MENDIME TË PAKREHURA (XLVII)

(nga Stanislaw Lec*)

Ata që shkatërruan Bastijën, me siguri e paguan këtë me kokë: e privuan shtetin e ri nga një burg i shkëlqyer.

Edhe të vdekurit gënjejnë – me gojët e të gjallëve.

E shkroi vetë urdhër-arrestin e tij. E kërkonin mijëra gra.

Sikur ta dinin marionetat se të tjerët flasin përmes gojës së tyre, do ta quanin veten profetë.

Në pozicion horizontal, truri nuk qëndron sipër organeve të tjera.

Gjithçka në botë e ka një funksion, me gjasë pra edhe funksionarët.

Frikacakët duhet të kenë pushtet, përndryshe kanë frikë.

Memecëria e qytetarëve flet me zërin e historisë.

Në arsenalet bosh mund të shpërthesh në gaz.

Mos ua vini fajin gjeometrave, kur të mbyllet rrethi.

Niveli i jetesës është rritur mjaft. Dikur vetëm të kamurit mund t’ia lejonin vetes një varr për të qenë.

Ajo e Pirros ishte vërtet fitore: me një goditje, hoqi qafe edhe armiqtë, edhe të vetët.

Atje ku nuk lejohet të ngresh kokën, njerëzit i njohin pushtetit vetëm këpucët.

Është e vështirë për Zotin të ketë një alibi.

Edhe së vërtetës i duhet të jetojë ndonjëherë me dokumente fallco.

Dënimi me vdekje është ndëshkim poshtërues? Po, për atë që e jep.

Jehona është dënesa e hapësirës.

Ah, logjika! Me liberalët jam liberal, me diktatorët i paepur, po me kanibalët si të sillem?

Besoj në Zot? Këtë ma kërkojnë gjithnjë të tjerët, Ai kurrë.

Askush nuk ka arritur që më parë të heshtë, dhe pastaj të flasë.

Le ta administrojmë me kursim optimizmin, që të na dalë deri në fund të vitit.

Sado të rënda të kenë qenë humbjet, heronjtë janë gjithnjë më të shumtë pas fitores, sesa para.

Edhe sikur ta varësh njeriun kokëposhtë, zemra do të jetë gjithnjë midis trurit dhe organeve të qejfit.

Po e sillnin të shtrirë në pjatancë. Mendonte: po kthehem i shtrirë mbi mburojë.

Rrugët e progresit social: edhe skllevërit, me kalimin e kohës, fituan të drejtën për të pasur skllevër.


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin