NJË KOPSHT PAS TËRMETIT

nga Edon Qesari

Qe mëngjesi i një të shtune, e cila rastiste të gdhihej 1 nëntor (e kremtja e Gjithë Shenjtorëve në kalendarin katolik) në vitin 1755, kur një tërmet i përmasave të llahtarshme pllakosi mbi Lisbonë. Bëhet fjalë, ndoshta, për gjëmën natyrore më të njohur në historinë moderne të qytetërimit perëndimor. Sizmologët e sotëm hamendësojnë se magnituda vërtitej mes shifrave 8.5 dhe 9.1. Cunami që e ndoqi vetëm pak minuta pas llogaritet që të ketë pasur një peshë të konsiderueshme në numrin e madh të viktimave, e që mendohet se mund të ketë qenë në rendin e 50-80.000 frymëve.

Goditje fatale kjo për mbretërinë e atëhershme të Portugalisë, tentakulat perandorake të së cilës preknin Amerikën e Jugut, brigjet perëndimore afrikane, si dhe ca porte të lakmueshme në nënkontinentin indian. Nga mbifuqi në qendër të arenës ndërkombëtare, kështu, Portugalia do të niste rrugëtimin drejt një cepi periferik të Perëndimit.

Përmasat katastrofike të ngjarjes tërhoqën vëmendjen e të gjithë bashkëkohësve, gjë jo fort e zakonshme atëherë. Të mos harrojmë se gjithçka ndodh në një kohë kur lëvizja nga një hapësirë gjeografike në tjetrën e njerëzve, e rrjedhimisht e lajmeve, është shumë e ngadaltë dhe tejet e kushtueshme. Asokohe transporti ishte ende çështje koçish luksoze, pavarësisht se gjithë Evropa u bë shpejt me dije mbi mynxyrën e Lisbonës.

Ndërkaq që para lajmit kishte qenë tërmeti vetë që ishte ndier në të katër cepat e kontinentit (deri në trevat finlandeze, shkruanin), ka nga ata që sot mendojnë se kjo fatkeqësi e mesit të shek. XVIII ishte një nga ato ngjarje më të para që kanë ndihur në farkëtimin e njëfarësoj ndërgjegjeje para-kolektive evropiane.

Mes të tjerash, gjëmimi i vitit 1755 u bë sebepi i vërtetë i një shpërthimi të egër sherrnajash në mesin e tërë një brezi intelektualësh, përfaqësuesish dhe militantësh të politikës dhe fesë. Zëra ndër më virtuozët (tok me më të xhindosurit) të katolicizmit dhe protestantizmit gjetën në Lisbonë mundësinë për t’i mveshur njëri-tjetrit fajin e apokalipsit që për pak sa nuk kishte mësyrë. Si për të parët ashtu dhe për të dytët, tërmeti ishte shprehi e mërisë së Perëndisë – që jo më kot, arsyetonin më të zellshmit në një kontekst të flaktë katolik si ai i gadishullit iberik, kishte rënë si kob në agimin e një kremtimi të rëndësishëm.

Rrëfimi epistolar i një kleriku protestant britanik, me emër Richard Goddard, i cili gjendet në Lisbonë gjatë katastrofës, e që pagëzohet si katolik me përdhunë vetëm një orë pas goditjes nga një turmë e sëkëlldisur të mbijetuarish, lë një shije të pazakontë por domethënëse për të kuptuar frymën intolerante të kohës. Në tërë këtë zullum, afërmendsh, nuk mund të shpëtonin lagjet hebraike – ato pak që kishin mbetur pas tre shekujsh inkuizicioni – të cilat u kthyen në pellgje gjakderdhjeje dhe hakmarrjesh me kryq në dorë.

Përndryshe, tërmeti i Lisbonës plandosi në mesin e një shekulli në të cilin filozofët dhe poetët, artistët dhe matematikanët, kompozitorët dhe fizikanët i kishin dhënë munxët kufijve shtetërorë dhe qenë yshtur përtej tyre – mendërisht së paku – nga etja e madhe për të ndriçuar mendjet dhe botëkuptimet. Në Francë ka pak vite që ka nisur të botohet Encyclopédie-a, e cila përbën ndoshta përpjekjen dhe arritjen më të madhe kulturore dhe bibliofilike të të gjithë qindvjeçarit, ndërsa në Angli prej disa dekadash qeverisja ka nisur të teorizohet si kontraktim, jo më si sundim. Vijnë duke u shtuar ata që nisin të mendojnë se një prijës i mirë nuk lind, por bëhet; se lypet që ky të përgatitet, të dritësohet – të jetë dhe të mbetet despot, patjetër, porse i iluminuar.

Në kulmin e një epoke të tillë, e që zakonisht ndër doracakët e shkollarëve përcaktohet me termin “Iluminizëm”, hataja e Lisbonës merr vlerën e një embleme. Një djalosh me emrin Immanuel Kant, pa lëvizur fare nga qyteti i tij i lindjes (fizikisht, se mendërisht nuk ka gjasë që të mos ketë vizituar skajet më të parrokshme të teogonisë klasike dhe mesjetare), i kushtoi tërmetit plot tre traktate shkencore. Është ndër të parët që fillon të gjykojë se ajo çka ndodhi në kryeqytetin portugez nuk është “punë e marrëdhënieve mes Zotit dhe njerëzve”, por çështje që lidhet me dinamikat tokësore. Të tijat do të rezultojnë hipoteza kryekëput të gabuara, por që kanë vlerën e tyre të paçmuar në përballimin mes shkencës dhe dogmatizmit. Nga ai çast e deri në revolucionin e tij “kopernikan” mbi filozofi (një tërmet tjetër i vërtetë për kulturën e asaj kohe) do të lypeshin më pak se 30 vjet –  çikërrima kohe në ato mote të ngadalta e të andrallosura.

Me më nerv dhe pezmatim e mori punën e tërmetit një babaxhan i letrave me emrin Voltaire. Veç një muaj pas kiametit ai skaliti të mirënjohurën Poéme sur le désastre de Lisbone, vargjet e së cilës nuk do t’i linin gjë mangut shtyllave polemike të editorialëve më të furishëm. Përmes tyre, frëngu që kishte qenë dhaskal i lajkatuar në oborrin e Frederikut II të Prusisë – një lloj pararendësi i spin doctors-ave të sotëm – e që më parë se kushdo tjetër kishte shijuar virtytet e kozmopolitizmit, tash rënkonte mbi rrënojat e kryeqytetit portugez. Përpos ngërdheshjes, Voltaire-i derdhte vrerin e tij kundër fatit të kobshëm që shtypte qenien njerëzore që në zanafillë, kundër optimistëve si Leibniz-i që mendonin se njeriu duhet të kënaqet me ato që i gjenden, se kjo botë është më e mira e mundshme (tout est au mieux), e deri kundër vetë Zotit që hem do të qeverisë gjithësinë nga pozitat e tij të urtësisë dhe mirësisë absolute, e hem lejon që luftërat, murtajat, zitë e bukës dhe të ullirit, deri tërmetet të bëjnë përshesh njerëzit me njëri-tjetrin dhe me natyrën.

Do të kalonin veç pak vite, më 1759, kur i njëjti autor të dëshmonte se ende nuk e kishte gëlltitur hidhërimin që i kish përcjellë lajmi i Lisbonës së ngujuar, duke botuar një nga përmendoret më kardinale të trillit dhe ironisë, novelëzën Candide, ou l’optimisme (Ka një përkthim të hershëm në shqip kjo vepër, nga Vandush Vinçani, që do ta këshilloja shumë përzemërsisht). Sërish tërmeti, sërish përqeshja therëse ndaj optimizmit dhe çiltërisë së disave, sërish mendimi fundor se e vetmja gjë që ia vlen barra është që çdokush të kultivojë kopshtin e tij (il faut cultiver notre jardin).

Kopsht që ka fort gjasa të mos e përmbysë dot tërmeti, por as ndonjë aradhë marrëzirash njerëzore, me pudrosje marketingu, melodramatizma kolektive dhe zijafete politike, që e paraprijnë, e shoqërojnë dhe e ndjekin shkundjen e tokës. Qoftë kjo në Lisbonë, apo në ekranin tonë.

(c) 2019, Edon Qesari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Rreth Autorit

Edon Qesari është kërkues shkencor pranë Institutit të Historisë. Pëlqen kuartetet e vona të Beethoven-it, detin Jon në dimër dhe rrëfimet e komisarit Maigret.

Author Archive Page

1 Koment

  1. Homo sapiens kane pika te ndryshme te shpjegimit te botes e si rrjedhoje hatara dramatike si termetet krijojne nje kakofoni opinionesh mbi arsyet ne te gjithe spektrin e memdimit njerezor .Nga ai ultra fetar e superstition me ate ultra racional .Ne shqiperi do te shume opinione te hapura per diskutim mbi arsyet por nje gje do te jete e padsikutieshme se termeti eshte nje kronike e nje katastrofe te paralajmeruar.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin