EMIGRACIONI: SHKAQE DHE BALLAFAQIME

Për valën e fundit të emigracionit, që përgjithësisht përshoqërohet me azilkërkuesit, është folur shumë, edhe pse nga këndvështrime të kufizuara, me instrumentalizime politike dhe pa ndonjë pretendim hulumtues.

Këto rreshta nuk kanë asnjë lloj synimi shkencor, por janë frymëzuar thjesht nga disa vëzhgime në Shqipëri të zhvilluara së fundi dhe kanë si qëllim ta nxisin debatin rreth dukurisë.

Zakonisht, flitet për shkaqet e emigracionit, me të cilat nënkuptohen motivet që i shtyjnë qytetarët të lënë vendin e tyre dhe të ikin në vende të tjera. Këtu përmenden,midis të tjerash, arsyet ekonomike, që janë pa dyshim shumë afër realitetit.

Mirëpo, pak flasin për efektet e emigracionit. Sepse ikjet drejt vendeve perëndimore shkaktojnë nga pas gjithsesi një boshllëk, që ka pasojat e veta si në rrafshin personal/familjar ashtu edhe në atë shoqëror. Nuk mund të përjashtohen natyrisht efekte ekonomike dhe demografike.

njoftim-ne-vitrineDallimi midis shkaqeve dhe pasojave është e para gjë që më erdhi ndër mend kur pashë njoftimin në vitrinën e një dyqani në Tiranë, ku ofrohej shitja e aktivitetit ekonomik për shkak të emigracionit. Me sa kuptohet nga tabela e shkruar, titullari i biznesit ka vënë në shitje lokalin dhe aktivitetin ngaqë ka ikur në mërgim.

Në njoftim janë vendosur dy numra: njëri shqiptar, tjetri i huaj (dallohet nga prefiksi). Një shenjë tjetër se kemi të bëjmë ende me një person që jeton ende midis dy botësh, por me vendosmërinë për t’i shkëputur lidhjet (të paktën ekonomike) me vendin.

Në të kundërt, njoftimi majtas, që njofton dhënien me qira të dyqanit ngjitur, nga një anë tregon se nuk ka shkëputje përfundimtare me lokalin, ngaqë jepet me qira; nga tjetra dëshmon vërtet krizën ekonomike (njoftime të tilla, kur janë të shumta, flasin për situatë krize), por edhe një farë shprese se ajo do të kalojë herët a vonë.

Nuk do ta mësojmë kurrë, por pas njoftimit qëndron me siguri një person me prirje imprenditoriale që ka vendosur të ikë nga vendi. Arsyet konkrete do të mbeten gjithnjë të paditura, edhe pse mund të merren me mend. Fakt është që një person, që deri dje kishte një aktivitet sipërmarrës në vend, ka vendosur të ikë përfundimisht jashtë shtetit.

Midis të tjerash, një njoftim i tillë publik presupozon se kemi të bëjmë me një dukuri të pranuar nga kolektiviteti. Autori i njoftimit e bën atë sepse nuk ka mëdyshje keqkuptimi. Kjo tregon se përmasa e migracionit është tashmë kolektive në Shqipëri, madje në rend të ditës.

A mund ta krahasojmë emigracionin e viteve 1990 (pra të eksodeve) me emigracionin aktual? Patjetër, me pakt që të vihen në dukje dallimet e ngjashmëritë, çka edhe do të hedhë më shumë dritë mbi dy dukuritë e shqyrtuara.

Le të sqarojmë që në fillim se kërkesat për strehim politik u morën parasysh deri në mars të 1991-it. Për ata që nuk harrojnë, emigrantët e gushtit të të njëjtit vit – ata që u mbyllen në stadiumin e Barit në Itali – i kthyen në Shqipëri pikërisht me justifikimin se nuk përmbushnin më kriteret e strehimit politik. Pastaj, që koncepti i azilit është më i gjerë, sepse mund të përfshijë edhe konceptin e sigurisë, dhe që është praktikuar edhe më vonë, është diçka tjetër që duhet të sqarohet në planin juridik.

Dallimi tjetër qëndron në faktin se largimet e tanishme masive (nën zërin azilkërkues) nuk janë drejt Italisë, por drejt vendeve të tjera si Gjermania. Mund të supozohet se këto ikje e kanë një lidhje me situatën ekonomike të Gjermanisë dhe Italisë (kjo e fundit është ende në krizë), sikurse mund të shpjegohen me kushtet relativisht të mira të pritjes.

Ndryshe nga emigrantët e postotalitarizmit, këta të sotmit janë edhe më të ankthshëm në dritën e perspektivës. Në vitet 1990, ikën ata që kishin duruar mbi kurriz totalitarizmin më të egër të Europës, një përvojë çnjerëzore që i nxiste të largoheshin thjesht në emër të lirisë, për të provuar një jetë në liri. Ishin njerëz që ishin rritur në kafaz, pa liri e pa pasaporta, ndaj edhe mjaftonte kjo gjendje e zgjatur në dhjetëvjeçarë për t’i shtyrë të merrnin anijet dhe avionët. Liria ishte në qendër të ikjes së tyre, edhe kur fshihej me motive ekonomike. Si të thuash, midis lirisë dhe mirëqenies ekonomike, emigrantët e asaj kohe vinin një shenjë barazie.

A mund ta themi këtë gjë sot? Në vitet 2010? Sipas gjasës, sepse na mungojnë të dhëna statistikore, një pjesë e atyre që largohen aktualisht nga vendi, për arsye moshe, nuk e kujtojnë mirë periudhën totalitare, ose e kujtojnë pak. Në mungesë studimesh sociologjike, na mbetet të supozojmë se emëruesi i përbashkët i emigracioneve është zhgënjimi, porse ai i djeshmi kishte të bënte me sistemin e vjetër, kurse ai i sotmi me pluralizmin. Gjithnjë me karakteristikat shqiptare.

Ndoshta e teprojmë, por emigrantët e djeshëm iknin për të ndërtuar një jetë më të mirë, por me shpresën se Shqipëria e lirë dhe demokratike, do të shndërrohej një ditë në vend të begatë e të zhvilluar. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, thuhej në atë kohë. Që këtej edhe një gjysmë ideje se kur Shqipëria do të rregullohej, ata do të ktheheshin nga mërgimi. Emigrantët e sotëm largohen të zhgënjyer si nga e djeshmja ashtu edhe nga e sotmja; një zhgënjim që ka lindur në vitet e regjimit pluralist, ndaj edhe nuk mund t’i faturohet regjimit të kaluar, veçse si pasojë afatgjatë e moszhvillimit dhe mendësisë.

Sa herë që flitet për eksodet ose emigracionin e viteve 1990 përmenden pashmangshmërisht bunkerët, si simbol i autarkisë dhe i çmendurisë totalitare, që i dënonte shkelësit e kufirit me burgim për arratisje, kur nuk i vriste në brezin e kufirit. E pra sot nuk mund të flasim për bunkerë, veçse metaforikisht. Pardje shqiptarët nuk kishin pasaporta dhe regjimi i kishte mbyllur si në burg, dje ishin në kërkim të ethshëm të vizave nëpër Ambasada, sot kanë mundësi të lëvizin pa viza në zonën Shengen. Formalisht janë më të lirë, por migrimi vazhdon.

Do të ishte përnjëmend interesante të matej ndikimi i mungesës së shpresës tek emigrantët e sotëm, për ta krahasuar me ata të djeshmit. Për të kuptuar lëvizjet migratore gjithnjë duhet të nisemi nga fakti se askush nuk e lë vendin pa një arsye madhore. E një nga arsyet madhore (që mund të jenë gjithashtu personale e kulturore) është pikërisht mungesa e perspektivës, për vete ose për familjen. Shqiptarët që ikin nuk e shikojnë veten në Shqipërinë e ardhshme. Kjo ka të bëjë kryesisht me arsye ekonomike, por jo vetëm e jo domosdoshmërisht.

Kush ka përshtypjen se emigrantët që e lënë Shqipërinë e sotme nuk kanë ndër mend të kthehen mund të përgënjeshtrohet vetëm nga faktet e viteve që vijnë. Përndryshe, edhe studimet dëshmojnë se shpeshherë emigrantët e kthyer e shikojnë veten si të përkohshëm në Shqipëri, si një etapë të një ikjeje tjetër.

Në këtë kuadër, do të ishte tejet interesante të dinim moshën e atyre që emigrojnë sot, çka do të na rrëfente shumë gjëra. Por edhe arsimi, përbërja familjare dhe gjendja e tyre ekonomike do të ishin me vlerë si të dhëna, meqë në vitet 1990 emigrantët vinin nga të gjitha shtresat shoqërore, me arsimim të ndryshëm, e përgjithësisht me të njëjtin nivel varfërie. Po tani? Dikush mendon se tani përjashtohen nga emigrimi një pjesë e atyre që kanë arsim të lartë, ose që kanë krijuar një farë mirëqenieje. Të tjerë japin shembuj se po ikin njerëz me arsim të lartë dhe me sipërmarrje të shkatërruara nga kapitalizmi alla shqiptarçe.

Para se t’i mbushin mendjen njerëzve se strehimi politik nuk merret dot, para se të valëvisin rrezikun e rivendosjes së vizave, para se ta shndërrojnë emigracionin në fushëbeteje politike, do të ishte mirë që klasa drejtuese shqiptare të diskutonte për lirinë e shpresën, dy koncepte jashtëzakonisht të rëndësishme për të gjithë qytetarët, për ata që rrinë e për ata që ikin.

Nuk ka komente

  1. Ndër ata që ikin me shpresë për një jetë më të mirë me siguri një pjesë e vogël do arrijë, por një pjesë e mirë ndoshta jo. Asgjë nuk kompeson për humbjen e vendit tënd dhe njërzve të tu.

    Ndërsa për shkaqet, përtej traumave personale, I am hitting a plateau. Them se shkaqet dhe pasojat janë të qarta (thënë e stërthënë). Së pari, ato janë vetëm ekonomike, dhe së dyti, sëmundja kryesore e ekonomisë Shqiptare është korrupsioni.

    Po këto janë bërë konkluzione bajate. Janë bërë bajate jo për sa thjeshtë janë t’i evidentosh, por për sa të vështirë po duan ta paraqesin zgjidhjen.

    Konsekuenca e të bërit bajat të një problemi të thjeshtë është se natyrshëm vijon me pikëpyetje të mëdha kundrejt kapacitetit mendor dhe etik, të individit edhe grupit.

    Këtyre pikëpyetjeve nuk u ’emigron’ dot. Të ngjiten si muti pas këpuce.

    1. Mendoj se emigracioni i tanishëm është reduktuar qëllimisht tek azilkërkuesit. Këta mund të përbëjnë numrin më të madh në këtë moment, por ikje ka edhe drejt vendeve të tjera, duke përdorur edhe rrugëdalje që shkojnë përtej kërkesës për azil. Në Shqipëri muhabetet nga politika tek lokalet sorollaten rreth idesë nëse Gjermania do t’i mbajë apo jo shqiptarët, nëse do të vihen vizat apo jo; shumë pak përse ikin shqiptarët dhe cilat janë arsyet që i shtyjnë të largohen. E kam fjalën për diskutim serioz e për vetëdijësim e marrje masash. Për politikën është e pafalshme kjo indiferencë, për njerëzit është mungese shprese, përderisa nuk e shtrojnë më qëndrimin në atdhe si opsion.

  2. Mendoj se problemet qe ngrihen jane sa reale ashtu serioze. Megjithse emigracioni perben 1/3 e shtetasve shqiptare, nuk kujtohet kush nga organizmat shtetrore, se ç’probleme ka dhe si mund t’i mbeshtesin. Edhe legjislacioni qe behet, eshte jo per te mbeshtetur emigrantet, por per ti penguar qe mos te marrin asnje perfitim nga shteti amë. Ka shume pensioniste ne moshe te thyer qe duan te riatdhesohen. Si te riatdhesusr ata kane disa privilegje krahasuar me emigrantet qe jane ne Itali. Dukeqenese ne rast riatdhesimi, duhet te bejne çrregjistrimin ne komunen dhe duhet te heqin dore nga leja e qendrimit, kur bejne bilancin se çfar humbin, refuzojne pensionin si te riatdhesuar, vetem se ne Itali kane te garantuar kujdesin shendetsor. Besoj se nuk eshte e nevojeshme te flasim per shendetsine ketu, se nuk ja vlen. Fatkeqesia e emigranteve tone eshte se dy shtetet ku ne kemi numrin me te madh te emigranteve, jane ne krize ekonomike dhe me nje papunesi te larte ( 25.7 % ne Greqi dhe 12.7 % ne Itali ), ndersa per emigrantet papunesia eshte edhe me e larte. Pra edhe ata emigrante qe kthehen, e kane te veshtire te integrohen, mbasi vijne ne nje vend me papunesi te larte. Por dihen dhe veshtiresi te tjera, si strehimi, arsimimi i femijeve, ku nje pjese e tyre nuk njohin gjuhen shqipe ( mekat i prindeve ).Emigracioni ka shume halle, sa mund te shkruajme faqe te tera. Por a mjafton vetem te qajme hallet e tyre ? A zgjidhim ndonje problem ? Absolutisht le te qajme hallet nga mengjesi deri ne darke, gjendja e tyre eshte e njejte. A mund te bejme diçka per keta qytetare qe kane dhene nje kontribut te jashtzakonshem ne jeten ekonomiko – shoqerore te vendit? A mund te bejme diçka per keta qytetare shqiptare qe kane mbajtur me buke 160 mije familje ? Besoj se po. Se pari politika dhe institucionet shtetrore, te gjithe organizmat shoqerore, mediat dhe te gjithe ne te japin diçka te vogel nga vetja. Ne rast se gjykojme se emigrantet jane nje kontigjent qe ” i kemi hequr qafe” dhe nuk pergjigjemi me per ta eshte mekat.

    1. Naim, jam shumë dakord. Shteti duhet të bëjë më shumë për emigrantët e riatdhesuar, por edhe për ata që janë jashtë shtetit, të cilët kanë nevojat e tyre të ndryshme. Në fakt, legjislacioni aktual shqiptar nuk është se krijon ndonjë lehtësi për emigrantët e kthyer, ndërkohë që dihet se problemet e integrimit paraqiten jo vetëm kur je jashtë vendit, por edhe kur kthehesh. Emigrantë mua shpeshherë më ngjajnë si jetimë.

  3. Pishak, me terhoqi vemendjen si tek shkrimi por edhe tek komenti njefare theksimi i pavetedijshem (ose jo) i yti tek fjalet-koncept “vend” dhe “atdhe”.
    Thua (duke e marre gati, gati si aksiomatike se) “Për të kuptuar lëvizjet migratore gjithnjë duhet të nisemi nga fakti se askush nuk e lë vendin pa një arsye madhore.”
    Eshte nje prezumim i arsyeshem, ne fakt.
    Ndersa reshtohen si shkaqe te ketij fenomeni mungesa e lirise dhe e shpreses, apo ekonomia e korrupsioni, une verej per hir te debatit se keto faktore jane prezente, me te njejtat parametra (apo shume te perafert) edhe ne vende si Maqedonia apo Moldavia, nderkohe qe numri i te zhvendosurve ne vite tek shqiptaret eshte me i larte dhe valet emigratore me te shpeshta.
    Per t’iu kthyer vendit/atdheut – i cili prezumohet se poseidon nje gravitacion unik, me nje force pertej te zakonshmes, cka edhe e ben te dallueshem nga vende te tjere (qe nuk jane atdhe per individet subjekte te diskutimit), une dua te shtoj edhe nje faktor tjeter: te mosnderit e Shqiperise si vend special, apo me sakte gjithe cfare historikisht, gjeografikisht dhe poetikisht nenkupton ATDHEU.
    Une nuk kam kapacitetin e duhur per ta mbeshtetur shkencerisht kete teze, por intuitia me thote se nuk eshte pa baze. Shkruaj dhe me vjen nder mend se, asnjehere ndonje grek, boshnjak, serb, moldav apo malazez i njohur prej meje nuk e ka share vendin e tij perpara nje te huaji (une) sa c’kam degjuar ta bejne bashkatdhetaret e mia perpara tyre:(.
    Pyes veten cfare eshte Shqiperia per nje pjese te mire te emigranteve te diteve te post 2010? A kane nje domethenie qyteti/fshati ku ata gjallojne tjeter nga “vendbanime”? Dhe nqs jo, perse duhet te dalloje ky vendbanim nga nje tjeter; kudoqofte, ne rrethinat e Tiranes, Durresit apo te nje qyteti gjerman? A arrin Shqiperia tua transmetoje emocionin e te qenurit Atdhe ketyre njerezve? Te mendosh se edhe kur ndihemi “mire me qen shqiptar, ohej” kjo vjen si nje emocion i kundert, i te mosqenurit grek i mundur ne ndeshje futbolli.
    Nuk po shtyhem me tej me rolin e munguar te edukimit shkollor, familjar, komunitar e keshtu me radhe…

    1. Pseudonimngahalli, ke kapur një temë shumë interesante, por që nuk ia nxjerrim dot fundin nëpërmjet komenteve. Duhet ta trjatojmë veçmas. Pikë së pari, të falenderoj meqë i dhe një përmasë tjetër diskutimit, sepse u bë kohë që “luftoj” kundër idesë se mjafton vetëm arsyeja ekonomike për të ikur nga vendlindja. Zakonisht, të gjitha emigrimet shqiptare shpjegohen me ketë arsye, çka më duket gjithnjë reduktive. Ajo mund të jetë arsyeja më me peshë, por jo e vetmja. P.sh. Mendoj se shumë emigrantë ikin aktualisht ngaqë nuk e shohin veten në Shqipërinë e nesërme, çka do të thotë se një person mund të jetë keq sot ekonomikisht, por ka shpresë se nesër do të jetë më mirë, kështu që shtrëngon dhëmbët dhe ecën përpara për ditë më të mira. Por kjo nuk ndodh me emigrantët shqiptarë, pikërisht se nuk shohin perspektivë. Por ka edhe arsye të tjera, që shpeshherë ndërveprojnë mes tyre.

      Jam dakord se disa vende paraqesin përqindje emigracioni më të ulët se i yni. Ti përmende Maqedoninë dhe Moldavinë (për nga ngjashmëritë), por ka edhe vende të tjera që kanë emigracion të papërfillshëm. Më vjen ndër mend Serbia dhe Kroacia, që janë larg nga parametrat tona ekonomike.

      Ti shton faktorin Atdhe, në kuptimin e vendit me status special të çdo njeriu, ose më mirë me konceptimin e atdheut nga shqiptarët. Kështu e mora vesh unë. Mos jemi afër idesë së patriotizmit? Nëse po, jemi duke hapur një kapitull interesant, por të papërballueshëm në hapësirën e komenteve. Mund të spekulojmë me pyetje që rrjedhin nga kjo ide. Mos vallë shqiptarët janë më pak patriotë se të huajt e tjerë? Ata që rrinë në Shqipëri e duan më shumë vendin se sa ata që ikin? Çdo të thotë patriotizëm? Po sikur një emigrant të ikë pikërisht sepse e do shumë atdheun dhe nuk e sheh dot si po e katandisin atë përditë? Po sikur të jetë atdheu që nuk i do emigrantët? Përse janë po ata njerëz që më parë ishin indiferentë e jashtë shtetit shndërrohen në atdhedashës të thekur?

      Vërejtjen se disa flasin keq për vendlindjen, kurse të tjerë jo, e kam dëgjuar shumë në Itali. Ata ankohen për të njëjtën gjë, ndërkohë që “francezët dhe gjermanët nuk e përflasin (shajnë) vendin e tyre”. Tani, këtu duhet të kuptohemi për fjalën “sharje”, se kritika është një gjë, kurse sharja është gjë tjetër. Këtu jemi tek pika se si shprehet dashuria ndaj vendlindjes. Dikush mund të mbrojë idenë se e vetmja mënyrë është thurja e vargjeve, ose bërtitja në shkallët e stadiumit, dikush tjetër mund ta shikojë tek sinqeriteti, ndaj edhe tek kritika e ashpër.

      Megjithatë, siç edhe e përmendje edhe ti, kam përshtypjen se shumë gjëra fshihen tek problemi i përkatësisë, në kuptimin e shumëfishtë të saj dhe në atë identitar-kombëtar. Por përsëri, këtu do t’i shikoja emigrantët si efekt i një procesi e konceptimi të caktuar të bashkësisë e të qytetarisë.
      Janë tema të mëdha…

      1. Oh jo, jo!
        Sinqeriteti dhe trajtimi i ceshtjeve/problemeve te Atdheut me sens kritik si parakusht per te identifikuar shkaqet e me pas riparuar pasojat e se keqes jane qasje intelektuale qe nuk i shkojne nivelit te shumices absolute te emigranteve shqiptare (dhe pergjithesisht emigranteve te cdo nacionaliteti). Rrime shtrember por te flasim drejt, tha.
        Keta individe nuk arsyetojne ne menyre kritike. Edhe kur duket sikur bejne keshtu (kujtoj ndonje kinse intelektual:) – ish mesues gjimnazi apo inxhinjer i mbetur prej vitesh pa pune ne Shqiperi …), ne te vertete vecse riperserisin paragrafe te tere, klishe, te ster-degjuara a lexuara me heret ne media. Perndryshe, kritika nuk eshte gje tjeter vecse qurravitje per Atdhene qe nuk i mbajti. Shqiptaret jane disi gernjare nga natyra, qahen shume. Dhe dembele, gjithashtu. Kur them shqiptaret, nuk kam parasysh te gjithe ne, por nje shumice te konsiderueshme qe perben opinion dhe leviz piken kritike te cdo debati. Jane nje shumice qe gati, gati fluturojne me presh. I ke strukture potenciale per emigrim qe sapo arrijne nje moshe te caktuar. Patriote? Jo, nuk jane.
        Mos prisni se cfare do te beje vendi juaj per ju, por cfare do te beni ju per vendin tuaj – eshte qasja e duhur dhe qe mungon te keta ikanake te lindur.
        Dhe nuk eshte patriotizem te shash serbin e grekun.
        Shiko menyren sesi funksionojme ne komunitet. Ose me sakte se si nuk funksionojme. Mungesen pothuajse te plote te filantropise ne vend. Dhe keto te gjitha jane sipmtoma evidente te te qenurit ende te pabere.
        Shqiperine e beme, tani le te bejme shqiptaret – shprehej nje shekull me pare At Gjergj Fishta.
        Tema te medha, thua…
        Kjo eshte tema, them une. Dhe nqs nuk nis te kuptohet, nga elitat politike por edhe ato shoqerore dhe te ndermerren programe masive qe startojne qe me edukimin shkollor, situata ka shume pak gjasa te ndryshoje ne menyre te vetvetishme.
        Personalisht kam prirje te shohe te mungesa e kesaj simbioze Shqiperi-shqiptar edhe cilesine e munguar te demokracise (shfaqur tek shitja e votes per nje thes miell, votimi i kandidateve me te shkuar/te tashme kriminale, fryma e pandeshkueshmerise, mos kerkimi i llogarise ndaj te zgjedhurit, etj). Jo, nje patriot nuk mund te sillet keshtu.

        1. Nuk të kuptoj mirë. kur thua: “Perndryshe, kritika nuk eshte gje tjeter vecse qurravitje per Atdhene qe nuk i mbajti.”. Ka nga ata që mendojnë se emigrantët hyjnë në kategoritë më aktive të shoqërisë. Janë njerëz me guxim, energji e me sens imprenditorial. Përndryshe nuk do ta kishin gjetur forcën për të ikur. Nuk është e thjeshtë ta lësh vendin tënd. Por nuk duhet të përgjithësojmë, natyrisht. Se nuk janë të gjithë kështu. Ka edhe elementë negativë. Mirëpo, edhe t’i shohim sikur nuk dëshirohen nga vendi, e përjashtohen si të padëshiruar e të paaftë, më duket tejet e ekzagjeruar e seç më kujton një thënie me të cilën është spekuluar për vite… Por ndoshta e kam marrë vesh gabim.

        2. Pseudonimngahalli

          Kur rrimarim thënien e drunjtë të Kendy-it, përpara se t’ua shesim shqiptarëve, duhet të kemi parasysh se edhe në USA nuk fluturon – të paktën jo tek elitat të cilat arrijnë, përtej patetizmit, ta lexojnë si të drunjtë. Ndërkohë ishte shumë kollaj atëherë t’u flisje amerikanëve për atë se çfarë duhet të bënin ata për vëndin e tyre, ndërsa vet amerika ishte në kulmin e zhvillimit ekonomik, drejt krijimit të një klase të mesme të qëndryueshme të cilën e trashëgon edhe sot. Pra ajo Amerikë u kishte dhënë qytetarëve të vet dicka që pak vende e ofronin në atë kohë.

          Shqiptarëve ka të paktën më shumë se një shekull që elita e vet politike nuk po ofron dot qëndrueshmëri – sidomos ekonomike.

          Dhe e di cfarë është më e rëndë? Që tashmë kjo elitë as nuk e fsheh të ketë hequr dorë tërësisht nga ndonjë përpjekje sado e vogël për t’ia arritur stabilitetit. E korruptuar dhe e paftë, u është dorëzuar përfundimisht veseve të veta.

          E di që patriotizmi është një vlerë emocionale që nuk mund të shkëmbehet në treg, dhe as nuk matet me formula ekonomike. Por është sakrificë e madhe t’u kërkosh shqiptarëvë ta ndajnë kasollen e tyre të varfër me të dehurit politkë që u kanë rënë për hise.

  4. Tek efektet e emigracionit unë do të përmendja dhe efektet makroekonomike, përveç pasojave në rrafsh personal/familjar dhe atë shoqëror.

    Emigracioni pertej niveleve normale, atij në shifra të ulta dhe që balancon luhatjet normale në tregun e punës së çdo vendi, pra emigracioni masiv dhe sidomos ai që përfshin familje të gjitha, dhe jo vetëm individë që ikin duke lenë familjet pas, ndikon rëndë në ekonominë kombëtare të një vendi:

    borxhi publik për frymë rritet (iu ngelet për t’u paguar një numri më të vogël qytetarësh),
    konsumi dhe të ardhurat nga taksat, tatimet dhe aksizat bien (më pak konsumatorë, taksapagues dhe sipërmarrës, si rasti që përmendet në shkrim),
    kërkesa për shtëpi, dyqane, transport etj ulet (duke çuar në zhvlerësim të aseteve),
    kërkesa për vende në shkolla, kopshte, spitale etj bie po ashtu,

    ndërkohë që infrastruktura ka kosto fikse, kosto që duhet t’i përballoj shteti dhe një numër më i vogël banorësh.

    Natyrisht që këto probleme mund të mos ndihen ose të mos bien shumë në sy në Tiranë apo në qendra të tjera të mëdha urbane, por në provincë dhe në fshatra këto mund të bëhen probleme shumë serioze…

    1. Patjetër. Këto lidhen të gjitha me efektet e ndryshimeve demografike. Prandaj edhe unë do të kisha dëshirë të dija grupmoshat e atyre që ikin aktualisht. Sepse po të rezultojë nga shifrat se janë kryesisht të rinj e të arsimuar atëherë edhe dëmet do të ishin më të mëdha për vendin. Por shpopullimi është një nga rreziqet që kanosin disa zona të Shqipërisë. Për fat të keq autoritetet shqiptare nuk na japin shifra të sakta për ikjet aktuale nga vendi.

  5. pseudonimngahalli, ke kapur nje aspekt interesant, faktin qe mbase ne shqiptaret emigrojme me shume sesa vendet e tjera te vrafera/korruptuara pertej asaj qe mund te vije si pasoje e varferise dhe korrusionit, qe dmth mund te kete nje faktor X tjeter qe ndikon ne kete. Ky faktori X mund te jete disa faktore ose nen-faktore, por ti vete e ke kapur nje interesant prej tyre: mbase ne shqiptaret ndjejme me pak lidhje dhe kemi me pak dashuri ndaj vendit tone.

    Besoj se qendron, e kjo s’eshte pune patriotizmi sic e shikon shumica patriotizmin, apo fare patriotizmi. Besoj eshte pune identifikimi dhe perkatesie (to belong) tek gjeja e perbashket qe eshte vendi yt, eshte at(meme)dheu yt, famija jote e zgjeruar. Fakti qe ne jemi nje nga kombet me te vjetra te rajonit e njeheresh nje nga shtetet me te reja–e me te shpartalluara–eshte domethenes ne te njejtat ujera…duket se historikisht ne s’kemi mundur (apo s’kemi dashur?) te hedhim renje te forta si nje trung i perbashket, perkundrazi, kemi pasur suksese individuale si dege/individe/nengrupe ne kurriz te “trungut” te perbashket. Kesisoj behet mese normale te kesh alergji per vendin tend, apo dhe ta shash, apo dhe te hiqesh sikur je grek/italian e jo shqiptar, sepse nuk te lidh shume me te, nuk e shikon aspak veten tende tek ajo pasqyre e perbashket.

    Ne kete pike futemi ne nje dileme edhe per monstruozitetin e monizmes shqiptare: ishte shkak a pasoje e kesaj tendence sho-shoq shtypese dhe trung-percarese? Ishte aq i eger si sistem dhe zuri renje ne Shqiperi (dhe pse komunizmi ishte koncept krejt i huaj atehere per shumicen e shqiptareve) si pasoje e negativitetit te disa individeve apo te shumices tone?

    Sa me thelle te ndjekesh folene e lepurit (huazuar nga ‘down the rabbit hole’) ne kete aspekt aq me e pasigurt behet gjeja, pjeserisht ngaqe behet me e veshtire per tu hulumtuar e prekur argumenterisht apo historikisht…p.sh. nese ne kemi dicka te vecante soc-kulture historikisht si shqiptare ne kete aspekt, c’e sjell kete vecanti dhe kur ka ardhur? E kane shkaktuar ate rrethanat e shekullitshekujve te fundit apo ka qene ne ADN-ne tone kolektive qe me pare, e si?

    Per tu kthyer sadopak ne temen kryesore te artikullit, shpesh mistika e elementeve te fella soc-kulturore behet e pavlefshme (si faktor) para brutalitetit te jetikes dhe ordineres se perditshme…ne mendjen time p.sh. nuk ka diskutim qe arsyeja kryesore e emigrimeve shqiptare eshte mungesa + erozioni i vazhdueshem i perspektives dhe shpreses per nje jete me kushte dhe dinjitet minimal per te qene ‘normal’ ne kete periudhe (in this day and age) e kete kontekst gjeo-historik, ndaj dhe shkaku kryesor eshte korrupsioni i parive politmafioze, ndaj dhe ajo pari shqiptare e ai fenomen duhen trajtuar si armiku kryesor, e jo otomanet qe luftonte Skenderbeu para 5 shekujsh.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: