PSE EVROPA ËSHTË BASHKIM I DËNUAR?

nga Edon Qesari

1.

Bashkimi Evropian gjendet sot më shumë se kurrë përpara një ngërçi epokal, i cili përfaqëson kontradiktën themelore që e ka shoqëruar ecurinë e tij gati 70-vjeçare. Thënë ndryshe, ky master plan liberal shtetesh është zhvilluar në dy drejtime të ndryshme, nga pikënisje katërçipërisht të kundërta njëra me tjetrën, por që në 30 vitet e fundit kanë shënuar dy trajektore të ngjashme e të cilat sot rrezikojnë t’i çojnë drejt përplasjes (siç rreket të tregojë skica 1 më poshtë).

Nga njëra anë, Bashkimi Evropian është një krijesë artificiale që ka për qëllim, përmes politikash komunitare, të zbehë autoritetet e ndryshme shtet-kombëtare të anëtarësisë së vet; duke i hapur një shteg, kësisoj, synimit historik për ndërtimin e një organizmi mbikombëtar, një lloj “Shtete të Bashkuara të Evropës”. Përkundër, Bashkimi Evropian është njëkohësisht një organizëm ndërkombëtar i mirëfilltë, i cili nuk shkon më larg se servirja e një tavoline bashkëbisedimi për përbërësit e vet; çka thekson, sigurisht, prirjen bashkëpunuese që kjo tavolinë kërkon të nxisë tek pjesëmarrësit në të, përmes politikash ndërqeveritare që nuk anashkalojnë rëndësinë e pamohueshme që ka secili prej shteteve në mbajtjen në këmbë të asaj tavoline.

Skica 1. Ndërsa politika komunitare është e përqendruar në duart e Komisionit Evropian, vendimet e tjera (si p.sh. hapja e negociatave me një vend aspirant) vendosen nëpërmjet Këshillit Evropian, në të cilin mblidhen krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare.

 

Evropa e bashkuar, në këtë kuptim, ka dy trajta (komunitare dhe ndërshtetërore) të cilat vështirë se përputhen mes tyre dhe për më tepër, rrezikojnë të shkojnë drejt përplasjes, pasi asnjëra nuk është e gatshme të hapë rrugë për hir të tjetrës. Që do të thotë se Bashkimi Evropian, që nga viti 1951 kur u hodh fara e krijimit të tij, është përpjekur vazhdimisht t’ia ulë peshën shteteve kombëtare; e nga ana tjetër, në mënyrë të vazhdueshme, për vetë strukturën që ka, ua ka fuqizuar pushtetin vendimmarrës përkatës. Për çdo hap historik që bëhet në drejtim të krijimit të një vullneti mbishtetëror – pra, përtej palëve kombëtare – një nismë e këtij lloji pashmangshmërisht shoqërohet me kufizime ndërshtetërore.

Ndonëse, duhet sqaruar se vullneti për të mos ulur kokën përpara kundërshtares nuk është e vetmja veti që i karakterizon secilën nga këto dy prirje politikash. Pasi vullnetin mund ta kenë të njëjtë, por fuqia i dallon thelbësisht njëra prej tjetrës. Që nga viti 2008 dhe kriza financiare që e ndoqi, është e dukshme se trajta ndërshtetërore ka marrë të tatëpjetën mbi atë komunitare; e se gjatë dekadës së fundit, Bashkimi Evropian është kthyer gjithmonë e më shumë në një bashkërendim ndërqeveritar, ku instancat komunitare, mutatis mutandis, kanë pësuar dobësim. E kur gjërat zhvillohen sipas një skeme të tillë shkëmbyese, është e pritshme që vullneti i shteteve më të fuqishëm – fuqia e të cilëve mund të matet sipas kriteresh të ndryshme, por kund tjetër është thelbi – të mbizotërojë mbi vullnetin e shteteve më pak të fuqishëm. Veçanërisht kur arka është e përbashkët, e akoma më tepër kur çelësi i saj kalon në vetëm pak duar.

Ngërçi që përmendëm në fillim ka ardhur duke u ngurtësuar pikërisht në fushën e ekonomisë; pra, pikërisht aty ku, në fillim të viteve 1990, gjykohej se komunitarizmi ishte në fazë aq të përparuar sa Komuniteti Ekonomik Evropian (siç quhej zyrtarisht) mund të përparonte drejt një Bashkimi Evropian më të përgjithshëm.

E vërteta është, megjithëkëtë, se 30 vite më vonë Bashkimi Evropian gjykohet si i tillë, pra bashkim, në fushën e ekonomisë; por është i paplotë dhe goxha i cunguar në fushën e drejtësisë dhe sigurisë kolektive, e është tërësisht i mangët në atë të politikës së jashtme. Pasi nuk ka NJË politikë të jashtme evropiane, e sot më shumë se kurrë duket sheshit se ato SHUMË politika të jashtme vendesh anëtare, si lone wolves apo nëpërmjet aleancash aspak të përjetshme, as që kanë ndërmend t’ia lenë stafetën një vullneti mbikombëtar apo komunitar.

Një realitet i tillë na shtyn të mendojmë, në mos për një dështim, së paku për një goditje të rëndë në kuadrin ideologjik të etërve themelues të Bashkimit Evropian – të ashtuquajturit funksionalistë, siç ishin figura të kalibrit të Jean Monnet-së apo Robert Schumann. Për ta, që ishin njerëz me këmbë në tokë (siç dhe me defter në dorë), një Evropë e bashkuar nuk mund të ngrihej përmes projektesh të mëdha federaliste, ndërkaq që mosbesimi mes vendesh që sapo ishin kacafytur në fushëbetejat e Luftës II Botërore mbetej ende i madh. Paqja dhe bashkëpunimi mund të vinin vetëm si rrjedhojë e integrimit të disa sektorëve kyç (siç qe rasti i industrive të çelikut dhe qymyrit) suksesi i pritshëm i të cilëve mund të shtynte të tjerë sektorë (si industria e rëndë e mandej diplomacia etj.) të shkëputeshin nga sovranitetet kombëtare dhe t’i bashkëngjiteshin një autoriteti unik mbishtetëror.  Evropa e bashkuar mund të ishte pra proces, si dhe mision, kurrsesi vendim arbitrar, sado fisnik në qëllime.

Duket se drejtimi që po ndjekin zhvillimet aktuale shkon në kundërshtim të plotë me frymën liberale të funksionalistëve,. Fuqizimin e vullneteve shtetërorë në dëm të aspiratës komunitare e nxori në pah pikërisht gjendja e nderë në të cilën dergjet Bashkimi Evropian si pasojë e përhapjes së epidemisë COVID-19. Ç’është më e rëndësishmja – por dhe më domethënësja për qëllimin fundor të këtij shkrimi – gjysma e parë e vitit 2020 dhe kataklizma ekonomike që pritet ta pasojë po tregojnë se as ekonomia evropiane nuk është aq komunitare sa ç’shitet; e se dhe këtu, përpos synimit a realizimit të një tregu të përbashkët, mbisundon vektori ndërshtetëror, pra i politikave egoiste shtet-kombëtare që, në rastin më të mirë, kanë shpresë të vetme gjetjen e një gjuhe të përbashkët (rrallë e mundur, për ironi të fatit, aty ku fliten zyrtarisht plot 23 të tilla). Kriza e emëruar COVID-19 sa e mediatizoi një problematikë të tillë, e cila, për hir të së vërtetës, është e shkruar me gjak në tërësinë e dokumentacionit kushtetues evropian.

 

2.

Le ta nisim më së pari me një paraqitje të përgjithshme ilustruese të ujërave në të cilat lundron ekonomia evropiane. Nga njëra anë, mund të shohim se një pjesë e anëtarësisë së Bashkimit Evropian ka hequr dorë nga sovraniteti mbi monedhat kombëtare, duke komunitarizuar politikat monetare që prej vitit 2001, kur Euro u hodh në qarkullim. (Në Eurozonë nuk janë të përfshira vendet që nuk kanë dashur të heqin dorë nga ky aspekt i rëndësishëm i sovranitetit kombëtar, si Danimarka apo Suedia, por dhe vende që gjykohen si të papërgatitura për një hap të tillë, si Rumania apo Bullgaria.) Kjo do të thotë se asnjë prej këtyre vendeve nuk ka më autoritet mbi shtypjen dhe shpërndarjen e monedhës – e si pasojë mbikëqyrjes së inflacionit – pasi një pushtet i tillë i ka kaluar një institucioni mbishtetëror të krijuar enkas, Bankës Qendrore Evropiane.

E njëjta gjë nuk ndodh me një tjetër fushë të qeverisjes së ekonomisë, që është politika fiskale, të lidhur në mënyrë të pandashme me atë monetare. Kësisoj, vendet e Eurozonës (e kuptohet, edhe ata jashtë saj), pavarësisht se pjesëtarë të një bashkimi monetar, zbatojnë gjithsecili politika të përveçme në rrafshin e financave publike. Thënë shkurt, e duke marrë parasysh lidhjen organike mes politikës monetare dhe asaj fiskale, Eurozona është një komunitet vendesh që nuk kanë zë mbi vlerën e monedhës së tyre (norma e interesit natyrisht që vendoset nga Banka Qendrore) por e kushtëzojnë qarkullimin e saj nëpërmjet levave fiskale. Natyrisht që ekzistojnë kritere (të ashtuquajtur “të konvergjencës”) të cilët kanë për qëllim të mbajnë në harmoni dy rrafshet – psh. secili vend, pavarësisht se ka pavarësi në politikat e bilancit, është i detyruar që ta mbajë nivelin e borxhit publik nën 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto e atë të deficitit buxhetor nën 3%; ndonëse, mekanizma të tillë (vendimmarrja mbi të zbatimin e të cilëve merret në tryezë ndërshtetërore, jo me direktivë komunitare) nuk kanë mundur kurrë të mbikëqyrin – e akoma më pak, të shmangin – përplasjen mes një politike monetare të centralizuar dhe plot 19 politikash fiskale sovrane dhe centrifugale (skica 2 shpjeguese më poshtë).

Skica 2. Ndërsa politika monetare e Eurozonës është domain i një institucioni mbishtetëror, Bankës Qendrore Evropiane, 19 vendet anëtare kanë sovranitet mbi politikat fiskale përkatëse (të ilustruara nëpërmjet shigjetave centrifugale.

 

Çka ka prodhuar një rrëmujë të jashtëzakonshme jo vetëm në bashkërendimin e Eurozonës, por dhe në vetë suksesin e komunitetit ekonomik mes vendeve evropiane. E nëse ekonomia konsiderohet si rrafshi publik më i suksesshëm, deri më sot, i integrimit evropian, ç’mund të thuhet për të tjera aspekte të jetës publike – që nga diplomacia e deri tek siguria kolektive dhe kufijtë e gjithë anëtarëve të BE-së, brenda dhe jashtë Eurozonës – të cilat janë ende larg të qenit të qeverisura nga një autoritet komunitar mbishtetëror?

 

3.

Toka e djegur që pritet të lërë pas COVID-i 19 në ekonominë evropiane ka sjellë sërish në vëmendje qerthullin e mësipërm. Vajtën disa javë që vendet më të goditura nga pandemia – Italia, Spanja por dhe Franca – po kërkojnë që Bashkimi Evropian të ndërhyjë në ndihmë të tyre. Konkretisht, këto vende, me Romën në krye, kanë shtruar mundësinë që Eurozona, si njësi komunitare (pra gjithë vendet e përfshira në të), të marrë përsipër peshën e paprecedentë të gropës ekonomike dhe të financojë borxhet publike të vendeve të prekura përmes një mekanizmi huadhënës i cili të shlyhet bashkërisht (debt mutualisation) – borxhe të cilat, duke gjykuar dëmet financiare që sektorët e ndryshëm të shërbimeve dhe prodhimit të këtyre vendeve kanë pësuar, e do të pësojnë në vijim, pritet që të prekin maja ta frikshme.

Kësaj kërkese, vende si Gjermania, Holanda, Austria dhe Finlanda i janë kundërvënë në mënyrë të prerë. Sipas tyre, nuk është e drejtë që gjithë Eurozona në mbajë mbi supe defektet e sistemeve shëndetësore të Italisë apo Spanjës, të cilat janë treguar të paafta për t’u përballur me pandeminë. Holanda në veçanti, duket se ka marrë rolin e bad guy, duke u shprehur ashpër ndaj autoriteteve italiane, të kallëzuara si përfituese të djersës së taksapaguesve të ndershëm evropiano-veriorë. Këtij qëndrimi i janë kundërvënë përfaqësuesit francezë dhe italianë, të cilët i kanë bërë thirrje vlerës së solidaritetit mbi të cilën, plot shtatë dekada të shkuara, holandezët u bënë krahas tyre pjesë e projektit evropian.

Shkëmbime pozicionesh këto, që e ka bërë edhe më të vështirë arritjen e një ujdie. Pasi, edhe nëse 19 vendet kanë gjetur tashmë një gjuhë të përbashkët për paketën që pritet të lëshohet në ndihmë të financave të gjunjëzuara evropiane (paketë e cila parashikon krijimin e një fondi mbështetës prej 500 miliard eurosh), është mënyra e zbatimit të saj që i ka kyçur sërish palët nëpër bedenat përkatëse. Nëse Italia dhe vendet e tjera jugore kërkojnë një mekanizëm ad hoc, të krijuar enkas për pandeminë, Gjermania dhe vendet veriore nuk shkojnë më larg se të hedhin në tavolinë mekanizmat e vjetër financues, të parashikuar fill pas recesionit ekonomik që ndoqi vitin 2008. Roma dhe Parisi nguten të kërkojnë coronabonds, të përshtatshme për gjendjen aktuale dhe të tilla që të mos e shtrëngojnë lakun e borxhit publik që edhe para pandemisë nuk ishte asfare i ulët për to. Berlini, përkundër, këmbëngul tek të ashtuquajturit MES (Mekanizma evropianë të stabilitetit), po të njëjtat – mbase me ndonjë lehtësim të vogël – që do i detyrojë vendet kreditore të shtrëngojnë rripin për disa breza. Ndërkaq që Italia me shokë kërkon një mënyrë të re ndërveprimi financiar, duke i bërë thirrje parimeve dhe solidaritetit në gjendje emergjence, Gjermania me të vetët nuk i ndahen refrenit të parametrave dhe rregullave.

E pashmangshme që në kushte të tilla çdokush, së paku në jug të Bashkimit Evropian, të sjellë ndërmend rastin e Greqisë; pra të një vendi me borxh publik marramendës, i cili u “kurua” pikërisht nëpërmjet atyre parametrave që Gjermania sjell sot sërish në tavolinë dhe që në sytë e italianëve është shembull avant le lettre se ç’kurth i pret nëse i binden znj. Merkel. Kaq mjafton që evropianëve të jugut t’u fanepset Troika e mirënjohur e institucioneve financiare, e cila, pikërisht në respekt të parametrave aq të kërkuar, ishte e gatshme të lëshonte likuiditet monetar vetëm kundrejt një ashpërsimi përpjesëtimor të kushteve kredidhënëse. E për financat e rraskapitura të Italisë, për borxhin e saj publik të frikshëm, mund të përfytyrohet se ç’do të thotë një huadhënie e tillë. Sepse nëse bazohemi në disa parashikime krejt të mirëkuptueshme, pas jo më shumë se një viti pritet që borxhi italian të kalojë masën 150% e deficiti të shkojë në 8%, në raport secili indikator me PBB-në e vendit (të paktën sipas parashikimeve mëshiruese të FMN-së). Gjë që do të thotë, as më pak e as më shumë, veçse masa të tjera shtrënguese dhe mbytëse për ekonominë. Çka u kall datën italianëve dhe gjithë bashkëvuajtësve të tyre evropiano-jugorë. Siç dhe qartëson fjalët e kreut të shtetit francez, z. Macron, kur shprehej para disa ditësh se “një treg i përbashkët ishte i pamundur nëse vetëm disa pjesëtarë flijohen… dhe pesha financiare e shpenzimeve të ardhshme nuk bashkëndahet”[1].

 

4.

Droja është e madhe. Jo vetëm për shkak të ashpërsimit të krizës, por dhe sepse një gjendje e tillë rrezikon fort të infektojë ambientin politik, në cepat e të cilit janë të gatshme për veprim forca të cilat prej vitesh tashmë urojnë një zhbërje të Bashkimit Evropian dhe një rikthim në llogoret shtet-kombëtare. Llogore që, fundja, nuk do të ishin dhe aq të ndryshme nga të tanishmet, në të cilët shtetet e Eurozonës janë ngulitur. Vetë institucionet mbikombëtare (si Komisioni i znj. Von der Leyen, apo Banka Qendrore e znj. Lagarde), që teorikisht duhet të ishin zbutëse të kundërshtive, nuk duket se po ia dalin që t’i mbajnë mëritë nën fre. Gafat janë të njëpasnjëshme nga ana e tyre, ndërkaq që ekuilibrat ndërqeveritarë janë duke u shkërmoqur dita-ditës.

Vetë coronabonds-et (diçka e ngjashme me Treasury Bills që lëshon Federal Reserve në Amerikë), të cilat qeveria italiane dhe ajo franceze i paraqesin si masa shpëtimtare, nuk dihet se sa do të ndihmojnë në rimëkëmbjen e situatës. Më siguri, ato parapëlqehen pasi nuk kërkojnë në këmbim të njëjtat shtrëngime (austerity measures) që masat e tipit MES, impononin si në rastin e Greqisë pak vite më parë. COVID-i 19 veç pruri në zgrip të humnerës disa realitete ekonomike në Evropën jugore që prej dekadash dergjeshin në krizë. Arsye për të cilën, qeveritë kishin marrë masa prej vitesh fiskale drastike, duke minimizuar apo mbyllur sektorë të tërë publike. Mes këtyre edhe shëndetësia, çka u pa në përballimin e mjerë të vështirësive pandemike.

Gjithsesi, ekonomitë e Italisë apo Greqisë përjetojnë kriza që në krye të herës, që para se qeveritë të hiqnin dorë nga sovraniteti i tyre monetar dhe t’i bashkoheshin Eurozonës. Gjë që pati favorizuar, asokohe, pikërisht ekonomitë e vendeve veriore, vlera e monedhave kombëtare të të cilave rezultoi e lartë në momentin e këmbimit me Euron e sapohedhur, pikërisht si pasojë e vlerës së ulët të monedhave jugore. Siç duhet thënë, gjithashtu, se zhvillimi gjerman apo holandez nuk do të kishte qenë kurrë i tillë pa praninë e Italisë apo Portugalisë[2]. E vërteta e hidhur, megjithatë është se ekonomi si këto të fundit kanë qenë gjithmonë të dobëta dhe anëtarësimi në Eurozonë, pavarësisht synimit për t’i çuar drejt konvergjencës me simotrat veriore, thjesht u ka nxjerrë edhe më në pah veset. Kësisoj, Holanda dhe Gjermania jo vetëm nuk janë treguar solidare (siç dhe nuk po tregohen), por kanë bërë krejt të kundërtën e asaj që pritet brenda një “familjeje” me vlera të përbashkëta.

Pra, duket se ekuilibri mes ekonomive evropiane është qartësisht i pamundur. Themeluesit e Eurozonës (të një formati më pak idealist se etërit e projektit evropian) siç sqaron ekonomisti britanik Michael Roberts[3], përcaktuan kritere konvergjence vetëm në lëmin monetar dhe atë fiskal; përpos, ata lanë jashtë tyre të tjerë tregues të rëndësishëm të mirëqenies kolektive dhe prodhimit, si rritja e PBB, investimet dhe papunësinë, pasi këto janë në dorë të luhatjeve të lira të tregut. E në çaste krize, të tilla luhatje mund të çojnë në përfundime dëshpëruese për jetët e miliona njerëzve, duke shembur jo vetëm çfarëdolloj synimi konvergues, por dhe vetë ekuilibrin e përgjithshëm mes vendesh që, nëse shohim parimin e solidaritetit, duhet t’i zgjidhnin në mënyrë bashkërenduese hallet e njërit apo tjetrit prej tyre. Thënë ndryshe, fatet shëmbëllejnë si të shënjuar tashmë, e një ekonomi si ajo e Italisë apo Greqisë nuk mund të rritet kurrë mjaftueshëm, brenda këtij projekti të madh kapitalist që quhet Bashkim Evropian. Jo aq sa të parandalojnë ndarjen e Eurozonës në dy fronte: mes vendesh qendrore (veriore) që diktojnë kushte të favorshme për kapitalin e tyre, e një fronti vendesh periferike (jugore) përjetësisht në nevojë për të kontraktuar malin e borxheve që ju përcillet nga brezi në brez; ku të parët akuzojnë të dytët për dembeli, e të dytët akuzojnë të parët për grykësi.

 

5.

Për këto arsye të renditura, Bashkimi Evropian dhe prodhimi i tij më elitar, Eurozona, kanë marrë sot trajtën e një mallkimi të pashmangshëm jo vetëm për atë frymë evropianiste që i ka shërbyer si ideal në vazhdën e konfliktit të fundit botëror, jo vetëm për ato vende të cilat, paçka themeluese, janë sot duke u trajtuar si mysafirë të paftuar, por dhe për aspirantët kandidatë të cepit juglindor, mes të tyre dhe Shqipëria. E këtu, po i drejtohemi mbylljes më një sërë konsideratash post factum, thjesht dhe vetëm të natyrës socio-kulturore. Pasi, nëse ekonomi si ajo spanjolle apo italiane, me gjithë peshën e tyre jo të papërfillshme globale, gjenden të shënjuara, veç përfytyrimi mund të na ndihmojë të shohim një amebe ekonomike, si Shqipëria, të nesërmen e integrimit të shumëshpresuar brenda kufijve grindavecë të Bashkimit Evropian.

Kësodore, Shqipëria nuk do të gjendej sot, pas plot tre dekadash kapardisjeje demagogjike, kaq e leqendisur ballë kokëçarjeve që evropianët kanë me njëri-tjetrin – siç kishin edhe pak muaj më parë, kur Franca kundërshtonte fuqishëm hapjen e negociatave me Tiranën – nëse do të ishte shpenzuar gjithë kjo kohë për të hedhur (qoftë dhe vetëm) themelet e një debati kritik mbi domethënien e të qenit shtet-anëtar në Bashkimin Evropian;

nëse debatin kritik do ta kishte ndjekur dalja në pah e ndonjë zëri kritik mbi vetë natyrën e Bashkimit Evropian dhe ideologjinë neoliberale që gjendet e rrënjosur në marrëdhëniet punë-kapital – pa folur për ato mbistrukturore (politike dhe kulturore) – të këtij entiteti mbishtetëror;

nëse mbas dehjes njomëzake të viteve 1990, do të reshte në gjirin e shoqërisë shqiptare hegjemonia e të menduarit të Evropës si Shtete të Bashkuara të Evropës (që nuk është, e gjasat janë që nuk do të jetë kurrë e tillë), ipso facto si një monolit i ngurtë dhe i pandikueshëm nga dinamikat e shumta – më së shumti antagoniste – historike, sociale dhe lokale të anëtarëve të vet që hyjnë e dalin;

nëse paaftësia e klasave drejtuese (politike, ekonomike, kulturore etj.) për ta bërë vendin “si gjithë Evropa” nuk do të zëvendësohej tinëzisht me lëndinën me lule që shpesh e karakterizon BE-në në përfytyrimin e masave;

nëse shoqëria civile nuk do të ishte kthyer në një mbllaçitëse të po të njëjtit ushqim elektoral që mbush barkun e të uriturve nëpër fushata;

nëse valëvitjes së “mbështetjes me mbi 90% të popullit shqiptar në lidhje me aderimin në BE” do i ishte kundërvënë hetimi mbi nivelin e dijes që shtresat e ndryshme të po së njëjtës popullatë – nga hipsters-at e forumeve rinore deri tek fakirët e seksioneve sulmuese nëpër mitingje – kanë mbi Bashkimin Evropian;

nëse pamundësia për të qenë minimalisht i përfillshëm në rrafshin rajonal të prodhimit ekonomik nuk do ta kishte degdisur Shqipërinë në një konsumues konservash të jashtme dhe çaprazesh të brendshme të tipit “Nuk na duan se jemi myslimanë”;

apo xhambazllëqe të tjera si këto…

 

Përditësim: Ndërkaq që ky shkrim u dorëzua për botim, u shënuan disa zhvillime. Këto, edhe pse i hapën rrugën disa ndryshimeve referenciale, nuk zbutën gjithsesi thelbin e konfliktit ndërevropian. Konkretisht, pas mbledhjes së fundit të Këshillit evropian (23 prill 2020), krerët e shteteve dhe qeverive ranë dakord që të nxisin Komisionin e znj. Von der Leyen për hartimin e një pakete financiare e cila, sipas deklaratave, do të emërtohet Recovery Fund. Ujdia e arritur, në këtë kuptim, zhduk termat coronabonds apo MES. Së paku për momentin.

Megjithatë, ende nuk ka një dakordësi mbi dy çështje absolutisht kardinale: 1. mbi sasinë e likuiditetit që Recovery Fund do të vërë në lëvizje (paçka se qarkullojnë shifra të tilla si 2 apo 3 mijë miliard euro, të cilat do të llogariten në bilancin evropian të shtatë viteve të ardhshme) 2. mbi mënyrën e financimit të këtij fondi: nëse do të lëshohet në trajtë huaje, siç insistojnë vendet e veriut – apo në mënyrë të përzier, ku të ketë hua por edhe transferime likuiditeti me interes 0, siç po kërkon me ngulm Franca dhe Italia.

Me një fjalë, dy qasjet gati ideologjike përreth Bashkimit Evropian – ajo jugore nga njëra anë, që kërkon një kontribut të përgjithshëm (komunitar) në përballjen e recesionit që po vjen, e ajo veriore që e sheh financimin e krizës si një kontraktim të vazhdueshëm palësh ndërshtetërore – nuk duket se kanë gjetur gjuhë të përbashkët.

[1] https://www.ft.com/content/3ea8d790-7fd1-11ea-8fdb-7ec06edeef84

[2] Siç pohon ish-ministri grek i Financave, Janis Varufakis, mirëqenia veriore është aq e lartë dhe e qëndrueshme pikërisht sepse vendet jugore kanë kontribuar me politikat e tyre ekonomike që ekuilibri monetar në Evropë të ruhet. https://diem25.org/the-toxic-impact-of-the-eurogroup-agreement-of-9th-april-2020/?fbclid=IwAR3XmHmgJJ6gFKoiXvdjdp2x0AnqhTOAWZC5J7I-Rdk6Clhe1p_LPlHn12c

[3] https://thenextrecession.wordpress.com/2020/04/19/the-euros-corona-crisis/

 

9 Komente

  1. Bashkimi I tregjeve eshte ne logjiken e kapitalizmit .Makina me avull solli prodhimin e madh kapitalist e per rrjedhoje unifikimin e kombeve .Epoka post industriale kerkon unifikimin e kontinentit .Problemi eshte se teknologjia perparon me ritme shume me te shpejte se psikologjia njerezore .Kombet me te pasura duhet te paguajne per kombet me te varfra apo te heqin dore nga shkalle e caktuar sovraniteti per fitimin e te cilit eshte derdhur gjak nga parardhesit .Pavaresisht nga sfidat Bashkimit Europian nuk duhet ti kendohet eulogjia .70 vjet jane thjesht sekonda nga pikepamja e historise njerezore.

    1. Shume e drejte

      Evropen kerkove
      70 vjet ta lame
      Dhjeje dhe Evropen
      Sic dhjeve Bera’ne

      P. S. Jam I sigurte qe po t’ia kishim lene Turkut edhe 500 vjet te tjera Shqiperine, do e kish bere xhenet, se 500 vjet ne historine 4.5 billion vjecare te planetit jane nje pike uji.

      1. Ne 1860 rreth 70 vjet pasi ishte shpallur pavaresia ,bashkimi I shteteve amerikane u vu ne prove nga lufta civile.Megjithe problemet keto 70 vjet te BE jane e vetmja periudhe ne te cilat shtetet e europes perendimore nuk kane qene ne lufte me njera tjetren.
        Ne mesjete Turqia ka qene me tolerante se Europa .
        Nga Turqia u ndame se nuk na mbronte dot me .Po te ishte qene me e forte e te na mbronte nga fqinjet do ishim hala nen te .Ismail beu pasi shpalli pavaresine,nderroi mejtim e vendosi ta fuste Shqiperine perseri nen Turqine duke sjelle nje princ turk .Kushua I tij Syrja beu e spiunoi tek Komisioni Nderkombetar I Kontrollit I cili I kerkoi Ismail beut te ikte nga Shqiperia.
        Po kjo eshte teme tjeter .Koncepti I BE eshte I drejte e do I qendroje kohes .Por a eshte menyra se si funsionon efficient?Kjo eshte teme e hapur per debat ,se si mundet te bashkepunojne me mire 28 vende te cilat nuk flasin ne nje gjuhe ne kuptimin figurativ dhe te drejtperdrejte.

        1. Alba moj, kam idene qe je pak konfuze ne komentet e tua.
          Ne fillim thua “Bashkimi I tregjeve eshte ne logjiken e kapitalizmit”. E vertet, po jo vetem kapitalizmit. Nuk di nese ke degjuar per Comcan, tregun e bashkuar te vendeve te Lindjes nen hyqmin e Rusise komuniste qe funksionoi nga 1949 me 1989.
          Pastaj thua: “Makina me avull solli prodhimin e madh kapitalist e per rrjedhoje unifikimin e kombeve” Cilat kombe unifikoi lokomotiva moj xhan. Angline me Francen? Me Gjermanine? Hollanden? apo e ke fjalen per unifikim ne general direction. Apo mos quan unifikim ekspasionin e Anglise ne bote qe “unifikoi” shtetet lart e poshte neper bote me Perandorine angleze?
          Pastaj thua: “Epoka post industriale kerkon unifikimin e kontinentit”.Ku e ka kerkuar Epoka kete? Kujt ia ka kerkuar? Mbase ta ka kerkuar tyja se une dhe Enveri s’dime gje.
          Pastaj thua: “Problemi eshte se teknologjia perparon me ritme shume me te shpejte se psikologjia njerezore”. Psikologjia nuk perparon moj xhane, po pershtatet. Psikologjikisht ti ke me pak ndryshim nga katragjyshja jote pellazge sec ke nga nje grua kontemporane japoneze psh, apo nje nene nga Tahiti.
          Kjo pastaj eshte thagme fare: “Kombet me te pasura duhet te paguajne per kombet me te varfra apo te heqin dore nga shkalle e caktuar sovraniteti per fitimin e te cilit eshte derdhur gjak nga parardhesit” Ketu e ke kthyer upside down historine. Zakonisht jane vendet e varfra qe paguajne me humbje sovraniteti ngritjen e mireqenies apo integrimin, kurse ti thua qe nese vendet e fuqishme e te pasura nese nuk i japin leke te varferve do te pushtohen dhe humbin sovranitetin, Ketij more shok ne i themi spekullim ose me mire blackmail.
          Pastaj thua duke marre per baze Luften Civile ne Amerike se 70 vjetori qenka nje si prag magjik ku gjerat ndryshokan per mire. OK. Po per deshtimin e Komunizmes pas 70 perparimi c’mund te na thuash?
          Me tutje sqaron se keto qenkan 70 vjetet vetem pa lufte te Evropes. E ce? Kush tha qe lufta eshte absolutisht e keqe? Kjo eshte si te thuash qe suksesi me i madh i nje cifti qenka qe te jetoje 60 vjet bashke i pa divorcuar, pa hyre ne jeten e tyre private. Nganjehere paqja eshte shume me pa dinjitet dhe e mjeruar se nje lufte e drejte dhe dinjitoze. Po te duash te jap edhe shembuj.
          Pastaj thua se Shqiptaret u ndane nga Turqia se nuk i mbronte me nga fqinjet. Really!!!!! Une kisha idene qe Turqia luftoi per nje ideal krejt tjeter ato 500 vjet te perandorise Otomane, po cfare s’ben vaki.
          Turqia pastaj si Perandoria me tolerante e kohes!!! Ndonje shembull, ne c’fushe? Gjate ciles periudhe? Se librat e historise qe lexoj une nuk me kuadrojne me kete teze. (jam i sigurte qe kjo eshte e vetmja pergjigje qe do me kthesh, se duket qe lexon goxha material ne blogje te tipit “Haxhi Qamili Babai i Dovletit” qekurse sjell barcaleta historike si ajo e pendimit te Ismail Qemalit)
          Sa per frazen e fundit qe zgjidhja e problemeve te Europes eshte me shume Europe, kete e dime qe eshte e vertete se na e thote si mantra Mama Merkeli. Qe me kujton babane tim rahmet paste qe kur e shihte qe nuk i haja bamjet me thoshte qe e vetmja menyre qe mos i urreja bamjet ishte qe t’i haja deri sa ti urreja. Mendje-mendje

  2. Problemi i koronabondit mund te permblidhet me pak fjale keshtu, shtetet duhet te financojne, por nderkohe hyjne me pak taksa, keshtu qe duhet te rrisin deficiin publik mbi vijen e kuqe te 3%, dhe nder te tjera do shtojne borxhin publik. Pra do thyejne rregullat kyce te BE-se, te cilat sjellin sanksione ne gjoba .

    Dy jane menyrat e shpetimit per shtetet pa shtuar borxhin publik:
    1- inflacioni nga prerja e parase
    2- nderhyrja e bankave kombetare me rezervat valutore (shteti rrit sasine e monedhes ne treg, pa shkaktuar inflacion)

    Askush sdo te perdore rezervat valutore te bankave kombetare ( shihet si tip blasfemie nga te gjitha ideologjite e ekonomise politike, per arsye te ndryshme deri edhe te kunderta mes tyre) , ndersa shtetet e eurozones e kane te pamundur inflacionin prej prerjes se monedhes ne menyre te njeanshme (meqe logjikisht nje shtet i vetem do rripte gjithe Eurozonen).

    Qe prej prerjes se monedhave para 2600 vjetesh, shtetet ne veshtiresi financiare, kur s’kane pasur me mundesi te rrisin taksat, kane rritur inflacionin duke zhvleresuar monedhen.

    Ky lloj inflacioni ne fakt eshte nje forme taksimi indirekt, qe shteti zbaton mbi ata qe kane depozita, pra kryesisht taksim i pasurve e shtreses me mireqenie. Kryhet pasi shtresa e varfer dhe mesovarfer eshte shembur ne taksa dhe ska cfare te paguaje.

    Sot, ky lloj taksimi indirekt mbi depozitat kap kapitalistet rentiere apo parine financiare, e cila gjallon duke vjele interesa prej depozitave, obligacioneve e mekanizmave te ndryshem financiare.

    Pra, ne thelb koronavirusi vuri ne konflikt nevojat e shumices se popullates dhe bizneseve me nevojat e parise financiare, qe perkthehet dicka si tip konflikti mes Italise qe perfaqeson nevojtaret per leke dhe Gjermanise qe shpreh interesat e parise financiare paneuropiane.

    BE-ja eshte nje luks ideologjik qe europianet mund t’ia lejojne vetes ne kohe te arta dhe nje moot ne kepuce ne kohe veshtiresish.
    Nderkohe parite politike po shohin se mund te zevendesohen ne rast se nuk gjejne nje menyre indirekte si te taksojne kryesisht parine financiare, e cila ka parane.

    Gjermania thote te mbledhim fond per kredidhenie, qe ne terma te varfer do te thote, te pasurojme edhe ca parine financiare europiane meqe Europe eshte ne krize duke ia veshur kostot taksapaguesve per gjithe dhjetevjecarin e ardhshem.

    2600 vjet histori e lekut tregon qe ne raste krizash ka vetem inflacion e borxh sovran. Me borxhin sovran e hane te skamurit, se sovrani do rrise taksat per te paguar borxhin, me inflacionin e hane te kamurit, se ata i bejne leket mullar.

  3. Nje koncentrat i vertete logjik i ekonomise politike, nga te paktet qe kam ndeshur e qe merr parasysh edhe elementet e pasojat e krizes me te fundit, qe duket pak si atipike dhe e paparashikueshme ne pasojat e saj, por qe mekanizmat e vjeter, siç po shoh ka mundesi ta trajtojne e absorbojne pak a shume me mjetet e meparshme.

  4. Corona bond, euro bond, stability bond, US bonds, James Bond etc, etc. etc.

    E gjitha eshte ceshtje besimi, Besimi tek shteti, besimi tek paraja ( e shtetit), besimi tek tjetri, besimi tek vetja.

    …” government bonds are not backed by tangible wealth, only by the government’s promise to pay out of future tax revenue…” – Alan Greenspan

    …” deficit spending is simply a scheme for the confiscation of wealth…” – Alan Greenspan

    https://players.brightcove.net/5298920694001/k7kYTMBz75_default/index.html?videoId=5845950086001

  5. Urime autorit për këtë shkrim cilësor sa aktual aq edhe të nevojshëm: qoftë për masat që e duan Shqipërinë si gjithë Evropa, ashtu edhe për politikëbërësit e Tiranës.
    Sa i takon Shqipërisë, është e habitshme dogma se “BE–ja është destinacioni ynë i pashmangshëm”. Këtu nuk është fjalë për të qenë eurofil apo euroskeptik; por për të qenë sadopak “eurorealist”.
    Miti i pashmangshmërisë integruese çuditërisht është bërë edhe më i zhurmshëm pas Brexit-it, që pa fjalë është shkundja tektonike më e fuqishme në kontinentin europian në shumë kohë.
    Shqiptarëve për fat të keq nuk u shpjegohet se ka edhe një rrugë tjetër, të ndryshme, alternative, kundrejt “pashmangshmërisë integruese”, dhe për këtë mjafton të kundrohet shembulli i Zvicrës. Pa folur për Islandën, Norvegjinë, apo edhe vetë Mbretërinë e Bashkuar.
    SIkurse e pat thënë Margaret Thatcher, Bashkim Europian nuk është Europa, dhe Britania – sikundër edhe Shqipëria [shtesa imja, A.A.] – kanë qenë dhe do të jenë vende europiane.
    Tjetra që nuk u shpjegohet shqiptarëve, as nga Brukseli, as nga Tirana, është se
    “pashmangshmëria integruese” do të vijë me një çmim apo kosto bukur të lartë përmbi shpatullat e kërrusura të tatimpaguesve shqiptarë.
    Kohërat kur antarësimi vinte me fonde falas që derdheshin lumë, e me programe të pafund në trajtë transfertash financiare “konvergjence”, “paraantarësimi”, “Integrimi” etj kanë marrë fund.
    Mbaj mend në një konferencë para shumë vitesh [viti 2005 në mos gabohem] në Washington D.C., ku një ndër folësit kryesorë ishte njëfarë Rheinhardt Priebe, me detyrën Director Western Balkans in DG External Relations, dhe më pas Director Western Balkans in DG Enlargement. Aty z. Priebe bëri një deklaratë shumë të çuditshme, e cila kaloi si pa u vënë re. Mbani parasysh se politika e zgjerimit deri atëhere ka qenë e mbështetur në fonde të konsiderueshme në trajtë transfertash si donacione për vendet e reja anëtare. Shembulli më i mirë i kësaj “largesse” komunitare ishte pa fjalë Greqia, që deri atë kohë kishte absorbuar miliarda ECU dhe EURO për modernizmimin e infrastrukturës e shumë sektorëve të tjerë të ekonomisë etj. etj.
    “Duhet ta them – theksoi pak a shumë z. Priebe – se vendet Ballkanit Perëndimor do të duhet ta mbështesin tash e tutje me kredi rrugën e tyre drejt integrimit European”.
    Unë nuk po besoja atë ç’ka sapo u tha.
    Pra, thelbi është ky: Tash e tutje vendet e Europës Juglindore [refuzoj të përdor vetë termin Ballkan Perëndimor për arsye që dalin jashtë temës], për t’u anëtarësuar në BE duhet të paguajnë, dhe nëse nuk kanë para, të marrin kredi! Për ta thënë në mënyrë metaforike, BE-ja është kthyer si klubi ekskluziv i pasunarëve ku anëtarët e vobektë mund të hyjnë vetëm duke paguar tarifa të larta anëtarësimi.
    Dhe ç’ka ndodhur në vitet në vijim? Shqipëria është zhytur në borxhe me huara nga banka të ndryshme europiane si Banka Europiane e Investimeve, KfW-ja gjermane (Kreditanstalt für Wiederaufbau), pa folur për BERZH-in, etj, që sot shkojnë në qindra miliona Euro…
    Sa është efektiviteti i këtyre huave? Dhe kush do t’i paguajë ato?
    Shembulli më emblematik i kredive ku ka marrë pjesë edhe BEI është TEC-i i Vlorës, i cili nuk ka punuar as edhe një ditë të vetme paçka 120 milion dollarëve kredi.
    Për të kaluar tek lëmi i politikës së jashtme, këtu do të divergoja pak me autorin. BE-ja po del gjithnjë e më shumë si një zë i fortë e në dukje autoritar në arenën ndërkombëtare, por jo gjithnjë një zë i arsyeshëm. Zyra përkatëse është ajo e High Representative of the Union for Foreign Affairs and Security Policy (HR/VP) si kryekoordinator dhe përfaqësues i Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë [ Common Foreign and Security Policy (CFSP)]. Përpara këtë rol e kanë pasur Baronesha Ashton, Federica Mogherini dhe tani Josep Borrell. Problemi është se politika e jashtme e BE-së kontrollohet kryesisht nga vendet e fuqishme – dhe ato më të zhurmshme – në nivelin e Këshillit Europian [të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive]. Këto organizma mblidhen dhe lëshojnë deklarata për probleme të ndryshme, dhe çuditërisht atyre u bashkëngjiten automatikisht edhe “vendet kandidate, si Shqipëria, etj”. Deklaratave të Përfaqësuesit të lartë u janë bashkëngjitur automatikisht – dmth pa u pyetur – madje edhe shtete anëtare. Jo më kot ish ministri i jashtëm i Greqisë Kotzias u ankua për këtë gjë dhe deklaroi se Greqia nuk do të pranonte në të ardhmen të “nënshkruante” deklaratat e përbashkëta pa i lexuar dhe pa u konsultuar paraprakisht. Publicisti dhe analisti Shaban Murati me të drejtë ngrinte para ca kohe shqetësimin se edhe Shqipëria kishte rënë në një kurth të tillë lidhur me një deklaratë të Këshillit Europian të nxitur nga Qiproja dhe që ishte kundër Turqisë. Për ta mbyllur me Qipron dhe zhvillimet në delimitimin e hapësirave detare në Mesdheun Lindor, ishte përsëri Këshilli Europian që doli para disa muajve me disa qëndrime të pavend lidhur me mosmarrëveshjet aktuale në atë rajon midis shteteve bregdetare përkatëse. Pra, në thelb ekziston një prirje aspak konstruktive për ta orientuar politikën e jashtme të BE-së sipas interesave të shteteve më të fuqishme dhe më të zhurmshme dhe kjo përbën një arsye tjetër, përveç shumë të tjerave, që e shtrënguan elektoratin britanik të vendoste për Brexit-in.
    Për sa u takon mosmarrëveshjeve në delimitimin e hapësirave detare në Mesdheun Lindor mendoj të shkruaj më gjerë në të ardhmen, por këtu mund të mjaftohet të thuhet se Shqipëria duhet të tregohet jashtëzakonisht e kujdesshme para se të shqyrtojë – aq më pak të bashkohet e të miratojë automatikisht – deklaratat për probleme të politikës së jashtme të Këshillit Europian apo të Përfaqësuesit të Lartë. Shqipëria ka interesat e veta jetike në politikën e jashtmë që jo domosdoshmërisht përputhen – për të mos thënë që edhe mund t’iu kundërvihen – atyre të vendeve anëtare të BE-së.
    Urime edhe njëherë autorit për këtë studim kaq të vlefshëm e të nevojshëm.

  6. well done. Nuk ka patur debat per B.E. ! Ajo cka me ngut te jem ne keto komente eshte kush pengon, si pengohen mendime te tilla dhe nuk jane pjese publike pervecse ne skajime si ne kete portal..Dy tre veta qe dalloj ne keto komente kane cthone e jane mjaftueshem te krijojne hapesira ne tryeza e forume e jo vetem print.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin