nga Edon Qesari
5 maji, si ditë përkujtimore e lindjes së Karl Heinrich Marx-it (1818-1883), ka marrë një përmasë të pazakontë përkushtimi këtë dekadë të fundit. Veçanërisht pas vitit 2008 dhe krizës që shpërtheu në vatrat kryesore të financës botërore, emri i intelektualit dhe ekonomistit gjerman u pru sërish në vëmendje; shumë më tepër se ç’kishte ndodhur fill pas vitit 1989, kur rënia e Murit të Berlinit u duk sikur i dha damkën jo dhe aq emrit të Marx-it – i cili, përkundër asaj ç’mendohet gjerësisht, botohej pa ndërprerje – sesa pritshmërisë në lidhje me analizën e tij kritike mbi shoqërinë dhe ekonominë.
Duke nisur nga viti 2008, siç po thosha, është shfaqur një vëmendje në rritje ndaj tij, ndërkaq që emri nisi t’i lakohej gjithmonë e më shpesh edhe jashtë ambienteve akademike, në të cilat gjithsesi nuk ka pasur ndonjëherë ngut për ta hequr qafe. Çka bën më shumë përshtypje është zëri që i është dhënë përfundimeve të tij – në mënyrë, le ta pranojmë, shpesh arbitrare dhe thjeshtëzuese deri në deformim – nëpër debate publike dhe lëvizje politike[1].
Mbi rëndësinë dhe frytet dialektike që ende nxit mendimi dhe veprimtaria bibliografike apo politike e Marx-it (e lidhur kjo ngushtë me atë të kolegut dhe mikut të tij të pandarë Friedrich Engels) nuk është e vendit që të zgjatem. Rrahja kritike dhe studimore përmbi të dhe mbi çka la pas – shpeshherë nën emrin e marksizmit, një masë fluide kjo dhe po aq shpesh e papërcaktueshme në terma të ngurtë – mund të vështrohet sidomos në kalendarin e pasur akademik dhe kulturor që pati nxitur 200-vjetori i lindjes së tij, kremtuar më 2018; mbi të gjitha, them, në vendlindjen e tij e mandej në qendra të ndryshme universitare dhe shkencore në të pesta kontinentet. Që në vitin 2015, Gemeinsame Wissenschaftskonferenz (Konferenca shkencore federale) gjermane, si dhe vetë qeveria e Berlinit morën vendimin për vazhdimin e financimit të botimit të veprës së plotë marksengelsiane e cila pritet të mbërrijë në plot 114 vëllime[2].
Në Shqipëri, për Marx-in, nuk është shënuar kushedi se çfarë interesi apo debati. Ndaj tij vigjilon i patutur një petitio principi që i ka bërë ballë gjithë tranzicionit. (Fatmirësisht, do të përshëndeste dikush, që zakonisht nuk i bie as samarit, aq më pak gomarit, por thjesht avazit). Përjashtim bëjnë vetëm disa përpjekjeve, shpeshherë të ndritura por gjithsesi brenda një qasjeje quasiment partizane, të disa personave apo rrymave që vitet e fundit rreken me ngulm kundër çdolloj shterpësie kulturore. Për t’u shënuar, në këtë vazhdë, vlen një nismë nga ana e departamentit të Shkencave politike (fakulteti i Shkencave sociale, UT) dhe Institutit për kritikë dhe emancipim shoqëror, me titull “Qasje kritike dialektiko-materialiste ndaj problematikave politiko-shoqërore”, që prej vitit 2016 mbledh në konferenca vjetore ligjërime dhe hulumtime shkencore të prizmit marksist. Më e gjallë duket atmosfera intelektuale në Kosovë, vlen të shtohet, ku emri dhe vepra e Marx-it hasin në më pak pengesa dhe paragjykime të karakterit kulturor apo didaktik.
Në Shqipëri, përpos, Marx-i mbetet një figurë që ndjell merak e mbi të gjitha siklet. Asnjë botues i ditëve të sotme nuk merr “guximin” ta përcjellë atë për shtyp, edhe pse një ndërmarrje e këtillë nuk do t’i kushtonte pothuajse fare. Deri në fund të viteve ’80 të shekullit të kaluar thuajse gjithë vepra e Marx-it dhe Engels-it ishte sjellë në shqip në mënyrë cilësore; përkthime/botime të cilat sot, për më tepër, nuk janë të përveshura nga të drejtat e autorit pasi asokohe bëheshin nën siglën e një Instituti shtetëror që sot s’ekziston më.
Në vendin tonë, ashtu siç kam pasur mundësi të verifikoj, kushdo që do ta merrte përsipër një “bast” të tillë në fushën e botimeve – pra një ribotim të veprës së Marx-it dhe të tjerë autorë të traditës politike marksiste, mbase duke i pajisur me parathënie serioze studimore dhe aparate kritike shpjeguese dhe të ndryshme nga ato të paraviteve 1990 – do ta bënte me riskun e të pasurit pasoja mbi emrin e vet. Do t’i kishte gjithashtu në defter vërsuljet dhe kafshimet e të njëjtit lloj me epitetet e mirënjohura që i bashkëngjiteshin kujtdo i cili, sa mbahej në këmbë regjimi hoxhaist, gëzonte njëfarësoj mendim të pagatuar sipas recetave të dogmës zyrtare. Të paktën kjo është frika!
E gjithë kjo ndrydhje me përmasa kolektive – dhe thelb qesharak, sidomos kur flasim për shtresën e dijetarëve/intelektualëve të vendit – ka prodhuar një mungesë të theksuar, e shpesh një kushtëzim të frikshëm, mbi përdorimin e literaturës marksiste dhe ligjërimin e saj nëpër universitete, në të njëjtën kohë kur emri dhe vepra e Marx-it – për të mos folur për pasuesit e tij – ndeshet sot në një mori të pafund trajtimesh, botimesh, përkthimesh, studimesh anembanë globit; në të njëjtën kohë kur, ndonjë i interesuar, kureshtar, student apo studiues, nëse nuk ka arritur të krijojë lidhjet e duhura, apo s’i ka rënë nga qielli mundësia e artë, për të shtënë në dorë ndonjë copëz nga ky debat/dialog i paanë mbi Marx-in, është i shtrënguar t’i kërkojë botimet e Institutit të kohës së Hoxhës nëpër kthesa, poshtë urave apo mbi bordurat e bukinistëve të rastit.
Numri në rritje i shitjeve të këtij lloji, siç dëshmojnë disa të dhëna të përftuara mouth-to-mouth nga kureshtia e autorit të këtyre radhëve, është tregues në këtë kuptim. Botime të cilat, e përsëris, zotëronin cilësi përgjithësisht të mirë përkthimi, por dhe një mbështjellje dogmatike që i bën ata sot të tejkaluar dhe jo pak anakronikë. Çka e bën edhe më qesharake ndrojtjen e botuesve të sotëm, siç dhe banalizon zellin e kujt ka kthyer në zanat publik gjuetinë e shtrigave. Sa për ndonjë emision televiziv apo ndonjë artikull me zbulime masonësh.
(c) 2020, Edon Qesari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Në lidhje me këtë “ringjallje” të atëhershme interesi dhe popullariteti, në vitin 2011 u realizua një dokumentar gjerman me titull “Marx reloaded”, në të cilin fenomeni merret në shqyrtim nga emra të njohur të teorisë dhe veprimtarisë neo-marksiste apo post-marksiste (por jo vetëm) si Michael Hardt, Antonio Negri, Nina Power, Jacques Rancière, Alberto Toscano, Slavoj Žižek, etj.
[2] https://marxforschung.de/mega%C2%B2/ Deri më tani janë botuar 65 vëllime, të cilat nisën më 1975 nën kujdesin e Institutit të Marksizëm-Leninizmit në RD të Gjermanisë dhe të Partisë Komuniste të BRSS-së. Pas rënies së Murit të Berlinit botimi i veprës së plotë të Marx-it dhe Engels-it (MEGA – Die Marx-Engels-Gesamtausgabe) i kaloi Institutit ndërkombëtar Marx-Engels me qendër në Amsterdam.
Të thuash se filozofia e Marksit nuk kishte lidhje me realitetin e Hoxhës, është njësoj sikur të mos e kesh lexuar Marksin. Më shumë gjasa ka që të kesh lexuar ata që përpiqen të të mbushin mendjen për të kundërtën, të cilët ndonjërë edhe vet e pranojnë se nuk e kanë lexuar Marksin. Nuk e kam shumë të qartë arsyet e obsesionit me mbrojtjen dhe modifikimin e vazhdueshëm të kësaj filozofie, por ndoshta do duhen disa mijëvjecar për tu sqaruar deri në fund. Atëherë kur rendi liberal të jetë shkatërruar dhe rindërtuar disa here, gjithmonë nëse jemi me fat të mos përfundojmë përjetësisht në parajsën komuniste.
Vlen të theksohet se, si filozofia klasore, ashtu edhe teoria ekonomike e Marksit bazohen mbi nocionin që e merr të mirëqënë arsyetimin se mardhëniet njerzore jo vetëm dominohen, por kanë në thelb shrytëzimin e njeriut nga njeriu. Por ky shkrim nuk është se u drejtohet gjë atyre që e kanë provuar luftën e klasave mbi kurriz.
Po i kushtoj vëmendje veç fjalisë së fundit. (Pjesa tjetër nuk më duket se ka lidhje konkrete më ndonjë nga fjalitë apo temat që shkruhen në shkrim).
Shkrimi i drejtohet kujtdo që ka interes të shohë një veprimtari botimesh të gjallë dhe të çlirët nga çfarëdolloj prohibizionizmi, sidomos të llojit të ushqyer me red scare. Kësisioj, u drejtohet edhe atyre që nën diktaturën hoxhaiste ishin të mbytur nga prohibizionizma të çfarëdollojshëm, përfshirë ato bibliografike.
Nuk besoj që Hoxha të ketë lexuar dhe, sidomos, të ketë kuptuar ndonjë gjë nga Marksi. I vetmi marksist i mirëfilltë që kishte afër, Sejfulla Malëshova, ishte nga të parët që e pësoi – dhe pastaj i mbylli ditët duke e përkthyer Marksin.
Nuk di të them edhe sa ishte realiteti në Shqipëri produkt i vizioneve dhe i planeve të Hoxhës. Sistemi që u ndërtua atje ishte një “second-hand copy” e sistemit stalinist. Ndryshe nga Marksi që ishte ekonomist, Stalini dhe mësuesi i tij Lenini e kishin fokusin te pushteti politik.
Nëse do të flasim për një sistem të realizuar, më të afërt me atë që mund të deduktohej nga Marksi, unë do të sillja në vështrim vetadministrimin jugosllav – pas likuidimit të Rankovic-it. Qytetarët në Shqipëri mund të jetonin po aq mirë sa jugosllavët nën Titon dhe të gëzonin po aq liri (ekonomike, kulturore) – gjithë duke iu falur Marksit filozof.
Autarkia, që ia shënjoi fytyrën Shqipërisë në vitet 1970-1980, nuk kish ndonjë lidhje me marksizmin, si doktrinë ekonomike. I vetmi kontribut filozofik i Enver Hoxhës, në këtë mes, ka qenë argumenti se socializmi mund të ndërtohej edhe në një fshat të vetëm.
Ardian,
Hoxha nuk e shpiku vet luftën e klasave. Biles, as vetë Lenini. Jo se këta të dy nuk kanë gjë përgjegjësi individuale, por sa për të bëre dallimin midis teorisë dhe praktikës (a.k.a lufta e klasave ishte e mirë por u praktikua keq.)
Po ashtu, shumë e lavdëruara teori ekonomike e surplus-it, e ka burimin direkt nga nocioni i luftës së klasave. Përndryshe, në teorinë ekonomike askush nuk i referohet ndonjë nocioni të tillë përveç marksistëve, sepse nuk ka llogjikë matematikore as ndonjë vlerë empirike. Që një pakicë është në gjëndje të grumbulloj shumicën e pasurisë është thjeshtë dukuri statistikore që nuk ka të bëj me luftën e klasave. Science Museum ka një model me gogla që demonstron Pareto Effect. Por nuk i vë dot faj Marksit sepse nuk kishte gjë Pareto Model ne Science Museum në kohë të Marksit.
Pastaj, këto përrallat me Sejfulla Malishovën, modelin Jugosllav, etj. edhe ju e dini më mirë se unë që nuk ia vlejnë të përmenden. Veçse kur je Zhizhek dhe i përdor për të argëtuar sallën.
I dashur Lorian, edhe ti, edhe unë, jetojmë në Amerikë; dhe besoj do ta kesh vënë re edhe ti sa keq dështoi sistemi amerikan (politik dhe ekonomik), përballë emergjencës shëndetësore të Covid-19 (edhe tani që të shkruaj, nuk mund ta bëj një test çfarëdo, as të blej në dyqan dizinfektant ose maskë – dhe më duhet të dal në rrugë me një maskë prej pambuku, të bërë vetë). Por nuk bëj me faj për këtë dështim as kushtetutën amerikane, as parimin e ndarjes së pushteteve dhe as sistemin demokratik të këtushëm. Dua të them: nuk bën që ta gjykojmë një sistem politik (ekonomik), nga dështimet e tij më spektakulare, siç do të ishte Shqipëria në raport me marksizmin.
Më vjen keq që argumentet e mia për vetadministrimin, Titon dhe Sejfulla Malëshovën ti i quan “përralla” – nëse unë i përmend, e bëj sepse mendoj se duhen përmendur. Sistemi që ndërtoi Hoxha në Shqipëri nuk është se rridhte drejtpërdrejt nga filozofia e Marksit – ky është argumenti im (rridhte nga Marksi ndoshta po aq sa ç’rridhte nazizmi nga Nietzsche-ja); në kuptimin që nuk mund të bëhet Marksi me faj për terrorin stalinist (ose tjetërlloj të majtë, përfshi edhe RAF dhe Brigatte Rosse). Për këtë arsye edhe në universitetet amerikane (pa folur për ato të Europës) Marksi mbetet nga filozofët dhe ekonomistët më të studiuar. Dhe sa për luftën e klasave, nuk ka nevojë të jesh marksist, për ta konstatuar përditë. Prandaj ideja ime është që disa ide themelore të Marksit janë tepër të vyera, për t’ua lënë në dorë marksistë-leninistëve, komunistëve të zakonshëm dhe trockistëve; dhe se ata që e kanë kuptuar këtë, p.sh. shoqëritë në vendet skandinave, nuk mund të injorohet, kur flasim për trashëgiminë moderne të asaj doktrine.
Sa më lart, nga dikush si unë që nuk është marksist, as ka ndonjë dobësi të veçantë për Marksin, edhe pse ia kam lexuar ca gjëra, përfshi edhe vëllimin e parë të Kapitalit (me një përkthim të shkëlqyer në shqip).
Ardian,
Dakort, jo gjithcka e bërë në emër të marksizmit mund t’i vishet Marksit. Por, mendoj se Sejfulla Malishova, nuk mund të ishte në krye të Partisë Komuniste ndër të tjera edhe për shkak të ideologjisë marksiste, dhe se vetëadministrimi Jugoslav pati sukses për shkak të konjukturave politike, dhe se ishte me njërën këmbë në liberalizëm, por jo për shkak të aplikimit me ‘karar’ të marksizmit.
Ki parasysh se Marksi qysh në fillim u popullarizua për një arsye shumë të thjeshtë: kish provuar në mënyrë shkencore se surplus-i ekonomik që normalisht të takon ty që punon, në kapitalizëm e merr tjetri (këtë e gjen të mirëargumentuar tek vëllimi i parë i Kapitalit që ju e keni lexuar në shqip, dhe unë në anglisht). Ishte ky argument shkencor që i dha frymë marksizmit. Përndryshe, në marksizëm, fajin e ka gjithmonë Tjteri. Edhe Ismail Kadare e ka një kritikë në një aspekt më filozofik për Marksin në subjektin e “Tjetrit” (nuk po e gjej dot për momentin për ta sjellë si referencë).
Komunistët në botë nuk nryshonin midis tyre në këtë botëkuptim, pra në besimin që fajin e ka tjetri, por vetëm në dozën e besimit. Malishova nuk ndryshonte nga Hoxha ngase kishte lexuar Marksin, por ndoshta ngase besonte shumë më pak se Hoxha dhe se aradha tjetër e komunistëve se fajin e kishte gjithmonë tjetri.
Sic thashë, Marksi nuk ka ndnjë vlerë në teorinë ekonomike, sepse ka marrë dukuri statistikore, sic është rishpërndarja në një ekonomi të lirë që është dukuri statistikore, dhe e ka kthyer në një qëndrim ideologjik ndaj tjetrit. Por ky nuk është një gabim i vogël. Sado të mira të kenë qënë qëllimet e Marksit, gabimi ka rezultuar fatal.
Marksi, duhet lexuar. Por jo për arsyet që argumentohen këtu, por për të kuptuar sepse vajti aq keq aplikimi i teorive të tij, që mëqë ra fjala nuk ka të bëj gjë me “communal living arrangements”.
Nuk po dua të komentoj gjatë në situatën e një quasi lufte të ftohtë civile në US që po kulminon me Covid-19, por vetëm dua të theksoj se vetëm sa po provon se sa larg duhet të rrinë duart e shtetit nga priza që furnizon me energji liritë kushtetuese, politike, dhe ekonomike të qytetatrëve. Dhe të vetmit që po fërkojnë duart në këtë situatë janë Marksistët.
LA Ketu tek Zhizheku mund te keni te drejte, te ketille “komuniste” e “marksiste” qe kenaqin publikun me protesta, ankime e “filozofira” patjeter qe jane kapitaliste te mirfillte, deri dhe spekullante sjelljesh, te cilet lekun e tyre e nxjerrin nga keto llafollogjira e -te pakten- nje here ne jave shkojne ne restorant te hane, per te perfunduar nen shalet e ndonje bombe seksi. Besoj se Zhizheku nuk do e kete provuar punen dhe kallot e duarve, qe flet aq mire per puntorine! Po nejse, nuk ia njoh biografine.
LA duket qarte qe ju jo vetem nga Marks-Engels nuk keni lexuar, por as nga filozofia. Qysh ne fillim flet per “filozofia e Marksit”! Marksi nuk ka as edhe nje filozofi te tijen e te re, pervec qe se bashku me Engelsin ecen ne ato gjurme te kthimit te dialektikes idealiste gjysem fetare) te Hegelit ne nje dialektike materialiste (pa kurrfare ideshe mistike dhe fetare). Edhe ne ligjet e ekonomise politike, gjithshka qe thene me pare nga Rikardo, Smith, Keneja, etj., te cilet i keni ne gjuhet origjinale ne anglisht, dhe merrini lexojini. Ose lexo Kapitalin, te kuptosh ato “cingerrima” plotesuese te Marksit.
Keshtu te kuptosh se nuk ka filozofi klasore dhe as teori ekonomike te Marsit, por nje rrjedhim te nxjerre nga ai, pikerisht mbi domosdoshmerine e nje revolucioni proletar te permbytjes se marrdhenieve ekzistuese te prones mbi mjetet e prodhimit.
(Nuk mbrojta Marksin ketu dhe as ndonje teori te majte, sic injoranca dhe padituria dallon menjehere ne ksi rastesh, por vura ne dukje mangesine qe ke ti dhe shumica e njerezve ne teorite ekonomike dhe filozofike te koherave.)
Përshëndetje të gjithëve,
unë jetoj në një kooperativë marksiste prej gati 5 vitesh në një qytet disa-milionësh të Evropës Qendrore përtej Alpeve. Nuk ishte zgjidhja ime e parë, por situata në tregun e lirë të banesave me qira dhe gentrifizimi i përshpejtuar në metropolet evropiane në këto 7 – 8 vitet e fundit, më detyruan të gjej një zgjidhje praktike. Kooperativa, e themeluar para rreth 20 vitesh, ka rreth 3.000 anëtare dhe 500 prej tyre jetojnë në këtë kopleks ku jetoj edhe unë dhe që e administrojmë vetë. Kam përshtypjen, që jam i vetmi anëtar i kësaj kooperative të majtë, që njoh edhe kooperativën në sistemin stalinist të Hoxhës.
Që të mos keqkuptohemi gjë, unë vetëm se i majtë nuk jam.
Mund të them, se jam në thelb marksist jo-i-majtë.
Duke njohur kooperativën e sistemit ekonomik-shoqëror shqiptar të viteve ’70 dhe ’80 në të dy aspektet, si atë praktik (familje e lidhur ngushtë me politikën e kohës) edhe teorik (studiuar shkencat juridike; ndër te tjerat edhe “të drejtën kooperativiste”) mund të them, se këto dy kooperativa janë krejtësisht dhe në thelb të ndryshme nga njëra-tjetra.
Teorikisht jam i vetmi që e kam studiuar kooperativën marksiste, të tjerët rrotull meje janë më të orientuar se unë, por i bëjnë gjërat instinktivisht (dhe i bëjnë natyrisht edhe më mirë).
Dallimi i parë është se kjo kooperativa marksiste ku jam tani është e themeluar në një shoqëri të lirë, ku anëtarët e saj janë bashkërisht për arsyen e vetme se e duan këtë gjë. Në kooperativën e Hoxhës hyje në rast se nuk doje të të hynte ndonjë plumb në kokë.
E dyta, në këtë kooperativën marksiste ku jam tani hierarkitë nuk ekzistojnë. Të gjitha strukturat organizative janë horizontale dhe vullneti i masës së anëtarëve shfaqet e kristalizohet vetëm si produkt i demokracisë në bazë. Përveç bazës nuk ka gjë tjetër. Baza e kooperativës time të tanishme është mbledhja e anëtarëve, që në epokën digjitale është gjithë kohën e aktivizuar. Çdo gjë diskutohet nga të gjithë dhe vendoset me një shumicë votash. Në rast se ka pakica që janë diametralisht të kundërta me vullnetin e shumicës, shumica automatikisht e zbut pozicionin e vet. Pra nuk ka një diktaturë të shumicës por një nevojë për konses që ndjehet vetvetiu.
E treta. Në kooperativën time të tanishme “vaji lubrifikues” është ndershmëria e vetëkuptueshme e anëtarëve të kooperativës për çështjet e kooperativës. Prona e përbashkët e kooperativës administrohet dhe përdoret nga anëtarët e kooperativës sipas nevojës. Avantazhi është i jashtëzakonshëm. Nga rreth 150 familje që jetojnë nuk disponohen paralelisht 150 turjela për të shpuar vrima nëpër mure por 4 – 5, të cilat janë të depozituara në “ofiçinë” së bashku me rreth 500 vegla të tjera dhe përdoren nga anëtarët e kooperativës sipas nevojave. Prishet një turjele që bën 2 lekë, blejmë një tjetër, që bën përsëri 2 apo 3 lekë. Po kështu veprohet më disa studio muzikore, me 2 hamame, plehun organik, e shumë gjëra të tjera.
Mund të rri gjatë këtu t’ju tregoj për këtë “micro-socializëm”, or që të kthehem në fillim, ky realitet që shoh e përjetoj këtu për ditë më shpaloset si i një bote tjetër. Ose bota ime e dikurshme më shëmbëllen si e rrëfyer dhe jo e jetuar.
Pse është kështu?
Mendimi im është se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë ishte një shtet në formë i majtë e maoist por në përmbajtje shumë oriental. Të gjitha tentativat për forma organizative marksiste përfunduan në thyerje kafkash, dhe si mund të ishte ndryshe?! Kooperativa në një shoqëri evropianoveriore është pjesë e realitet të atjeshëm kulturor. Kushdo që e përfytyroi atë formë organizimi nuk u nis nga hiçi, por konkretizoi ose verbalizoi një nevojë, që vetë ato shoqëri emetonin. Personalisht duke njohur shumë mirë diktaturën e Hoxhës dhe idenë e majtë evropianoveriore jam i bindur se nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra tjetrën.
Më ka rënë në sy në këto vite, se sa herë që kam vizita nga shqiptarë të brezit tim, të gjithë e perceptojnë menjëherë thelbin e kooperativës time. Hyjnë menjëherë brenda konceptit të saj dhe që të nesërmen mund të ishin anëtarë po aq normalë të saj, sa edhe të tjerët, të cilët janë prej vitesh anëtarë të saj. Ata që janë më të rinj dhe veçanërisht ata që jetojnë në Shqipëri, ata nuk e kuptojnë fare. Më shoqërojnë me një buzëqeshje të instaluar në fytyrë për të fshehur keqardhjen, se në ç’kategori idiotësh degjeneruaka njeriu.
Kjo e pershkruara eshte si bashkesia fshatare qe dominoi historine e Shqiperise gjate e pas dyndjeve barbare deri ne rishfaqjen e shtetit bizantin, pra perfaqeson nje stad te regresit politik tek popullata qe kane humbur shtetin dhe nuk kane as konceptin e gjakut per te formuar nje koncept protopolitik, si eshte i pari i fisit.
Ka gjasa qe te kete qene edhe sistemi me i zakonshem ne Europe, kur nje fis braktiste nje territor te caktuar, pra te mbeturit formonin bashkesi fshatare pa identitet politik, finsor apo etnik, derisa nje fis tjeter vendosej po aty si elite dominante dhe te mbeturit u nenshtroheshin te ardhurve duke formuar shtresen e taksapaguesve, sklleverve apo te dominuarve.
Nuk është si “bashkësia fshatare” në trojet shqiptare në Mesjetë, sepse këta janë në mes të Gjermanisë, nuk ka rrezik t’u vijë ndonjë elitë dominante dhe t’i vërë poshtë. Problemi është tjetër: sa mund të ndahet ky model kooperativist nga kultura e atjeshme? Dhe po ashtu, sa gjasa ka që modele të tilla të mund të realizohen vetëm në shoqëri të avancuara? Edhe në bujqësinë shqiptare, sot, kooperativa do të ishte zgjidhje optimale – por njerëzit sa i tremb “kooperativa” e periudhës totalitare, aq edhe nuk ia kanë besën njëri-tjetrit.
Verejtja qendron se eshte ekperiment brenda nje shteti qe i mbron, pra ofron ushtrine, perndryshe rrezik vete piftoja do te mblidhte nje grup shqiptaresh dhe do te vendosej si kryetar kooperative ne krye te nje elite dominante qe mban arme, per tu bere Mehmet Aliu i Gjermanise.
Sidoqofte eksperimente te tilla permenden ne shume vende pergjate historise, vete popullata agrare ne stepat e Rusise e Ukrahine gjate shekullit 19 krijoi komunitete te ngjashme thujasekomuniste apo pseudokomuniste, ne Kine pergjate historise ka pasur shpesh tentativa te tilla, por edhe dalmatet e lashte e ndanin token ne mentre te barabarte per fryme, cdo 8 vjet ( vetem se keta mbanin arme qe ne djep).
Pra ky eksperiment nuk eshte as i ri, as i vecante, vec nje riperseritje e gabimeve historike. Dicka si puna e sekteve fetare, te gjithe e dine qe sektet jane entitete fallimentare e megjithate sektet vazhdojne te ekzistojne.
Ne Shqiperi kooperativa me siguri do te rriste fitimet nga bujqesia, por ka shume krahe pune qe maksimimizimi i fitimit te quhet si opsioni i duhur.
Psh maksimizimi i fitimit do te mund te vinte nga nje kulture bujqesore e cila sjell ta zeme 1 mije euro per hektar fitim. Po ky 1 mije euro vjen nga nje prodhim (apo xhiro totale) prej 2 mije eurosh.
Nderkohe qe po i njejti hektar mund te sjelle 500 euro fitim nga nje prodhim prej 5 mije eurosh.
Kur ka shume krahe pune, dmth goje per te ushqyer modeli i prodhimit 5 mije eurosh me vetem 500 euro fitim eshte i preferueshem ndaj modelit qe maksimizon fitimin ne 1 mije euro, por si prodhim jep vetem 2 mije euro .
Jo detyrimisht maksimizimi i fitimit eshte me leverdi per nje komunitet apo shtet. Nqs ky maksimizim nuk shoqerohet nga maksimizimi i prodhimit, pra te jete optimal edhe per punesimin, atehere thjesht prodhon leke te cilat zakonisht shkojne ne parajsat fiskale dhe emigrante qe punojne kamariere ne parajsat fiskale.
Kjo eshte menyra sesi ekonomia e ”manualit” shkaterron shtete. Nuk ka ekzistuar ndonjehere me pare ne histori nje model ekonomik qe shkaterron shtetet per hir te fitimit.
Pifto, mendimi im eshte se ne origjine te ketij organizimi që ti e përshkruan me ngjyra aq të gjalla, nuk ka arsye te dukeshme të shihet Marksi, ai vetëm se i vuri një sfond ideologjik (shkencor po deshe) një ideje që bridhte në Evrope qe prej treqind vjetesh. Nëse ajo e Thomas More ishte në një vizion teorik, të mos harrojmë se 150 vjet para Marksit utopiset të vërtetë kishin zbritur në terren dhe i kishin dhenë botës me dhjetra përvoja të tilla, ne Evrope dhe Amerike. Te tjeret qe erdhen me pas e njihnin edhe marksizmin dhe refuzonin dhunën që fshihte ai.
Kam pasur rast te pershkruaj ne detaje nje te tille ketu ne ptf : https://peizazhe.com/2018/04/27/nje-pallat-social/
Pa folur pastaj se nje organizim i tillë ne bashkesi është në origjinë të qytetërimit modern perendimor. E kam fjalën per bashkësitë e para të krishtera, që Engelsi i cilëson si shoqëritë e para komuniste pa klasa etj. (te libri Origjina e familjes, prones privete… etj. ,qe eshte librat mbi te cilet kam kaluar me shume kohe ne jeten time)
Vlerësoj shumë gjenialitetin e Marksit (nuk kishte mbetur ta them une), veçanerisht idete e tij se kapitali i madh sjell shkaterrimin e natyres, mjedisit, gje qe per te cilen flitet pak, madheshtore eshte edhe analiza ekonomike e shoqërisë së kohës së tij (krejt pa vlerë për sot, ne perspektive, sepse nuk kuptoi asgje nga mekanizmat autorregullues te ekonomise se tregut, gje qe solli fundin e mbreterimit te ideve te tij), por dyshoj shume se nuk është ai predikatori i parë i atyre formave interesante organizimi për të cilat flet ti me te drejte me pasion dhe te kam zili per nje pervoje te tille (megjithse te kerkoj ndjese nese nuk e kam kuptuar mire se kujt ia detyron ato)
(Eshte edhe ana parodike pastaj, ajo qe thote Eleonora, e bija, qe ai shkonte fshehurazi te blinte aksione, pra perfitonte nga mekanizmat ekonomike te asaj shoqerie qe predikonte shkaterrimin e menjehershem, por ky eshte muhabet tjeter)
Pifto shkruan:
Nëse më lejohet dua të shtoj disa pika këtu në debatin tuaj, si vëzhgues i jashtëm:
Siç është e përshkruar – shpresoj që të mos e kem keqkuptuar – kooperativa “mikro-socialiste” është e mbështetur mbi bazën e një infrastrukture ekzistuese kapitaliste që vë në dispozicion pothuajse të gjitha mjetet dhe komoditetet e jetesës për banorët e kooperativës – turjelat dhe veglat musikore, ushqimet, veshjet, shtëpitë, transportin, korrentin, ujin, shkollimin, monedhën, etj etj – të cilat pastaj vetadministrohen nga pjesëtarët e kooperativës sipas modelit egalitar socialist. E thënë ndryshe, kooperativa mund të funksionojë vetëm si përjashtim dhe vetëm si mikro por jo si rregull dhe model jetese për të gjithë shoqërinë, të paktën jo në këtë formë dhe jo me një sistem ekonomik kapitalist (ose thënë më thjesht: diku duhet të prodhohet ajo turjela dhe që kjo të jetë e mundur, brenda prodimit kapitalist, duhet që të ketë edhe pronar, edhe punëtorë, edhe fitim, edhe pabarazi sociale). Kooperativa socialiste mund të funksionojë në këtë formë vetëm brenda një ekonomie kapitaliste; unë dyshoj fort se ajo do të ishte e mundur brenda një ekonomie socialiste, me gjithë kulturën evropianoveriore të saj.
Ndryshe ishte kooperativa e shpifur shqiptare (apo ruse apo ç’rëndësi ka çfarë) e cila ishte vetëm një kooperativë e vogël socialiste brenda nje kooperative të madhe socialiste, ku të gjitha duhet të prodhoheshin vet dhe sipas një modeli ekonomik që nuk nxiste as eficiencën, as inovacionin, as cilësinë dhe as mirëqënien, çka detyrimisht do të sillte me vete edhe dhunën bashkë me barazinë në varfëri.
Realiteti kulturor i ndryshëm i evropianoveriorëve luan pa dyshim një rol stimulues dhe harmonik brenda kooperativës, por qëndror është modeli ekonomik i shoqërisë në të cilën vepron kooperativa, që e mundëson atë. Mungesa e kooperativave të tilla sot në vende të tjera mund të shpjegohet me stadin më të vonuar në zhvillimin ekonomik të shoqërive aty, krahas dallimeve kulturore sigurisht.
[Përndryshe, God bless the cooperative. Pa ironi, madje me shumë admirim për njerëzit që kanë kurajon të shkëputen nga rat race / Hamsterrad-i/ xhirimi bosh i sistemit për të ecur në rrugën e tyre 🙂 ]
Pifto, nuk e besoj te jeni i pari shqiptar ne nje kooperative te tille banimi, por s.d.q., pak rendesi ka kjo. Ne nje fare menyre, apo per nje fare kohe, kjo lloj jete komunore perfshin ne aspekte edhe me te gjera disa dhjetra mijra njerez ne bote. Bie fjala edhe me tej ne aktivitetet e ndryshme kulturore e jetesore, si pjesmarrja ne krijime filmash apo pjesesh teatrale pa buxhet te vecante, ose me nje buxhet mjaft te vogel e vullnetar, perdorimi i vetures nga dy-tre familje, organizimi i blerjeve dhe shpenzimeve ne disa familje e persona perbashkshisht, jetesa ne grup (ne nje banese te madhe, ku vetem dhoma e fjetjes eshte e perdorimit privat), etj.
Me shaka i them ndonjerit qe jam nje nga ata dhjetra mijra komuniste te vetem ne bote, pra qe kane arritur komunizmin, meqe krahas punes se krahut (fizik) nuk e kam ndare edhe punen krijuese ne sfera te tjera. Kjo eshte nje lloj shakaje nga une qe e njoh “marksizmin”, pasi ajo ide e socialisteve dhe komunisteve te kohes se Marksit kuptohet se nuk ka lidhje me keto “mini-komunizmat” tona dhe aq me pak me Envererat e shek. XX, packa pastaj diskutimit se sa mund te jene utopi apo realitet i mundshem.
Nese ju jeni ne Hamburg, ka mundesi qe ju te jeni ne nje pallat te madh 500 metra larg Altones.
Vendet perendimore diktaturen e proletariatit e kane pare ne televizor, kurse akademiket majtiste kane bere karrierat e tyre mbi Marksin dhe autore maksiste apo revizioniste te Marksit.
Ne vizionin marksist hallka e diktatures se proletariatit ishte e pashmangshme, pra nje klase, proletaret do te dominonin mbi klasat e tjera, pronaret dhe fshataret, derisa revolucioni te fitonte ne gjithe boten dhe utopia e Toma Murit / Thomas Moore, te merrte jete.
Beteja mes Stalinit dhe Trockit, mes socializmit ne nje shtet te vetem dhe revolucionit permanent, me fitoren e Stalinit e futi marksizmin ne hulline e realitetit duke e shkeputur nga utopia. Revolucioni permanent i Trockit do te thote qe Bashkimi Sovjetik do leshonte ushtrine revolucionare ne Europe e Azi dhe sipas gjasave brenda pak vjetesh anglo-franko-polaket ne krye te ushtrive europiane do gjendeshin ne Moske, kurse japonezet ne Urale, keshtu eksperimenti komunist do merrte fund pa nisur mire.
Pra me Stalinin dominoi realizmi dhe rrjedhimisht autarkia ( per aq sa eshte e mundur, se koncepti ne vetvete eshte i pamundur, psh Amerika eshte nga vendet me autarkike ne bote qe prej themelimit, sepse ka pasur gjithnje nje perqindje te ulet te eksport-importit ne krahasim me prodhimin e brendshem bruto), e cila e karakterizoi BS deri ne 1990 apo Korene e Veriut ende sot.
Praktikisht marksizmi devijoi historine e botes me 74 vjet, derisa linja u rikthye ne hulline e meparshme, ose ne vijen prej te ciles u krye shmangia.
Nuk ka asgje te keqe qe Marksi te studiohet, sikunder nuk ka asgje te keqe te studiohen teoricenet e fashizmit apo teoricenet e kryqezatave dhe zhihadeve, rendesi ka te mos faktorizohen politikisht.
Pretendimet e autorit per vleren e Marksit dhe gjuha e ngjyrosur ndaj atyre qe Marksit nuk duan as ti degjojne emrin, do te rrinin shume mire ne nje grup neomarksistesh, por jo per publikun e gjere shqiptar. Shume shqiptare, perfshire edhe une, besojme se mijera te vdekur ne Shqiperi gjate diktatures se proletariatit dhe lufta civile ne 1943-44 nuk do te ishin faqe historie nqs Marksi nuk do te kish ekzistuar. Pa Marksin komunizmi do te ishte nje rryme anarkiste , se komunizmi eshte ne thelb anarki ( dmth ka per qellim zhdukjen e shtetit), keshtu qe nuk do te terhiqte askend, do ngelte nje sekt teorik.
Nqs diktatura e proletariatit nuk do te ish zbatuar ne Shqiperi, pra ne nje histori alternative pa regjimin 45 vjecar edhe une do kendoja si gjeli maje plehut per vleren e madhe teorike te Marksit, ne fund te fundit, marksizmi i zbatuar do te ishte thjesht ”cazzi altrui”.
Si tha plaku i urte, mos e permend litarin ne shtepine e te varurit.
Edoni duhet te prezantonte disa te dhena bibliografike dhe jo te flase ne ajer. UT ka publikuar nje pjese te doktoraturave, Biblioteka Kombetare perdor keywords per klasifikimin, Scopus etj database mund te germohen e te shfaqet panorama e plote. Keshtu, pa asnje shifer nuk merret e mireqene teza se Marksi po lexohet e referohet me pak se dje.
Para disa ditesh te Peizazhet u publikuan disa te dhena mbi perkthimet, fshehur ne nje disktutim per nje serial tv. Askush nuk vuri re se Rusishtja ishte gjuha e dyte e perkthyer ne Shqiperi dhe vijonte te ish deri ne fillim te viteve 2000. Nje vrap te biblioteka kombetare dhe nje kafe drejtorit te pergjumur mund te jepnin te dhena sa prej ketyre perkthimeve jane terhequr nga lexuesit. Autori i ketyre rrshtave i ka kerkuar pa sukses.
Google trends per shiqperine jep rritje te interesit per keyword Marks ne vitet 2008-9, ndoshta nga kriza financiare, e oshilime te vogla pas 2013. Perndrshe kurba eshte e sheshte dhe kerkohet vetem ne Tirane.
Ndersa ne bote gjithashtu ka ulje te interesit. Prej 1990 eshte thuajse flat ne Google ngram…
Durimpaku, më duket se është e nevojshme të bëj një sqarim, pavarësisht se në tekst diç kam shkruar. Ndaj, pa dashur të të sfidoj durimin:
Së pari, ky nuk është një studim mbi sasinë e leximit të Marx-it në Shqipëri, por vënie në dukje e një gap-i në botime. Gap i cili, në mendimin e autorit, nuk ka përse të jetë.
Së dyti, kurrkund nuk pohova se ka një rritje të interesit për të lexuar Marx-in në Shqipëri. Shkrova se duke pyetur disa prej bukinistëve që unë, për arsye të miat, zakonisht frekuentoj (nuk kam dhënë një shifër por le të themi nja 7 apo 8 në qendër të Tiranës) më është thënë në të gjitha rastet se librat e këtij autori shiten me sukses. Ata nuk mbajnë statistika e unë nuk mund të vilja kësisoj të dhëna. Bukinistët zotërojnë kopje të botimeve para-1990, çka më çon tek pika e parë. E që gjithsesi nuk e thashë këtë gjë si diçka written in stone.
Së treti, gjithmonë duke iu referuar pikës së parë, shkrova se një mosprani e librave të këtij autori në tregun e parë librashitës (aty ku zakonisht studentët pajisen me libra, e që janë libraritë) me siguri prek trajtimin universitar të këtij autori. Sigurisht që mbeten “tregu” i bibliotekës, bukinistët e përmendur më sipër, apo last restort rrjeti virtual. Megjithatë, duke qenë se, pa kaluar tek këto të tjerët, libraritë kanë me bollëk emra po aq të njohur sa Marx-i (kudiunë, Smith, Durkheim, Machiavelli, e po them edhe ish-kancelari i Rajhut III) përse të mungojë mendimtari me origjinë nga qyteza e Trierit? Një burim më pak pajisje bibliografike me siguri që shkon dhe dëmton qasjen ligjërimore në auditore. Së paku nga ana sasiore. Së paku nga ana krahasimore.
Sidoqoftë, kur them se Marx-i ligjërohet më pak (shumë më pak në të vërtetë) në universitete shqiptare se në sivëllezërit perëndimorë, i referohem edhe fondeve të bibliotekave nëpër fakultete (aty ku këto janë të hapura jo vetëm de jure), syllabus-eve të shumë lëndëve në lëmin e shkencave sociale dhe humaniste, e në përgjithësi një fryme gati armiqësore ndaj çfarëdolloj përdorimi, qoftë dhe ilustrues, të literaturës marksiste. Natyrisht ka përjashtime të vogla dhe domethënëse. (Shembull: në Fakultetin e Shkencave Sociale, UT, zhvillohet prej tre vitesh një lëndë fakultative me titull Materializëm historik, ku shqyrtimi i gjithë traditës marksiste – sidomos i asaj të quajtur “perëndimore” (Lukács, Gramsci, Benjamin, Adorno etj.) – zhvillohet rregullisht.) Ndonëse hyjnë në atë kategori të përjashtimeve që veç vërtetojnë rregullin.
Te faleminderit,
ja edhe nje ide interesante, studimi i silabusave. Pyes veten sa prej pedagogeve te UT kane pare ndonjehere me syte e tyre silabus, se te paktet jane ata qe kane bere vete nje te tille (hiq gjithmone ata dy-tre pedagoge te shkencave sociale).
Nuk e di a njeh Aristotel Panon – nuk besoj se ka shkruar gje te vlefshme, por dic ka bere per Marksin ne 2002. F. Leka ka perkthyer nje liber Zh. Marks :), 2008.
Pastaj, ja ku e permende, literaturen neo-marksiste, e pershtatshme per problemet e shek. XXI. Ata djemte revolucionare kane perkthyer Foucault, Gramsci (e ke perkthyer ti me duket) … nuk besoja se e kish perkthyer njeri Adornon, por ja qe e paskan ne vitin 2009, G. Vyshka dhe A. Anxhaku. Ky nuk kuptohet as ne gjuhen e nenes se vete, keshtu qe nuk e di si kane shpetuar gjalle ata te dy.
Për rastet konkrete që përmend.
Librin e prof. Panos e kam parasysh. Më shumë se për Marx-in, në qendër të tij është një rrahje, ku antologjike, ku manualistike, e kontributeve të disa prej emrave më të njohur të shkencës ekonomike. Libri i bashkëshortes së Karl-it, pastaj, është një kontribut në studimet biografike (si burim i dorës së parë), por jo dhe aq diçka që ka lidhje me mendimin marksian – për ta dalluar nga ai marksist, që i përket pasuesëve (të vërtetë a të rremë) të Marx-it.
Gjithsesi, rithehem tek thelbi i çështjes – e që ka të bëjë me mungesën e (ri)botimeve në shqip të vetë veprave të këtij personazhi; që, me ç’duket dhe nga ky thread, nuk është se kalon pa u vënë re si autor. Kjo nuk do të thotë se nuk ka botime të këtij apo atij autori me frymëzim marksist (po shtoj emrat e Benjamin-it, të Horkheimer-it, të Agamben-it, apo Zizek-ut, të botuar në shqip; ndërsa Gramsci jo më shumë se nja dy përmbledhje artikujsh rinorë, si dhe një botim i hershëm – në vitet 1960, në mos gaboj – i një përzgjedhjeje të letrave të tij nga burgu fashist).
Keto diskutimet per Marksin mua me duken po aq pa buke sa te vazhdosh te diskutosh nese toka eshte e sheshte. Megjithate… Ja ku jemi!
Marksi eshte teper i nderlikuar per tu lexuar .Edhe atehere kur kishte institucione e shkolla te vecanta per studimin e vepres se tij numri i shqiptareve qe kane lexuar dhe kane kuptuar ate qe kane lexuar prej vepres se tij ne menyre bujare mund te numerohet me gishtat e nje dore.Eshte filozofi me i permendur i globit e megjithate 99.99% e njerezve debatojne mbi te duke gjykuar nisur nga ato qe kane degjuar second apo third hand nga ata te ngeshem qe e kane studiuar.Ka dy ane te marksit;revolucionari dhe ekonomisti.Vendet komuniste u perqendruan ne anen e tij revolucionare .Ne kohen e tij duhej te ishe pa shpirt, psh te shikoje shfrytezimin e grave dhe femijeve e te mos revoltoheshe .Marksi ishte vetem nje prej revolucionareve te shumte te asaj kohe .ky lloj kapita;izmi vdiq ne vitin 1930, ashtu si parashikoi ai.Po te ishte ky aktiviteti i vetem i Marksit ai do te ishte harruar .
Kontributi i tij i vertete eshte analiza e kapitalizmit .Disa nga parashikimet e tij u vertetuan nga koha .Recetat qe dha per zgjidhjen e problemeve dolen eksiq.Sa per record ai ka shkruar shume pak mbi socializmin e komunizmin.
Gjithcka eshte tek ajo fjalia “në kohen e tij duhet të ishe pa shpirt të shikoje grate e femijet qe shfrytezoheshin e mos revoltoheshe”.
Për të kuptuar nje vend (në kete rast Shqiperine, meqe jemi shqiptare), duhet të kuptosh boten (por jo boten në kuptimin gjeografik, por në kuptimin abstrakt – frengu e quan ‘le monde’). Por qe të kuptosh pra ‘boten’ (në shqip e themi: boten në të cilën jetojme’) duhet të kuptosh forcat themelore në aktivitet. Por forcat themelore (amà themelore, sepse ka dhe dytesore, sigurisht) nuk janë as fetë, as kulturat, as ideologjite. Jo. Janë klasat sociale (ose shoqerore, më shqip) : po njohe klasat shoqerore (e për rrjedhoje, raportet e tyre), automatikisht ke kuptuar nje vend.
ilustrim: sot gazetat me te medha franceze kishin botuar nja peticion të nenshkruar nga plot e plot personalitete (për boten pas krizes se koronavirusit bla bla bla…). Dhe ajo qe të binte në sy (si zakonisht xhanem) ishte se emra të kulturave, ideologjive, vendeve, besimeve fetare TË NDRYSHME, rrinin ngjitur e ngjitur me njeri-tjetrin: peticioni në fjale ishte nenshkruar nga 200 persona si psh Carla Bruni-Sarkozy, Robert De Niro, Albert Fert (Nobel në fizike), Pedro Almodovar, Paolo Conte, Jacques Dubochet (Nobël në kimi), Jane Fonda, Claude Makélélé, Anish Kapoor, Madonna etj etj), emra qe kanë të perbashket klasen e tyre shoqerore (zakonisht në kësi rastesh eshte dhe Kadareja yne, dhe kete e them pa paragjykimin me të vogel, por si nje realitet).
Te gjithe ketyre intelektualeve “frëngj” u duhet dhene me detyrim leximi dhe konspektimi I ketij librit. Pastaj u duhet thene ta rishkruajne letren. Po kush do lexoje thuaj. Madonna apo Ledi Gaga.
https://www.amazon.ca/dp/B073RQ6SZZ/ref=cm_sw_r_apa_i_e6TSEbXZ7M906
Shumekush qe predikon absinence eshte dealer i ndonje droge tjeter.
Dil nga filmi bardh e zi! Konstrukti i shoqerise si klasore, e parapelqyer nga kinemaja se i shkon shtat teknikes narrative dhe kinematografike, p.sh. rikonstruktit te dynjase, rrefimit disa shtresor apo zhvillimit bardh e zi te karaktereve, eshte nje prej shume koncepteve. Me bindes eshte kaosi. Ndarja klasore, nje veshtrim darvinist, nuk po them pseudo-shkencor pse shkenca eshte vete nje rikonstrukt i botes, eshte thjeshte nje kendveshtrim.
A mund te filmohet, regjistrohet kaosi? E pamundur nese me pyet mua- patjeter – do thoshte David Lynch.
Ti ngaterron ekzistencen e klasave shoqerore me LEVIZSHMERINE e tyre. Askush nuk e mohoi atë. Amà të mohosh klasat shoqerore, eshte njesoj sikur të mohosh ekzistencen e planeteve.
ps: sociologji quhet shkenca qe merret më studimin e tyre, meqe ra fjala.
Defekti kryesor i qasjeve te tilla si kjo e autorit eshte besimi se prania e nje fenomeni kulturor ne nje komunitet te caktuar eshte e pashmangshme, ose me mire, e destinuar, dhe mungesa e kesaj pranie eshte nje anomali qe duhet analizuar.
Perpjekja, pastaj, per te analizuar mungesen e nje fenomeni kulturor eshte, besoj, nje perpjekje e cuar dem, si per ate qe e merr persiper, edhe per ate qe e ndjek.
Ka aq shume te panjohura mungesa e pranise se nje fenomeni kulturor saqe analiza per kete mungese eshte pak si ato librat e “alternate history” – argetues si spekulime, por me pak vlere didaktike.
“Shumekush qe predikon absinence eshte dealer i ndonje droge tjeter.”
E vjeter kjo. Qe nga koha kur thuhej se bota ndahet ne homoseksuale te hapur, dhe ato qe I shajne dhe qe jane vete homoseksuale te fshehur. Kete llogjike e vrau pyetja: si lindet nje homoseksual?
Që botuesit në Shqipëri mund të kenë paragjykime ndaj Marksit dhe marksizmit kjo nuk do të thotë që shkaku i mosbotimit të veprës së Marksit nga këta botues është detyrimisht paragjykimi i tyre ndaj Marksit. Po ashtu, unë e kam të vështirë të besoj që botuesit në Shqipëri të kenë siklet apo frikë nga botimi i Marksit – se mund t’u dalë nami i keq – kur atyre nuk ua bën syri tërr të botojnë lloj lloj libra radikalësh, bufonësh dhe torollakësh – komunistë, enveristë e fashistë bashkë – mjafton që mbivlera të mos mungojë.
Për më tepër tani që jemi edhe te Marksi dhe kapitalizmi, shkaku i parë që mua do të më shkonte në mendje për refuzimin e botuesve borgjezë për të botuar Marksin do të ishte mungesa e një tregu shitjeje mjaftueshëm të madh të librave marksistë për t’i siguruar botuesit kapitalist një fitim të kënaqshëm nga ky aktivitet ekonomik. Besoj se autori e di që vepra e Marksit nuk ka qenë asnjëherë një libër për masat, por për një elitë intelektuale relativisht të vogël në numër.
Pastaj, kur vepra e Marksit nuk do të “kushtonte pothuajse fare” dhe është “e përveshur nga të drejtat e autorit” natyrisht që lind pyetja se për çfarë arsyeje marksistët shqiptarë nuk e marrin në dorë vet këtë punën e botimit? Një grant diku do të gjendet për këtë punë… Ose, më mirë e më lirë akoma, përse nuk i hedhin veprat e Marksit online, siç kanë bërë enveristët me veprat e Enverit? Gratis për të gjithë, përjetësisht në world wide web.
E kam të vështirë t’i mendoj marksistët në rolin e viktimës të kapitalistëve shqiptarë që nuk ua botojnë veprën e liderit; nuk ngjit hiç dhe përveç të tjerave, është edhe qëndrim fare jomarksist. Jo për gjë tjetër, por kështu mund t’u lëkundet edhe bindja marksiste kur na dalin borgjezët shqiptarë si kapitalistë gjithë skupuj… prandaj ndoshta duhen kujtuar këtu disa fjalë të një marksisti fare të paskrupullt, për t’ua hequr çdo dyshim: “Kapitalistët kanë për të na shitur edhe litarin me të cilin ne kemi për t’i varur.”
L.A. shkruan:
L.A., ky argument i mbivlerës së Marksit është provuar si pa baza nga teoria ekonomike prej mëse 100 vjetësh; nga zbulimi i modelit të përcaktimit të çmimit sipas kërkesës dhe ofertës nga Marshall, te suksesi i Teorisë së Vlerës Margjinale dhe përfundimisht që kur Teoria e Zhvillimit Ekonomik e Schumpeter u dha përgjigje pyetjeve të vlerës, fitimit dhe interesit që kishin preokupuar Marksin dhe shumë të tjerë para dhe pas tij. Për më tepër, janë edhe 150 vite që nga botimi i parë i Kapitalit që e kanë rrëzuar në praktikë teorinë e mbivlerës marksiane, sipas përfundimit logjik të së cilës ne sot duhet të vegjetonim të gjithë – përveç kapitalistëve, natyrisht – në minimumin e ekzistencës, aty afër me proletarët në kapitalizmin e Mançesterit të Marksit.
Nuk e di cfare mund te komentoj njeriu per shkrimin e mesiperm, sepse kap vetem pak perciptas problemin e “perndjekjes” se sotme te atyre qe njihen me Marks-Engelsin. Ndaj po sjell shkurt vetem dy ngjarje te perjetuara. Njera dje: cuni im 16-17 vjec, mos-lexues klasik (pervec pak librave), i njohur me gjithshka vetem permes internetit, me tha dje, se ai do e lexonte Manifestin e Marksit (!) dhe do i bente nje kritike te hatashme, pra do me fishkullonte edhe mua. Normale per moshen e tij ky entuziazem paksa mburracak. Cfare ti thosha?! Mire i thashe, me shpresen qe ai te nise te lexoje gjithshka e te rezultoje vete me mendjen e tij, packa se mund te me kundervihet mua “marksistit” te regjur! Ngjarja tjeter aty nga 1992-93, me erdhen ne Gjermani me poste nga Shqiperia disa nga librat e bibliotekes time. Me erdhi nga dogana e qytetit letra per te shkuar e ti pare pakot. Shkova pa e kuptuar se c’pune kishte dogana me libra! Cfare jane, tha zyrtari. Libra, i thashe. Na duhet ti shohim, tha. Dhe i hapem dhe i nxorrem, te gjithe librat e Marksit dhe Engelsit. U bene dy-tre pyetje te rendomta; pergjigjet e mia ishin edhe mw te rendomta. Ndjeva se per punonjesin e doganes situata nuk dukej aq normale, per mua ishte nje monotoni bezdisese dhe e pakuptimte. Nuk genjej po te them, se vetem pasi u largova me pakot e mia te librave e kuptova, se ata jo vetem i kishin ditur cilet libra gjindeshin ne pako, por edhe do kene pritur te shihnin shenja te elementeve terroriste majtiste tek mua.
Ja, ne te dy ngjarjet e kisha te veshtire te pergjigjesha, ne rastin e dikurshem s’me vjen keq, ne te djeshmin me vjen keq, por s’kam mundesi, sepse im bir eshte produkt i shoqerise dhe kohes se sotme.