NJË BOTIM I EGËR

nga Bardhyl Demiraj

Përjetojmë rishtas kohë të liga e sekush rreket të harrojë sadopak shqetësimet e ditës e të shmangë vetizolimin duke shfletuar faqe të internetit; thjesht dhe vetëm me dëshirën e mirë që të kërkojë, gjejë e lexojë informacion fatlum që i lehtëson disi gjendjen shpirtërore ase i rrit humorin. I tillë ishte edhe titulli premtues i shkrimit “Gjuha shqipe, Konstandin Kristoforidhi dhe Martin Camaj”, të cilin e ndesha sot (më 22.03.20) krejt rastësisht në disa adresa elektronike të informacionit publik e që ka të bëjë me një shkrim të datës 7 mars me autor prof. dr. Emil Lafen. Nuk jam në gjendje të verifikoj burimin zanafillës. Ndoshta ky shkrim është shpërndarë në disa gazeta njëherësh, ndër to p.sh. “Telegraf” (Tiranë) dhe “Koha Ditore” (Prishtinë), duke përkujtuar në këtë mënyrë ditën jubilare të vdekjes së Babait të Shqipes (7 mars 1895).

Shkaset me i anashkaluar këtij shkrimi ishin sigurisht jo të paka. Ndër to më i thjeshti, pra më bindësi është nami i keq që bart emri i autorit në rrethet e sotme intelektuale si pjellë hibride e një sistemi dështak që kultivoi dikur formimin e intelektualit të ri shqiptar me kulturë kolektive historike të shpëlarë. Por jo vetëm kaq: atë hendek që jes sot e gjithë ditën ndërmjet kumtit qytetar-intelektual që përcjell opusi i Konstandin Kristoforidhit dhe aktivitetit sa regresiv aq edhe agresiv të zotit Lafe e sërës së tij ndaj zhvillimeve razante që përjeton kultura e shkrimit shqip në kohën tonë, nuk ka litar e urë që i lidh bashkë, madje as t’i lidhë dikur. Profesori ynë pa vepra i ka shkelur me kohë të 80-at, andaj është vështirë ta kthejë kush së mbari në një të ardhme të afërt.

Asgjëmangut, ishte emri i Camajt në bashkëlidhje me atë të Kristoforidhit çka më joshi të zbres menjëherë në tekst e ta ngjëroj me një frymë. Pa dashur të bëhem i mërzitshëm për ata lexues që mund ta kenë kaluar tekstin një herë, lejohem të përmbledh thukët që autori në këtë shkrim përkujton fillimisht 125-vjetorin e vdekjes së Kristoforidhit duke u përqendruar nergut në fjalorin e tij të gjuhës shqipe (Λεξικὸν τῆς ἀλβανικῆς γλώσσης = Lexikon tēs albanikēs glōssēs. Athen 1904).

Ky fjalor është ribotuar së pari me shpjegimet e përkthyera shqip prej Aleksandër Xhuvanit (dsh. – *1953; Pragë 1961; Prishtinë 1977), ndërsa në nëntor të vitit të kaluar paska riparë dritën e botimit në një variant të ri me plotësime dhe shpjegime frëngjisht e që ka për autor Martin Camajn (“Dielli”, Beograd 2019 – nën përkujdesjen e Naile Mala Imamit). Për këtë botim unë për fat të keq nuk kam qenë në dijeni deri sot, veçse, ja, si çdo lexues kureshtar mësoj edhe unë prej zotit Lafe se si Martin Camaj gjatë periudhës së studimeve të tij në Beograd (19549-1953) paska punuar intensivisht për përgatitjen për shtyp të këtij fjalori. E më pas ndodhi ajo që ndodhi: “Më 1957 (sic! 1955 – B.D.) M. Camaj u detyrua të largohej me ngut nga Jugosllavia dhe ia la kopjen e vetme të dorëshkrimit të fjalorit mikut të vet Sitki Imami, i cili e ruajti me shumë kujdes deri në fund të jetës.” – shkruan Lafe, duke e përfunduar paragrafin se si “…i biri … vijoi ta ruante këtë fjalor si një amanet të të atit e të Martinit dhe gjithmonë, në biseda me miq, studiues e dashamirë, kërkonte që të gjendej mundësia e botimit të kësaj vepre.”

Nëse Martin Camaj ka lënë dikur një amanet të tillë lidhur me punën e vet, parë ky edhe në formën e lënies trashëgim në gjallje të një pasurie vetjake intelektuale, këtë rrethanë e kemi të vështirë ta përcjellim bindshëm në atë shkrim. Për më tepër Camaj ka mbyllur sytë për të fundit herë aty 28 vjet më parë, ndërkohë që Lafe hesht. Gjithsesi ajo çka të bie në sy është konstatimi i bërë ashtu kalimthi në paragrafin ndjekës, se si ky pinjoll në za i elitës së sotme intelektuale shqiptare paska pasur rastin të shfletojë dikur materialin në dorëshkrim, kur ka qenë i ftuar në familjen Imami. Aty paska vënë oroe, se si: “Koha kishte bërë të vetën dhe vende-vende teksti mezi lexohej. Dukej sikur ishte kopja e tretë ose e katërt e daktilografimit. Në të vërtetë nuk dihet në sa kopje do ta ketë daktilografuar tekstin Martini dhe ku mund të kenë përfunduar të tjerat.”

Është pikërisht kjo rrethanë që duam të tematizojmë në këtë shkrim, duke shpuar rishtas Themrën e Akilit në praktikën e botimit të dorëshkrimeve e të trashëgimisë postume të autorëve të ndryshëm në hapësirën kompakte shqipfolëse e në diasporë, sa kohë që nuk janë sqaruar së pari të drejtat e autorit, bash ashtu siç operohet sot e gjithë ditën në botën e qytetëruar, kur dhe ku autorë e redaktorë të ndryshëm vihen përpara përgjegjësisë sa morale aq edhe ligjore, në rast se ndërmarrin botime të egra.

Pa dashur të zhbiriloj me fakte e data rropatjet e vazhdueshme në vitet 2010-2011 të familjes Camaj në drejtim të Beogradit thjesht dhe vetëm për të siguruar një fotokopje të këtij materiali, po mjaftohem të përmend këtu statusin juridik që gëzon sot e gjithë ditën dr. med. Erika Camaj, e veja e Martin Camajt si trashëgimtare e drejtpërdrejtë edhe e pasurisë së tij postume intelektuale. Meqë s’kam të drejtë t’i mëshoj këtu fort këtij statusi, pasi nuk kam tagrin me mbrojtur të drejtat e autorit Martin Camaj me rrugë juridike, po mjaftohem t’i mëshoj me këtë rast thjesht dhe vetëm detyrimit moral-qytetar që duhet të mbajë vath në vesh sekush prej nesh, kur ndërmerr botime të kësaj natyre, pa u konsultuar e siguruar më parë për të drejtat e autorit.

Çuditërisht, çka vjen me thënë, në mënyrë krejt të pazakonshme për natyrën e tij si rrëfimtar barceletash në mexhlis, p.sh. se si studiohet jeta e elefantëve në shkollat franceze e gjermane, madje edhe në ato angleze, në këtë shkrim zoti Lafe mëngon të tregojë një ngjarje sa të vërtetë aq edhe të hidhur lidhur me ribotimin e parë të po këtij fjalori si produkt i punës këmbëngulëse shumëvjeçare të Aleksandër Xhuvanit. Ishte korrigjuesi i atëhershëm i bocave, profesori i nderuar Dhimitër Pilika që shkoi e vuri emrin e vet si redaktor i botimit në faqen prapa ballinës. Emri u mbulua atëbotë me urdhër nga lart me letër ngjitëse në gjithë tirazhin e destinuar për tregun shqiptar. Se si mund të veprohet tash me variantin e dytë si botim i egër i këtij fjalori, shkruesi i këtyre radhëve e ka të vështirë të japë receta të rastit. Le t’i drejtohemi më mirë përvojës që ka fituar dikur zoti Lafe dora vetë.

Përpos detyrimit moral-qytetar lejohem të shtoj në këtë shkrim polemik edhe një parametër, të cilit vështirë se i anashkalon një studiues sado i ndërgjegjshëm në aktivitetin e vet shkencor dhe në angazhimin e tij social. Është bash vetëkontrolli intelektual; në rastin tonë, nëse po punojmë vërtet me materiale unikate. Zoti Lafe bie vetë në kundërthënie në shkrimin e tij, duke cituar së pari një “kopje unike” e më pas hamendëson se si ai material në dorëshkrim që e paska lënë amanet Camaj “dukej sikur ishte kopja e tretë ose e katërt e daktilografimit.” Një intelektuali të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm në punën e tij do t’i mjaftonte kjo rrethanë që t’i vidhej tundimit për të thurur dithirambe ndaj këtij botimi të egër e jo të veprojë siç vepron gjithmonë profesori ynë si tipi i njeriut që hedh gurin e fsheh dorën.

Faqe nga dorëshkrimi origjinal i Camajt.

Ani, ç’na qenka ky unikat si kopje e tretë ose e katërt e një materiali daktilografik? Ku është kopja e parë origjinale? Po kopja e dytë? Harroi ky rob zoti të paralajmëronte në kohë atë avari të përftuar dikur në ribotimin e parë të fjalorit të Kristoforidhit? Pa dyshim që pyetjet mund të marrin edhe tjetër drejtim: Camaj jetoi jetën e vet rreth katër dekada pas largimit me ngut nga Jugosllavia. Përse s’u kujtua ta kërkojë këtë unikat e ta botojë apet punën e vet? Apo mos ishte i lidhur gjë besa-besë si malsor e zog malsori?

Pyetje mbi pyetje, të cilave shkruesi i këtyre radhëve si njohës dhe botues me lejë i veprës së Camajt nuk u jepte dot përgjigje deri në pranverën e vitit 2017, kur u përball ja ashtu krejt rastësisht me atë pirg dorëshkrimesh që presin ende të klasifikohen në arkivin e familjes Camaj. Aty gjëllin sot e gjithë ditën edhe dorëshkrimi origjinal i fjalorit të Kristoforidhit si kopje e parë e materialit daktilografik të përpunuar, shtypur dhe lidhur bukur në dy vëllime në plot 661 fletë prej Martin Camajt dora vetë. Prashtu lejohemi tash të mëtojmë pa hyrë në mëkat se Camaj, pas gjase, ka lënë në Beograd thjesht për siguri një kopje të tretë ase të katërt të materialit të daktilografuar, por asesi kopjen e parë origjinale e aq më pak të ketë firmosur ndonjë prokurë trashëgimie mbi pasurinë e vet intelektuale.

Ani, përse s’e botoi vetë së gjalli Camaj këtë produkt të punës së tij? Një pyetje e fundit kjo, që pritej t’i jepte përgjigje natyrshëm vetë autori në gjallje të vet. Nga një shfletim i kujdesshëm i dorëshkrimit origjinal të bie gjithsesi në sy se si studiuesi albanolog i është kthyer e rikthyer këtij dorëshkrimi me pendë e laps kohë pas kohe e rast pas rasti, ndoshta deri në fund të jetës. Përballemi këtu me një punë në filigran që synonte gjithherë përsosjen, bash ashtu siç dinte ta përsoste vetë i zoti në rrjedhë të viteve.

Është pikërisht kjo rrethanë tekstuale që sendërton atë homazh të amshuar ndaj Babait të Shqipes që rrugëtoi në jetën e lirikut, shkrimtarit, studiuesit dhe filologut Martin Camaj, duke bërë njëherësh krejt të papërfillshëm e të neveritshëm një botim të egër që trumbeton me hosana Barabai i letrave shqip bash në një datë të shënuar në historinë e kulturës sonë kombëtare.

(c) 2020, Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa lejen e autorit.

9 Komente

  1. Në parathënien e botimit të Fjalorit të Marko Boçarit, studiuesi Titos Jochalas, ka disa shënime mbi leksikografinë greko-shqiptare. Atje shkruan edhe për Fjalorin e Kristoforidhit ku midis të tjerash thotë se dorëshkrimi origjinal kaloi në pronësi të Ministrisë së Jashtme greke, e cila u kërkoi një raport dy personave, Diogjen Haritos dhe Nikolla Nosit mbi vlerat e fjalorit dhe në vijim financoi botimin e tij. Si pasojë, shkuan Jochalas, pretendimet e A. Xhuvanit në botimin e dytë, se gjioja Greqia deshi të shkatëronte fjalorin e Kristoforidhit, tregojne injorancë.

  2. A ka ndonjë referencë konkrete Titos Jochalas lidhur me dorëshkrimin origjinal? A vijon ky të ndodhet në pronësi të MPJ greke, apo i ka kaluar Bibliotekës Kombëtare të Greqisë? Katalogu i kësaj të fundit nuk jep ndonjë të dhënë.

    Xhuvani me siguri do të ketë shfrytëzuar botimin e Sakellariout të vitit 1904, të ruajtur në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Duke gjykuar nga katalogu në rrjet, BKSH paska 10 ekzemplarë të këtij botimi, të klasifikuara në dy njësi të ndryshme bibliotekare. Ajo e pari, me 8 numra inventari, shfaq këto të dhëna: shënim :
    Titulli
    Lexikon tis alvanikis glossis
    Autorët
    Kostandin Kristoforidhi
    Botuar
    Athina : Typois P.D.Sakellariou, 1904
    Të dhëna fizike
    VIII, 502 f. ; 24 cm
    Shënime
    Aut. në libër:K. Christiforidis.- Kopjes me nr. vendi 86b.B.22 i mungon fl. e
    tit. dhe f. V-VI. – Ekzemplari 80.b.149 në fl. tit. ka disa vula dhe një
    autograf: Dhuratë libraris e shtetit 1922 I. Shytj. – Fjalor shqip-greqisht, ku
    pjesa shqip është me alfabet grek..

    Kurse e dyta, me dy ekzemplarë, ka këto të dhëna.

    Titulli
    Lèxikon tès alvanikès glossès upo
    Autorët
    Kostandin Kristoforidhi
    Botuar
    Athinë : Pa em., 1904
    Të dhëna fizike
    502 f.
    Shënime
    Pjesa shqip hartuar me alfabet greqisht, plotësuar me disa gërma latine
    Të dhëna për ekzemplarin

    Me siguri është i njëjti botim, por nuk kuptohet se pse i dyti është “pa emër botuesi”.

    Nuk e gjej këtë botim në katalogun e Bibliotekës Kombëtare të Greqisë, ndofta për shkak të mospërdorimit të gërmave të alfabetit grek në tastierën time.

    Gjithsesi mbetet me interes të madh historia e “kalimit në pronësi të MPJ greke”, si dhe lokalizimi i dorëshkrimit origjinal. Me shumë gjasë Johallas duhet ta ketë pasur në dorë aty ku ndodhet.

    1. Po, në lidhje me Fjalorin jep një indikacion arkivor të dosjes që gjendet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Dosja përmban letërkëmbimin midis Konsullatës greke në Durrës dhe Ministrisë së Jashtme ku duket, thekson Jochalas, përpjekjet e Ministrisë për të botuar Fjalorin, por edhe tendencat e palës italiane për të ndaluar botimin duke u përpjekur të bindnin të birin e Kristoforidhit i cili ishte pronari i dorëshkrimit të mos e shiste grekëve. Kaq nga Jochalas. Nga sa kuptoj unë, fjalori fizikisht duhet të jetë ende në pronësi të të MPJ-së.

  3. Nuk e kuptoj qellimin e ketij shkrimi. Nuk e kuptoj sakte arsyen per te cilen ankohet autori. Jam i sigurte qe aty eshte, acik, per njerezit “e fushes”, po une nuk i jap dum.
    Fjalori qenka botuar disa here, si ne Tirane, dhe gjetiu.
    Ku eshte problemi, nuk e kuptoj.

    1. Si e kuptoj unë: shkelja për të cilën ankohet autori nuk ka të bëjë me Kristoforidhin dhe fjalorin e tij, por me të drejtat ndaj përpunimit të imtë që ia ka bërë fjalorit Martin Camaj – duke e pajisur me shënime dhe komente dhe kushedi çfarë tjetër. Vlera e këtij botimi tani është te shënimet e Camajt, jo te Fjalori vetë, sepse Fjalori ka kohë që qarkullon. Më lart ka edhe një fletë nga dorëshkrimi i Camajt, që e ka sjellë Demiraj si ilustrim: atje unë shoh që Camaj edhe e ka tejshkruar fjalorin në alfabetin latin (origjinali i Kristoforidhit është me alfabetin grek, në mos gabohem, dhe shënimet e autorit përbri fjalëve shqipe janë greqisht). Por ka edhe më. Gjithnjë sipas Demirajt, i cili ka akses legjitim te arkivi personal i Camajt, ky i fundit pat punuar me dorëshkrimin e fjalorit të Kristoforidhit deri në fund të jetës, dhe po të jetë kështu, atëherë materiali i ri që sapo është botuar, dhe që Demiraj e proteston, ndjek versionin fillestar të përpunuar nga Camaj në vitet 1950 kur ishte akoma student në Beograd, version që do të ketë qenë me siguri i papërfunduar, sepse i mungojnë 30 vjet shënime të reja. Pra, sërish me sa kuptoj unë, ky botim nën kujdesin e Naile Mala Imamit, në Beograd 2019, është jo vetëm në shkelje të copyrightit, por edhe i paplotë dhe, në çdo rast, i ndryshëm nga varianti që ka mbetur në arkivin e Camajt, me ndërhyrjet e autorit deri para se të vdiste. Prandaj edhe Demiraj e quan “botim i egër”. Unë këto i mësova nga shkrimi më lart, por duhet dëgjuar edhe pala tjetër.

  4. Si problematike, eshte e njejta qe kam trajtuar ne temen time te masterit (“Arketipi, neoarketipi dhe teksti fals”). Me sherbeu si konfirmim i saktesise se konstatimeve dhe argumenteve qe trajtoj ne ate punim. Ne filologji, keto lloj botimesh postume (me autenticitet te dyshimte dhe pa miratimin e autorit ne gjallje te tij) njihen si botime false.

  5. Botimi ne fjale eshte kryer ne Serbi, pra i nenshtrohet legjislacionit serb mbi te drejtat e autorit. Kemi te bejme me nje doreshkrim qe ka qene ne zoterim te nje individi te ndryshem nga autori.
    Ne linkun e meposhtem po sjell si kontribut per debat tekstin e ligjit serb mbi te drejtat e autorit.

    http://www.tauvisual.com/copyrightlaws/serbia_2009.pdf

    Rasti ne fjale trajtohet nga paragrafi 4.3 (faqe 8-9), nenet 34-36. Nga sa kuptova une, qe gjithsesi nuk jam jurist, te drejtat e autorit dhe te trashegimtareve te tij te ligjshem konsistojne vetem ne perfitimin e nje shume ne masen 3% te cmimit te shitjes se librit. Aty nuk pashe te behet fjale per kufizime te drejtash botimi.
    Megjithate juristet mund ta shkoqitin me mire kete pune.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: