit

Shumëkujt do t’i kujtohet proza e shkurtër e Borges-it, për një bibliotekë gjeometrikisht të pafund, në trajta kaleidoskopike, e cila i përmban të gjithë librat që janë shkruar dhe do të shkruhen. Sfida e lexuesit, përballë kësaj strukture të përbindshme, është edhe si ta gjejë librin që dëshiron para se të vdesë, sa kohë që libri diku do të gjendet doemos.

Metafora e labirintit, në trajtën e shumësisë seriale, i shkon për shtat tregut të sotëm. Qëmoti përzgjedhja e asortimentit (lexo: censura) i ngarkohej për detyrë atij zotërisë me dorë të fortë dhe kur ti shkoje në dyqan për të blerë, bie fjala, brisqe Astra, brisqet ose i blije në çast ose të thoshin që furnizimi pritet të vijë vitin tjetër. Sot mund të ndodhë që të shkosh të blesh after-shave ose ilaç për miza, por në dyqanin llamburitës të ta urojnë mirëseardhjen 24,000 artikuj njëri më shumëngjyrësh se tjetri, të renditur rafteve sipas kriteresh të cilave as vetë shitësja s’u jep dot dum, dhe njëlloj si në Pazarin e Madh të Stambollit, të kalosh tërë ditën e Perëndisë duke hequr këmbët zvarrë nga mirazhi në mirazh pa e gjetur dot çfarë kërkon, por duke gjetur gjithçka tjetër që nuk kërkon.

Në supermarketin modern, njëlloj si në bibliotekë, klienti orientohet sipas tabelave: këtu letra higjienike, atje letra smerile; këtu kremi për rrudhat e syve, atje kremi për majasëllin. Në tregun e librit, punën e tabelave duhet ta bëjë, idealisht, kritika – duke e ndarë shapin nga sheqeri dhe egjrin nga gruri, në mënyrë që lexuesi ta gjejë rrugën në labirint para se të luajë mendsh ose të vdesë nga etja (për dituri). Nëse dje, bie fjala, Jevtushenkon nuk ta linte ai zotëria tuhaf ta lexoje, sot Jevtushenkon me siguri do ta kenë botuar gjëkundi (mundësisht të shqipëruar nga hungarishtja ose lituanishtja), por ti nuk ke dëgjuar ndonjëherë për këtë shkrimtar, apo edhe po të kesh dëgjuar, më lehtë e ke të gjesh daljen nga libraria (ose nevojtoren), sesa librin vetë në raft ose, më shpesh akoma, si gjendje në magazinën e shtëpisë botuese.

2. Kakofonia

Botuesit janë edhe tregtarë dhe kërkojnë të shesin, sepse kanë familje për të mbajtur, prandaj priren të nxjerrin në treg libra të cilat, sipas studimeve që kanë bërë, i përshtaten shijes së lexuesit. Lexuesve, nga ana e tyre, shija iu formohet nga librat që u qëllon të lexojnë. Efekti i këtij rrethi vicioz njihet tashmë: botues dhe lexues ulen në tryezën e emëruesit më të vogël të përbashkët, e cila njihet ndryshe edhe si letërsi trash: aventura me serial killers që i gatuajnë dhe i hanë viktimat e tyre; katalogë erotikë të 69 pozicioneve seksuale të miratuara personalisht nga Sting-u; doracakë për kërpudhat afrodiziake; histori faraonësh egjiptianë që flisnin shqipe të kulluar; biografi psikopatësh të lavdishëm; hipoteza për Hitlerin e mbijetuar, që udhëtoi me nëndetëse drejt Antarktidës; romanca që shiten së bashku me shamitë për të fshirë lotët; rrëfime syçelëse për masonerinë, planetin Nibiru, tempullarët, Shën Graalin dhe kalendarin maja; buqeta lapërdhish për personalitetet e momentit.

Kakofonia e tregut të sotëm të librit, ku “lulëzojnë njëqind lulet” dhe ku Homeri shitet krah për krah me (kushëririn tënd) Ymerin, e huton lexuesin, ia merr mendjen, ia topit funksionet e epërme të korteksit, e fut në dalldi e në jerm, siç ka ndodhur tani vonë në panairet e fundit të Librit në kryeqytet; meqë ky lexues nuk e vendos dot nëse të blejë, bie fjala, Emrin e trëndafilit të Umberto Eco-s, apo Kodin e Da Vinci-t të Dan Brown-it; ose edhe më keq akoma, Varrezën e Pragës, përsëri të Eco-s, apo Protokollet e të urtëve të Zionit. Do të vendosë, me të drejtë, kopertina; njëlloj siç vendos ngjyra e lules nëse do t’i vejë bleta për qokë apo jo.

3. Zvjerdhja e lexuesit

Lexuesi shqip ka mbetur libërdashës, por kjo ka gjasa të ndryshojë së shpejti, falë përpjekjeve të palodhura të përkthyesve zelltarë, për t’ia hequr dëshirën e të lexuarit.

Në kohën e Nuhut, censori i bëshëm dhe autoritar, që gëzonte mbështetjen e plotë të Baballarëve të Kombit, vendoste jo vetëm nëse Shekspiri do të botohej apo jo, por edhe se kujt do t’i besohej shqipërimi i këtij dramaturgu borgjezo-revizionist. Përkundrazi, sot kushdo që kryen me sukses një kurs tremujor, të përshpejtuar, të italishtes; ose edhe ai tjetri që ka punuar ca kohë si punëtor parkimi kamionësh në tragetin Vlorë-Bari, ose ka përgjuar telefonikisht transaksionet italo-shqiptare të Camorra-s, e ndien veten kompetent dhe të gatshëm për t’u matur me Ariosto-n dhe Pirandello-n.

Shqipja ka një traditë të mrekullueshme përkthimesh; dhe sot e kësaj dite, përkthyesit profesionistë dhe të talentuar nuk i mungojnë. Por si mund të konkurrojë një shqipërues i përkushtuar i Nietzsche-s nga origjinali, me këtë studentin, që Nietzsche-n e ka përkthyer (lexo: masakruar) nga rumanishtja, gjatë kohës që studionte për pastiçer në Bukuresht?

Përkthimi i keq e tremb lexuesin nga vepra, pa çka se kujtesa e leximit mbetet. I neveritur përfundimisht, ti mund ta kesh lënë përgjysmë Foucault-in që e ka sjellë në shqipe, me goditje të përqendruar brenda dy javësh, një zuzar nga bullgarishtja; por gjasat janë që ti këtij filozofi të mos i qasesh më, sepse “e ke lexuar” tashmë. Kush ka vrarë sytë dhe pasditet, me përkthimet aq viskoze të klasikëve përndryshe të ndaluar, që hynin në Shqipëri prej Kosove në vitet 1970-1980, do të më kuptojë më mirë; ka disa prej nesh që sot e kësaj dite u druhen Dostojevskit ose Sartre-it, kur kujtojnë të zitë e ullirit që kanë hequr dikur, me veprat e tyre të filtruara përmes serbokroatishtes.

4. Autori si hobby

Librat kanë zakonisht autor, dhe ky i fundit – kur nuk ka vdekur tashmë duke i humbur edhe të drejtat e autorit – ka nevojë të hajë herë pas here supë të ngrohtë dhe të gëzojë një çati mbi kokë, si strehë ndaj elementeve të natyrës.

Për fat të keq, dija ende është në mëdyshje, nëse autorët që shkruajnë për një publik relativisht të vogël, si yni, mund të mbijetojnë me të ardhurat e veprës së tyre. Praktika e ka përgënjeshtruar këtë deri më sot; pas epokës famëkeqe, kur autorëve lejet krijuese dhe fletët e kampit ua jepte i njëjti censor i rreptë që edhe ua ndalonte pastaj veprat dhe ua dërgonte për karton (versioni ekologjik i zjarrit purifikues të djeshëm), të shkruash libra është katandisur tani në një lloj akti pendestar prej murgu, kur nuk është katandisur në një lloj marrëzie të padëmshme.

Të thonë se, pas 1990-ës, ndër shqiptarë ndesh dy-tre autorë për çdo lexues; dukuri e krahasueshme me atë çka ndodh në vendet e plakura të Perëndimit, ku një i ri duhet të punojë për të mbajtur me taksa 3-4 të moshuar të shëndetshëm, energjikë dhe votues të së djathtës. Ndoshta është kështu; por ky inflacion autorësh të brishtë ndodh edhe ngaqë kritika nuk po e përmbush misionin e vet filtrues, për t’i shkurajuar shkruesit pa talent, sharlatanët dhe marifetçinjtë. Kësisoj, sa kohë që shkrimtaria është pasion dhe ka njerëz që nuk rrojnë dot po nuk shkruan, autorëve nuk u mbetet, si zgjidhje praktike, veç të themelojnë shtëpitë e tyre botuese, ose fundja edhe t’i shtypin librat e tyre vetë dhe t’i shesin derë më derë, siç shiteshin kanistrat dikur.

Këta autorë vjen një ditë që edhe lodhen; i ulin armët, dorëzohen dhe shkojnë të punojnë për ndonjë televizion privat (ku kërrejnë skenarë për programe në të cilat të ftuarit i pyesin: Albina, a të mbështeti familja kur ia zbërtheve Albanit zinxhirin e pantallonave para kamerave live?). Ne e kemi për traditë që shkrimtarët, njëlloj si heronjtë, t’i parapëlqejmë të vdekur; sepse vetëm ashtu ia lejojmë dot vetes t’i lëvdojmë e t’i vajtojmë e të themi se burra si ata (madje edhe gra si ato) nuk vijnë më. Ndërkohë, na duhet edhe të bëhemi gati për Panairin e ardhshëm të librit, ku të gjithëve do të na jepet shansi i lumtur të luajmë rolet që dëshirojmë: autorët të hiqen si autorë, kritikët të hiqen si kritikë dhe lexuesit të hiqen si lexues. Kjo do të ishte edhe mënyra optimale për ta kremtuar Bibliotekën tonë të Babelit: me karnaval.

Shënim: botuar më parë në Shekulli.

Nuk ka komente

  1. Xha Xha jam kurrioz te di se kush ishte censori i librave te rinj e te kaluar te letersise shqipetare. Kush i ndalonte librat qe te mos lexoheshin ne Bibloteken kombetare. Kush ishin censoret nese ishin shume, keta duhet te kene qene sigurisht ndoshta me te mjeret konformiste te vendidt me nje ndergjegje qe dhimbe naga qe e dinin qe ata ishin vrasesist e dijes se nje populli te tere!! Ishin kete kritiket, apo shtepite botuese.

    1. Në fakt, gjatë periudhës komuniste totalitare çdo libër – me përjashtim të librave të Enver Hoxhës, ishte me përkufizim i ndaluar. Synimi i organeve të censurës, në të gjitha format e tyre, ishte që të miratonin librat e lejuar për lexim.

      Kjo do të thotë se, ndryshe nga koncepti i zakonshëm për censurën si një formë ndalimi ose mohimi, censura totalitare ishte pozitive; të thoshte: ky tekst mund të lexohet, ky film mund të shihet, kjo këngë mund të dëgjohet etj.

      Kur them me përjashtim të librave të Enver Hoxhës nuk e teproj; mjaft të kujtoj që deri edhe versioni i veprave të zgjedhura të Leninit, i botuar në vitin 1958 (në mos gabohem), ishte ndaluar më pas, ngaqë përmbante letrën e njohur me kritika për Stalinin.

      Gjithsesi, censura për Leninin anti-stalinist (ose për Fishtën, ose për Biblën, ose për një biografi të Gjeraldinës) ishte formë ekstreme e luftës së klasave – e ngjashme me turrën e druve. Më me interes, për ne sot, është censura tjetër, ajo që zbatohej në masë, ndaj gjithçkaje të panjohur, deri aty sa edhe vetë koncepti i së ndaluarës të ndryshonte: libër i ndaluar ishte thjesht ai libër që nuk ishte miratuar të qarkullonte.

      Censori komunist ishte ai që thoshte: PO, lexoje këtë libër, shok; dëgjoje këtë këngë revolucionare. Censori dhe propagandisti ishin një.

      Sa për të tjerët, librat e pamiratuar në biblioteka publike, këta gjendeshin në limbo – as këtej as andej. Për t’i lexuar, duhej një autorizim (sërish, censura miratuese); përndryshe, i përkisnin fondit “R” (rezervat). Kishte një kod të tërë shenjash për këtë punë – i cili zbatohej deri edhe në biblioteka të vogla akademike, si ajo e Institutit të Gjuhësisë, ku kam punuar unë.

      Sistemi ideologjik imunitar funksiononte në mënyrë gati biologjike: çdo trup i huaj do të konsiderohej si vetvetiu armiqësor dhe do të izolohej. Njerëzit që kishin libra të vjetër, në bibliotekat private, i censuronin duke i kyçur me dryn – ishte me rrezik t’ua jepje të tjerëve. Natyrisht diçka rridhte, diçka qarkullonte, diçka konsumohej nën rrogoz. Në një sistem ku regjimi miratonte gjithçka zyrtare, subversioni pasiv – që shprehej me një lexim të ndaluar ose me një këngë italiane ose një film te ‘sllavi’ – ishte një nga format e kultivimit të ego-s.

  2. Dhe prape se prape ti ke lexuar ne ate kohe mjaft libra te ndaluar te kaluar dore mbas dore, shok mbas shoku. Nje shoqja ime shume e afert kishte te jemen ne je shtepi botue dhe librat qe shqyrtoheshin per censure lexoheshin nga nje rreth i vogel ne italisht ose anglisht para se te censuroheshin. Ndofta censoret ose editoret botues i vriste ndergjegja gjate nates dhe si puna e Schindlerit linin disa kopje per disa sa er te hedhur pak drite ne ate terr. Prape jam i sigurte qe rrethi jot si edhe i imi benin te njejtin gje.

    Ne flasin per festivalin famekeq te 11 sikur ishte ai qe solli perendimin tek brezi yne. Festivali e beri hapur publikisht kete tendence, por ishte televizori italian me kuturen serioze qe kishte sjell nje flad tjeter, dhe ndoshta ndarja me Bashkimin Sovjetik. Mban mend ne degjonim Beatles dhe Stonsat, dhe si pa dashje kercenim me musiken e tyre ne zboret e ditlindjet me pak ushqim per te ngrene por me sa passion djalerie, dhe kjo vazhdoi ne rrethet tona edhe ne kohen me te eger te izolimit e rrepresionit. E cuditshme si ne Shqiperi ne nje kohe tej te eger mbijetonte kultura dhe antikultura fare lirshem ne te njejtin canak. Ma ha mendje ky ishte je fenomen i vecante shqiptar i PASHALLEQEVE TE KUQE.

    1. Kjo është e vërtetë – por, dhe ky është një por i madh – vetëm për një grup të vogël të privilegjiuarish në Tiranë. Nuk them bllokmenë, siç e ka bërë zakon të pëllasë një segment i së djathtës; por kam parasysh të rinj relativisht të mbrojtur, me krahë të ngrohta, fëmijë të nomenklaturës, me lidhje gjithfarësh mes tyre dhe me kupolën në krye të shtetit. Ne ishim përjashtimi që vërtetonte rregullin. Kam frikë se ndonjë ditë, kur të hapen dosjet, do të dalin edhe emrat e të gjithë atyre që ishin pjesë e rrethit tonë dhe na spiunonin rregullisht; por ne nuk na prekte kush pse dëgjonim RAI-n apo kishim grupin UHF në TV.

      Veç kësaj, ka edhe një dallim tjetër të rëndësishëm: ne nuk ishim të lirë në zgjedhjet tona, lexonim çfarë na binte në dorë, shihnim çdo film që transmetonte “dyshi i sllavit”, dëgjonim çfarëdo këngësh dilnin në top ten të hit parade-it italian (dhe që ishin, në masën 90%, pleh). Disa nga leximet e mia më mbresëlënëse të asaj kohe, si bie fjala drama “Mains Sales” e Sartre-it, poezitë e Prevert-it, “Asgjë të re nga fronti i Perëndimit” i Remarkut ose “Brave New World” e Huxley-t, më kanë rënë në dorë fare rastësisht. Ne ishim brezi që mbijetoi me sendet që nxirrte deti (kam shkruar diçka për këtë, që mund të lexohet këtu).

  3. Nuk dua te argumentoj kunder shembullit, as te interpretoj Borgesin, por me duket se ka nje dallim thelbesor ne analogjine mes Bibliotekes se Babelit dhe tregut. Ne te paren, dedikimi, edhe pse duke qene deri gati asketik, dedikimi i personazheve eshte ndaj nje bashkesie te panjohurash, aq sa shnderrohen ne hije perballe personazhit biblioteke, nderkohe qe per sa i perket tregut, dedikimi eshte ndaj nje imazhi te vetes, keshtu qe nuk behet fjale fare per dedikim kur flasim per tregun, por per nje lloj adhurimi te vetes. Thene ndryshe, ideologjia e tregut eshte mungesa e ideologjise, nderkohe qe biblioteka eshte ideologjia e shtrire ne totalitet absurd. Shkurt, biblioteka ne fjale eshte realitet utopik, nderkohe qe tregu eshte THE real: realitet ontik e quajme po deshe. Kam pershtypjen se vetem po te ruaj kete dallim, une si lexues, do mund te lexoj pertej pesimizmit cinik te fjalise se fundit te shkrimit.

    p.s. Cfare eshte koha e Nuhut? S’e kam idene fare. Ndonje reference?

  4. Koha e Nuhut eshte koha e Noes, varkendertuesit qe s’e di pse iu shkrep qe bashke me kafshet te shpetonte edhe njerezit.

  5. Ka “por”e sa te duash, prandaj po rishkruaj per kete ceshtje jo se nuk jam dakort me ty, por dua te shoh pak more drite ne ate kohe erresire edhe pse ne ne ate kohe nuk e konsideronim te tille. Anti censura filloi ndoshta me priderit tane, me librat dhe edukaten qe morren ne vendet e lindje ne vitet 70. Ne bibloteken tone te shtepise (qe u shkateruar pjeserisht ne vitet 90te) kishte libra te blera ne librarine internacionale ruse te autoreve qe me vone u ndaluan, si dhe libra ne italisht qe i perkisnit gjyshit e gjyshes sime te sjella nga Vlora pas luftes. Mbaj mend kishin nje botim te pare te Cajupit!! Familja humbi te gjitha por jo librat. Pastaj erdhen vitet 60 dhe hyri televizori, censura u lirua, e u ngrit prape pas 74, nga ana tjeter prinderit e atyre qe shkonion jashte shtetit sillnin libra ose disqe dhe ne i degjonin e i shperndanim fshehtas. Ne absorbonim gjithshka qe nga Dekameroni tek Pasolini. Por nje gje nuk mund ta mohoj qe shkolla e mesme e asaj kohe ne letersi e shkenca na dha te pakten nje metode analitike qe na ndihmon edhe sot, dhe aftesine te kerkonim me t emiren ne zgjedhjen e librave ose artit qe une nuk kam turp ta pohoj. Nga na tjter krahesoja vehten me intelektuale kosovare ose te vendeve te tjera, qe ishin te hapura dhe asnjehere te mbyllura, dhe vura re qe kultura jone e pergjithshme nuk ngelej mbrapa, me vende te lindjes apo perendimore. Ishte kjo kulture e prejardhur nga libra qe na rane rastesisht ne dore apo njerzit e dinin se cfare kerkonim ne, e mundoheshin te hidhnin ca drite kjo ka pak rendesi. Jam dakort me ty qe vendi yne tani ka nevoje per nje drejtim ose bosht ku te rinjte te gjejne vehten e te pergatiten me mire per jeten, sepse biblotekat u hapen dhe shtepite botuewse skane censure po resultatet qe shoh nuk jane inkurajuese. How about that!!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin