KU E KE EMRIN

Kujtim nga dita e parë e shkollës: Mësuesja, zysh Adelina, e ulur në katedër, duke na uruar mirëseardhjen në jetën e re. Troket dera e klasës, fut kokën një mësuese tjetër, shkëmben dy llafe të rastit me tonën dhe pastaj e pyet: ua bëre apelin? Ende jo, i përgjigjet kjo.

Unë, që po i ndiqja këto këmbime tejet i alarmuar, siç ndiqja çdo gjë tjetër që ndodhte në atë mjedis aq të ri për mua, fjalës apel nuk ia dija kuptimin, as dija ç’ishte ky apel që do të na bënin së shpejti. Më shkoi mendja te ndonjë procedurë terapeutike, ndonjë “gjilpërë” a ndërhyrje tjetër invazive – dhe më hyri tmerri edhe më keq.

Më vonë të gjithë kanë qeshur kur e kam rrëfyer këtë incident të vogël leksikor, dhe me kohë jam mësuar të qesh edhe unë me veten e vogël: një fëmijë gjashtë vjeç, ditën e parë të shkollës, që nuk kish shkuar kurrë as në kopsht; efekti kërcënues i fjalës së panjohur; dhe përkthimi i ankthit në frikën e vjetër nga gjilpërat me të cilat na i bënin tulet shoshë ato vite… çfarë nuk ka këtu për të qeshur?

Por për mua tani që e mendoj sërish, apeli në shumë se lexim me zë i një liste, është operacion gati matematikor: verifikimi mekanik që dy bashkësi, ajo e emrave të kalamajve në klasë dhe ajo e vetë kalamajve në klasë përkojnë, ose janë biunivoke.

Ditën e parë, nuk ua dija as emrat “atyre” të klasës; përveç shokut dhe bashkëvuajtësit të bankës Niko Qafokut. Prandaj apeli, akt ligjërimor që riprodhonte klasën tonë njësi kolektive brenda shkollës, kish edhe efektet e një rituali magjik, që i realizonte nëpërmjet leximit me zë të emrave të panjohur.

Por kjo do të ndodhte vetëm në fillim: me kohë do të familjarizoheshim edhe me mbiemrat (dhe emrat) e të tjerëve, teksa mësoheshim me tekstin e lexuar të listës, që nuk ndryshonte kurrë; derisa ta mësonim këtë listë përmendësh. Në takimet me “ata të klasës”, sot e kësaj dite, ndonjëri ende mund ta riprodhojë listën – dhe tani të gjithë mbiemrat tingëllojnë natyrshëm, në vendin që u takon, në vendin e duhur (Gjinali, Vehbiu, Kazazi…); si formacioni i skuadrës së futbollit (Zoff, Gentile, Cabrini, Furino, Morini, Scirea… mos më bëni të vazhdoj). Për t’u shënuar se mbiemrat në listë renditeshin në mënyrë totalisht arbitrare – meqë alfabetizimi bëhej sipas emrit ndërsa apeli bëhej duke lexuar mbiemrat (të cilat nuk kanë ndonjë lidhje alfabetike me emrat); ky arbitraritet ia shtonte efektin magjik apelit, si akt ligjërimor. Të krahasohet kjo renditje me, bie fjala, emrat e lojtarëve të njëmbëdhjetëshes në futboll – të cilët ndjekin pak a shumë logjikën e rolit dhe vendosjes së secilit lojtar në fushë, duke nisur me portierin dhe pastaj me mbrojtësit e kështu me radhë.

Emrat zysh Adelina i lexonte nga një libër edhe ai “i shenjtë”: regjistri, ku ishim të gjithë të shkruar; dhe të renditur alfabetikisht. Në listat emërore, alfabeti luan një rol të ngjashëm me randomizimin, në përftimin e numrave ose të kodeve – sepse renditja e shkronjave në alfabet nuk ka lidhje me kuptimet e fjalëve që përftohen nga ato shkronja (ose tinguj): u përkasin dy rrafsheve të ndryshme të nyjëtimit (artikulimit).

Por lista, si çdo listë tjetër, duke qenë renditje drejtvizore, aq më tepër e pandryshueshme, sjell logjikën e vet: ka një fillim, një mes dhe një fund; sikurse ka shkronja me përqendrim më të madh emrash (p.sh. A-ja) dhe shkronja që mbeten ndonjëherë të papërfaqësuara. Duke qenë A-ja e para shkronjë, të gjithë Alidat, Arbenët, Arianat, Arianët, Ardianat, Ardianët, Adrianat, Aleksandrat, e kështu me radhë do të jenë ndier njëfarësoj të privilegjuar, kundrejt të tjerëve: “vinin përpara.”

Jetërsimin kryesor e sillte të thirrurit me mbiemër: edhe pse nuk mbaj mend nëse na kanë quajtur ashtu që klasë të parë, jam pothuajse i sigurt se ky ka filluar shumë herët. Kalimin nga emri në mbiemër fëmija do ta përjetojë si traumë ndaj identitetit: tek e fundit, askush në familje nuk të quan ashtu, dhe aq më pak në rrugë. Për një të mitur, thirrja me mbiemër do të përjetohet si pagëzim me imponim të një emri të ri, specifik; që shënjon identitetin e ri brenda institucionit. Unë isha Ardi (ndonjëherë Adi, Ado, etj., me përkëdheli Ada, Ardush, etj., pa përmendur nofkat; e shumta isha Ardian) për prindët, familjen, shokët e lojës në lagje, shokët e klasës dhe për mësuesen në rrethana kontakti informale, por shndërrohesha në Vehbiu, kur më ngrinin në mësim. Paradoksalisht, emri vlente si shifër, për të përcaktuar vendin tim në listën emërore në regjistër; por mbiemri më përfaqësonte në raport me shkollën (institucionin). Meqë fëmija nuk e rrok dot lehtë kuptimin dhe funksionin e mbiemrit të vet në ligjërim, ky përdorim i mbiemrit në mjedisin shkollor i shërben edhe ai disiplinimit, nëpërmjet formalizimit të marrëdhënieve (njëlloj do të ishte sikur të të caktonin një numër, si të burgosurve).

E shkruar me dorë në regjistër, lista emërore shërbente edhe si konfirmim “juridik” i ekzistencës sonë si njësi brenda shkollës, por edhe vendi ku shënoheshin mungesat dhe viheshin notat – pra, ku “regjistrohej” aktiviteti ynë si nxënës.

Arsyeja praktike e apelit: të verifikohej kush ishte, ose më mirë, kush nuk ishte i pranishëm: çfarë lidhej, në analizë të fundit, me detyrimin për të ardhur në shkollë. Edhe fëmija, i interpeluar me mbiemër, duhej të përgjigjej: “këtu” – duke e konfirmuar praninë në klasë. Vetë mbiemrit i bashkëlidhej kësisoj fjala “këtu” e shqiptuar nga një timbër zëri unik (rrallë ndodhte që mungesa e dikujt të mbulohej nga një “këtu” e shqiptuar prej dikujt tjetër).

Kish edhe një mënyrë tjetër, për t’i pikasur mungesat. Bankën ku uleshim nuk mund ta ndërronim sipas dëshirës – dhe ashtu mësuesja e dallonte menjëherë vendin bosh, sa kohë që gjithkush nga nxënësit kish “vendin e vet”. Edhe vendosja në banka ishte njëlloj renditjeje (ose liste në hapësirë), por jo alfabetike. Shpesh kish arsye pse disa uleshin përpara, dhe pse disa të tjerë në fund – edhe pse, vit pas viti, prirja do të ishte që në fund të uleshin “mbetësit” (ata që po e përsëritnin klasën), ndërsa përpara “peshkopët” – ose ata që e merrnin disiplinën më seriozisht. Por kjo ishte thjesht prirje (ndonjëherë të gjatëve u kërkohej të uleshin në fund, për t’u bërë vend të shkurtërve dhe miopëve përpara). Mund të ndodhte edhe që mësuesja ta urdhëronte ndonjë nxënës të dobët ose rebel që të ulej përpara, sepse ashtu e kontrollonte më lehtë; ose për ta dobësuar atë vatër subversioni, që ishte fundi i klasës; po ashtu, atyre që shpërqendroheshin lehtë do t’u kërkohej të uleshin larg dritares.

Renditja alfabetike dhe ajo hapësinore, me vende të caktuara në bankat, ishin teknika disiplinore që ndihmonin edhe për ta kontrolluar “klasën”, por edhe – në analizë të fundit – për ta (ri)përftuar. Edhe sikur të ndërrohej mësuesja, “klasa” do të mbetej po ajo, sa kohë që të njëjtët fëmijë u nënshtroheshin të njëjtave rregulla dhe konfiguracione, në të njëjtën kohë.

Roli i apelit, në këtë mes, ishte që ta aktualizonte rregullin, brenda sesionit mësimor (orës): jo më kot mësimi hapej me të, si të ishte ky riti, nëpërmjet të cilit realizohej mësimi. Dhe jo vetëm, sa kohë që shkolla shërbente – dhe shërben – jo vetëm për t’i formuar fëmijët, por edhe për t’ua mësuar këtyre disiplinën, në trajtën e nevojës për t’iu nënshtruar. Kështu apeli bëhej pjesë e një numri ritesh të ngjashme të rreshtimit, renditjes dhe radhitjes – nga vënia në rresht në oborr në mëngjes, te “dhënia e forcës”, te hyrja e organizuar në shkollë dhe rituale të tjera të kopjuara nga institucione totale, si kazerma ushtarake dhe burgu.

Asnjë nga këto veprime dhe rituale nuk i vjen natyrshëm fëmijës – prandaj disiplinimin ky do ta përjetojë si dhunë; sa kohë që ndihet i shtrënguar në lirinë e vet. Edhe apeli funksionon si instrument shtrëngues – sepse e përdor reagimin e fëmijës ndaj emrit të vet të shqiptuar me zë (“këtu”) si formë të konfirmimit të identitetit individual, brenda “klasës” dhe shkollës si institucion. Kjo, paçka se fëmija vetë e ka të vështirë ta kuptojë se çfarë ndodh tamam, kur ai i përgjigjet interpelimit me emër – normalisht, ky lloj interpelimi ndodh kur dikush, p.sh. një prind, nuk po e gjen dot fëmijën ku është, dhe e thërret. Por ç’kuptim ka të të thërrasë mësuesja me emër, kur ti i je ulur mu para syve? Është një përdorim i pazakontë i ligjërimit (langage), tejet formal dhe abstrakt, për të vendosur dhe riprodhuar rregullin dhe, në fund të fundit, shkollën si institucion dhe vetë sistemin.

Rezulton që paranoja ime, prej kalamani të trembur, kur u ndjeva i kërcënuar nga “apeli” që do të na bënin, nuk paskësh qenë dhe kaq qesharake. E shumta, unë mund të ndihesha gati për ta dëgjuar gjuhën e tjetrit, nëpërmjet një rrëfimi ose shpjegimi; por jo për t’iu nënshtruar një akti ligjërimor. Gati për të dëgjuar, por jo për t’u bindur, dhe aq më pak, për t’iu bindur një shtrëngimi aq abstrakt sa apeli dhe konfirmimi i pranisë (i mos-mungesës). Që nuk dija asnjë nga këto, kjo nuk do ta bënte apelin më pak agresiv për mua dhe të tjerët.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

2 Komente

  1. Mu kujtua një çok që hëngra kokës në klasë të parë sepse 3+2-shin e shkruar në librin e matematikës e lexova 2+3. Mu kujtua dhe një tip detyre absurde që na jepej vazhdimisht në klasë të dytë, në orën e leximit: shkruaj me fjalët e tua përmbatjen e pjesës. A thua se teksti do të zhdukej nga libri nga çasti në çast dhe ne duhet ta regjistronim në fletore sa më shpejt. Ndoshta kishte për qëllim kalitjen e nxënësve për të shkruar saktë dhe fituar shprehi në gjuhë. Unë përmbajtjen, gjithsesi, e shkruaja duke kopjuar çdo fjali të tretë të tesktit me lidhëzat dhe rregullimet e nevojshme aty-këtu që në fund të kishte kuptim. Mësueses i dukej që në klasën tonë, ndër të tjerë, edhe Fisteku (jo Filani) i shkruante përmbajtjet shumë bukur. Se kuptova dot kurrë nëse ajo e dinte që unë kopjoja tekstin.

    Ndërsa në klasë të pestë mbaj mend që tashmë zysha (jo më mësuesja) e anglishtes në këtë rast, ma fluturoi fletoren e klasës, para klasës, sepse ishte shumë e hollë dhe, sipas saj, unë që vija në mësim me “fletore bakalli” nuk tregoja respektin e duhur ndaj lëndës së saj. Natyrisht pas kësaj edhe unë u disiplinova dhe mora një fletore të trashë pesqinlekshe, si gjithë të tjerët.

Lini një Përgjigje te KleopatraAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin