PËR NJË HISTORI TË SHPRONËSIMIT INTELEKTUAL

Një shkrim i vogël, për një shqetësim potencialisht shpërthyes: Shpronësimi intelektual në vitet e regjimit totalitar (1945-1990), i shoqëruar ose jo me vjedhje.

Sot flitet rëndom për plagjiaturën në artikuj dhe punime për mbrojtjen e gradave shkencore – ku autori përvetëson a kopjon punën e botuar të një kolegu zakonisht të huaj.

Më pak flitet për plagjiaturën në rrjedhë dhe si efekt të shpronësimit intelektual – ose, nëse duam ta formulojmë kështu, si pjesë e “luftës së klasave.”

Punimet në dorëshkrim të studiuesve dhe dijetarëve të ndryshëm, të shpallur si armiq ose elementë të padëshiruar nga regjimi, që përfundojnë më parë në duart e policisë (sigurimit të shtetit) dhe pastaj “shfrytëzohen” gjerësisht nga studiuesit dhe dijetarët e tipit të ri, me bashkëfajësinë ose të paktën kontributin e organeve të dhunës.

Në Shqipërinë e viteve 1930 dhe deri në fund të Luftës II Botërore, por ndoshta edhe disa vjet më pas, ka pasur veprimtari të gjerë kërkimore (akademike) individuale, në lëmin albanologjik: gjuhësi, histori, filologji, folklor, etnografi, botanikë, zoologji, antropologji, gjeografi.

Një pjesë e këtyre studiuesve u persekutuan pastaj politikisht nga regjimi totalitar – u internuan, u burgosën, disa edhe u pushkatuan. Një pjesë tjetër u larguan a u arratisën nga Shqipëria, pa i marrë dot me vete punimet dhe dorëshkrimet e tyre.

Njëlloj si pronat e tyre materiale (të luajtshme dhe të paluajtshme), që përfunduan në duart e shtetit, edhe krijimtaria e tyre akademike e pabotuar a në dorëshkrim përfundoi e sekuestruar. Elitat kulturore të padëshiruara nga regjimi u shpronësuan edhe intelektualisht.

Ku shkoi mundi i tyre? Pjesërisht mbase humbi dhe u shkatërrua; pjesërisht u riciklua nga elita e re intelektuale besnike ndaj regjimit, së cilës iu dha akses në pasuritë që u ishin rrëmbyer “armiqve” – p.sh. arkivi personal i një studiuesi të pushkatuar, ose të arratisur.

Gjithnjë kanë qarkulluar thashetheme, zëra, zhurma për eksponentë të elitës së re, që shkëlqyen në karrierë me punën e të tjerëve – një lloj plagjiature që kishte bekimin institucional të kohës.

Këto insinuata – sepse të tilla kanë qenë – mbështeteshin edhe në kontrastin midis mediokritetit intelektual të “dijetarëve” në fjalë në veprimtarinë e tyre rutinë, dhe shkëlqimit të veprës së tyre të botuar rishtas. Ose të një punimi të vetëm dinjitoz, që u ka siguruar famën; dhe që është pasuar pastaj nga gjithfarë kakërdhish dhe kryeartikujsh te “Zëri”.

Si hallkë ndërmjetëse në kalimin nga punimi dorëshkrim në veprën e botuar dhe “ndërrimin” e autorit në rrugë e sipër, Sigurimi i Shtetit përfitonte – në raste të tilla – edhe duke vendosur kontroll të plotë ndaj vjedhësit të pronës intelektuale, teksa ia lehtësonte këtij ngjitjen në karrierë.

Shpronësimi i veprës së tjetrit ndiqej edhe nga krijimi i idhujve të rremë – intelektualëve të tipit të ri; në një proces fshehtazi të dhunshëm, që mund të karakterizohet edhe si ndërrim elitash dhe ku të rinjve u shkojnë jo vetëm prestigji dhe titujt e të vjetërve, por edhe veprat e këtyre të fundit.

Shpesh sekuestrimi i dorëshkrimeve do të jetë përligjur si nevojë e procesit hetimor: “le të shohim se çfarë mendonte dhe shkruante ky armik i pushtetit.” Por më tej një pjesë e këtyre dorëshkrimeve nuk e gjente rrugën deri në sallën e gjyqit – duke u shkarkuar anash, në ndonjë hambar “të së ardhmes.”

Është përfolur gjerësisht, nga “populli”, për vjedhjen masive të studimeve të kryera nga intelektualë të orientimit katolik në Shkodër – murgj e priftërinj, por jo vetëm. Janë përmendur edhe emra studiuesish nga Tirana, Elbasani, Korça dhe Gjirokastra, të cilëve “u kanë humbur” veprat (përfshi këtu edhe përkthime masive). Edhe pse, çfarë u ka humbur këtyre realisht, është e drejta e autorit; ndërsa veprat njëfarësoj u janë ruajtur nën emrin e Tjetrit: mishi u është tretur, por kocka ka mbetur.

Sikurse janë përfolur emrat e ca të tjerëve, për vepra që “s’i kishin bërë vetë”; dhe që, në presidiumet e të pompuarve, uleshin krah për krah me profesorët “pa vepra”.

Thashethemet dhe zhurmat, në vetvete, nuk shërbejnë për të konfirmuar vjedhjen dhe aq më pak vjedhësit vetë; por ndoshta mund të ndihmojnë për të ngjallur vëmendjen e opinionit, ndaj kësaj faqeje të padenjë të historisë sonë intelektuale. Tek e fundit, edhe sikur hulumtimet të shpien thjesht në zbulime dorëshkrimesh të vyera për kulturën, që u janë rrëmbyer e sekuestruar dje viktimave të diktaturës, por që nuk janë shfrytëzuar më pas nga plagjiatorët, sërish shqetësimi do të rezultonte i përligjur.

Përndryshe, publikimi i të dhënave, vitet e fundit, për fatin e trishtuar të figurave intelektuale të persekutuara politikisht nga regjimi, nuk mjafton; nëse nuk shoqërohet me shqetësim për fatin e punës së tyre intelektuale të pabotuar – dhe me gjasë të përvetësuar prej të tretëve oportunistë, me bashkëfajin e Sigurimit të Shtetit dhe të krejt regjimit[1].

Nëse ka pasur vjedhje të tilla, si pjesë e shpronësimit intelektual, atëherë le të mbajmë parasysh se përfituesve prej tyre ende u nderohen botërisht emrat, si nderi i dijes kombëtare: ca prej historianëve, gjuhëtarëve, etnologëve, filologëve dhe kështu me radhë, që zënë kryet e vendit në traditën albanologjike dhe akademike në Shqipëri, mund të dalë në shesh se ia detyrojnë lavdinë e tyre një kompleksi krimesh – me bashkëpunimin e Sigurimit të Shtetit dhe të krejt aparatit represiv të regjimit.

Po si ta vërtetosh këtë akuzë, duke e nxjerrë nga konteksti i thashethemeve banale dhe i rrezikut për baltosje njerëzish të pafajshëm? Aq më tepër në një periudhë si e sotmja, ku çdo orvatje për të shkruar historinë intelektuale të “dijes” në totalitarizëm vjen e ndotur me subjektivizëm, instrumentalizim dhe amatorizëm brutal?

A mund të shpresojë njeriu te një rivlerësim të figurave dhe autoriteteve të dijes në Shqipëri gjatë viteve 1945-1990, sipas këtij kriteri specifik, për të identifikuar dhe, eventualisht, bërë publikë emrat e të gjithë atyre që kanë mjelë dhe kushedi vazhdojnë sot e kësaj dite të mjelin punët e tjetërkujt?

Për fat të keq, vështirë se kjo mund të realizohet, në kontekstin e sotëm etik; sepse kulturës sonë i mungon, në këtë moment, një autoritet i nevojshëm për të gjykuar të shkuarën dhe për të verifikuar autorët e dyshuar për krime të shpronësimit intelektual; sikurse mungojnë institucionet shtetërore, me aq prestigj sa të garantonin objektivitetin e procesit; dhe, më në fund, kuraja civile e një persekutori të penduar (nuk po them plagjiatori, nuk jam aq optimist), për t’iu rrëfyer publikut dhe për ta hapur plagën në publik. Ata që dinë diçka, druhen të flasin, nga frika se do t’i masakrojnë sakaq me ad hominem; duke preferuar që t’ua lënë të paprekur sundimin intelektual vjedhësve të djeshëm. Shqetësimi, hë për hë, do të mbetet i burgosur në monologët e brendshëm të atyre që ende besojnë, sado në parim, tek etika dhe drejtësia.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe botimi në media të tjera. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.


[1] Në histori, të paktën në historinë e ideve, nuk janë aq njerëzit që ngrenë peshë, sa çfarë bëjnë njerëzit; dhe pikërisht nga ky këndvështrim humbja e një intelektuali shoqërohet me një lloj të ndryshëm dhimbjeje, në krahasim me humbjen e një kasapi. Të gjithë jemi të pazëvendësueshëm, sepse jemi unikë në individualitetin tonë; por disa prej nesh janë më të pazëvendësueshëm se të tjerët.

8 Komente

  1. Është histori e njohur kjo këtu [http://www.gsh.al/2018/05/30/estetika-e-alfred-ucit-eshte-kopjuar-nga-sovjetiket/], por edhe e rrallë. Teksa jemi përpara faktit kur arkivat e shtëpive botuese dhe të organeve të shtypit të periudhës totalitare, si dhe arkivi i LSHA nuk ekzistojnë, grimca të tilla dokumentesh janë, ndoshta, një curril informacioni.

    1. Ka nje koment te M. Shehut ne lidhje me kete dukuri ne nje mbledhje me rektoret e universitetit dhe institutit bujqesor. Por materiali qe citon Kaloci ne menyre gjysmake ka tjeter kontekst. Eshte brenda persekutimit te disa intelektualeve, apo ne kuader te shantazhit, gjate revolucionit kulturor ne ate periudhe. Sikur edhe tani, eshte shnderruar ne mjet persekutimi, si edhe e permend Pllaka e Pionierit. Cilin fond ka permendur ky D. Kaloci? te Shtepise Botuese?

  2. Dukuria ka ndodhur jo vetëm për autorë dhe vepra të viteve 1930, por edhe për periudhën totalitare. Personalisht jam në dijeni të rastit të studimit të një juristi, që u shpall dhe u përfshi në një Konferencë Shkencore për 30 Vjetorin e Çlirimit. Vite më vonë, ndërkohë që autori ishte i internuar, studimi i tij u botua në një format tjetër, nën emrin e një autori tjetër…
    Rasti, në vetvete shumë i mprehtë, i pakontestueshëm, dhe ndofta unikal, lyp hulumtim pak më të thellë dhe, ndofta, një deklarim të organeve gjyqësore për vërtetimin përfundimtar të autorësisë.

  3. sa here permendet problemi i plagjaturave ne media nuk me duket se i thellohen sic ben xhaxhaui me siper, por vetem sa perdoret si mjet per te goditur (kryesisht) kundershtaret politike te radhes. jo monika ka kopjuar doktoraturen, jo donika ka kopjuar masterin, jo mamica ka kopjuar konviktoret etj. dhe me duket se edhe shoqerise nuk i paraintereson nese kane kopjuar apo jo, me shume besoj se i zhvlereson keta kopjacet nga qe kane qene kaq te paafte saqe edhe nje plagjature sakklam nuk mund te bejne.

  4. Eshte botuar nje liber nga qendra iskk e A. Tufes., nuk po e gjej online.

  5. Eshte shkruar ne shtypin e dites per punen shkencore te … Kasimatit (femer, emri nuk po me kujtohet) ne faunen dhe floristiken shqiptare, pune kjo e vjedhur nga dikush tjeter (jepej me emer), ngaqe vete kjo grua u denua diku ne vitet e para pas clirimit. Gjithashtu ka qene e ditur qysh asaj kohe per perkthimet ne burg te Jusuf Vrionit e te tjerve, perkthime keto qe u kalonin te tjerve. Por ky fenomen i kalimit te punes shkencore ne duar te tjera, mendoj se ka qene per ate kohe dhe situate i paperfillshem, sepse Shqiperia sapo po zgjohej ne kete drejtim. Pra, nuk kishte shkencetare te mirfillte me studime te plota e perfundimtare, por studjues te apasionuar ne fillimet e tyre.

    1. Ka pasur historianë, filologë, etnografë, folkloristë, leksikologë, leksikografë… Po të hapësh revistat e kohës, i gjen (p.sh. “Hylli i Dritës”, por jo vetëm).

      1. Me ka rene ne dore edhe Hylli i Drites dhe shume periodike te kohes se Zogut, ngaqe nuk lija biblioteke ne Tirane pa germuar; po me shume asaj kohe meresha me Kalendarin Kombiar, (tek bibl. e Inst. Hist, me drejtor Stefanaq Pollon), si me e vjeter kjo reviste (periodik) dhe qe me terhiqte me shume. Punime shkencore te mirfillta gjeje vetem ne etnografi dhe folklor, perfshi edhe mitet. Te tjerat, ndertimi, sizmika, gjeollogjia, teknika, floristika, gjuhesia, etj., megjithe pasionin e madh te studjuesve fillimtare, ishin ne fillimet e tyre. Patjeter qe shume nga keto fillime studimore jane vjedhur me vone, apo jane lene menjane, duke humbur teresisht. Por s.d.q., keto studime ishin fillime dhe, si te tilla, patjeter pak.
        Persa i perket gjuhesise, kishin nisur disa emra ne radhen e studjuesve dhe shkruesve, por vetem njeri pat bere pune te mirfillte shkencore, A. Xhuvani, dhe ketij nuk iu vodh as edhe nje nga punimet e tij te pakta gjuhesore.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin