GRA DHE NËNA, GRA SI NËNA

Tek shfletoja një koleksion kaotik fotosh të Petrit Kumit, botuar në TemA, më mbetën sytë te njëra prej tyre, ku tregohen tri gra duke shtyrë secila nga një karrocë fëmijësh dhe duke ecur në të njëjtin drejtim, një ditë me diell.

Fotoja nuk ka datë por, duke gjykuar nga modeli i veturës në sfond, duhet të jetë e viteve 1960-1970: edhe motra ime është rritur në një karrocë kështu. Gratë – nënat – duken të fokusuara, dhe pa vetëdijen e njëra-tjetrës; imazhi duhet të jetë i inskenuar, siç tradhtohet edhe nga fytyra e vajzës së vogël, e cila harron të shohë përpara.

Çfarë janë këto gra? Janë ekzemplarë të gruas socialiste: nëna të reja, që i paraqitin publikut produktin e “punës” së tyre seksuale: fëmijët në karrocë, mbase në përgjigje të thirrjes së PPSH-së familjeve për të pasur më shumë fëmijë – në ato vite shtimi i popullsisë nxitej dhe përshëndetej njëlloj si shtimi i prodhimit dhe i të ardhurave. Kishte një politikë për këtë synim, e cila penalizonte beqarët dhe shpërblente nënat me shumë fëmijë (popullsia e Shqipërisë arriti 2 milionët dikur në vitet 1967-1968 dhe 3 milionët në vitet 1985-1986).

Risia e imazhit, nëse mund ta quaj kështu, është se këto nëna të reja socialiste nuk janë fotografuar në sallën e pritjes së konsultores, as në maternitet, as në parkun e lojërave, duke mbikëqyrur fëmijët; por duke ecur në trotuar, në formacion parade. Dhe kjo paradë civile nuk mundet veçse t’i referohet asaj të 1 majit, ku klasa punëtore (dhe fshatarësia kooperativiste, dhe kategoritë e tjera të masave punonjëse) parakalojnë përballë tribunës, për t’i treguar udhëheqjes produktet e punës të tyre: dhe pikërisht fëmijët.

Këtë herë, gruas tornitore, mjelëse, korrëse e grurit, aksioniste në hekurudhë, vjelëse e rrushit, traktoriste dhe edukatore kopshti ia ka zënë vendin një tjetër imazh esencial: ai i gruas nënë, e cila i jep kombit “gjakun e ri”. Meritë e fotografit është se i ka vënë edhe nënat të parakalojnë, njëlloj si minatorët dhe shirësit e grurit, madje duke shtyrë përpara të njëjtin mjet transporti që e shënjon punën e krahut po aq mirë sa edhe kazma, shati, drapri dhe çekani: karrocën.

Në simbologjinë e punës socialiste, karroca vjen para së gjithash si karrocë dore, me të cilën barten gjithfarë produktesh ndërtimi: dhe, gurë, çimento, llaç… Me karroca dore janë tharë kënetat, hapur tokat e reja, ndërtuar hekurudhat dhe ngritur muret dhe oxhaqet e fabrikave. Në fotografitë e kohës, kjo lloj karroce dore konoton dinamizëm dhe shpejtësi, duke i shërbyer si kontrapunkt punës së mirëfilltë të krahut.

Edhe karrocat e fëmijëve, në foton që kemi përpara, bartin produkte të punës – të ngjashme me mineralin në vagonët e minatorëve; dhe meqë nënat kanë dalë së bashku, edhe kjo punë e shtimit të popullsisë del nga korniza private e familjes dhe e shtratit bashkëshortor, për të marrë tipare të punës kolektive.[1] Fotoja i tregon këto gra duke ecur me hap të shtruar, me gjasë duke shëtitur në qytet; por pozat e tyre janë të ngrira, si ato të vajzave aksioniste në paradë; të ndodhura përballë syrit të fotokamerës, ato gati-gati e ndiejnë vetvetiu nevojën për t’u sinkronizuar. Vetëm vajza e vogël poshtë djathtas e prish këtë koreografi të kolektivitetit, duke vështruar anash, pa çka se edhe ajo merr pjesë me zell në shtyrjen e karrocës.

I pashmangshëm edhe paralelizmi mes rrotave të karrocave dhe atyre të automjetit në sfond; e njëjta teknologji, por në dy përdorime të ndryshme. Rrota në foto të tilla të realizmit socialist shënjon gati gjithnjë progresin (një lloj oksimoroni, pra); dhe, kush i ka jetuar ato vite, mbase do t’i mbajë mend fushatat ndonjëherë eksplicite që u bënin thirrje nënave të blinin dhe të përdornin karroca fëmijësh – të cilat gjithashtu filluan të importohen e më pas edhe të prodhohen masivisht.

Pyetjes se për ku është nisur ky procesion nënash me karroca fëmijësh nuk i përgjigjemi dot; edhe pse drejtimi duket i kundërt me atë të veturës në prapaskenë. Ndoshta po të dinim se për çfarë është përdorur kjo foto, çfarë teksti ka ilustruar ose ka shoqëruar, ose në ç’koleksion është përfshirë në fillim, mund të kuptonim diçka më tepër. Përndryshe, mund të përfytyrojmë se këto tre gra, dhe kushedi të tjera para dhe mbrapa tyre që nuk i ka kapur objektivi, po ia shpien fëmijët Partisë për t’i pagëzuar.

Jemi vërtet në një atmosferë socialiste, të patrazuar ende nga ankthi i një mbijetese së rrezikuar si në vitet 1980; por ky grup nënash dhe fëmijësh, që ecin bashkë në formacion; ky theks në aspektin mirëfilli biologjik të shtimit të popullsisë nëpërmjet riprodhimit në familje; ky vështrim (gaze) i gruas socialiste si makinë për të prodhuar fëmijë (enë), jo vetëm i kundërvihet klishesë së gruas punëtore, veshur me kominoshe, muskuloze dhe steroidale, me në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën, por edhe i referohet, për ata që duan të lexojnë më tej, një imazhi gati fashist për gruan-nënë, si dheu ku mbin dhe rritet bima e së ardhmes.

Po a janë të lumtura këto gra, në rolin e tyre publik, prej nënash me karrocë? Ndryshe nga fotot standard të vajzave aksioniste dhe të kujdestareve të pulave në pularitë, gratë në foton tonë nuk qeshin, as buzëqeshin; figura e parë, majtas, duket sikur mezi po mbahet në këmbë; figura e mesit, më e vendosur, duket edhe ajo e bezdisur nga graviteti; e treta, edhe jo, mbështetet pak në dorezën e karrocës. Asnjëra prej tyre nuk e ka përkushtimin spontan të vajzës së vogël poshtë djathtas. Për t’u vërejtur edhe që gjinjtë këtyre nënave të reja praktikisht u janë fshehur poshtë bluzave, krejt ndryshe nga ato gjinj të shëndetshëm, që ua shpërthejnë kopsat e këmishëve dhe të uniformave aksionisteve dhe tornitoreve në pikturat, pa folur pastaj për skenat me mjelëse të dalluara në detyrë e sipër. Unë shoh një pasojë të kequshqyerjes së Pasluftës, te këto gjokse të sheshta në imazh; do të gabonim, po t’i merrnim si shenja të fshehta të revoltës feministe.

Në çdo rast, fotoja na kujton – a na rikujton – se për gruan në totalitarizëm, për emancipimin e saj dhe daljen e saj në publik ende ka shumë për të thënë; madje edhe sikur ta shihnim kundërvënien midis gruas fuqi punëtore dhe gruas prodhuese fëmijësh thjesht si efekt anësor të konfuzionit në politikat sociale. Sepse këto nëna vërtet kanë dalë në qytet, të pashoqëruara; por foshnjat në karroca ende u qëndrojnë të lidhura pas kyçit të këmbës, si gjylet të burgosurve. Ashtu siç paraqiten në foto, ato nuk mund të bëjnë shumë, përveçse të parakalojnë, duke ia treguar botës produktet e trupave të tyre, ose fitoret e tyre sa intime, aq edhe individuale. Janë të lira për ta shprehur haptazi amësinë e tyre, por ndoshta ende jo për t’u angazhuar qytetarisht në jetën publike. I japin trotuarit qetësi dhe një ndjesi sigurie, por duken pak si të lodhura, për të qenë ato vetë të qeta. Që tani, vëmendja publike po zhvendoset prej tyre te fëmijët, të cilët janë “e ardhmja”; dhe roli i këtyre grave tash e tutje do të jetë kryesisht ai i kujdestareve për këtë të ardhme. Dhe kështu edhe seksualiteti, si atribut i gruas së re, vjen e mungon krejtësisht: raporti nënë-fëmijë është tepër serioz, për t’u trazuar me çikërrima dhe objektifikime të tilla borgjeze. Aq më tepër që roli i tyre i nënës nuk mund të realizohet në publik, përveçse nëpërmjet projektimit te fëmija – ose anulimit të tyre si subjekte të pavarura dhe të vetëmjaftueshme.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi dhe kopjimi në mediat.

Shënim: një foto e ngjashme, nga e njëjta periudhë, por me autor të paqartë:


[1] Funksioni bartës i karrocës së dorës, por edhe thjesht forma e saj, e afrojnë këtë fetish të realizmit socialist me mitrën si “karrocën” ku gruaja shtatzënë bart fëmijën – në shqipe bar(t) dhe barrë vijnë etimologjikisht nga e njëjta rrënjë indo-europiane. Te karroca e fëmijës, ky përkim funksionesh me mitrën konfirmohet nga prania e fëmijës vetë.

6 Komente

  1. “Te karroca e fëmijës, ky përkim funksionesh me mitrën konfirmohet nga prania e fëmijës vetë..” Eshte aq e sakte, sa po te ngjitesh edhe pak me siper ne kohe ka nje nyje te Kanunit qe thote shprehimisht: “Grueja asht shakull me bajt”. Jo ne kuptimin “bucelen me uje”, por ajo identifikohet me funksionin e mitres se saj.

    Ne te vertete mund ta komentosh si te duash, por nuk eshte se ne ate kohe ne pikeveshtrim social gruaja shihej shume me ndryshe nga shoqerite e tjera. Hipokrizia e regjimit te Hoxhes ishte se duke pretenduar se po luftonte per emancipimin e saj, abuzoi rende ne interpretimin e te drejtave dhe detyrave te grave dhe nuk beri gje tjeter dhe delikatesen e funksionit te tyre “fiziologjik”, siç e njihte Kanuni, e suprimoi (si koncep patriarkal), pra nuk njohu asnje diference te feminilitetit te saj dhe e futi ate ne procese te renda prodhimi qe nuk i pergjigjeshin kapaciteteve te saj fizike. Keshtu, ne emer te kesaj “barazie” kam pare gra ne fabrika mielli qe perkulnin kurrizin dhe prisnin radhen, pas burrave qe nje nga hinka e madhe e mullirit te binte nje thes i madh gati 1 kv qe ato e transportonin deri te nje kamion, te njejten gje kam para edhe ne fabrika tullash etj.

    Mungese e eger respekti per natyren njerzore dhe ato gra perfundonin me veshka te shkaterruara etj.

    Nga fotografet e asaj kohe, çeshte e verteta askush nuk me ka terhequr vemendjen veç Pipi Naçes dhe B. Fushes. Te vetmit qe kishin pak shpirt artisti. Te tjeret benin punen e tyre. Ndalonin buze nje are, hipnin mbi motorrin Java, shkrepnin aparatin dhe ktheheshin ne redaksi. Por mbase edhe aq u kerkohej, jo me shume.

    1. Mendoj se nuk ka qene kaq bardh e zi, pasi edhe asaj kohe gruaja “vleresohej” (e njeta gje me “nenvleresohej”) si femer qwe ish. Ju, duke qene ne grupin e intelektualve, qe i keni PARE grate, dhe une ne grupin e puntorise (familjarisht po ashtu), me te cilat jetoja dhe punoja, do thoja se ato -megjithate- kishin ate diferencimin e tyre gjinor (seksual), mbi te cilin nuk kishte diskutim. (Edhe une vete, kur fillova pune me 15 vjec e gjysem ne fonderine e gizes, ne muajt e pare me vune te punoja tek grate, sepse deri ne 16 vjec ligji nuk e lejonte te kisha kontakt me gizen e shkrire.) Pastaj, persa i perket tabllove piktureske, sklupturave, romaneve, etj., keto natyrisht qe prezantonin deri diku nje tabllo si kjo qe KOMEMTON Ardiani.

  2. “Kishte një politikë për këtë synim, e cila penalizonte beqarët dhe shpërblente nënat me shumë fëmijë (popullsia e Shqipërisë arriti 2 milionët dikur në vitet 1967-1968 dhe 3 milionët në vitet 1985-1986).”

    Mendoj se shtimi i popullsisë në atë periudhë nuk ka qenë aq rezultat i propagandës sesa i puqjes së
    një inercie të traditës familjare me uljen drastike të vdekshmërisë foshnjore, siç ka ndodhur në
    përgjithësi në botë sidomos pas L2B.

    Përtej kësaj do të thoja se pjellshmëria nuk është diçka që mund të rritet fort lehtë përmes
    propagandës dhe incentivave materiale. Tani që disa vende po e ndjejnë ngutshëm rrezikun
    demografik dhe po fillojnë të marrin të tilla masa, rezultatet mbeten për t’u parë. Por për mendimin
    tim kërkimi i shpëtimit tek propaganda apo incentivat si metodë është thjesht një tjetër shpehje e
    shterpësisë që i ka përfshirë shoqëritë në fjalë. Sepse pjellshmëria ka lidhje me gjithë botën
    shpirtërore, emocionale, mendore dhe ekonokulturore të një shoqërie. Për të siguruar pjellshmërinë
    tradita universalisht ka qenë e ndërtuar për ta kultivuar që nga djepi individin me idenë e krijimit të
    familjes dhe të lënies së pasardhësve, çka konsiderohej si pjesë thelbësore e përmbushjes së
    gjithanshme të individit. Një kulturë tejet komplekse e ndërtuar rreth vazhdimit të brezit ishte e
    domosdoshme pasi, pa dyshim, familja dhe pasardhësit bartin sakrificë. Për botëkuptimin tradicional
    pikërisht tek sakrifica gjendet edhe lumturia, edhe pjekja si njeri e përmbushja shpirtërore, por për
    individin nuk është aspak e mirëqenë që të vetëkultivohet në këtë rrugë jashtë kontekstit të një
    strukture të mirëorganizuar për ta orientuar në të. Rënia demografike në vendet e zhvilluara sot
    është rezultat i përmbysjes së traditës dhe i shkatërrimit të indit social, prandaj nuk ka gjasë që kjo
    ecuri të kthehet mbrapsht me politika dhe masa administrative. Nga ana tjetër kthimi në traditë
    është i mundur vetëm në rrafshin individual dhe ndoshta komunitar, për ata që i kanë ruajtur kodet
    shpirtërore të traditës.

  3. Pertej mitizimeve ideologjike, mua kjo me duket nje foto e thjeshte e nje fotografi te ATSH ne socializem. Pavaresisht ideologjizimit, Petriti qe edhe kam pas rastin dhe fatin ta njoh, bashke me shume fotografe te tjere ishin rob hallexhinj te zakonshem qe nxirrnin jetesen me nje zanat. Keto kishin edhe nje norme mujore fotosh per te realizuar, dhe keto shpesh plotesoheshin me natyra te qeta socialiste si kjo ketu. Bile po ta shikosh me kujdes ne te majte kornizen e dritares do e kuptosh qe kjo foto eshte bere mbase krejt rastesisht nga dritarja e e ndonje lokali ku Petriti do kete qene duke pire ndonje gote (e ka pas kete ves 🙂 ) gje qe e rrezon variantin aq intrigues sidoqofte te mizanskenes me gra te rreshtuara me karroca dore per pune si ne nje kamp perqendrimi (qe perforcohet dhe nga rrjeta metalike ne te djathte/siper te fotos), te shfrytezuara seksualisht nga baballaret tane, me gjylet e femijeve te lidhura ne kembe (qe jemi ne, une dhe ti domethene) per ti penguar ato te ecin ne rrugen e lirise dhe progresit. Ndersa Warshava, pavaresisht vitit te prodhimit simbolizon Geton famekeqe te Warshaves, ne mungese te tabeles Arbeit macht frei, qe per aresye objektive nuk mund te vihej aty.

  4. …” te shfrytezuara seksualisht nga baballaret tane, me gjylet e femijeve te lidhura ne kembe (qe jemi ne, une dhe ti domethene) per ti penguar ato te ecin ne rrugen e lirise dhe progresit.,,”

    Dmth pengesa drejt rruges se lirise dhe progresit te gruas qenka shfrytezimi seksual i saj nga i shoqi dhe pasja e gjyleve ne forme femijesh neper kembe. Per cfare lirie behet fjale ketu? Per ate te perjetshmen kam pershtypjen. Se perndryshe, gruaja eshte natyre, dhe natyra eshte grua. ( ne fund te fundit eshte gruaja ajo qe “zgjedh” se me ke do te riprodhoje)

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin