TRI FOTOGRAFI

nga Teuta Toska

Prej tre vjetësh janë botuar në shqip disa libra me dokumente të pabotuara, që përmbajnë raportet e Shoqërisë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja (BFBS) dhe letërkëmbimet e funksionarëve të saj me një sërë figurash të Rilindjes Kombëtare. Bëhet fjalë për të dërguarit e kësaj shoqërie në Perandorinë Osmane, si Isaac Lowndes-i, Alexander Thomson-i, Thomas Hogson-i etj., dhe figura të Rilindjes që qenë punësuar prej kësaj shoqërie si përkthyes, librashitës, depozitarë (kujdestarë të depove të Biblave) etj., si Konstandin Kristoforidhi, Gjerasim Qiriazi, Gjergj Qiriazi etj. Publikimi i këtij letërkëmbimi e ka pasuruar dhe ndriçuar më mirë historinë e këtyre figurave të rëndësishme të historisë së shqiptarëve, ka ndriçuar më mirë ngjarje të rëndësishme historike, si Kongresi i Manastirit, por edhe ka zbuluar një radhë tjetër punësh, të shtrembëruar deri tani, për rrugën që ndoqi shqipja e shkruar, libri në shqip, shkolla shqipe etj.

Përtej këtyre vlerësimeve të përgjithshme që kam shkruar më lart, me një ligjërim karakteristik për diskurset e zakonshme të studimeve tradicionale historike tek ne, desha të paraqes këtu një mënyrë tjetër se si botimi i këtyre dokumenteve me kaq rëndësi për historinë tonë mund të na ndihmojë të lexojmë më mirë një tjetër “shenjë” a “tekst”, prodhim të asaj kohe, siç e quajnë zakonisht një element të trashëgimisë kulturore jomateriale. Po flas për fotografinë.

Janë tri fotografi të fondit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”[1], dhe këto dokumente më ndihmojnë t’i lexoj më mirë dhe të marr kështu magjepsjen që ma shkakton kjo dëshmi reale e historisë. Teksti i këtyre letërkëmbimeve dhe raporteve, por edhe i historisë së thurur dhe rrëfyer prej këtyre nga studiuesi, më ndihmon të kuptoj më mirë elementet e fotos dhe kështu të realizoj plotësisht atë kthim prapa në kohë dhe zhytjen në histori.

Këto fotografi madje, siç thotë Roland Barthes, në esenë e tij për fotografinë, vulosin sigurinë e faktit historik, ndryshe nga shkenca e cila i thërret për ndihmë metodës për të më bindur: “…magjepsja ime si fëmijë (përpara një fotoje shitjeje skllevërish, shënimi im, TT) vinte prej kësaj: se ishte e sigurt që një gjë e tillë kishte ekzistuar; nuk ishte punë saktësie, por realiteti; historiani nuk ishte ndërmjetësi, skllavëria ishte dhënë, pa ndërmjetësim, fakti ishte vërtetuar pa metodë[2].

Fotografia e parë është përdorur në kopertinën e vëllimit të parë të librit “Gjergj Qiriazi në Kongresin e Manastirit”, të prof. Xhevat Lloshit, botuar në Shkup, nëntorin e këtij viti[3].

Fotografia i takon vitit 1890, vit kur ai nisi punën si përgjegjës i depozitës së BFBS-së në Shkodër, me seli në Parrucë. Xh.Lloshi shkruan: “Kështu, më 15 prill 1890 filloi punën për BFBS në Shkodër. I shkruan Tomsonit se ka pasur shumë vizitorë dhe do të dëshironte që ai t’i shkruante anglisht, sepse kjo praktikë do ta ndihmonte të kapërcente vështirësitë që kishte ende me anglishten. Depozita ishte në Parrucë.” (vëll.1, f.21)

E shohim Gjergjin, një djalosh 25-vjeçar (ai ka lindur në vitin 1865), të zhytur në leximin e një gazete dhe të veshur si një zotëri (do ta shpjegoj më vonë pse kam përdorur këtë fjalë). Është hera e parë në Shkodër. Gjergji do të rikthehet në Shkodër pas disa vitesh, në vitin 1907, tani një burrë 42-vjeçar dhe ka kaluar nga studioja e Pietro Marubit për një fotografi dëshmi. Këtë portret e kemi në kopertinën e vëllimit të dytë të librit të sipërpërmendur.

Ai ishte caktuar si përgjegjës për depozitën e BFBS-së aty, d.m.th. thesartar dhe depozitar, dhe po ashtu, siç shkruan A.Tomsoni për Gjergj Qiriazin, në 4 prill 1890, ai duhet të bënte “hetime lidhur me shkollat e ndryshme dhe, po të jetë e mundshme, t’i vizitoni ato, në mënyrë që të më njoftoni numrin e nxënësve dhe llojin e mësimeve, si dhe a lexohet Dhiata në ndonjërën prej tyre.” (vëll.2, f.37)

Si e shohim në fotografi, Gjergji ka prapa tij rafte librash si në një librari ose bibliotekë. Në foton origjinale të Kel Marubit (ai vetë 20 vjeç në atë kohë), e cila mban titullin “Gjergj Qirjazi në zyrë të biblave protestane – Shkodër” janë të pranishëm edhe dy burra të tjerë, të zhytur edhe ata në lexim.

Gjergji po lexon një gazetë, dy burrat e tjerë, më të vjetër, të zhytur edhe ata në lexim, kanë në dorë broshura, me gjasë broshura fetare, sepse në depot e BFBS-së përveç Biblave, mund të gjeje edhe libërtha të tillë, madje edhe gazeta.

Gjergji, në mars të 1890-ës, para se të mbërrinte në Shkodër, i kërkonte Tomsonit në një letër nga Korfuzi gazeta për depozitën. Ai mendonte se “duhet të ketë më shumë gazeta fetare për depozitën, që të jepet rasti për të biseduar dhe për të tërhequr vizitorë.” (vëll.1, f.455) Në një letër të Tomsonit për Gjergj Qiriazin, nga Stambolli, më 19 janar 1891, ai shkruan: “I dashur Gjergj, shpresoj se ndërkohë i keni marrë kopjet e L’Italia Evangelica dhe të L’unico dei Fanciulli. Dëshiroj që të keni kujdes me to dhe ato të fundit t’i lidhni në një vëllim kur të mbarojë viti. T’i ruani të gjitha ato gazeta, sepse është mirë t’i keni të lidhura çdo vit. Ju lutem të më njoftoni se sa Zornica dëshironi që t’ju dërgohen, përveç asaj që është për depozitën” (vëll.2, f.58) Nëse e zmadhon fotografinë për të parë më mirë gazetën që Gjergji po mban në dorë, mund të dallosh tri shkronjat e para të një alfabeti cirilik З,О,Р, që janë shkronjat e para të “Zornicës”, periodikut mujor të të krishterëve në Bullgari (që dilte nga viti 1864 deri në 1948[4]). Këto tri shkronja mund të na ndihmojnë për të kuptuar se bëhet fjalë për fundin e vitit 1890 dhe, po ashtu, cili mund të jetë njëri nga dy burrat e tjerë në këtë skenë.

Cilët janë ata? Mund të jenë miq që ai i priste në depozitë. Nuk mendoj se janë vizitorë. Ja si i shkruan Gjergji Tomsonit në një letër (që Tomsoni e ka riprodhuar nga arkivi i tij dhe që mban datën 17 prill 1890): “Për pashkët e mbylli depozitën 3 ditë, por ka pasur shumë vizitorë dhe mjaft biseda. Për ramazan propozon të gjejë një llambë dhe të qëndrojë katër ose pesë orë në mbrëmje në depozitë, pret shumë miq.” (vëll.1, f.456) Vizitorët ndoshta do të ishin në këmbë, ose do të largoheshin në çastin që fotografi do të hynte në depozitë. Miqtë do të qëndrojnë për të biseduar, për të lexuar nga fondi i depozitës. Dhe do të qëndronin për një foto, me siguri.

Ose mund të jetë një mik dhe një librashitës, ose edhe dy librashitës. Cilët ishin këta? A mund t’i identifikojmë? Nëse kanë qenë miq, me shumë mundësi nuk do të gjejmë të dhëna për ta. Ose duhet të presim burime nga Shkodra për t’i identifikuar. Nga burimet e dokumenteve të Shoqërisë Biblike mund të identifikojmë librashitësit.

Kështu, në letërkëmbimin e Aleksandër Tomsonit për prillin e vitit 1890 lexojmë që librashitësi Jorgo Thoshe (lindi më 1855; më 1886 nisi punën si librashitës në Shkodër) i raporton se: “Gjergj Qiriazi erdhi më datë 15 dhe i vajti në shtëpi, e ndoshta do të banojë me të, ndonëse nuk ka një dhomë gjumi të lirë. Të gjithë janë mirë, puna përparon, shet libra me sa mundet nëpër rrugë.” (vëll.2, f.38) Pra, mund të themi se njëri prej burrave është J.Thoshe, në atë kohë 35 vjeç.

Ose mund të ketë qenë Jovan Ciku (1850-1922), e cili e vizitoi Gjergjin në Shkodër për një muaj, po atë vit. Nga letra për Gjerasim Qiriazin, nga Stambolli, më 6 tetor 1890, A. Tomsoni shkruan se Gjergjit: “I kam dërguar një arkë me Shkrime dhe librat e tij nga Samokovi. Vizita e z. Ciku qe shumë e dobishme, por i cyti priftërinjtë papalë që të jenë më syhapët kundër nesh.” (vëll.2, f.47). Studiuesi David Hosaflook mendon se burri në të djathtë është Jovani, në atë vit 40 vjeç.

Ose mund të ishte librashitësi Shuli: “Tomsoni do t’i dërgonte librashitësin K. Shuli, të cilin duhej ta drejtonte, ndërkohë që kishte një kleçkë, sepse Shuli kujtonte se do të bëhej ai menjëherë përgjegjës i depozitës. Më në fund Shuli erdhi në Shkodër në qershor.” Veçse tani bëhet fjalë për vitin 1891 dhe Gjergji është 26-vjeçar.

Fotoja na zhyt edhe ne në heshtjen e një biblioteke, së bashku me heshtjen tonë plot habi dhe admirim për një personazh që e duam dhe me nostalgjinë që krijon fiksimi i një çasti në përjetësi. Si thotë R.Barthes, “Fotografia nuk rikujton të kaluarën. Efekti që prodhon mbi mua nuk është të kthejë atë që është asgjësuar …., por për të dëshmuar se ajo çka shoh, vërtet ka qenë.” (Barthes, f.108)

Futemi edhe ne në një vend të magjepsur, te biblioteka, edhe pse e dimë se jemi në depozitën e BFBS-së. Edhe vërtet, si na thotë profesor Lloshi në librin për Gjergjin “Depozitat e BFBS-së kanë qenë mirëfilli të parat librari në viset shqiptare”. (vëll.1, f.42)

fotografinë e dytë Gjergji është në studion e Pietro Marubit.

Kjo foto është përdorur në kopertinën e pasme të “Udhëtari nga kjo botë ndë tjetërën, a Udha e të Krishterit nga qytet i humbjes gjer ndë qytet të Qiellit, e treguarë si ëndërë prej Jovan Benjian”, përkthyer nga anglishtja prej Gjergjit në 1894 dhe botuar në Korçë më 1927 (Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante [ISShP], Tiranë, 2018).

Fotoja titullohet “Gjergj Qiriazi”. I njëjti vit, 1890, ndoshta në po ato ditë. Ai qëndron në këmbë i mbështetur në një ngrehinë si ballkon. Figura e tij është mes librash: në të majtë bërryli i tij mbështetet te një libër. Në të djathtë dy libra të tjerë. Poza e tij është e një pozicioni të zakonshëm studioje. Fotografia e Pietro Marubit është më e zakonshme se ajo e Kelit në selinë e depozitës në Parrucë. Veshja e tij është pak ndryshe nga ajo e fotos në depozitë. Kjo foto është më e varfër në detaje, por portretin e Gjergjit mund ta shohësh me kujdes, me hollësi, dhe fytyra e tij duket më djaloshare. Ende duken tipare prej fëmije në atë vështrim si gjoja në largësi. Por në dorë i duket një unazë. Gjergji ishte i fejuar apo i martuar në atë kohë?

Në fakt Xh.Lloshi dokumenton: “Gjergji nuk mund të jetonte me 3 lira turke e gjysmë në muaj edhe sepse kishte vendosur të martohej pa u vonuar. Ishte fejuar me mbesën e një pastori, Bojaxhijevit, i cili kishte kërkuar që martesa të bëhej atë verë, përndryshe fejesa quhej e prishur.” (vëll.1, f.26) Ky njoftim u referohet dokumenteve të fundit të vitit 1891. Meqë vjehrri po këmbëngul që martesa të bëhet, mendoj se fejesa duhet të ketë zgjatur disa muaj. Ose një vit. Dhe sipas zakonit që ruhet edhe sot në familje shqiptare, ai duhet të martohej me mbushjen e një viti. Kështu që kjo unazë na ndihmon të kuptojmë se jemi sërish në vitin 1890 ose fillimin e vitit 1891. Kjo unazë në dorën e tij të majtë, që e tregon me krenari, na dëshmon se ai është i fejuar. Nëse do të ishte në të djathtë, si është edhe zakoni sot ndër shqiptarë, do të ishte shenjë se ishte i martuar. Ishte fejesa e tij e parë. Në librin e profesor Lloshit mund të lexoni, nëse jeni kureshtarë, se kjo fejesë u prish.

Shumë gjëra më bëjnë përshtypje në imazhin e Gjergjit, por në të dyja fotografitë e tij ajo që bie menjëherë në sy është stili i mjekrës. Nuk është e stilit të burrave të tjerë në foton e parë dhe as në stilin e burrave të asaj kohe. Modeli i mustaqeve dhe basetave tregon se jemi në të njëjtin vit me foton e parë. Ky stil të kujton stilin “Friendly mutton chops” ose edhe “the Winnfield”. Një stil të ngjashëm mund ta gjeni në një fotografi të Edward Jenney-t (misionarit amerikan që shërbente në Manastir, mik i familjes Qiriazi aty, që i mësoi anglishten Gjerasimit dhe u kujdes për shkollën e Sevastisë) në librin e John Quanrud-it “Gjerasim Qiriazi: predikues, iluminist, rilindës”, f.26 (ISSHP, Tiranë, 2016). Por Xhenit i mungojnë mustaqet.

Stili, i pazakontë sipas meje për një burrë shqiptar të asaj kohe (nuk e kam ndeshur në fotografi burrash të asaj periudhe), mund të tregojë diçka për karakterin e Gjergjit djalosh: i tërhequr nga kultura e miqve të tij amerikanë të Manastirit, të cilët ndoshta i admironte, me dëshira për të qenë i ndryshëm, i lirë, që ndjek ëndrrën e vet. Nga letrat që Tomsoni ia dërgon ndonjë depozitari dhe Sevastisë më vonë mund të lexosh ngurrimin e Tomsonit për t’i besuar Gjergjit, madje ai fillimisht mendonte se “nga shumë anë është më poshtë sesa i vëllai” (vëll.2, f.151), mendim që sigurisht e ndryshoi më vonë dhe bashkëpunimi mes tyre ishte po aq i frytshëm sa edhe me të vëllanë, Gjerasimin.

Dhe meqë erdhëm tek Gjerasimi, në fotografinë e tretë të Marubit është pikërisht ai. Po kthehemi pas në kohë. Fotografia quhet “Burrë me fistan (Gjerasim Qiriazi, 1858-1894)”, Pietro Marubi, xhelatinë e thatë me kripë argjendi, xham 12×16 cm.

Kjo foto është në kopertinën e “Libri shqip dhe veprimtaria protestante, 200 vjet rrugëtim kulturor”, botuar nga Biblioteka Kombëtare dhe ISSHP, Tiranë, 2017. Ndryshe nga disa foto të tjera të Gjerasimit, ajo e kopertinës së librit të përmendur të Kuanrudit dhe ndonjë tjetër që gjendet në internet, kjo foto më tërheq në soditje. Fytyra e Gjerasimit është si e gjallë. Pastërtia e fotografisë dhe vështrimi i tij përpara më krijojnë idenë se ai po më vështron. Iluzioni i zakonshëm që krijohet nga fotografitë ku subjekti ka fiksuar objektivin e fotografit.

Fotografia është më artistikja ndër të tria. Gjerasimit, ndryshe nga Gjergji i fotografuar me veshje zotërie, i kanë veshur fustanellën tipike të Jugut (“fistan” ka edhe kuptimin e fustanellës), i kanë ngjeshur një brez, të lidhur fort dhe shqiptarçe, ka të veshur jelek dhe xhaketën e kostumit popullor (jam e sigurt që Gjerasimi nuk mund ta kishte pasur me vete këtë veshje). Nëse është edhe ajo xhaketë e ai jelek nga të Jugut, dyshoj pak. Nuk dua të gaboj. Të vetmet gjëra nga rrobat e tij, sipas meje, janë shiriti i bardhë që i rrethon qafën, një shenjë e predikuesve protestantë, dhe këpucët.

Në të majtë ka në dorë një libër, me gjasë duhet të jetë një Bibël, ose ne duhet të mendojmë se është një Bibël, ngaqë me dorën e djathtë Gjerasimi ka ngrirë një gjest predikuesi, një gjest qortimi ndaj nesh, ndaj grupit të njerëzve që mund ta ketë përpara vetes në rrugë ose në një vend.

Në “Libri shqip dhe veprimtaria protestante”, f.84, shkruhet se kjo foto mund të jetë bërë “rreth vitit 1886”. Nuk ishte hera e parë që Gjerasimi e vizitonte Shkodrën. Hera e parë ishte në vitin 1883, vetëm sa për ta njohur qytetin dhe për të shitur ndonjë libër. Xhon Kuanrudi dëshmon në librin e tij për Gjerasimin: “Si vizituan me radhë Vlorën, Elbasanin dhe Tiranën, më 26 dhjetor ata u kthyen sërish në Durrës. Gjerasimi kishte ndërmend të vizitonte edhe Shkodrën, por Sevastidi, të cilin e kishin përzënë prej andej jo shumë kohë më parë, kishte frikë të shkonte atje. Atëherë Gjerasimi i dërgoi një telegram Kirbi Grinit, konsullit britanik në Shkodër, për ta pyetur nëse autoritetet do ta lejonin të hynte në qytet. Grini i ktheu përgjigje më 28 qershor duke e siguruar se askush nuk do t’i binte në qafë. Me vizitën e Shkodrës mori fund edhe udhëtimi i parë i Gjerasimit nëpër Shqipëri.” (f.64)

Herën e dytë ai vendoset aty për një kohë më të gjatë. Ishte viti 1886 dhe ai ka qëndruar aty deri në korrik 1887. “Në dhjetor të vitit 1886, Gjerasimi shkoi në Shkodër për të ndihmuar për të hapur depon” (Kuanrud, f.109). Nën drejtimin e tij ishin 5 librashitës, të cilët shpërndanin libra fetarë në gjuhën shqipe anembanë Shqipërisë, ndër ta emra që i kemi përmendur më sipër: Seefried-i dhe Jorgo Thoshe.

Gjerasimi në këtë foto është vetëm 28 vjeç, por në fytyrën e tij mund të dallosh pjekurinë e një burri që ka kaluar përmes vuajtjesh. Vetëm dy vite më parë ai ishte rrëmbyer nga banda e kaçakëve të Shahin Matrakut dhe u mbajt peng për 6 muaj në malet e Oparit. Shenjat e vuajtjes së tij ai i mbarti në trup për një kohë të gjatë dhe u bënë edhe shkak për vdekjen disa vite më vonë (më 1894). Por në këtë foto shoh se kjo vuajtje i është shndërruar në një vendosmëri dhe këmbëngulje plot solemnitet. Dora e tij që “dënon” mëkatin e sivëllezërve që munduan atë dhe veten me errësirën e tyre nuk e ka rreptësinë e atij që mallkon dhe fyen, por atij që përpiqet t’i qortojë duke u treguar rrugën për nga Qielli.

Jam e magjepsur nga fotografia. Pietro Marubi merr vesh se në Shkodër ka mbërritur dikush që po shet Bibla, po për më tepër që po takon njerëz në rrugë dhe po u predikon Fjalën e Zotit dhe e thërret atë në studion e tij. Përpara se ta vendosë në atë pozim, ai e di kush është Gjerasimi: një toskë që predikon te gegët. Dhe kështu e ngjesh me veshje toske, ia ngrin atë gjest predikuesi, ia mbështet dorën tjetër me Bibël në një pod dhe fikson një nga fotografitë më të bukura dhe më me vlerë të fondit të vet.

Mungesën e njeriut në këto tri fotografi të cilat i kemi soditur deri tani, dua ta kompensoj me zbulimin e sa më shumë hollësive. Ndërkohë që njeriu nuk është më, mund ta rindërtoj atë përmes qindra hollësive. Më duket se arrij të rrok jetë tek hollësitë e panumërta që më shfaqen dhe jo tek tërësia që nuk lëviz.

Imazhet e këtyre fotografive të Marubit, dikur të ndaluara, dhe këto informacionet e reja për jetën dhe veprimtarinë e Gjerasimit dhe Gjergjit (në librat e përmendur), dikur të ndaluara edhe ato, mund të rindërtojnë më në fund në imagjinatën tonë kolektive ato imazhe të munguara të asaj Shqipërie të panjohur, të fshehur, të shpërfillur.

 

(c) 2019, Teuta Toska. Të gjitha të drejtat e rezervuara.


[1] Fotografitë që po përdorim në këtë shkrim përdoren me leje nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”. I falënderojmë për këtë.

[2] Roland Barthes, “Dhoma e ndritshme. Shënime për fotografinë”, e përktheu Zef Paci, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, Shkodër, 2017.

[3] Xhevat Lloshi, “Gjergj Qiriazi në Kongresin e Manastirit”, vëllimi I dhe II, botues “Instituti i trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve” (ITSHKSH), “Focus – Print”, Shkup, 2019.

[4] David Hosaflook, “Lëvizja protestante te shqiptarët, 1816-1908”, botues “Instituti i trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve” (ITSHKSH), “Focus – Print”, Shkup, 2019, f.311.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin