NA BIRTË DHE BIJAT E SHEKULLIT TË RI

Janë të shumta ndjesitë që zakonisht përjetoj në lidhje me Shqipërinë: dhembshuri, dashamirësi, nervozitet, tërbim, gëzim, dëshpërim, dashuri, urrejtje, mall por asesi krenari. E kam të vështirë në mos të pamundur, ta kuptoj ndjenjën e krenarisë këtu. Por e kuptoj dhe e respektoj pafundësisht ndjenjën e detyrës dhe respektit ndaj vendit ku qëllova të lind dhe ku jetoj. Unë e dua jetën, e dua lirinë, të bukurën, të mirën, të drejtën dhe arsyetoj që nuk mund të bëhen kompromise mbi to. Nuk ka asgjë më të shenjtë se liria! Dhe liria nënkupton përgjegjësi. Është detyrë e gjithsecilit prej nesh ta mbrojmë dhe ta përmirësojmë hapësirën ku jetojmë dhe kam kuptuar që armiqtë më të egër, më të paparashikueshëm, janë armiqtë e brendshëm, ata që dalin nga rradhët e shoqërisë ku bëjmë pjesë dhe na imponohen me dhunë duke na zhvatur nga të drejtat që na takojnë, nga dinjiteti dhe njerëzorja.

Po lexoja deklaratën e nënshkruar të pavarësisë së Shqipërisë (1912) dhe gjithë sa mund të ndieja ishte keqardhje për faktin se pas të gjitha tragjedive dhe peripecive që Shqipërisë i është dashur të kalojë këto 104 vite, AJO gjendet sot e mjeruar, në skamje (jo varfëri); në dëshpërim, në injorancë; e zhvatur, e shitur, e përdhunuar, e nënshtruar.

Unë refuzoj të jetoj në një vend ku vajzat dhe gratë dhunohen e vriten pse kanë lindur femra. Unë refuzoj të jetoj në një vend ku djemve dhe burrave u kërkohet të ndrydhin emocionet dhe si metër burrnie të kenë penisin dhe ushtrimin e forcës fizike ndaj më të dobtëve dhe njëri-tjetrit. Unë refuzoj të jetoj në një vend ku dashuria i njihet vetëm çifteve heteroseksuale. Unë refuzoj të jetoj në një vend ku në fuqi është edhe kushtetuta edhe kanuni. Unë refuzoj të jetoj në një vend ku ligjet nuk zbatohen dhe gjykatat luajnë thjesht rol fiktiv. Unë refuzoj të jetoj në një vend të pisët, me plehra, me gropa plot lluc, me beton dhe pa parqe, pa lule, pa ajër; me erëra të ndyra fekalesh dhe tymrash. Unë refuzoj të jetoj në një vend ku kryetari i bashkisë shpalos flamurin kombëtar dhe këndon himnin brenda një kantieri ndërtimi duke na premtuar ndërtimin e më shumë kantierëve të tillë. Unë refuzoj mbi të gjitha të jetoj në një vend analfabet dhe injorant ku shkollat dhe universitetet t’i zbrasin edhe ato pak mendime që mund të kesh kultivuar, në vend që të të ndihmojnë t’i strukturosh idetë dhe të të orientojnë drejt të menduarit. Unë refuzoj të jetoj në një vend ku fëmijët shfrytëzohen në punë dhe pastaj vriten. Unë refuzoj të jetoj në një vend ku kryeministri të cilit i jap votën më fyen, më poshtëron dhe tenton të më mbyllë vazhdimisht gojën me çdo mjet. Unë refuzoj të jetoj në një vend ku kriminelët dhe të paaftët vendosin për të ardhmen time. Unë refuzoj të jetoj në një vend ku në spitale s’ka ilaçe dhe sëmuresh (edhe) nga papastërtitë. Unë refuzoj të jetoj në një vend kur në vitin 2016 poezitë e Migjenit në vend se të sherbejnë si dëshmi letrare dhe historike për një periudhë të errët të Shqipërisë, më përshkruajnë hollësisht aktualitetin. Unë refuzoj të jetoj në një realitet migjenian!

Unë dua të jetoj në një vend të lirë, të drejtë, të pastër, të bukur; në një vend inteligjent dhe të kulturuar; në një vend që ta quaj me plot gojën shtëpi. Dua të jetoj në një vend me lule dhe dashuri; në një vend ku buka, frutat dhe zarzavatet nuk mungojnë në tavolinë; ku poezia, kënga, filozofia dhe artet nuk janë luks, nuk janë ëndërr!

Sado e fortë të jetë shtypja pra, akoma më e fortë do të jetë rezistenca ndaj kësaj shtypjeje. Na jemi birtë dhe bijat e shekullit të ri dhe si të tillë nuk do të pranojmë mbi kurriz poshtërsitë dhe dhunën ndaj së cilës brezi i prindërve tanë u tregua i pafuqishëm, i frikësuar dhe në rastin më të keq pranoi ҫ’ju ofrua pa bëzanë e në rastin më të mirë përfundoi burgjeve ose me ndonjë plumb ballit. Ne s’na ka mbetur ҫ’të humbasim më. Mendjet shëndoshë, trupat shëndoshë dhe plot energji siҫ jemi do të luftojmë të shporrim kriminelët nga postet drejtuese dhe ta shndërrojmë këtë vend nga një shtet të mafias në një shtëpizë të ngrohtë e të sigurt për gjithsecilin, një shtëpizë të zhvilluar e plot dinjitet, të gatshme vetëm atëherë për t’iu bashkangjitur simotrave europiane.

 

2 Komente

  1. Tingellon pak si pamflet, por me sa kuptoj autorja ka dashur te paraqese nje lloj reflektimi personal mbi historine e ketyre 104 vjetve te fundit te Shqiperise. Dhe kjo e ka bere mjaft pesimiste. Nuk eshte se nuk ka te drejte, edhe pse jo ne çdo gje, edhe pse deshperimi saj zhytet deri ne nuanca te thella te se zezes, edhe pse disa probleme per te cilat flet nuk jane vetem te Shqiperise. Por pas 104 vjet historie te nje vendi ne zemer te Evropes, problemi duhet ngritur pak me ndryshe: Inventari i sotem shpirteror e marerial i shqiptarve nuk eshte se ne thelb ndryshon nga ai i paraardhesve tane 2000 a 2500 vjet me pare. Sikunder sot edhe atehere shihnim me deshperim e frustacion zhvillimet ne bregun tjeter te Evropes, enderronin karten qyterise romake (praktikisht evropiane), degjonim per diskutimet e sterholluar juridike dhe funksionimin e ligjeve, autoritetin e pushtetit, cirqet, shfaqjet madheshtore, por edhe forcen e tribuneve te popullit, mundesite pa fund per te zhvilluar talentin, shperblimin korrekt per punen e bere… etj. Disa merrnin ne sy rrezikun e çanin e iknin (jo ne kushte fort te ndryshme), disa i hynin piraterise, se nuk i duronin dot ato anijet e ndarkuara me mall qe benin rrugen brindizi Igumenice!

    E,pra, meqe pak gjera kane ndryshuar, qe prej dy mijevjeçaresh (ta marrim si kohe prove qe i lame vetes ne dispozicion); ka ardhur koha te shtrohet pyetja: a kemi dispozita bio-qytetare per te shkuar me tej, per t’u ngritur me lart. Personalisht kisha nevoja per rezultat e ketyre viteve te fundit, kur ne pushtet erdhi nje brez disi me i distancuar nga e kaluara dhe mjaft repulsiv ndaj aksionit politik te 20 viteve te para pas shembjes se regjimit komunist. E, pra, gjithçka tregon se u riciklua vetem çeta e uzurpatorve te rradhes . Lidhjet e krimit me politiken vetem se u forcuan, paraja e ndyre hyri me thelle ne strukturat ekonomike, duke i lene pak ose aspak vend parase se ndershme, idealistet mungojne ose nuk guxojne te nxjerrin as hunden ne shesh.
    Del pyetja se çduhet bere? Me sa duket, arma me e fundit e te papushteteshmeve e atyre qe vuajne dhunen e pushtetit, mbeten tubetat me salce domatesh. Nuk eshte normale, ata duhet t’i ruhen ligjit, por ne Shqiperi ligji eshte vegel e pushtetit. Pra, çdo shqiptar duhet te kete ne xhep nje tubet salce. Si kusht i pare i reflektimit per t’i afruar me realitetin, eshte thyerja e krenarise se rreme te pushtetarve. Se ata jo vetem jane pushtetare te keqinj, por me revoltuese mbetet krenaria me te cilen shfaqen ne publik, thua se pa ta vendi do fundosej brenda dites. Natyrisht, ata mendojne se ne nuk i meritojme si pushtetare, por tubetat e salces do t’u japin te kuptojne se ne nuk i duam si te tille.
    Mbetet pastaj te besojme se do te vije nje klase tjeter politike qe do te kuptoje se ardhja ne pushtet nuk eshte qellim ne vetvete, se aty vetem se fillon, tha …
    Pastaj te presim sa te kalojne edhe nja dy mije vjet te tjere dhe te piqemi per nje bilanc te fundit. Diçka do te kete ndryshuar, besoj!

  2. Sado e forte shtypja – thote autorja- aq me e forte do jete rezistenca ndaj shtypjes.
    Ligji fizik thote qe do jete e barabarte, po kjo s’ka rendesi, thjesht aplikimi i ligjit fizik si metafore duket interesant.
    Teorikisht nese e aplikojme i bie qe s ne i pergjigjemi me emigrim. Sa me shume na shtypin, aq me shume emigrojme.
    Enveri e ndaloi emigrimin, keshtu qe nuk kemi si ta dime sa te shtypur kemi qene ne vitet 50-70, ama qe kemi qene te shypur ne vitet 80 e tregon emigrimi sapo u hapen kufijte. Me tej emigrimi i vazhdueshem deri me sot tregon qe shtypja s’ka marre fund.
    Sigurisht qe emigrimi vjen edhe sidomos nga shtypja/presioni demografik, por presioni demografik eshte gjithnje simptome e paaftesise se pushtetareve per te garantuar punesimin e te rinjve, perndryshe emigracioni eshte fenomen aventurieresh e te perndjekurish gjithfaresh.

    Te vime rek rezistenca ndaj shtypjes ne kuptimin e trajtuar nga autorja. Nqs shtypja do vleresohej nga rezistenca atehere do te thuhej qe shtypje ne Shqiperi nuk ka fare, se rezistenca eshte zero,dmth 0.
    Kur reziston pala tjeter neper sheshe ajo nuk eshte kunder shtypjes, po lufte per te pasur mjetet e shtypjes ne kontroll.

    Nuk kemi te bejme me apati, mungese kulture, probleme kulturore e mendore, por jane gjerat qe ndodhin shume shpejt qe te kemi kohen e duhur per pershtatje.
    Nje bashkesi ka nje force te jashtezakonshme inercie ne krahasim me individin, i cili (individi mesatar) gjithsesi qe te ndryshoje ka nevoje per shume kohe, vite.
    Kjo force e madhe inercie do shume dekada qe te ”frenoje” e ndryshoje drejtim. Keto dekada do jene tranzicioni, te mos harrojme qe kolektivizimin Enveri e beri vetem ne vitin 1981, pra 36 vjet pasi mori pushtetin, vetem atehere u krye faza e fundit e shtetezimit, pra s’kishte me asgje tjeter per t’u shtetezuar ( nqs banesat do perdoreshin per qera, do i shtetezonte edhe ato). Megjithese komunizmi duhet pranuar si sistem i konsoliduar me kooperativat ne vitet 60.
    Te mos flasim per Zogun qe ne 14 vjet, s’kishte kohe te mposhte inercine e 5 shekujve Turqi.

    Tani kemi inercine e komunizmit, por forcen s’e kuantifikojme dot qe te kuptojme kur mbaron. Anipse mund te pranohet se ekonomikisht kemi kapitalizem ne konsolidim e siper, mungon vetem ligji i prones (absurditet me i madh se kapitalizem pa nje ligj prone s’behet, po ja qe ne bejme çudira).

    Nga ana tjeter demokracia dhe shteti i se drejtes, ka te beje me inercine e mijera vjeteve shtet ne keto troje, qe nga mbreti Bardhyl deri tek mbreti Edi, duke kaluar permes dhjetera e qindra mbreterish, perandoresh e sulltanesh qe kane qeverisur, te cilet po te qeverisnin sot do quheshin maskarenjte me te medhenj qe ekzistojne (perjashtojme Skenderbeun se na duhet nje i mire, sikur per syrin e keq, ndersa per I. Qemalin themi se i kishte duart lidhur dhe realisht nuk qeverisi dot).

    Pra, kjo force inercie eshte kaq e madhe dhe e pallogaritshme, sepse ka nderhyre ne cdo cep te konceptimit te pushtetit, ka hyre tek gjuha, tek zakonet, tek rrefenjat, me pak fjale kudo te rrotullohesh, keshtu qe 25 vjet nuk duken shume. Fakti qe Enveri ishte aq diktator dhe aq jetegjate, 40 vjet pushtet, e perkeqeson situaten meqe individe kaq afatgjate ne pushtet lene gjurme ne kulturat politike te vendeve pasi merren si modele suksesi nga pasardhesit (jo menyrat si vriste, por si i trajtonte vartesit, ceshtjet imediate, si fliste,si xhestikulonte etj).
    Pra Enveri i shton ca vite forces se inercise dmth tranzicionit nga xhepi i tij.
    Fakti qe ne kemi emigruar kaq shume eshte ne favorin e shkurtimeve te viteve te tranzicionit.

    Kalimi nga absolutizem ne demokraci i ka kerkuar shume kohe edhe vendeve perendimore (shekuj oligarki Anglise, 1 shekull revolucionesh Frances,1 shekull thuajse oligarkie Italise), ose ka pasur si ne rastin gjerman avantazhin qe s’ka dashur edhe revolucion ekonomik, pasi ka qene superfuqi ekonomi qysh ne absolutizem.

    Ne duhet te krahasohemi me shtetet rrumpalle te Ballkanit dhe aty shohim se nuk jemi edhe aq keq, thjesht mund dhe duhet te ishim me mire si pasoje e efektit pozitiv te emigracionit masiv e me shume duhet germuar pse emigracioni nuk i dha pasojat pozitive ne gjithe vleren e tyre.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin