TEATRI I VJETËR I PARTNERITETIT PUBLIK-PRIVAT

nga Erlind Sulko

Prej një periudhe të gjatë tashmë pushteti në Shqipëri po mundohet ta shkatërrojë Teatrin Kombëtar, pavarësisht qëndresës së vazhdueshme. Në këtë çështje kemi qenësisht të bëjmë me një luftë vullnetesh: vullnetin për të shkatërruar dhe vullnetin për të mbrojtur. Dhe fati i kësaj ndërtese historike do varet jo nga teorira të ndërlikuara për teatrin, por nga fuqia e vendimmarrjes dhe kundërpërgjigja e qëndresës. Secilit prej nesh, si njerëzve që e dashurojnë teatrin ashtu edhe atyre që nuk kanë vënë asnjëherë këmbë aty, na kërkohet një vendim: a do të mbrojmë të përbashkëtën apo do e lemë të na rrëmbehet? Plogështia, heshtja, moskokëçarja për atë që ndodh përtej gardhit tënd, mbyllja brenda vetes, mosbërja e asgjëje edhe ky është një vendim: një vendim më i frikshëm se sa dëshira për ta shkatërruar Teatrin Kombëtar. Nesër , kur t’ju pyesin fëmijët se ku është Teatri Kombëtar, çfarë do u thoni? E shkatërruan ata? Apo e mbrojtëm ne? Ky është vendimi që historia kërkon nga të gjithë ne sot.

Ndodhitë historike kanë kuptimin e tyre të fjalëpërfjalshëm dhe kuptimin e tyre të përtejmë. Kuptimi i fjalëpërfjalshëm i ndodhive është kuptimi i asaj që po ndodh në kontekstin e kohës kur ajo ndodh. Ndërsa kuptimi i përtejmë i një ndodhie historike është kuptimi i një ndodhie brenda një konteksti edhe më të gjerë: brenda udhëtimit të gjerë shpirtëror të njeriut. Kuptimi i fjalëpërfjalshëm i Revolucionit Francez është kryengritja e francezëve të shekullit 18-të kundër mbretit Louis XVI-të. Kuptimi i përtejmë i Revolucionit Francez është lufta e njeriut per liri, barazi dhe vëllazëri: një ndodhi që kaloj kufirin vetjak dhe u kthye në një udhëheqëse shpirtërore në luftën kundër monarkisë dhe vendosjen e demokracisë. Në të njëjtën mënyrë mund të themi edhe për shumë ngjarje në vendin tonë: protestat e studentëve gjatë viteve 1990 nuk shprehnin vetëm pakënaqësitë e disa studentëve por frymën e vetë popullit për ndryshim thelbësor, protestat e studentëve gjatë vitit 2019 nuk shpallën vetëm dëshirën e disa studentëve për një arsim publik më të mirë, por edhe luftën kundër shkatërrimit të vazhdueshëm të arsimit në përgjithësi dhe përgjegjësinë tonë për të mbrojtur të përbashkëtën.

Pyetja që dua të shtroj atëherë është kjo: çfarë është kuptimi i njëmendtë dhe i përtejmë i shkatërrimit të Teatrit Kombëtar dhe dëshira për të ndërtuar një teatër të ri? Kuptimi i fjalëpërfjalshëm është i rëndomtë, jo sepse nuk është i vërtetë, por sepse është përsëritje e kotë dhe e cekët e asaj që të gjithë e dimë: qeveria ngulmon në shkatërrimin e Teatrit Kombëtar. Disa të tjerë janë kundër kësaj gjëje. Gazetat janë të stërmbushura me lajme të tilla sipërfaqësore. Kjo vendosmëri e tepërt e pushtetit për të shkatërruar Teatrin Kombëtar dhe për të ngritur një të ri mbi të na zbulon diçka përtej vetes së vet. Kjo ndodhi e veçantë na rrëfen diçka thelbësore për vetë Frymën e përgjithshme ku jetojmë.

Teatri Kombëtar është një përfaqësi e kulturës, dhe kultura nuk është asgjë më shumë se sa trashëgimia që i përket në të njëjtën kohë të tërëve dhe askujt në veçanti. Kjo trashëgimi e përbashkët ruhet brez pas brezi: gjë që dëshmon kalimin e një gjëje nga bota fizike në botën e vlerave. Koha dhe përmbajtja fizike nuk e shkatërrojnë dot vlerën: pasi ajo ka aftësinë ta ringjallë botën fizike përjetësisht. Kishat e vjetra kushtojnë më shumë për t’u mirëmbajtur se sa për të ndërtuar një të re. Por, ajo që e ringjall atë ndërtesë vazhdimisht, si nga prishja e njeriut ashtu edhe nga prishja e natyrës, është besimi. Prandaj, vlerat janë përherë kundër shkatërrimit të vazhdueshëm të kohës.

Dëshira për të prishur Teatrin Kombëtar shfaq vullnetin për të shkatërruar vlerën, për të copëzuar të përbashkëtën, për të ndaluar të përjetshmen. Kjo është një nga pasojat më të tmerrshme të kapitalizmit bashkëkohor qe e shohim gjithkund: asgjësimi i kulturës në emër të arsyes dhe fitimit. Shtëpitë botuese janë në zgrip të falimentimit. Shkrimtarët e kanë të pamundur të mbijetojnë. Librat me poezi nuk botohen, pasi nuk ka mjaftueshëm blerje. Botohen vetëm njerëzit që kanë lidhjen me pushtetin politik ose mediatik. Piktorët braktisin ëndrrën. Muzikantët bëjnë muzikë dasmash. Gjithë kjo bjerrje e kulturës nuk është një rastësi, nuk është një gabim i kryeministrit të sotëm që do mund të ndalohej nëse do kishim një kryeministër tjetër pak më zemërbutë e të ndjeshëm. Jo, ky shkatërrim i kulturës është pjesë e pandashme e logjikës së tregut dhe sistemit ekonomik ku jetojmë: prishja e Teatrit Kombëtar është vetëm ngjarja e radhës, plotësisht e arsyeshme dhe në përputhshmëri me logjikën e sistemit. Përse të zaptohen kështjellat nga lokalet private dhe të mbyllet biblioteka kombëtare dhe mos të shkatërrohet Teatri Kombëtar? Kjo gjë është tërësisht e pajtueshme me frymën e përgjithshme të pushtetit ekonomiko-politik që na zotëron. Kemi kohë që ndeshim pemë në ecejaket tona dhe tani ka ardhur koha të dalim në përfundimin se po ecim në një pyll: në kapitalizëm nuk është më kultura që drejton tregun, por tregu që drejton kulturën. Dhe rregullat e tregut nuk vendosen nga unë dhe ti, por nga një i tretë përtej nesh dhe mbi ligjin: kapitali i lidhur me pushtetin.

Kapitali dhe Pushteti kërkojnë me ngulm ndërtimin e një Teatri Kombëtar të ri. Por ky nuk do të jetë më një Teatër Kombëtar dhe as i ri, por vetëm një teatër i vjetër. Edhe më i vjetër se Teatri Kombëtar. Teatri që po kërkohet të ndërtohet është Teatri i Partneritetit Publik-Privat. Po kërkohet prej nesh adhurimi i rrënimit i të së përbashkëtës në emër të disa pasanikëve privatë. Kjo nuk është asgjë e re. Nuk është rastësi se sa shumë rëndësi i është vënë mënyrës së shkëlqyer se si do të ndërtohet ky Teatër: nëpërmjet lidhjes së pushtetit me pasanikët e mëdhenj të vendit. Por në këtë rast mjeti nuk e përligj qëllimin, pasi mjeti është kthyer në qëllim: ajo që po ndërtohet është vetëm diktatura e Partneritetit Publik-Privat.

(c) 2020, Erlind Sulko. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

6 Komente

  1. A ka mundesi qe artikulli te sqaroje kushtet financiare te kontrates e te jape fakte te mbeshtetura me shifra se si po abuzohet me interesin publik ne favor te disave?
    Teatri si institucion nuk do te zhduket ,por do behet me ndertese te re .Po te aplikoheshin ne kete rast ligjet e Kapitalizmit te cilat kane per qellim fitimin,nuk do te justifikohej nje shpenxim I tille per nje trupe aktoresh te plakur e cila ka kohe pa dhene shfaqje.

    1. Marr guximin t’ju kujtoj, Alba, se gjysma e dytë e sillogjizmës suaj nuk qëndron. Po të ishit ndjekëse e teatrit, do të dinit se po ata aktorë që protestojnë fizikisht apo moralisht dhe janë shprehur kundër prishjes, bashkë me ata që janë pro prishjes, vazhdojnë të japin shfaqje në skenën e Teatrit Turbina. E fundit shfaqje para mbylljes, “Galaksia”, pavarësisht se personalisht nuk më dha kënaqësinë maksimale, u ndoq masivisht të gjitha netët dhe u pëlqye gjerësisht nga publiku i kryeqytetit. Ndaj, teksa dëshironi të vini në dukje të metat e argumentit të parafolësit, mos shpërfillni pohimet e rreme që artikuloni ju vetë.

  2. Deshira per te prishur teatrin, thote autori, eshte pasoje e kapitalizmit.
    Une per vete mendoja se ishte mpleksur Rama dhe jo kapitalizmi. Por, nqs autori ka te drejte, atehere e shemb apo jo Rama, neser do ta shembe dikush tjeter, se kjo eshte pasoje e kapitalizmit.

    Fakti eshte se tashme s’ka as kulla e as Fusha, dmth s’ka me kapitalizem ne mes. Problematika reduktohet ne shembjen e te vjetrit dhe ngritjen e te riut me fonde publike.

    Ne qendren e Tiranes ose projektin italian apo racionalizmin fashist, kush erdhi ne pushtet i futi hundet tek hapesirat e blerta, te cilat ishin pjese e projektit, keshtu Enveri beri te veten, Ramizi futi Piramiden, pas 90 pervec kullave, periferite u perdoren edhe per 3 objekte fetare ( u takon bektashinjve te marrin nje cope dikund per teqene).

    Projekti italian me monumentalizmin, i pershtatej Tiranes si metropol i nje shteti me te madh sesa Shqiperia Londineze. Duket me sy te lire, qe qendra eshte ende me e madhe se Tirana qytet ( ndoshta kur te mberrije, nese mberrin, 1-1.5 milion banore, qendra mund te jete proporcionale me madhesine e qytetit).

    Ne fund rezulton te jete thjesht megallomani e Zogut ( askohe Tirana kishte 30-40 mije banore), e ndjekur nga megallomanite e te tjereve, per te perfunduar tek megallomania e Rames.

    Ky pas pasionit per kullat, duket se do te lere nje shenje qe lidhet me pasionin artistik. Teatri thjesht qellon te jete objekti me i pershtatshem.

    Jemi duke mbrojtur me argumente gjithfaresh nje projekt arkitektonik zanafillor qe ngeli ne purgatorin historik dhe qe thjesht sherben prej 75 vjetesh, fale hapesirave te blerta, si vendi me i pershtatshem per cdo politikan autoritar qe te vendose monumentin e vet, per te cilin do te mbahet mend.

    Kapitalizmi s’ka me lidhje tashme. Qendra e Tiranes mund te quhet lirisht, qendra ”Ave Caesar !”

    1. Nga Dies Irae: “Projekti italian me monumentalizmin, i pershtatej Tiranes si metropol i nje shteti me te madh sesa Shqiperia Londineze. Duket me sy te lire, qe qendra eshte ende me e madhe se Tirana qytet ( ndoshta kur te mberrije, nese mberrin, 1-1.5 milion banore, qendra mund te jete proporcionale me madhesine e qytetit).”
      Mendoj se 1.5 mil. nuk e arrin dot Tirana. Atehere?… Kot qe e kemi kete bulevard dhe kete qender! Ta zvoglojme permes ndertesave te reja. Leviz dhe leku keshtu.
      Ka nje rryme ne filozofi, qe rrjedh qysh nga fund shek. XVIII, e qe quhet mekanicizem. Ky eshte vrojtimi/ kendveshtrimi juaj. Nuk ka asgje te keqe, eshte nje kendveshtrim i caktuar, qe nwmos ju, do e ksh nje tjeter. Vetem mos e ngaterroni me fashizmin italian projektin e Bulevard-Qendres se Tiranes, se projekti eshte i shek. XIX, ndersa fashizmi lindi si levizje ne shek. e XX. Ky lloj ngaterrimi ju ben juve dhe ata qe e kane shfaqur kete anallogji, qesharak e te paditur.

      1. Nuk eshte se qendra Ave Caesar varet nga vullneti i popullit, dita e sotme ta verteton me se miri. Pastaj nuk e kuptoj pse e ke kaq te veahtire ta shikosh se me ndertimet e vazhdueshme ajo vazhdimisht eshte bere me e vogel, perfshire pyllezimim dhe betonizimin e sheshit Skenderbej qe pothuajse e ka shkeputur sheshin, teatri i ri qe si cdo ndertese tjeter e larte ne kompleks i heq nje cope tjeter ne lartesi. Nqs Tirana nuk do shkoje 1-1.5 milion atehere do te jete qendra qe do te zvogelohet. Ideja nuk ka qene qe banoret te shplodhen ne lendinat e lulishtet poshte shtepive apo te nxjerrin qente dhe sa me shume bindet njerezia per kete funksion aq me i shpejte eshte fundi.

  3. Meqe autori e ka me kapitalizmin dhe jo me Ramen ( ky ne fakt i ka ne xhep ose bllokun e pagesave, gjithe neomarksistet e nevojshem – kush s’ka hyre ende, do te hyje kur te duhet) doja te shtoja qe ka gjera qe tashme kane hyre si te mireqena qe jane faji i kapitalizmit, kur ne fakt nuk jane.

    Nuk eshte tregu kapitalist qe po con ne humnere shkrimtare, poete e arstiste, por shijet e publikut po shperfillen dhe rrjedhimisht publiku si taksapagues si shijeshperfillur nuk e ndjen nevojen te paguaje per shijeshperfillesit. Gje qe ndodh edhe me shkencat sociale. Nqs psh ne filozofi te gjitha katedrat merren me Marksin e marksistet, taksapaguesi i sheh keto katedra si barra financiare, keshtu qe eshte dakort me politikanet qe propozojne shkurtime financiare.

    Kapitalizmi hyn shume pak ne ceshtje, ishte po ai kapitalizem edhe ne shekullin 19 e deri ne vitet 60-70 te shekullit te kaluar, qe mundesoi zhvillimin e kulturave te ndryshme dhe shkencave sociale.

    Nqs ka 40-50 vjet qe gjerat shkojne tatepjete nuk hyn kapitalizmi, as ne formen e tij liberale apo liberiste qe ka marre peshe keto dekada. Perkimi kohor eshte rastesor.

    Cilatdo qofshin arsyet e dekadences, me siguri kapitalizmi nuk eshte nje prej tyre. Shkenca, edhe me shume sesa kultura, i detyrohet faktit qe kapitalizmi mposhti feudalizmin ne shekullin 19 .

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin