NJË MARIFET ME LISTA

Te një op-ed në “Panorama”, kushtuar kulturës së shtirë të Edi Ramës, Fitim Zekthi e qorton kryeministrin për gjithfarë mangësish në formimin e tij të përgjithshëm, duke vërejtur, ndër të tjera, se retorika e tij është e mbushur me batuta nga filmat e socrealizmit të Kinostudios dhe se, nëpërmjet këtyre, ai njeh edhe historinë e Shqipërisë.[1] Fitim Zekthi pastaj vazhdon:

Ai nuk e njeh historinë e Shqipërisë nga librat, nuk e njeh nga punimet e profesor Ferit Dukës, prof. Nevila Nikës, prof. Dritan Egros, prof. Muharrem Dezhgiut, prof. Kasem Biçokut, prof. Afrim Karagjozit etj. Ai nuk e njeh historinë e Shqipërisë nga punimet e Marin Sirdanit, Branko Merxhanit, Tajar Zavalanit, Vangjel Koçës etj.

Nuk dua të merrem këtu me marrëdhëniet e Ramës me produktet e Kinostudios “Shqipëria e Re” – edhe pse tema kërkon vëmendje. Dua thjesht të ndalem te lista e historianëve që, sipas Zekthit, duhej t’i kish lexuar Rama, për të kompletuar formimin e tij të përgjithshëm, si qytetar, burrë shteti dhe intelektual.

Kanë thënë, për shumerët, se krejt dijen e tyre e përcillnin nëpërmjet listave – jo propozitave (p.sh. historia e familjeve mbretërore nëpërmjet gjenealogjive, etj.). Sot e kësaj dite, në shumë kultura, përfshi edhe tonën, listat janë mjet i preferuar për të fiksuar dhe përcjellë hierarkitë, kanonet dhe autoritetet përkatëse. Lista Edi Rama, Ilir Meta, Sali Berisha ka kuptim dhe domethënie tjetër nga lista Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama. Të organizuara sipas kundërvënieve të thjeshta, të tipit prani/mungesë (1:0), dhe sipas sistemesh elementare të renditjes njëpërmasore (kahu), listat shprehin me efektshmëri të madhe raportet të pushtetit (autoritetit) dhe të suksesionit, në kontekste specifike dhe, jo rrallë, edhe performative.

E tillë më duket edhe lista e Zekthit, e cila – pa bujë – e revolucionon krejt kanonin historiografik shqiptar. Studiues si Ferit Duka, Nevila Nika, Dritan Egro, Muharrem Dezhgiu, Kasem Biçoku, Afrim Karagjozi; ose të mëhershëm si Marin Sirdani, Branko Merxhani, Tajar Zavalani, Vangjel Koça spikatin a kanë spikatur në fushat e tyre dhe kanë dhënë kontribute të vyera; por më duket i pashmangshëm dyshimi nëse janë pikërisht këta autorët e kanonit, ose ata që duhen lexuar me përparësi – nga Edi Rama dhe kushdo tjetër me ambicie intelektuale qytetare – për të formuar nocione të shëndosha në lëmin historiografik.

Më e pakta që mund të thuhet, është se lista e Fitim Zekthit është alternative; ku spikatin sidomos emrat që janë lënë jashtë. Meqë nuk po dua të filloj edhe unë me listat e mia, po mjaftohem të vërej se asnjë nga këta autorë nuk mund të konsiderohet si parësor për historiografinë shqiptare; madje ata vetë, jam i bindur, do ta gjenin një cilësim të tillë të ekzagjeruar (çfarë do ta zhvlerësonte edhe më paraqitjen e tyre si të kanonit). Punimet e tyre, të respektueshme dhe kompetente, nuk mjaftojnë “për të njohur historinë e Shqipërisë” – madje as edhe do të bëheshin të mundura, pa kontributin e atyre historianëve, shqiptarë dhe të huaj, që u kanë paraprirë dhe që kanë vënë themelet e historiografisë shqiptare dhe që Fitim Zekthi i ka lënë – besoj jo nga padija – jashtë listës.

Prandaj lista në fjalë revizionon; dhe e bën këtë tinëzisht. Nuk i rrëzon autorët e kanonit historiografik nga piedestalet, por thjesht i zeron; dhe i zëvendëson me të tjerë, si pa u ndier. Unë e kuptoj që kanoni mund të të zërë ndonjëherë frymën; dhe që historiografia shqiptare jo rrallë është ndikuar nga ideologji ekstreme, si enverizmi ose edhe nacionalizmi; por edhe lista e re e Zekthit e sjell një kanon, sado alternativ, me vete; dhe ky kanon njëlloj mund të imponohet.

Nuk di çfarë i bashkon pikërisht emrat që ka sjellë autori i shkrimit te “Panorama”, edhe pse kam përshtypjen që të gjithë këta e kanë sfiduar kanonin e tanishëm akademik, secili në mënyrën e vet. Historiografia shqiptare ka nevojë për ajrim, sikurse ka nevojë edhe për pluralizëm. Por, dhe prandaj, Ferid Duka dhe Kasem Biçoku nuk mund të shtyjnë jashtë kanonit Kristo Frashërin, Pëllumb Xhufin dhe Aurel Plasarin, sa për të mbetur në kategori. Nëse kjo ka lidhje me shijet dhe prirjet ideologjike të Zekthit, sërish nuk e di. Nga autorët e tjerë, Tajar Zavalani ka shkruar gjëra kompetente, por vështirë se mund ta meritojë listën para, bie fjala, një Bernd Fischer-i, një Alain Ducellier-je ose një Oliver Jens Schmitt-i (ky i fundit, madje edhe pa veprën e tij kontroversiale për Skënderbeun).

 

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet kopjimi. Shkelësit do të ndiqen ligjërisht.


[1] Do t’ju lutesha që të mos diskutoni për kulturën e përgjithshme të Ramës, në komentet; ajo temë është e shkrimit të Zekthit, jo e shkrimit tim. Le t’i mbajmë gjërat të ndara, për hir të arsyes.

17 Komente

  1. Besoj se Zekthi aty i referohej me shume periudhes 1939 e ketej, meqenese batutat e Rames lidhen pikerisht me kohen e luftes dhe te regjimit komunist.
    Nuk e di nese dihet, por ende sot ka punime shkencore te konfirmuara nga UT-ja me grada e tituj shkencore, qe marrin citate nga librat e Enver Hoxhes. Filmat ne fakt jane produkte te librave te Enverit persa i takon kritereve ideologjike, keshtu qe besoj se Zekthi ne praktike i thote nuk je perditesuar.
    Gjithsesi Zekthi per ta gjykuar Ramen duhet ta kishte ndare me mendje listen ne 3 pjese, historiografia shqiptare e majte, e djathte dhe nderkombetare, duke permendur emra te mirenjohur prej te tre kategorive.

    Ne praktike Zekthi perpiqet te hyje ne dialektiken e majte/e djathte nepermjet nje ripropozimi te kacafytjes historiko-politike, po nuk duket te jete ne habitatin e tij te natyrshem , qe eshte prej konservatori liberal (kategori ku ben pjese Zekthi dhe nja 10 te tjere ne gjithe Shqiperine).

  2. Me duket se po merresh me dicka qe Zekthi e ka thene duke iu referuar leximeve te tij dhe nuk eshte marre aspak me binarin frasheri-bicoku, por eshte marre me binarin historiane-kinostudio. Si i tille, pretendimi se Zekthi po ofron nje lloj historie te djathte dhe rilexim te historise, edhe pse ai do ta donte ate, ne kete rast nuk qendron. Ajo qe nuk e kuptoj eshte cne ju vete personalisht nuk shqetesoheni akademikisht nga kici estetik Rama. Gjithsesi, per mua, qe e njoh historine ceket, ata qe permend ti si koka te pazevendesueshem jane sharlatane. Rasti i titullit dr. te K.F. eshte denoncuar publikisht nga D.D. dhe ju duhet ta mesoni, nese nuk e dini akoma. Per P.Xh. s’di c’te them sepse nuk jam marre me te, por jam skandalizuar kur i kerkonte amerikanit J. McC. te Vdekje dhe Debim pse nuk shkruan nje historik per vrasjet e shqiptareve gjate LB. Per te huajt, s’besoj se e keni seriozisht.

    1. Po të bëni një kërkim te Peizazhet, do të gjeni se unë jam marrë edhe me kitsch-in e Ramës, kur e kam parë të arsyeshme.

      Shkrimi im i para pak ditëve, Gjenerali i citueshëm, që gjendet akoma në faqen kryesore (kolona majtas) të revistës sonë, përqendrohet te kjo temë gjithashtu. Por mos prisni prej meje që të më dalë gjumi dhe të shkruaj diçka, sa herë që Ramës t’i shkasë goja.

      Ju kujtoj edhe se temat e shkrimeve të mia i zgjedh sipas dëshirës.

      Megjithatë, nuk pres prej kryeministrit të shkëlqejë në historiografi (prej kryeministrit unë pres të shkëlqejë si kryeministër); si rregull, fjalimet e Ramës madje edhe batutat duhet t’i përgatitnin të tjerët, staff-i i tij i mirëpaguar. Nëse ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar, është vetëbesimi i tij (çështje karakteri), jo mangësitë e tij intelektuale. Por kjo nuk është tema e këtij shkrimi dhe nuk do të zgjatem më – po lejohem të besoj se ju nuk e lexuat shënimin tim poshtë; përndryshe do të më duhej t’jua moderoja komentin (me cilësinë e moderatorit, jo të autorit të shkrimit).

      Tani, sa për kanonin historiografik, unë nuk kam dashur të bëj listën time; madje besoj se këtu nuk mund të procedohet me lista. Sikurse besoj edhe se lista të tilla, pavarësisht kush i bën, janë mbeturinë e mendësisë provinciale, staliniste, të shkollës së para 1990-ës.

  3. Gjuha e Zekthit është larg nga ajo e katedrës dhe më afër nga ajo e një kafeneje katundi dhe ky është një konstatim i ftohtë. Ndaj nuk besoj se meriton kaq vëmëndje.
    Edi Rama kur gjykohet nga llogoret, nuk kemi analizë, por politikë. Ai(ER), mendoj se ende nuk duket qartë në është vizionar, por është e sigurtë që është njeri i veprimit dhe ka pasionin dhe dashurinë e duhur për ta bërë Shqipërinë. Për shkak të saj e ka të sigurtë vendin në histori.

    1. I jap vëmendje sepse e konsideroj simptomatike, jo sepse ngre peshë në vetvete. Lista të tilla i sheh shpesh, funksionojnë si një lloj loje tavëll për intelektualët.

    2. Lum si ti Koci qe paske amnezi, se po flet per Ramen si flitej ne 1998. Gjithsesi per mua Rama veshtire se ka lexuar ndonje liber historie nga fillimi ne fund, keshtu qe Zekthi i ka rene kokes. Eshte tipik i personave qe e kane lexuar historine nepermjet romaneve, te cilet jane me tonelata. Formimi i Rames eshte deficent, cdo koncept e ka prej letersise, asnje i shkencave te ndryshme sociale nuk gjen dot gjuhen e qasjen perkatese shkencore ne cfare ka shkruar e folur ai njeri ne keto 30 vjet, qe do te thote se nuk e njeh literaturen shkencore. Per te mos folur pastaj per ekonomine apo drejtesine, ku mbytet plotesisht se jane tematika qe nuk i ka hasur ne letersi.

  4. ” Ferit Dukës, prof. Nevila Nikës, prof. Dritan Egros, prof. Muharrem Dezhgiut, prof. Kasem Biçokut, prof. Afrim Karagjozit etj. ”

    nuk gjej ndonje motiv ne bukurine e listes qe ka perpiluar zekthi. nga cv-te qe gjeta

    ferid duka dhe dritan egro mund te themi qe jane osmanologet, po ashtu edhe kasem bicoku medievist – eshte marre me pushtimin osman.

    nevila nika dhe muharrem dezhgiu me shume jane marre me historine moderne, l2b, ppsh

    afrimi eshte kategori me vete, me duket se u fut per te prishur statistikat.

    shyqyr qe nuk e filloi listen me marin barletin apo teodor shkodranin

    1. Më thanë që këta – ose shumica e tyre – punojnë tek UET-i. Nuk e verifikoj dot, as kam nge ta verifikoj. Por vendi i punës i përbashkët do t’i shtonte një aromë të re dhe të papritur kësaj menyje.

  5. Dakort me parimin Ardian, por me duket se nuk po merr ne konsiderate kontekstin ku jane thene gjerat. Zekthi nuk po ben nje kritike te historiografise dhe as po sugjeron autoret qe vlejne kunder atyre qe nuk vlejne te lexohen. Ai po i paraqet autoret qe sugjeron, thjesht si burime autoritative nga mesohet historia, kunder nje burimi qe nuk vlen, sic eshte kinostudio, jo kunder disa autoreve te tjere. Ne kete kuptim lista nuk merr vlere kanonike, por eshte thjesht ilustrim, ku mendoj se autori ka lirshmerine te jete selektiv dhe te perfshije ata qe ka me per zemer, per sa kohe po permend vetem disa, dhe jo te gjithe, nga autoret e kesaj fushe. Pra, “lista” nuk eshte dhe aq liste, nese nuk e perkufizojme ate thjesht si nenrenditje emrash.
    Nga ana tjeter, emrat qe ti “liston”, mund te jene lene jashte qellimisht nga Zekthi, per shkak se e ai mund ti konsideroje te pakeshillueshem ne raport me bindjet e veta, kjo eshte ne te drejten e vet. Ai nuk po qorton ndoke, pse i lexon keta autore, dhe nuk ka perse te kete detyrimin ti sugjeroje.
    Gjithsesi, pjesa ku, per mua, ti e tepron, eshte kur te gjithe kete e konsideron “tinezare”, per me teper duke hequr paralele, sikur kemi te bejme me imponim te natyres se enverizmit.
    Ky eshte gjykim qellimesh, dhe e kapercen fushen e nje debati te mundshem. Per me teper, krahasimi nuk ka asnje lidhje, per shkak se, sic nuk eshte nevoja ta shpjegojme, enverizmi u imponua me polici, hetuesi, burgje e pushkatime, si nje ideologji totalitare qe pezullon cdo debat, ndersa Zekthi eshte shume larg imponimit, qofte edhe ne menyre paqesore. Selektiviteti i tij eshte legjitim dhe aspak imponues, e aq me pak e cenon pluralitetin e debatit. Nuk eshte nevoja qe pluraliteti te mbrohet duke i dale krah pikepamjeve qe nuk te pelqejne, aq me teper kur historianet qe nuk i pelqejne Zekthit, jane pergjithesisht apologjete te nje historiografie qe nuk ka nevoje thjesht te ajroset, por te permbyset.

    1. Pse e quaj “tinëzare”? Sepse nuk mund të zëvendësosh hierarkitë, pa dhënë shpjegime. Edhe unë nuk është se u falem të vjetërve, por nuk ia lejoj vetes që të bëj sikur nuk ekzistojnë. Është si të thuash se shkrimtarët kryesorë të letërsisë shqipe të Realizmit Socialist kanë qenë Ali Abdihoxha, Anastas Kondo dhe Dhimitër Xhuvani. Pa shpjeguar pse po lë jashtë Ismail Kadarenë, Dritero Agollin dhe Jakov Xoxën. Nëse këta të fundit nuk të pëlqejnë atëherë thuaje. Për respekt të lexuesit dhe të vetes.

      Sa për enverizmin, ky ka lënë shumë më tepër gjurmë se “hetuesitë dhe burgjet” që përmend ti. Ato janë pjesa më e dukshme, maja e ajsbergut; madje sot po përdoren shpesh nga gjithfarë sharlatanësh, për të sinjalizuar virtytin. Enverizmi ka vepruar në shumë nivele – dhe ato më të padukshmet kanë mbijetuar më mirë. Një statujë mund ta rrëzosh, por një teknikë të ndërtimit të argumentit nuk e rrëzon dot duke e tërhequr me litar.

      Dhe kjo nuk ka të bëjë me imponimin. Imponimi është vetëm një anë e enverizmit. Ana tjetër, më e rrezikshmja, është ajo që depërton pa u imponuar, sepse ti e konsideron si të natyrshme. Prandaj edhe unë besoj se listat vetëm prishin punë – dhe duhen braktisur, përveçse kur janë absolutisht të domosdoshme, ose në kontekste burokratike (lista e anëtarëve të Akademisë, etj.). Sidomos duhen braktisur listat me natyrë vlerësuese ose selektive.

      Me gjithë respektin që kam, Zekthi nuk ka ndonjë kompetencë që të bëjë lista selektive historianësh. Dhe aq më tepër t’i hedhë ato në qarkullim si natyrshëm, pa shpjeguar përmbysjen e hierarkive. Në mirëbesim, po ia faturoj përgjegjësinë një lloj vesi intelektual, nga i cili vuaj edhe vetë.

  6. Duket lista eshte fushe kerkimesh mjaft interesante. Dhe me potencial artistik, bile. Dikur kam lexuar (mbase nga Eco) se poete te ndryshëm surrealiste me aftesi recituese ngjiteshin ne podiume dhe nga krijimtaria e poeteve te tjere merrnin dhe recitonin vetem lista te tera emrash, mbiemrash, krahasimesh dhe gjithafaresoj fjalesh te listuara siç ua donte qejfi atyre dhe pa asnje lloj lidhjeje me teresine e poezise nga ishin marre.

    Me tej, kur nje ish ushtar i Vietnamit me pasoja te renda post traumatike i shkon nje dite ne shtepi John Lennon-it (nderkohe qe po e intervistonte nje ekip tv) dhe i thote se me ate kenge ti me ke patur parasysh mua (per Jealous Guy me duket por nuk jam i sigurte), ai, Lennon, nderkohe qe po e filmojne, mbrohet duke thene se nuk eshte e vertete, ai tekst eshte kombinuar rastesisht. Behet nje liste fjalesh ne copa letre dhe hidhen ne ajer. Dhe teksti i kenges ndertohet si tu vije hera fjaleve, po asnje rend te paracaktuar. Dhe per t’u mbrojtur shton: kete e ben edhe Bob Dylan. Merr nje numer fjalesh nga fjalori, i shkruan ne copa letre dhe i hedh ne ajer, pastaj i bashkon si t’u vije radha (sipas afersise qe kane kur bien ne toke). Ja teksti.

    Me keto, ne asnje menyre nuk dua te aludoj per gjesendi!

    1. Shkrimi im nuk synon t’i bëjë kritikë “enverizmit” si fenomen. Por unë i shoh disa lloje listash si efekte dhe shprehje të enverizmit, duke dalluar atje obsesionin me kuadrin, renditjet piramidale dhe hierarkitë, dhe nevojën t’i riprodhuar këto hierarki në çdo kontekst; sikurse edhe vizionin ushtarak për organizimin. Këto i gjen sot e kësaj dite. Sa herë na del përpara emri i komandantit të shkrimtarëve shqip? Prandaj, “Mendimi ndryshe”, në komentin tuaj nuk keni shprehur ndonjë mendim ndryshe, por keni dalë krejt jashtë teme; dhe i jeni afruar shumë qëndrimit prej trolli.

  7. Autori permend si rreziqe ndaj historiografise shqiptare disa ideologjira “ekstreme” si “enverizmi” dhe “nacionalizmi”.
    Per “nacionalizmin” eshte harxhuar mjaft boje edhe ne keto faqe, por “enverizmin” autori nuk e perkufizon.
    A mund te quhet i tille interpretimi i historise sipas te cilit Cezarit i jepet ajo qe i takon, dhe asgje me pak ose me shume?
    E thene ndryshe, qe Enveri ka patur te meta plot, dhe ka kryer krime duke e kthyer vendin ne nje burg te madh, kjo nuk diskutohet.
    Por a nuk mund te vihet pyetja nese gjate 4 dekadave te sundimit te tij jane shenuar apo jo ndoca arritje per kete vend e per kete popull?
    Nese pergjigja eshte negative, a nuk mund te thuhet se kesisoj biem ne nihilizem te paster?
    Dhe nese pergjigja eshte PO (e kualifikuar ose jo), a mund te quhet bartesi i kesaj teze si “enverist”?
    Shkurt, ne katundin e madh te quajtur Tirane kushdo qe sot kundershton narrativen e imponuar dhe induktuar “nihiliste” akuzohet si “enverist”.
    Akuzatoret jane nga te gjithe llojet e sarhosheve, zuzareve, plagjiatoreve, lavireve dhe levantineve qe gelojne sot ne atdheun tone te dashur.
    Nuk e besojme qe autori te mos ta shquaje dot kete dallim qe ben mu’.

    1. Nje pyetje per Mendimin ndryshe: Meqe per ju Tirana eshte nje katund i madh, keshtu ka qene gjithmone, apo u be pas vdekjes se Enverit? Sipas pergjigjes qe ju i jepni kesaj pyetje nuk eshte zor qe te kategorizoheni ose “nihilist” ose “enverist”, sipas perkufizimeve qe keni dhene vete.

  8. Ndofta jam pak jashte teme, por do doja te dija se cilat jane gjerat kompetente qe ka shkruar Tajar Zavalani sepse “Historia e Shqipnis” se tij eshte… euh….
    🙁

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin