PAMUNDËSIA E PËRKTHIMIT

nga Erlind Sulko

Një ditë një burrë vendosi të përkthente mjaullimën e maces së tij. U mundua gjatë, por nuk arriti dot që zëri i tij të kishte të njëjtin tingëllim me mjaullimën e maces: zëri o do i dilte më i lartë, o më i ulët, o më i trashë, o më i hollë. Kështu që, ai u vetëkënaq me një përafrim.

Pas pak gruaja e përkthyesit hyri në dhomë dhe i tha: – Shiko, o burrë, se maces i ka hije mjaullima, me ato lëvizjet e saj të fshehta, me leshin e dendur e të bardhë, me vështrimin e magjishëm, ndërsa mjaullima jote është një çmenduri, një përzierje e pamundur! Përkthyesi i maceve, ky njeri që përherë kërkonte përkryerjen gjithkund, u shtri përtokë e filloi të ecte si macja e tij e të mjaullinte. Filloi t’i ngjante më tepër maces së tij, pavarësisht se gruas po i dukej qesharak.

Më pas në dhomë hyri edhe vajza e tij, e cila po e vështronte të atin me habi.

– A nuk është mjaullima e ime e njëjtë me atë të maces? – e pyeti përkthyesi duke ecur në dysheme këmbadoras.

– Jo, – iu përgjigj vajza, – pasi ti mjaullive pas maces.

I zhgënjyer, përkthyesi u dorëzua dhe iu rikthye gjuhës se tij të përditshme.

Ky nuk është aspak një teprim apo një shaka, por një përshkrim i pamundësisë për të përkthyer tjetrin.

§

Mos u josh të mendosh se krahasimi midis gjuhës së tjetrit dhe mjaullimës së maces është i pavend, pasi gjuha e tjetrit përherë na shfaqet si një zhurmë e pakuptueshme, ndërsa gjuha jonë si një zhurmë e kodifikuar me rregulla dhe si rrjedhojë e kuptueshme.

§

Edhe sikur përkthyesi të mjaullinte në të njëjtën kohë me macen e tij, ajo “gjë” nuk do të ishte më një përkthim, pasi përkthimi parakupton një mbivendosje kohore të një ligjërimi që vjen para e të një ligjërimi që vjen pas.

§

Gjuha nuk është një pasqyrim i pastër dhe i tejdukshëm. Ajo i ngjan më shumë pasqyrimit të një deti të turbullt, të egërsuar dhe me dallgë: aty deti shfaq vetveten. Imazhi që përcillet në rrjedhat e detit është gati i zhdukur dhe diçka krejtësisht e re nga ajo që kërkon të pasqyrohet.

§

Përkthimi është derdhja e një lumi në detin e një gjuhe tjetër: uji i tyre bëhet i njëjtë kur bashkohen. Përkthimi është i pandashëm nga gjuha ku përkthehet dhe jo nga gjuha e përkthyer.

§

Në filozofinë e tij të mbrame, Wittgenstein-i e trajton gjuhën si një lojë. Gjëja e vetme e përbashkët që kanë lojërat janë rregullat dhe jo ndonjë thelb i pranishëm tek çdo lojë. Pasi ka lojëra me top dhe lojëra pa top, lojëra me vrapim dhe lojëra pa vrapim, lojëra zbavitëse dhe lojëra jo zbavitëse, por s’mund të ketë kurrë një lojë pa një “ti duhet të veprosh kështu”. Por, ky është një rregull me përmbajtje të pafundme, madje edhe i pakundërshtueshëm, pasi kur thua “ti duhet të veprosh duke mos vepruar”, ky prapë është një rregull që duhet të ndiqet.

§

Përfytyro disa djem duke luajtur futboll para pallatit. Çdo lëvizje e djemve në fushë është një veprim gjuhësor: një zbatim i rregullave. Nuk janë lojtarët që luajnë me topin, por topi që luan me lojtarët. Një vepër letrare është pikërisht si kjo loja: një ndërveprim i ndërlikuar gjuhësor. Por, a mund të përkthehet kjo lojë në një lojë tjetër? A mund të përkthehet ajo lojë pa qenë një përsëritje e asaj loje? Si mund të përkthehet një lojë futbolli në një lojë basketbolli? Këtë gjë të pamundur duhet të kryejë përkthyesi.

§

Kur teksti përkthehet, origjinali zhduket: përkthimi krijon një marrëdhënie fillestare me vetveten dhe një marrëdhënie dytësore me origjinalin. Si pasojë, detyra kryesore e përkthyesit është rishkrimi i veprës, jo robërimi nga origjinali. Origjinali nuk mund të përsëritet: duhet të rishkruhet një origjinal tjetër medoemos.

§

Gjuhët kanë parakuptime dhe nënkuptime të papërkthyeshme, të cilat rrjedhin nga marrëdhënia e papërsëritshme që fjala ka me gjuhën si një tërësi e pafundme. Si pasojë, përkthimi si një pasqyrim i drejtpërdrejtë është parimisht i pamundur. Përkthyesi nuk duhet ta harrojë asnjëherë këtë, përndryshe do ta gënjejë veten sikur është ende në periudhën e njëgjuhësisë së Babilonisë.

§

“Një mitologji e tërë fshihet brenda gjuhës sonë.” Mitologji është fjala e duhur, pasi gjuha përmban një botëkuptim për të cilin ne jemi zakonisht të pandërgjegjshëm. Mitologjitë e gjuhës janë si rrënjët e pemës: ato e mbajnë pemën gjallë dhe janë të dukshme vetëm për gërmuesin.

§

Mitologjia e gjuhës shfaqet fillimisht në bashkimin simbolik dhe fillestar të fjalës me diçka tjetër, dhe me zhvillimin e mëvonshëm metaforik të fjalës duke u bashkuar me fjalë të tjera.

§

Mitologjia e gjuhës është papërkthyeshme. Ajo lind si pasojë e marrëdhënies së veçantë dhe të papërsëritshme që fjala ka brenda një sistemi gjuhësor.

§

Një mitologji e tërë fshihet brenda fjalëve që ne rrejmë veten se përkthehen lehtazi. Kur ne përkthejmë fjalën “alêtheia” nga greqishtja e lashtë si e vërteta, ne kemi humbur tërë kuptimin e mirëfilltë të fjalës: kuptimin parak të fjalës si një zbulim, si një hapje, si një shfaqje. Por edhe nëse ne e përkthejmë fjalën “alêtheia” si “zbulim”, edhe kjo nuk do ishte me vend, pasi fjala “zbulim” nuk ka më brenda kontekstit tonë të njëjtin kuptim të fshehur siç e ka “alêtheia”. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për fjalën “èmèt” të hebraishtes: kur ne e përkthejmë atë si e vërteta tek Besëlidhja e Vjetër, ne kemi humbur kuptimin e mirëfilltë e të fshehur të fjalës si një premtimi. Premtimi i Hyut dhe e vërteta e Hyut është i pandarë brenda hebraishtes – por për ne nuk mund të jetë e tillë, pasi ose do të përkthehet premtim ose e vërteta, por jo të dyja në të njëjtën kohë. Prandaj, rikrijimi i veprës nga përkthyesi nuk është më një dëshirë, por një rikrijim i pashmangshëm.

§

Çështja nuk është nëse vepra rikrijohet nga përkthyesi apo jo, pasi jo kjo është e pamundur të mos ndodhë. Prandaj, problemi i njëmendtë është: si duhet gjykuar rikrijimi i përkthyer?

§

Përkthyesi nuk ia jep vetes lirinë për të ndërhyrë. Përkundrazi, ai duhet të përballet me lirinë e pafundme të gjuhës dhe pamundësinë e përkthimit të përkryer.

§

Edhe përkthimi i fjalëpërfjalshëm është një interpretim. Marrëdhënia me tekstin është përherë një interpretim.

§

Përkthyesi, sado i përpiktë të jetë, përherë ndikon tek ajo që përkthen, edhe kur përkthen fjalë për fjalë. Ndikon vetë gjuha e përkthyesit.

§

Fan Noli, duke e sjellë Don Kishotin në Shqipëri, e çliroi përkthimin nga skllavëria e rreme e origjinalit. Nuk ka qenë Fan Noli i çmendur, por ne që ende besojmë se Don Kishoti i sjellë në gjuhën shqipe mund të rrijë vetëm në La Mança.

§

Përkthimi nuk është një dritare e kopjuar që hap pamjen drejt dritares origjinale, por një ripikturim i dritares. Përtej përkthimit ndodhet vetëm përkthimi – jo origjinali.

§

Siç bëri Beethoven-i një kryengritje në botën muzikore, duke futur zërin në simfoni, ashtu edhe Fan Noli kreu një kryengritje të papërsëritshme në botën e përkthimit duke e bërë Don Kishotin të ecë në Shqipëri. Do shkoja aq larg sa do të thoja se kjo është ndodhia më e veçantë në historinë e letërsisë shqiptare.

§

Një mëkat i hershëm i të paudhit që ka zënë rrënjë mes shumë përkthyesve: përfytyrimi i gjuhës si një marrëdhënie vetëm me sende në botën e jashtme.

§

Ligjërimi shkencor: aty ku gjuha shfaqet si një lidhje e drejtpërdrejtë midis asaj që ka ndodhur dhe shprehjes. Kjo mund të përkthehet.

Ligjërimi poetik: aty ku gjuha shfaqet si një lidhje e ndërlikuar e shprehjes me atë që mund të ndodhë, me vetveten dhe me të pathënshmen. Kur hyjmë në letërsi, e në veçanti në poezi, ne kemi hyrë në botën e shumëkuptimësisë së pareshtur, ku çdo gjë është ajo që është dhe ajo që mund të jetë. Kjo është e papërkthyeshme.

§

Asnjëherë nuk duhet të harrojmë se edhe përkthimi i letërsisë është ende pjesë e letërsisë dhe jo pjesë e ligjërimit shkencor.

§

Ligjërimi shkencor vjen si pasojë e vdekjes së ligjërimit poetik – e jo anasjelltas.

§

Atome të lidhura logjikisht: kjo nuk është një imazh i gjuhës në tërësi, por një grumbull fjalësh të vdekura.

§

Njëmendësia dhe e sakta janë dy gjëra të ndryshme. E sakta gjykohet. Njëmendësia shpallet.

§

Një përkthim mund të jetë i njëmendtë, por mos të jetë i saktë.

§

Don Kishoti i Fan Nolit është përkthim i pasaktë, por i njëmendtë, pasi ai shpall frymën. Me frymën këtu dua të them marrëdhënien e domosdoshme midis vetes, tjetrit, botën dhe të hyjnishmen.

§

Përkthimi që drejtohet nga saktësia ka një parakuptim të gabuar të gjuhës. Shprehjet gjuhësore nuk janë vetëm në një lidhje të drejtpërdrejtë me atë çka është. Gjithashtu, gjuhët nuk kanë struktura paralele me shtrate kuptimore te barazvlefshme.

§

Marrëdhënia e përkthimit dhe origjinalit është si marrëdhënia e një peme dhe pikturës së saj: ato ajo janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme.

§

Pyetja nuk duhet të jetë a mund të jetë përkthimi pa origjinalin, por a mund të jetë përkthimi pa qenë vetvetja?

§

Qëllimi i përkthimit është i pandashëm nga qëllimi i leximit. Poezia e përkthyer duhet të lexohet si poezi – jo si një ballafaqim i poezisë origjinale.

§

Lexoje çdo poezi të përkthyer sikur origjinali të kishte humbur përgjithmonë.

§

Nëse vepra është një përkthim apo jo, nuk ka rëndësi. Lexuesi është përherë përballë veprës.

§

Nëse dikush shkruan sot një poezi në shqip kushtuar qiririt, atëherë ajo futet në marrëdhënie të menjëhershme me përdorimin simbolik të qiririt nga Naim Frashëri. Kjo gjë nuk ndodh me përkthimin e saj në anglisht.

§

A ka fjala “qiri” të njëjtin kuptim për dikë që e ka lexuar Naim Frashërin dhe dikë që nuk e ka lexuar? A nuk futet fjala “qiri” për dikë që e ka Lexuar Naimin në një marrëdhënie të fshehtë, jo vetëm me atë që ajo është në lidhje me fjalët e tjera dhe me atë që ajo përfaqëson, por edhe me atë ajo mund të jetë? Ky shndërrim poetik i fjalëve në çfarë ato mund të jenë, e lë lexuesin ta përjetojë vetë thelbin e gjuhës: pasi gjuha është një kapërcim i vazhdueshëm i asaj që është në atë që ajo mund të jetë. Një kapërcim që e kemi përsëritur aq shumë sa tani jemi të pandërgjegjshëm për të. Poetët e kthejnë gjuhen mu aty ku ajo ka lindur: tek pafundësia dhe mungesa e kuptimit.

§

Letërsia është një degëzim i gjuhës. Kur përkthejmë, ne përkthejmë gjuhën – jo qëllimet e shkrimtarit. Por, gjuha është e papërkthyeshme, pasi ajo është një ndërveprim i papërsëritshëm i një sistemi.

§

Parakushti themelor i përkthimit duhet të jetë ky: pamundësia e përkthimit. Si pasojë, përkthimi është përherë një rikrijim i veprës, ndërsa përkthimi i fjalëpërfjalshëm është thjesht një rikrijim i mundshëm.

§

Nëse çdo përkthim është rikrijim, si mund ta gjykojmë një përkthim të dobët? Përgjigjja ime është kjo: çdo përkthim letrar që nuk arrin të krijojë një vepër që qëndron vetë nuk ia vlen të lexohet. Përkthimi që qëndron vetë: krijimi i një gjithësie, i një vepre të mëvetësishme, ku gjuha ka një marrëdhënie të papërsëritshme midis origjinalit, vetvetes dhe të pathënshmes.

§

Në letërsi, saktësia është gjëja më e parëndësishme. Dikush që pyet përse flet qiriri i Naimit është njësoj si ai që pyet përse bëhet gol në futboll kur topi futet në portë. Po a nuk është letërsi edhe përkthimi i letërsisë? Po atëherë, pse jemi kaq të shqetësuar nga saktësia?

§

Përkthyesi i mirëfilltë është i ngjashëm me shkrimtarin e mirëfilltë: ai krijon një botë, rregullat e së cilës përligjen nga vetvetja dhe jo nga përputhshmëria me diçka të jashtme.

§

Përkthimi ose kthehet në një shpallje të hijshme, ose është një hiç gjë.

§

Dhe pasi përkthimi u çlirua nga prangat e saktësisë, ai u nis i lirë drejt Bukurisë dhe Njëmendësisë së pakufishme.

 

(c) 2020, Erlind Sulko. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

  1. Ca shënime të shkurtra:
    Ka një përmasë etike përkthimi. Liria që përkthyesi i lejon vetes duhet të jetë me karar. Mund të të lindë tundimi, kur përkthen – më shpesh kjo ndodh kur përkthen prozë – të heqësh ndonjë mbiemër, ta ndërrosh ndërtimin e një fraze pënjëmend të rënduar, po sa etike është kjo? Mendoj se përkthyesi, siç thotë një shprehje në italisht duhet të ecë “con il freno a mano tirato”. Noli nuk është shembull i mirë. Tejet egocentrik. Ne lexojmë përkthimet e Nolit që ka përkthyer…Nolin. Përkthyesi duhet të jetë i tejdukshëm.
    Nganjëherë më qëllon të përkthej veten në italisht (vetëpërkthim). I bie që të jem i lirë të bëj çfarëdolloj ndryshimi që më teket – autori jam prapë unë. E, megjithatë, diçka ma mban dorën. Përkthej një poezi të para 15 vjetëve e ca historizma, ca tike të asaj kohe, ndonëse tani mund të mos më kënaqin, i përkasin gjithnjë atij teksti. Dhe unë i lë.
    Për Don Kishotin: duhet që një a dy hispanistë shqiptarë (po a ka, vallë, të tillë?) të bëjnë një krahasim të goditur të përkthimit të vëllimit të parë (Noli) me të dytin (Petro Zheji). Mendoj se Petroja i qëndron denjësisht në krah.
    Interesant është raporti i përkthimit me origjinalin. Një ekspedient i thjeshtë: libri botohet dygjuhësh (me origjinalin përkrah), apo jo? Edhe vetëm ky fakt, jam i sigurt, ia ndryshon fytyrën përkthimit. Ose të përkthesh një autor nga anglishtja (që, supozohet, e dinë pjesa dërrmuese e atyre që të lexojnë) ndihesh më i gjykuar, se të përkthesh një autor nga, ta zëmë, japonishtja.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin