PSE LETËRSIA ANGLISHT PRODHON KRYEVEPRA

(titulli origjinal: Dhjetë arsyet e vërteta pse letërsia anglosaksone prodhon vu kryevepra kurse ajo italiane jo)

nga Giulio Mozzi
përktheu Arben Dedja

 nga “Teoria e pratica”, më 19 shtator 2017

  1. Jemi vërtet të sigurt që letërsia anglosaksone prodhon vu kryevepra? Nuk është thjesht që kanë një zyrë shtypi për së mbari?
  2. Nga Wikipedia, sub voce Gjuha angleze: “Është llogaritur që folësit që e kanë anglishten gjuhë amtare janë rreth 400 milionë, kurse 300 milionë të tjerë janë ata që e flasin krahas gjuhës kombëtare ose amtare. Ka pastaj rreth 200 milionë që e kanë mësuar në shkolla, në ato vende ku anglishtja nuk përdoret”. Kurse përsa i përket italishtes: “Vlerësimet e Shoqatës Ndërkombëtare të Linguistikës kanë përcaktuar që në botë ekzistojnë rreth 61,7 milionë njerëz që janë në gjendje të flasin italisht: 55 milionë syresh janë me vendbanim në Itali dhe 6,7 janë me vendbanim jashtë” (gjithnjë Wikipedia, sub voce Gjuha italiane). Duke supozuar që gjenia letrare shpërndahet në mënyrë uniforme dhe duke marrë parasysh që shumë autorë të gjuhëve “të vogla” shkruajnë në anglisht dhe jo në gjuhën amtare për një sërë arsyesh bindëse (sikurse Franz Kafka zgjodhi gjermanishten ose shumë shkrimtarë afrikano-veriorë zgjedhin frëngjishten etj.), na bie të parashikojmë që letërsia e gjuhës angleze të prodhojë kryevepra (por t’i themi gjërat haptazi: edhe plehra) gjashtë deri tetë herë më shumë në numër se gjuha italiane.
  3. Sasia e atyre që e lexojnë dhe e flasin anglishten bën që një autor i gjuhës angleze të ketë një publik të mundshëm të drejtpërdrejtë (pra: jo të ndërmjetësuar nga përkthimi) tejet më të madh në numër se një autor i gjuhës italiane: për ta thënë troç, ai që në gjuhën italiane është një autor që vërtitet, po themi, te 5.000 kopjet për libër, në gjuhën angleze do të jetë një autor me 30/40.000 kopje për libër. Si pasojë, në arealin e gjuhës angleze, hajt, të themi në vendet më të pasura si Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, është shumë më kollaj se në Itali ta kesh shkrimtarinë profesion kryesor (në mos ekskluziv). Dhe të shkruash duke ndenjur rehat, dihet, të volit[1].
  4. Dihet gjithashtu që Italia është një republikë që ka në themel vetëdenigrimin[2]. Gjithkush që pohon se ndihet “krenar që është italian”, a diçka e këtillë, pak a shumë në mënyrë automatike damkoset si fashist. Fjalët “nacionalizëm”, “nacionalist” e të tjera si këto, ndër ne kanë konotacion negativ. Në pastë nacionalizma Italia, ato janë, në fakt, nacionalizma anti-italiane ose, nëse jua kënda: anti-unitare. Përkundrazi, është e qartë që për nënshtetasit e Britanisë së Madhe (e mirë de, le t’i heqim skocezët) nacionalizmi është diçka pozitive dhe që Shtetet e Bashkuara e konceptojnë veten si një farë “populli i zgjedhur”. Kështu që bëhet tepër, po tepër e vështirë, edhe për një zyrë shtypi të shkëlqyer, të bindësh italianët që diçka italiane (përveç gatimit) qenkësh e mirë.
  5. Bash ngaqë anglishten, si gjuhë të parë, të dytë ose si gjuhë të studiuar në shkollë, ka shumë vetë që e flasin, nëse një kryevepër në gjuhën angleze botohet, shumë syresh do ta vënë re. E kush do ta vërë re, ndërkohë, ku di unë, që qenka botuar “Più segreti degli angeli sono i suicidi” i Gian Marco Griffi-t[3]? S’e di a kemi të bëjmë vërtet me një kryevepër (për brezat etj., etj.), por jam i sigurt kur them që është vepër që meriton vëmendje. Ashtu siç jam i sigurt të them që është vepër që meriton vëmendje “Il suicidio di Angela B.” i Umberto Casadei-t. Po në New York nuk e dinë, as në Londòn: imagjino në Milano.
  6. Për arsye që do të mund të shpjegoheshin mirë e mirë edhe në pak faqe (po s’kam kohë e nge tani t’i hedh në letër: do të më duhej të përpiloja një doracak të gjërave që studiohen në gjimnaz) ideja bashkëkohore italiane e “kryeveprës” seç ka një si vetëdije elitare. Nëse kryeveprat letrare të Nëntëqindës italiane janë, po themi, “La cognizione del dolore” e Gadda-s apo “La beltà” e Zanzotto-s, lëre pastaj “Orcynus Horca” të Stefano D’Arrigo-s apo “Hilarotragoedia” të Giorgio Manganelli-t, po ju them që e hëngrëm[4]. Amerikanët na dërgojnë fill e Jonathan Franzen-in ose Don DeLillo-n, që, mirë, janë të një natyre të ndërlikuar (sidomos i dyti), por që, prapë, lexohen pa ndonjë vështirësi të madhe (shembull: janë shkruar në anglisht, jo në gaddisht apo në zanzottisht apo në darrighesçe apo manganellesçe); na dërgojnë fill Philip Roth-in, etjerë dhe kemi të bëjmë gjithmonë me libra që t’i trazojnë ndjesitë, por që nuk kërkojnë deshifrim të faqes. Nga Britania e Madhe mbërrin McEwan, e mirë, de: me imagjinar boll shqetësues, po për t’u kuptuar kuptohet shkëlqyeshëm. Kurse çdo libër në italisht që synon të bëhet kryevepër duhet me patjetër të fillojë ta dhunojë gjuhën. Për shumë romane që i gjej vërtet të këndshëm dhe emocionues dëgjoj të më thonë, miq që bëjnë pjesë (si unë, xhanëm) në Republikën e Letrave: “I mirë, po nuk ka skripturë“. Unë Barthes-in e kam lexuar të tërin tri herë, njërën nga këto duke filluar nga fjala e fundit për të dalë tek e para, por prapë nuk e kam të qartë çfarë dreqin kuptojnë, në këto biseda, me fjalën “skripturë”. Dhe në fakt elitën tonë e kemi gjithmonë aty, duke thartuar trutë për Tommaso Landolfi-n dhe gjuhën e tij – wunderkammer[5], dhe duke harruar ndërkaq Bontempelli-n e gjorë, me atë gjuhën e tij qelibar: lëre mo Piero Chiara-n. Të jesh grua pastaj, më zi akoma: nuk mjafton të kesh shkruar “Historia” ose “Menzogna e sortilegio” për t’iu shmangur akuzës të “dorëzimit” te “letërsia popullore” dhe s’di sa pjesëtarë të elitës kam takuar që ia përçmojnë punën Margaret Mazzantini-t pa e pasë lexuar (ah, tamam: është grua, është e bukur, e pasur, aktore, me burrë king e, për më tepër, bijë e një babai “republikin[6]”).
  7. Nuk dua të propozoj një estetikë revizioniste. Kanunin letrar nuk dua ta revolucionarizoj. Edhe mua D’Arrigo më intereson më shumë se Mazzantini (por Bontempelli më intereson më shumë se Landolfi, dhe Morante më shumë se Pasolini, që e akuzoi për fejtonizëm[7]). Jam edhe unë pjesë e elitës, ndonëse nursëzçe. Por po dua t’i bëj me dijë atij që sot, në Itali, do të investojë në të shkruar, që ka një “pritshmëri” kryekëput të ndryshme ndër ne nga ç’ka në Shtetet e Bashkuara apo në Indi. Dhe ideja që një produkt “i lartë” duhet të konsistojë në një “shmangie” (pak apo shumë të spikatur) nga “norma” dhe jo në zbatimin efikas të vetë normës, është e ngulitur thellë. Më kujtohet një episod nga “Giornalino delle famiglie” i Giovanni Guareschi-t (mëshiromëni, po këto janë leximet e mia themeltare). Shërbyesja merr vesh që Giovanni ka shkruar libra. I kërkon njërin për ta lexuar. Ia kthen pas pak ditësh të shoqëruar me shprehjen që e mbaj mend përmendësh: “Shkruan për gjëra që i dinë të gjithë, me fjalë që të gjithë i kuptojnë. Nuk është kulturë kjo”. (Kompetenca gjuhësore e kësaj gruaje është e tillë, që Margaritës i drejtohet me “lei”, dhe Giovanni-t – si i gjinisë mashkullore – me “lui”: por ideja e saj për “kulturën” nuk ndryshon nga ajo e elitës).
  8. Në këtë pikë, besoj që në mendjet e lexuesve fërgëllon pyetja: “Po pastaj?”. Pastaj, realisht, në vija të trasha gjendja është kjo dhe duhet të jemi të vetëdijshëm. “Pesha politike” e gjuhës angleze është rritur shumë shekullin e fundit, duke ia hequr vendin e parë frëngjishtes: sa romane frëngj të Nëntëqindës keni lexuar, krahasuar me ato në anglisht? E mirë de, Franca e sotme nuk mund nxjerrë më një sërë të rangut: Balzac, Hugo, Zola, Goncourt, Flaubert, Proust, Gide. Por diçka prapë don të thotë, përsa i përket “peshës politike”, që “La Vie mode d’emploi” i George Perec-ut nuk arrin të bëhet, këtu në Itali, një roman nga ata që “duhet lexuar” dhe as Francis Ponge poet i domosdoshëm (është, veç të tjerash, edhe shumë pak i përkthyer). Hipoteza është: ka “kryevepra”, dhe i vëmë fjalës thonjëza sa të duash, që mbeten për lexuesin italian “të padukshme”. Dhe po pati në Francë, përse të mos ketë edhe në Itali?
  9. Në gjykimin e përgjithshëm, një “kryevepër italiane” është para së gjithash një libër që të bën derr në të lexuar. Nami i keq që i ka dalë romanit “Të fejuarit”, sa për të sjellë një shembull që gjithkush do ta sillte, është i frikshëm. Natyrisht: leximi i veprave të shtatë-tetëqindëshit të përkthyera është më i kollajshëm, sepse përkthimi – për një numër arsyesh të njohura – synon kah italishtja bashkëkohore (pa provoni të krahasoni pak një përkthim të sotëm të “A Sentimental Journey Through France and Italy”, të Laurence Sterne-it, me përkthimin e Ugo Foscolo-s). Por dyshoj që ka edhe shumë paragjykime. (Vite të shkuara binda një mësuese – gjuhë-letërsie – të lexonte një libër që ajo paraprakisht e përçmonte, “David Koperfildi” të Dickens-it: e filloi gjithë ngurrim, por pastaj u entuziasmua aq shumë sa çdo mëngjes më niste me SMS përshtypjet e veta për kapitujt që kish lexuar një natë më parë).
  10. Pa më thoni pak, gërmo e gërmo, ku janë gjithë këto kryevepra? “The Sot-Weed Factor” apo “Giles Goat-Boy, or, The Revised New Syllabus” të John Barth-it, e kush i ka lëçitur? I kanë përkthyer po, njërin Luciano Bianciardi, tjetrin Luciano Erba, po veç në i gjetshi te librat e përdorur (dhe sa frëngu pulën). Jemi vërtet të sigurt që Hemingway është një nga më të mëdhenjtë shkrimtarë të Nëntëqindës? Që David Foster Wallace ka ndërmarrë vërtet diçka risore? (Mund ta krijosh bukurinë edhe pa bërë risi, të jetë e qartë kjo). Dhe që “Stoneri” është “romani perfekt”? (Këtu pastaj do duhej bërë një diskurs mbi epicizimin[8] – shih numrin 4 – por dhjetë pikat që kisha në dispozicion mbaruan).

    (c) e përkthimit, 2020 Arben Dedja.


[1] Në origjinal: E scrivere stando comodi, si sa, è più comodo. Loja me fjalën comodo të origjinalit, këtu humbet.

[2] Kurse këtu autori rimerr fjalinë e parë të Kushtetutës Italiane (Neni 1): L’Italia è una Repubblica democratica, fondata sul lavoro.

[3] Titujt e veprave që përmenden në shkrim i kam lënë në origjinal. Kam përkthyer vetëm titujt e atyre veprave që ekzistojnë edhe në shqip (nga kontrolli që i bëra fondit digjital të Bibliotekës Kombëtare).

[4] Në origjinal Mozzi thotë: allora stiamo freschi. Duket si një frazë e natyrës bisedore, por, isha vetë i pari që u habita, vjen nga Dantja, vargu 117 i Këngës XXXII të Ferrit: là dove i peccatori stanno freschi.

[5] Dhomë e mrekullive ose kthinë e kurioziteteve (e mrekullive). Shprehje e gjuhës gjermane për të treguar mjedise të caktuara ku, në shekujt XVI-XVIII, koleksionistët grumbullonin objekte të jashtëzakonshme, të çuditshme.

[6] Përkrahës i republikës fashiste të Salò-së (1943-45), d.m.th. fashist.

[7] Nga feuilleton, suplemente të gazetave frënge të shekullit XIX, ku botoheshin, krahas kronikave teatrore, fjalëkryqeve, etj., edhe romane popullorë me ndërthurje të ndërlikuar, personazhe të karakterizuar fort (për mirë e për keq), ku në fund triumfonte e mira. Autorë të njohur të kësaj lloj letërsie ishin Alexandre Dumas (ati), Eugène Sue, etj.

[8] Epicizzazione. Nuk e kuptoj mirë ç’don të thotë autori me këtë, edhe sepse diskursi përfundon këtu. Kur ta takoj, do ta pyes.

9 Komente

      1. Ndjesë! Nuk e dija që ishte përkthyer në shqipe. Mendova titulli ishte ai i botimit origjinal.

        Letërsia italiane siç më duket mua, është shumë europiane për t’u pëlqyer masivisht në US, dhe, si të mos mjaftonte, ajo është edhe shumë italiane brenda vetë Europës. Ndoshta Italia vetë nuk e kupton ç’mund të eksportojë. Kam frikë se Dante është ende autori më bashkëkohor italian. (Po, e di kur ka lindur Dante. 🙂 )

        E. Albinati është përkhtyer dhe botuar së fundi ne US. Nuk e kam lexuar ende romanin e fundit, por i njoh punët më të hershme dhe më vjen mirë që dikur lexoja dhe pëlqeja një autor të cilin pak e njihnin.

        Faleminderit sërish.

  1. Imagjino kur qahen italianet. Po ne ? Sa keq!!!
    Dhe grate akoma me zi. Prandaj “ e hengri” Rozafa murimin, se ishte grua. S’e mohoni dot edhe pas ketij shkrimi, o burra.

    “Kjo bote e prishur/ o perendi o dreq/ qe askush s’mund ta ndreq”.

    1. Gjin, “vu” do te thote shume. P.sh. Vu djersa me mbuloi fytyren. I harxhova parate vu.

      P.s le te mos jemi kaq kategorike. Pak rreshqitje jo vu, na ben me njerezor.

  2. Do t’ju lutesha të mos merreshit, në komentet, me aspekte gjuhësore të përkthimit. Këto pyetje mund t’ia bëni autorit në privat.

  3. Shkrim qe te ndricon mendjen. A, s,do te ishte mendjendricuese nje studim edhe per kushtet e let. shqiptare? Eshte per t,u pergezuar perkthyesi, di te sjelle frymen, idene e origjinalit duke iu permbajtur me mjeshteri idiomes shqipe.

  4. Thelbi qendron te nevoja per nje gjuhe zyrtare. Shkrimi ne dialket vetem e demton vepren, e fragmentizon, e ben katundare, sado te perpiqen Ndrecet e Shamket e dreqi me te birin. Nje veper e tille i pret rrugen ndeshjes me publikun. Le te hidhen perpjete, elitistet e puristet e dialektishtes, non funziona!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin