PYETJE PA SPEC

Mes pyetjeve që “gazetarët” (për të qenë brenda, gjithnjë duhet përdorur në thonjëza kjo fjalë) e një programi të Vizion Plus-it u drejtuan ca studentëve jo dhe aq të kënduar të Filologjikut, dhe që pastaj ngjallën reaksione të larmishme mes entuziastëve të reaksioneve të larmishme, ishte edhe kjo:

A e keni lexuar “Lahutën e malsisë” të Ismail Kadaresë?[1]

Këtu viktimat u përgjigjën se nuk e kishin lexuar ndërsa, sipas një konvencioni të mirëkuptuar mes gazetarit dhe shikuesve, duhej të kishin vënë në dukje se “Lahutën” e ka shkruar Gjergj Fishta, jo Ismail Kadareja.

Bukur. Por ky konvencion mbështetet mbi një konvencion tjetër, edhe më të brishtë, sipas të cilit një autor nuk mund ta pagëzojë një vepër me një titull, të cilin e ka përdorur një autor tjetër më parë.

Teknikisht, kjo nuk qëndron. Te një uebsajt që ndesha sot në mëngjes pasi kisha kërkuar në Google për jo më shumë se 3 sekonda, pashë një listë romanesh të njohur, nga autorë të ndryshëm, por me të njëjtin titull. Edhe ligjërisht, titulli nuk më rezulton i mbrojtur me copyright, të paktën jo në SHBA dhe veçanërisht kur nuk është shumë i gjatë.

Prandaj, që “Lahutën e malsisë” e ka shkruar Gjergj Fishta, kjo nuk do të thotë që të mos ketë shkruar një të tillë edhe Ismail Kadareja. Mbase kjo e dyta është më pak e njohur, ose nuk është përfshirë në listën e veprave të detyruara për t’u lexuar, ose është harruar për ndonjë arsye, ose kushedi çfarë tjetër.

Dhe nëse është kështu, përgjigjja e të intervistuarve se nuk e kanë lexuar “Lahutën e malsisë” të Kadaresë është absolutisht korrekte: sa kohë që nuk e kanë lexuar. Aq më tepër që, si rregull, përgjigjja ndaj një pyetjeje nuk kërkon që ti të vësh në dyshim premisat e saj (vërtetësinë e premisave). Ti mund të pyesësh dikë, madje edhe një student: A je dakord që mbreti i Francës të martohet me badigardin e vet? – dhe ai të përgjigjet se është dakord, ose nuk është, ose nuk ka ndonjë opinion për këtë punë, ose që i mbështet fort martesat e njerëzve të famshëm me badigardët, ose fundja që nuk ka dëgjuar gjë për këtë mundësi rozë, ose që nuk do t’i interesonte gjithsesi, ose që refuzon t’u përgjigjet pyetjeve që kanë të bëjnë me familjet mbretërore, etj.; por nuk është i detyruar të vërë në dukje se Franca është republikë dhe pyetja nuk implikon vërtetësi.

Nuk është pra, detyrim i të pyeturit, që të verifikojë vërtetësinë e pyetjes që i bëhet.

Dhe, në rastin në fjalë, studentin e pyesin për një vepër letrare – “Lahutën e malsisë” nga Ismail Kadareja – që ai, realisht dhe mirëfilli, nuk e ka lexuar. Që një vepër e tillë nuk ekziston, në realitet ose logjikisht, kjo nuk e kushtëzon përgjigjen. Njëlloj mund ta pyesësh dikë: “Ke qenë ndonjëherë në Lemuria” dhe ky të thotë: Jo, nuk kam qenë, një përgjigje absolutisht logjike, edhe në atë “univers” ku Lemuria nuk ekziston, ose është një vend fiksional (letrar, mitologjik, etj.). Përkundrazi, një përgjigje si “po, kam qenë” do të kërkonte sqarime të mëtejshme; njëlloj si përgjigjja pozitive ndaj pyetjes për “Lahutën” e Kadaresë.

Me fjalë të tjera, një përgjigje negative nuk nënkupton që studenti në fjalë nuk e di se kush e ka shkruar “Lahutën”, dhe po ashtu, që nuk e di se Ismail Kadareja nuk e ka shkruar “Lahutën”. Edhe mua, po të më pyesin nëse e kam parë dramën “Shtëpia e kukullës”, nga Samuel Beckett-i, do të përgjigjesha se jo, nuk e kam parë; pa u ndier gjë i detyruar për ta kundër-pyetur, intervistuesin, nëse Beckett-i e ka shkruar një dramë të tillë vërtet; madje edhe sikur ta kisha parë dramën me atë titull, të Ibsenit. Një intervistë e marrë në rrugë, nga një “gazetar” relativisht i panjohur, nuk është vendi i përshtatshëm për të hyrë në debate rreth historisë së letërsisë dhe autorësisë.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Në fakt, pyetja ishte pak ndryshe:

Gazetari: Po librin “Lahuta e Malcis” të Kadaresë e lexuat këtë vit në panair?

Meqë dikush zakonisht shkon në Panair për të parë ose për të blerë libra, ose për të parë turma dhe celebritete, ose fundja edhe për të vjedhur xhepa (në disa kuptime); por jo për të lexuar libra. Por le të mos diskutojmë këtu profesionet që kemi zgjedhur t’i shkruajmë në thonjëza.

2 Komente

  1. Në fakt që leximi i veprave artistike ka rënë aq shumë tregojnë përgjigjet e studentëve tanë.Pyetja e tij është thjesht për te bërë lajm ..e jo për të reflektuar se nuk lexohet më.

  2. Kur je me provime e i/e stresuar nuk e ke mendjen per letersi. Tani lexoj rreth 50 libra ne vit. Gjate shkolles se mesme kam lexuar me shume se kaq. Gjate 3 viteve te universitetit nuk i kam lexuar as 10 ne total. Pastaj, gjerat edhe harrohen e ngaterrohen. Mua m’u desh pak kohe te kujtohesha se cila ishte “Shtepia e kukulles” edhe pse e kam lexuar vetem para nje viti (daten e di vetem se ekziston Goodreads). Me shume kohe se kishin ata ne interviste.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin