ZOTËRINJTË SHKATËRRIMTARË TË GJUHËS

Si shqipfolës kompetentë, jemi në gjendje të pikasim a të dallojmë kuptimet e ndryshme të fjalës kontroll, në përdorime të tilla si kontrolli i mëngjesit, kontrolli i territorit (i kufirit), kontrolli i topit (në futboll), kontrolli i xhepave, grupi i kontrollit (në një eksperiment mjekësor), humbi kontrollin e makinës, mbaj nën kontroll, etj.; ose kontrolloj për armë pa leje, kontrolloj pushtetin, kontrolloj të ngrënët, kontrolloj veten (nervat), kontrolloj çatinë, etj.: kuptimet janë mjaft të ndryshme mes tyre, por fjalët (emri kontroll, folja kontrolloj) – ose më saktë, shenjuesit përkatës – të njëjta formalisht. Fjala kontroll ka hyrë në shqipe, me gjasë, nga italishtja; ndërsa kontrolloj është formim i rregullt brenda shqipes – pa çka se folja ka trashëguar kuptimet e emrit; për t’u shënuar se italishtja vetë e ka marrë nga frëngjishtja contrôle, që fjen nga një contre-rôle, me kuptimin “regjistër verifikimi”, dhe që ajo fjalë, deri vonë në italishte, konsiderohej si “brutto francesismo da evitare.” Megjithatë, kuptimi “dominoj, drejtoj, kam pushtet ndaj” është zhvilluar më parë në anglishte, gjatë shekullit XIV, dhe pastaj ka hyrë në frëngjishte, në italishte dhe në gjuhët e tjera romane; shqipja, veçanërisht ajo e mediave, mund ta ketë marrë drejtpërdrejt nga anglishtja. Një kuptim, si të thuash, i huazuar; po aq i huazuar, sa edhe ç’mund të jetë një fjalë (si unitet i shenjuesit me të shenjuarin); pa çka se kuptimet e huazuara të fjalëve janë praktikisht të tejdukshme për folësin jo-ekspert. Dukuria ndeshet rëndom në të ashtuquajturat “kalke”, ku një fjalë ose shprehje modelohet sipas një origjinali të huaj: qiellgërvishtës(e) mund të tingëllojë shqip, por është në fakt përkthim besnik i grattacielo ose skyscraper (rrokaqiell është një orvatje tjetër, më poetike); njëlloj siç është nëndetëse përkthim i sottomarino, hekurudhë e ferrovia, e kështu me radhë. Pjesa më e madhe e fjalëve dhe shprehjeve “librore” të shqipes moderne janë, në fakt, kalke nga gjuhët perëndimore; madje edhe shumë shprehje, të tipit tru-shpëlarje ose i kanë shpëlarë trutë, nga anglishtja brainwash(ing). Në fakt, shumë nga tundimet dhe përpjekjet e puristëve, për të zëvendësuar një “fjalë të huaj” me një “fjalë shqipe” nuk janë veçse shprehje e kësaj dëshire për t’i dhënë një suva a furçë boje vendëse formës gjuhësore të huazuar.

Ja një shembull kurioz, nga kolazhet e kronikës së qytetit, në romanin Kronikë në gur të I. Kadaresë[1], ku përmendet mes të tjerash një “rubrikë gjuhësore” në të cilën lexojmë:

Zotërinjtë shkatërrimtarë të gjuhës po e teprojnë guximin e tyre! Pasi patën paturpësinë të zëvendësojnë fjalën e bukur shqipe “kredharak” me “nëndetëse”, tani po përdorin fjalën e huaj “avion” në vend të fjalës së bukur shqipe “ajror.” Turp. (Kadare, I, Kronikë në gur, Onufri, 2000, f. 133.)

Kështu shprehet, në roman, gjuhëtari anonim i “rubrikës”; për t’u vënë re që ai e refuzon nëndetëse, duke parapëlqyer “fjalën e bukur shqipe” kredharak; me të njëjtën qasje që refuzon avion duke parapëlqyer sërish “fjalën e bukur shqipe” ajror. Në fakt, kredharak është një emër vepruesi (nomen agentis), “dikush ose diçka që kridhet” – dhe rezulton të jetë përdorur në shqipe për “nëndetëse” (Fjalori i 1980-ës e jep si të vjetruar, bashkë me foljen kredh, kridhem); sot, për të njëjtin mjet lundrues, shqipja parapëlqen nëndetëse, të cilën autori anonim i pasazhit më lart lë të kuptohet se nuk është “fjalë e bukur shqipe” – mbase ngaqë është kalk i sottomarino. Përkundrazi, neologjizmit ajror i vihet përballë avion, huazim teknik i mirëfilltë nga frëngjishtja (në atë gjuhë, së bashku me aviation, neologjizëm sipas temës latine avis, shpend). Ironia këtu është se edhe kredharak mund të jetë formuar, në shqipe, sipas gjedhit të italishtes sommergibile, çfarë do t’ia hiqte njëfarësoj bukurinë e supozuar. Zotërinjtë shkatërrimtarë të gjuhës futkan nga dritarja atë çfarë nuk e kalojnë dot nga dera…

Pyetja që puristët herët a vonë duhet t’i përgjigjen qoftë edhe vetmevete, është kjo: a janë kalket për t’u mirëpritur, apo për t’u refuzuar? Sidomos po të kemi parasysh se shumë neologjizma, të cilat ata i përshëndetin dhe i reklamojnë, nuk janë veçse bojatisje fjalësh të huaja, me morfoleksema shqipe? Problemi njihet mirë, në të gjitha kulturat e tunduara nga dëshira për ta mbajtur gjuhën “pastër”; për gjermanishten, ekziston madje një koncept, Lehnprägungen (formime të huazuara), i formuluar nga filologu Werner Betz, për fjalë të ndërtuara sipas rregullave të gjermanishtes, ose të paktën me morfema të gjermanishtes, por që nuk do të ishin krijuar ose nuk do të kishin marrë kuptimin që kanë sot, sikur të mos ish ndikuar gjermanishtja nga një model i huaj – p.sh. Gegenstand, me kuptimin “objekt”, e ndërtuar mbi një lexim etimologjik të latinishtes objectum; ndërsa Geist, me kuptimin “frymë”, është një Lehnbedeutung (“kuptim i huazuar”) nga latinishtja spiritus – pavarësisht se fjala Geist, si shenjues, është gjermanike.

Nga kjo pikëpamje, Betz – që i referohet edhe një studimi tashmë klasik të Einar Haugen (“The Analysis of Linguistic Borrowing”) – vë në dukje se disa gjuhë huazojnë lirshëm dhe shumë (p.sh. do të shtoja unë, shqipja), ndërsa disa gjuhë të tjera, si gjermanishtja, preferojnë “zëvendësimin morfemik”, duke u dhënë një veshje vendëse fjalëve përndryshe të huaja; nëse gjuhët neolatine dhe, deri-diku anglishtja, morën fjalë pa hesap nga latinishtja klasike dhe greqishtja e vjetër, për nevojat e tyre leksikore, gjermanishtja krijoi fjalë me mjetet e veta, për të shprehur dhe përcjellë kuptimet e huazuara. P.sh. Fernsehen si kalk i televizion.

Ata puristë që e përshëndetin këtë lloj “zëvendësimi morfemik” (kalk) ndjekin, në fakt, një vizion tejet formalist të leksikut, duke e identifikuar fjalën me “shënjuesin” (signifié) dhe duke pranuar, në mënyrë implicite, se kuptimet a konceptet ekzistojnë në mënyrë të pavarur nga mveshja e tyre gjuhësore, çfarë vështirë se do t’i qëndronte kritikës mirëfilli linguistike.

Në një studim për nacionalizmin dhe purizmin gjuhësor te Fichte-ja[2] nga ku i kam marrë edhe shembujt më lart, David Martyn vëren se Fichte-ja vetë, ky ideolog i hershëm i nacionalizmit gjerman, u kundërvihej me pasion “përkthimeve leksikore”, duke i konsideruar edhe ato si forma të huazimit nga gjuhë të tjera; duke kundërshtuar, p.sh. Menschlichkeit si formën gjermanishte të Humanität, dhe duke favorizuar Menschenfreundlichkeit – të cilën ai filozof e quante “përkthim në gjermanishte të mirëfilltë, të vërtetë” (Übersetzung in echtes, wahres Deutsch). Shkruan Martyn: “Çfarë e shqetëson Fichte-n, në lidhje me futjen e fjalëve të huaja në gjermanishte, ka më pak të bëjë me tingullin e tyre …  sesa me kuptimin, sidomos kur fjala i referohet një koncepti abstrakt.”

Puristët tanë nuk shtyhen deri këtu, por mjaftohen me bojatisjen ose suvanë dhe nuk i trazon kush; pa çka se shqipja e sotme librore dhe jo vetëm, shumë më tepër se gjermanishtja, është praktikisht e gjitha e ngritur mbi praktikën kulturore të kalkut (ose përkthimit semantik ose morfo-leksikor); kjo pavarësisht nëse, të themi, fjalën frëngjishte impression e japim si “mbresë” apo “përshtypje” (e para, kalk semantik; e dyta kalk morfo-leksikor); çfarë është huazuar, para së gjithash, është kuptimi i “përshtypjes” si metaforë e gjurmës që lë shtypja në një ind ose lëndë të butë. Me fjalë të tjera, metafora është parësore, leksema dytësore. Richtig?

Të marrim, bie fjala, shqipen botoj – një folje neologjizëm, që mbështetet në kuptimin “ia bëj të ditur/të njohur botës”, si përkthim semantik i italishtes pubblicare; si formim me prapashtesën -o nga tema emërore botë, me kuptimin “mondo, ëorld”, e cila është fjalë shqipe e trashëguar. Te studimi që ia bën etimologjisë së kësaj fjale[3], Çabej vëren se, me kuptimin e ri të shtypit të librave, kjo botoj del së pari tek Albania dhe është treguar produktive në neologjizma, duke dhënë mes të tjerash botëror (botnuer), botërisht (botnisht), botor, i përbotshëm dhe pastaj botoj, botim, botues (botonjës). Por, vazhdon ai, botoj ka një mbështesë në gjuhën popullore, meqë në Shkodër i botuem ka kuptimin “epileptik”, dhe shkon bashkë me shprehjet i bie bota, i ra e botës, te Junku bota “mal caduco”; duke qenë kështu botë ose një eufemizëm për “epilepsinë” ose pjesë e eufemizmave përkatës.[4] Qartazi, kjo formë semantike e mbiemrit i botuem, në dialektin e Shkodrës (“epileptik”) nuk ka lidhje të perceptueshme me mbiemrin i botuar, në kuptimin “pubblicato, published”; aq sa në një fjalor të sotëm, do të ishin trajtuar si homonime. E megjithatë, lidhja e fjalës botë me epilepsinë është popullore dhe mirëfilli shqip, ndërsa fjalë si botoj, botim etj. janë kalke, ose ndërtime shqipe të modeluara sipas kuptimesh “të huaja.”

Një shembull tjetër, kurioz, do të ishte fjala brez (brezni), me kuptimin “gjeneratë”; edhe pse puristët do ta konsideronin pa dyshim “fjalë të bukur shqipe” dhe do ta rekomandonin pa ngurrim, sa herë që t’u dilte përpara e frikshmja dhe turbulluesja gjeneratë. Çabej, tek etimologjia përkatëse, e shpjegon këtë kuptim si kalk semantik nga turqishtja kuşak.[5] Por cili prej nesh do të dallonte dot natyrën “turqishte” të kësaj metafore të ngrirë? Askush, dhe thjesht ngaqë kjo natyrë, kaq e rëndësishme për puristët, në fakt është fiktive, ose një mistifikim.

Kalket semantike dhe morfemike në shqipe pak janë studiuar; leksikologët gjithnjë parapëlqejnë t’i trajtojnë si neologjizma, edhe kur nuk i pagëzojnë si “fjalë të bukura shqipe.” Njëlloj nuk studiohen modifikimet kuptimore që u ka bërë shqipja huazimeve leksikore, sepse materiale të tilla konsiderohen si vetvetiu “të ndotura” (për puristin)[6]. Kjo dukuri përshtatjeje vijon sot e kësaj dite, dhe jo vetëm me shtresa fjalësh të stigmatizuara si turqizmat; i tillë është kuptimi i ri, “kaskë” (motoçiklisti) për një huazim teknik si skafandër, përndryshe me kuptimin “Veshje e posaçme, e papërshkueshme nga uji etj., që përdoret për të qëndruar e për të punuar nën ujë, në hapësirë pa ajër etj.” (FGJSH). Ky lloj trajtimi vernakular, i huazimeve, është njëfarësoj simetrik me kalkun (semantik, morfemik) që kryhet në nivelet librore: nëse elitat e pastrojnë ndërgjegjen e tyre kombëtariste, duke bojatisur “shqip” pjesën shënjuese të fjalëve të huaja, të tjerët (“populli”) e modulojnë leksikun sipas nevojave praktike që u dalin.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Këtë shembull e kam analizuar gjatë edhe në librin tim Kundër purizmit, Dudaj 2012.

[2] David Martyn (1997) Borrowed Fatherland: Nationalism and Language Purism in Fichte’s Addresses to the German Nation, The Germanic Review: Literature, Culture, Theory, 72:4, 303-315

[3] Studime etimologjike në fushë të shqipes, II, Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 1976, f. 295.

[4] Te një studim mbi “Disa eufemizma të shqipes” (Studime gjuhësore IV, Rilindja, Prishtinë, f. 17-24), Çabej përmend numrin e madh të fjalëve popullore për epilepsinë, mes të cilave – vërej unë – disa i referohen simbolisht tokës, dheut, që nga ajo e tokës, sëmundja e tokës; dhe tani ajo e botës. Me gjasë, bota këtu është në kuptimin e saj të parë, si lloj balte e bardhë, dhe pastaj dheu në përgjithësi. Të krahasohet këtu edhe përdhes-i.

[5] Vep. cit. f. 319.

[6] Vitet e shkuara, i kam kushtuar vëmendje, në një varg shkrimesh në Peizazhe të fjalës, evoluimit kuptimor të turqizmave në shqipen bisedore.

4 Komente

  1. Përshëndetje!
    Kalket, vërtet, janë të rrezikshme, meqë janë ndërtime gjuhësore, me veshje shqipe dhe me identitet a frymë të huaj.
    Për fat të keq, shqipja e Kosovës, është e mbytur nga kalket sllave, disa nga të cilat po i sjell më poshtë:

    auto-larje= auto pranje
    ëmbëltore=poslastiçarnica
    jam kanë= bio sam
    lajmërohem (i paralajmëruar)=biti upozoren.
    Në drejtim (të zgjidhjes së problemit)= u smislu (reshavanja problema) etj.
    kerr- kola.

    Ka edhe shumë e shumë kalke kësisoji që tashmë kanë zënë vend në shqipen kosovare dhe thuajse të gjitha kanë ardhur nga një rrugë: shqipja librore, nga përkthimet e librave e sidomos filmave e kështu, tamam si një virus gripi, janë përhapur gjerësisht edhe në gjuhën e popullit.

    1. Mes kalkeve, ka që e “respektojnë” strukturën e shqipes, ka edhe që e thyejnë.

      Për shembull, marr një vendim duket se është kalk nga italishtja “prendere una decisione” (që del edhe në gjuhë të tjera), por pajtohet me sintaksën e shqipes dhe reksionin e foljes marr.

      Përkundrazi, telefonoj Ardianin, ku folja “telefonoj” sillet si kalimtare, bie ndesh me sintaksën e shqipes; meqë telefonoj, në shqipe, ka qenë tradicionalisht jokalimtare, dhe ndërtimi do të duhej të ishte: i telefonoj Ardianit (me dhanore, ose kundrinë të zhdrejtë).

      Mund të pyetet pse u dashka që telefonoj të jetë jokalimtare – meqë edhe kjo është huazim relativisht i vonë nga italishtja telefonare; përveç arsyes që edhe reksioni i foljes (ose natyra e plotësit që kërkon) është kalk nga gjuha burimore: telefonare a qualcuno. Por unë do të thoja që shqipja e ka trajtuar telefonoj si jokalimtare me kundrinë të zhdrejtë, duke e futur në kategorinë e foljeve të tilla si flas (i flas dikujt), thërras (i thërras dikujt), bërtas (i bërtas dikujt), etj.

      Përndryshe, shqipja ka marr në telefon, një ndërtim kalimtar, që mund të ndiqet nga kundrina e drejtë.

      Dhe, gjithsesi, pavarësisht nga origjina ose arsyeja e ndërtimit i telefonoj Ardianit, fakt është që ky ndërtim kish zënë vend mirë në shqipe, para se të hynte kjo telefonoj Ardianin, që mua më tingëllon mbrapsht; dhe që ka hyrë si kalk nga anglishtja call Ardian.

      1. Nje pyetje te lutem,

        Pse “telefonoj Ardianin” eshte e panatyrshme dhe nuk na rri mire, por “telefonoj spitalin” na rri me mire ne vesh?
        Ka ndonje shpjegim qe nje “lay person” mund ta kuptoje pa shume veshtiresi?

        1. Për mua, të gjitha përdorimet e telefonoj si folje kalimtare (ose me kundrinë të drejtë – telefonoj spitalin) janë kalke nga anglishtja (call the hospital). Tradicionalisht, folja telefonoj në shqipe ka qenë jokalimtare (është përdorur, prandaj, me kundrinë të zhdrejtë – ti i telefonon spitalit, njëlloj sikurse i flet popullit dhe i bërtet djalit). Përdorimi me kundrinë të drejtë është relativisht i vonë. Nuk besoj se ka arsye të forta për t’ia ndryshuar foljes “reksionin”, ose mënyrën si sillet në fjali, përtej kalkimit, ose kopjimit të një strukture gramatikore tjetër. Sot për sot, në shqipe kemi dy struktura konkurrente: telefonoj spitalin dhe i telefonoj spitalit – gjë që nuk është normale. Mundet që përhapja e formës me kallzore të ketë lidhje me dobësimin e dhanores në shqipe: temë që kërkon vëmendje më vete (ka një prirje për ta zëvendësuar, nga njëra anë me kallëzoren, nga ana tjetër me gjinoren, në shumë ndërtime). Por edhe kalku sintaksor mund të jetë faktor. Mundet që folësit e shqipes sot të kenë problem ndërtimet e foljeve jokalimtare në urdhërore, për shkak të prapavendosjes së trajtave të shkurtra: telefonojini shërbimit të klientit… vs. telefononi shërbimin e klientit. Trajta e parë është më problematike – shumë të rinj nuk e përdorin fare, ose e paravendosin trajtën e shkurtër të dhanores: i telefononi shërbimit të klientit… çfarë sërish nuk tingëllon shqip (tradicionalisht, urdhërorja i ka prapavendosur këto trajta; por sot dëgjon gjithnjë e më shpesh më merr edhe mua vs. merrmë edhe mua; na dëgjo, se të duam të mirën vs. dëgjona se të duam të mirën).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin