1X10: PËRÇMIMI

Titulli: Përçmimi
Autori:
Alberto Moravia
Shqipëroi: Aida Baro
Botime Pegi (2019)
Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Aida Baro

 

1.

Gjatë dy vjetëve të parë të martesës, marrëdhëniet me time shoqe, sot mund ta pohoj pa hije dyshimi, ishin të përkryera. Dua të them që në ata dy vjet, përputhja e ndjenjave, e plotë dhe
e thellë, shoqërohej me një lloj errësimi ose, në mos, me njëfarë heshtimi të mendjes që, në rrethana të ngjashme, pezullon çdolloj gjykimi dhe i nënshtrohet vetëm dashurisë për çfarëdo vlerësimi që i bëhet njeriut të shtrenjtë. Shkurt, Emilia më dukej se s’kishte asnjë të metë dhe kështu mendoj se më shihte edhe ajo mua. Ose, ndoshta, unë i shihja cenet e saj dhe ajo të miat, por për shkak të një shndërrimi të mistershëm, të krijuar nga ndjenja e dashurisë, ato na dukeshin të dyve jo vetëm të falshme, por edhe të dashura, sikur në vend të ceneve të kishin qenë virtyte, ndonëse të një lloji të veçantë. Sidoqoftë, nuk e gjykonim njëri-tjetrin: duheshim.

 

2.

Lumturinë më të madhe njeriu e ndien atëherë kur s’është i vetëdijshëm për të.

 

3.

Në fakt, Emilia ishte ajo që quhet “grua vatre”, mirëpo në dashurinë e saj për shtëpinë fshihej më shumë se prirja e natyrshme që ka çdo grua; dua të them, tek ajo fshihej diçka e ngjashme me një pasion të thellë e xheloz, thuajse uri, që shkonte përtej saj dhe dukej se e kishte zanafillën te një situatë stërgjyshore. Emilia vinte nga një familje e varfër; ajo vetë, në kohën që e njoha, punonte si daktilografiste; në dashurinë e saj për shtëpinë them se shpreheshin, në mënyrë të pavetëdijshme, aspiratat e dëshpëruara të njerëzve të skamur, përjetësisht të paaftë për të zotëruar qoftë dhe një banesë, sado të thjeshtë.

 

4.

Aq i shqetësuar isha në atë periudhë, saqë brenda meje më qe tjetërsuar imazhi që kisha krijuar deri atëherë për veten. Deri atëherë e kisha konsideruar veten intelektual, njeri të kulturës dhe dramaturg, zhanër arti ky i fundit, për të cilin kisha ushqyer gjithnjë pasion të madh dhe për të cilin më dukej se isha i prerë që në lindje. Ky imazh, moral të themi, ndikonte edhe në atë fizik: e shihja veten si djalosh, dobësia e të cilit, miopia, nervozizmi, zbehtësia dhe shkujdesja në veshje dëshmonin paraprakisht lavdinë letrare për të cilën isha i destinuar. Por në atë kohë, nën trysninë e atyre shqetësimeve mizore, ky imazh kaq premtues dhe miklues i la vendin një tjetri krejt të ndryshëm: një burri të gjorë, të mbërthyer në një çark patetik dhe meskin, i cili s’kishte ditur t’i bënte ballë dashurisë për të shoqen dhe kishte zgjatur këmbët më shumë se jorgani e kushedi se për sa kohë do të vijonte të përpëlitej në shtrëngesën poshtëruese të mungesës së parave. Edhe në pamjen e jashtme e shihja veten të ndryshuar: nuk isha më gjeniu riosh i teatrit, ende i panjohur, por publicisti i uritur, bashkëpunëtori i revistave të ilustruara dhe i gazetave të dorës së dytë; ose ndoshta edhe më keq, nëpunësi thatim i ndonjë firme private apo zyre shtetërore. Ky burrë ia fshihte së shoqes, për të mos e trazuar, ankthin e vet; rendte nëpër gjithë qytetin në kërkim të punës, shpesh duke mos gjetur gjë; natën, brofte nga gjumi me tmerr duke menduar për borxhet që duhej të paguante; shkurt pra, sytë dhe mendjen i kishte vetëm te paratë. Ndoshta ishte një imazh mallëngjyes, por pa lavdi dhe dinjitet, mjeran dhe i paracaktuar, si lexim i detyruar, dhe unë e kisha marrë zët, sepse mendoja që me kalimin e viteve, dalëngadalë e pa e kuptuar, paçka dëshirës sime, do të bëhesha si ai.

 

5.

Dua të them dy fjalë për zanatin e skenaristit, në mos tjetër, sa për t’ju dhënë të kuptoni më mirë se ç’ndieja në atë kohë. Siç dihet, skenaristi është ai që shkruan, kryesisht në bashkëpunim me një skenarist tjetër dhe regjisorin, subjektin ose skenarin, tek i cili më pas do të bazohet gjithë filmi. Në skenar, sipas zhvillimit të veprimit, renditen një nga një, me imtësi, të gjitha gjestet dhe fjalët e aktorëve, si dhe lëvizjet e ndryshme të kamerës së xhirimit. Pra, skenari është njëkohësisht dramë, mimikë, teknikë kinematografike, vënie në skenë dhe regji. Kështu, ndonëse roli i skenaristit në film është i rëndësisë së dorës së parë dhe vjen menjëherë pas atij të regjisorit, për arsye të lidhura ngushtë me zhvillimin që ka pasur deri tani arti i kinemasë, ai mbetet gjithmonë e në mënyrë të pandreqshme i errët dhe nën varësinë e të tjerëve. Nëse gjykojmë që arti shihet si shprehje e drejtpërdrejtë, e nuk di si tjetër mund të gjykohet, skenaristi është një artist që, megjithëse jep gjithçka për filmin, më pas nuk arrin as të ngushëllohet që të paktën, ka shprehur vetveten. Kësisoj, me gjithë sfilitjen e tij krijuese, ai s’mund të jetë veçse një furnizues idesh, gjetjesh, shpikjesh, marifetesh teknike, psikologjike, letrare; i takon pastaj regjisorit ta shfrytëzojë këtë lëndë sipas natyrës së vet, domethënë, të shprehë vetveten. Skenaristi, pra, është njeriu që mbetet përherë në hije; që jep edhe shpirtin e vet për suksesin e të tjerëve; dhe që, ndonëse fati i filmit varet dy të tretat prej tij, ai nuk do ta shohë kurrë emrin e vet nëpër tabelat e reklamave, ku në fakt shfaqen ata të regjisorit, të aktorëve dhe të producentit. Është e vërtetë që ai mundet, siç ndodh shpesh, të arrijë majën e shkëlqimit në zanatin e tij të ndërvarur, dhe të paguhet shumë mirë, por s’mund të thotë kurrë: “Këtë film e kam bërë unë… në këtë film jam shprehur kështu… ky film jam unë”. Këtë gjë mund ta thotë vetëm regjisori i cili, në fakt, është i vetmi që i vë vulën filmit. Kurse skenaristi duhet të kënaqet të punojë për paratë që merr, gjë që, me apo pa dashje, kthehet në qëllimin e vetëm e të vërtetë të punës së tij.

 

6.

Kësisoj, atë ditë, kur ajo thirri: “Unë të përçmoj”, menjëherë u binda që ajo frazë, e cila në gojën e një gruaje tjetër ndoshta s’do të thoshte gjë prej gjë gjëje, e shqiptuar prej saj nënkuptonte pikërisht atë kuptim që kishte realisht: ajo më përçmonte me të vërtetë dhe pikë. Edhe sikur të mos ia njihja fare karakterin Emilias, toni me të cilin e kishte thënë atë frazë nuk më linte shteg dyshimi: ishte toni i fjalës së virgjër, e lindur drejtpërdrejt nga ndjesia fillestare, e shqiptuar nga një njeri që atë fjalë ndoshta nuk e kishte thënë kurrë më parë deri tani, dhe që, i shtyrë nga nevoja, e kishte nxjerrë nga burimi atavik i gjuhës, pa e kërkuar, thuajse vetvetiu. Ashtu si, ndonjëherë, një fshatar, mes shumë lokucionesh të cunguara, dialektore, bajate shqipton një frazë përshkënditëse me një gjykim të kthjellët moral, që në gojën e një tjetri nuk do të na habiste aspak, por që në të tijën, të mahnit dhe duket thuajse e pabesueshme. “Unë të përçmoj”, këto tri fjalë, siç vura re me hidhërim, kishin të njëjtin ton absolutisht origjinal të tri të tjerave, kaq të ndryshme, që ajo më kishte thënë herën e parë, kur më kishte shfaqur dashurinë e saj: “Të dua shumë”.

 

7.

…gjithçka varet nga psikologjia, pa psikologji, s’kemi karaktere, pa karaktere, s’kemi subjekt… Tani, cila është psikologjia e Uliksit dhe e Penelopës?… Ja pra: Penelopa është gruaja tradicionale e Greqisë arkaike, feudale, aristokrate: e virtytshme, fisnike, kryelartë, besimtare, amvisë e mirë, nënë e mirë, bashkëshorte e mirë… Kurse Uliksi u paraprin karaktereve të Greqisë më të vonshme, atë të sofistëve dhe të filozofëve… Uliksi është njeri pa paragjykime dhe, po të dalë nevoja, edhe pa skrupuj, i mprehtë, i arsyeshëm, i zgjuar, jofetar, skeptik, ndonjëherë edhe cinik.

 

8.

Po ashtu bën edhe Penelopa me kthimin e Uliksit; pasi i tregon që i ka qëndruar besnike, i jep të kuptojë që kjo besnikëri nuk do të thotë dashuri, por vetëm dinjitet… mirëpo, ajo do ta dashurojë sërish, vetëm me një kusht: që ai të vrasë mëtuesit… Uliksi, siç e dimë, nuk është as gjakatar, as hakmarrës… ndoshta do të parapëlqente t’i dëbonte mëtuesit, si me thënë, me të mirë, me anë të bindjes… por ky është rasti vendimtar… Uliksi e di mirë se nga vrasja e mëtuesve, varet respekti i Penelopës dhe rrjedhimisht edhe dashuria e saj… Pra, ai i vret mëtuesit… Atëherë dhe vetëm atëherë Penelopa rresht së përçmuari dhe e dashuron sërish… Kësisoj, Uliksi dhe Penelopa dashurohen përsëri, pas shumë vjetësh ndarjeje… dhe kremtojnë dasmën e tyre të vërtetë… bluthochzeit-in e tyre, dasmën e tyre të gjakut…

 

9.

…edhe Joyce-i e ka interpretuar “Odisenë” në një këndvështrim modern… dhe në modernizimin, ose përshtatjen a përdhosjen që i bëri, shkoi shumë më larg sesa ju, i dashur Reingold… E ktheu Uliksin në brinar, onanist, dembel, të padobishëm, të paaftë; dhe Penelopën në një lavire me nam dhe Eoli u bë redaksia e një gazete, zbritja në skëterrë u bë funerali i një shoku të zdërhalljeve, Circja e viziton në një bordel, dhe kthimi në Itakë është kthimi në shtëpi, natën vonë, nëpër rrugët e Dublinit, jo pa një ndalesë për të pshurrur në një qoshe… por të paktën, Joyce-i pati kujdesin që ta linte mënjanë Mesdheun, detin, diellin, qiellin, tokat e paeksploruara të antikitetit… Gjithçka e vendosi nëpër rrugët e përbaltura të një qyteti verior, nëpër taverna, nëpër bordele, në dhoma gjumi, në nevojtore… S’kishte as diell, as det, as qiell… gjithçka moderne, ose më mirë të them gjithçka e rrëgjuar, e përdhosur, e katandisur në gjendjen tonë mjerane… Mirëpo ju, s’e keni këtë maturi të Joyce-it…

 

10.

– Po pse më përçmon?
– Po pra, të përçmoj, – briti ajo befas, – sepse kështu je gatuar dhe sado të përpiqesh, s’ke për të ndryshuar.
– Po pse, si jam gatuar?
– Ashtu si je gatuar, s’e di, mbase e di ti… di vetëm që s’je gatuar si burrë, nuk sillesh si burrë. Edhe njëherë më la pa fjalë kontrasti mes përgjigjes pa dorashka dhe sinqeritetit të ndjenjës që lexohej në fjalët e saj dhe karakterit të përgjithshëm, thuajse të rëndomtë, të vetë fjalëve.
– Po çfarë do të thotë të jesh burrë? – pyeta me një inat përzier me ironi, – s’e kupton që s’do të thotë asgjë?
– Hajt se e di shumë mirë ti.

1 Koment

  1. Prezantimi i librit bëhet nesër mbrëma me pjesëmarrjen e:

    Aida Baro – përkthyese
    Ardian Vehbiu – shkrimtar
    Elsa Demo – gazetare
    Mikaela Minga – studiuese

    Data: 16 nëntor
    Ora: 21:00
    Vendi: Shtëpia Kadare

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin