QËNDRESË NDAJ BARBARISË

Nga Rushit Bilbil Mavromati

 

Nuk besoj të jem i pështirosuri i vetëm pas asaj çaprashitjeje fyerjesh që një ministre e Republikës i drejtoi, prej majës së foltores kuvendore, disa qytetarëve që nuk janë të një mendjeje me të për sa i përket fatit të godinës së Teatrit Kombëtar.  Ministres vetë, gati sa nuk iu morën mendtë nga llumi ligjërimor që i dilte grykësh.

Ndonëse, vetëm një matrapazllëk i tillë mund t’i shkonte epilogut të një rrjedhe ngjarjesh që e ka burimin, plot dy vite më parë, tek një ligj special – i gatuar me aq nxitim sa shpejt e humbi cohën e vet juridike (pavarësisht korrigjimeve dhe zhargonit institucional), duke u kthyer në një lodrim politik: nga Ministria tek Qeveria, pastaj tek Parlamenti, Presidenti, prapë tek Qeveria e mandej tek Bashkia.

Një ligj special pra, që ndiqet dhe nginjet me të tjerë ligje, të cilat rreshtohen njëri pas tjetrit për të sajdisur dhe përligjur një makutëri a marrëzi. Një barbari, me pak fjalë.

Pasi duket vështirë të mos shohësh se pas kësaj trashjeje dhe ngucjeje ligjore të mos ushqehet qëllimi i një bastisjeje barbare ndaj një godine teatrore të akuzuar si “fashiste”. (E gjora fashiste! ta dinte se nga ç’gojë oshënarësh do të anatemohej, mbase do t’ia kish dhënë vetes shumë më parë; qoftë dhe vetëm për t’iu kursyer këtij gjyqi hokatar.)

Të moçmit, romakët më shumë se të tjerë, kishin një bindje që u brente thellë. Ata ishin plotësisht të ndërgjegjshëm se çdo periudhë rrënimi kulturor, çdo murtajë shoqërore që asgjësonte rrënjët e etikës qytetare dhe i avitej bashkëjetesës kolektive, ndiqej nga një shumim i shpërpjesëtuar ligjesh. Veçanërisht, ligje nga ato që sot do i quanim “speciale”, “të jashtëzakonshme”, “emergjence”. Corruptissima re publica plurimae leges (Të shumta janë ligjet kur shteti është i kalbur) skalitet në faqet e Analeve (libri III, 27) të Tacitit, mbase zëri i fundit i kthjelltësisë së epërme klasike në zgrip të humnerës barbare.

Arsye për të cilën askund në kohë më shumë se sot është e nevojshme që qëndresa e kundërshtarëve të shembjes së Teatrit Kombëtar të mbetet gjallë. E nuk ka rëndësi tashmë, asfare rëndësi, nëse kjo qëndresë është e yshtur nga një pritshmëri apo nga dëshpërimi; nga një bindje politike apo nga përmallja artistike; nga një kryeneçësi personale apo kundërshtia parimore; nga një partizanizëm kundër kësaj qeverie, apo nga një ndërgjegje e ngritur peshë pikërisht prej neverisë që lartohet mbi çfarëdolloj dallimi mes palëve të përfshira në arenën politike.

Qëndresa e kundërshtarëve të shembjes së Teatrit Kombëtar duhet të mbetet gjallë sepse kurrë më parë nuk ka qenë e mundur që një veprimtari kundërshtuese të vazhdonte dhe të korrte mbështetje pa hasur, në fare pak kohë, në zvjerdhje, apo përgjumje, apo lodhje, apo blerje, apo shitje. E në mos këto, atëherë në shtypje.

Qëndresa duhet të mbetet gjallë sepse, në një hark kohor relativisht të gjatë dhe me siguri stërmundues për një organizim spontan njerëzish, kurrë tjetër herë nuk është qëndruar me kaq qëndrueshmëri, me kaq kokëfortësi, me kaq durim, korrektësi dhe kaq vijimësi. Për dy vite me radhë.

Pastaj, që një veprimtari e tillë kundërshtuese merr trup për hir të një teatri – apo më saktë të truallit, godinës, trashëgimisë arkitekturore dhe kulturore të një teatri – kjo e dekoron hapësirën e asaj qëndrese me virtytin e nderit. E nëse ndër venat e asaj qëndrese është duke qarkulluar pashmangshmërisht helmi i partitizimit, në krahun kundërshtar ka kohë që ka pllakosur kolera e personalizmit.

Qëndresa e kundërshtarëve të shembjes së Teatrit Kombëtar duhet të mbetet gjallë sepse, pos së drejtës për të kundërshtuar diçka të papëlqyeshme por që valëvit emblemën e një institucioni shtetëror, ajo është njëkohësisht shprehi e një të vërtete që do të duhet të rrëzëllente në të gjitha muret rrethuese të institucioneve të zgjedhura:

se zgjedhja në krye të tyre nuk nënkupton përftimin e një carte blanche për të gjezdisur qytetit me vulë në dorë – dhe kobure në brez – për katër vjet; se votat e një shumice nuk janë uratë; se siç pat shkruar njëherë Umberto Eco, votat të japin në dorë qeverisjen, por jo domosdoshmërisht të drejtën, e aq më pak të drejtën për të vepruar pas midesë; se të qenit shumicë (errata corrige: të qenit përfaqësues të një shumice relative votuesish) para tre vitesh nuk të shuguron si despot deri në zgjedhjet e ardhshme – pa folur pastaj kur të tilla shumica, si ajo bashkiake, e kanë themelin tek kooperativizma si ato të vitit të kaluar.

Ndaj, pak bonsens do të ishte ilaçi i duhur për një modesti që nuk u edukua e nuk u rrit kurrë.

1 Koment

  1. Dikur presidenti Mejdani hapi nje llogari per mbledhjen e fondeve per rindertimin e teatrit ne te cilen shqiptaret patriote e artdashes te medhenj kontribuan dicka aty afer $0.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin