Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

KËRKESË GJERMANISË

E nderuar Zonja Ambasadore,

Po marr rastin t’Ju shkruaj në emrin tim dhe në emër të shqiptarëve që nuk votuan në zgjedhjet e fundit (52 %), rastin dhe guximin t’Ju paraqes një kërkesë të pazakontë. Tashmë do jeni mësuar me ankesat më të çuditshme, që ne nuk ia kursejmë dhe aleatëve tanë më të mirë kur gjenden mes nesh. Atëherë do të më falet ndoshta gjykimi në të shpejtë si një njeri i pamatur, ndonëse dhe vetë ndihem ngushtë me këtë lutje.

Unë dhe mëse gjysma e shqiptarëve kemi vendosur t’i kërkojmë shtetit të Gjermanisë të gjejë një mënyrë të na pushtojë. Jo në vështrimin e ngushtë të fjalës: pushtim me njerëz në armë; por në një kuptim më të gjerë, me dije me rregulla me punë: një lloj çlirimi, si të thuash.

Ngurroj t’Ju them që ne e duam vendin tonë dhe është pikërisht kjo ndjenjë që u bë shkas për këtë thirrje.

Ne jetojmë në një gjendje makthi të vazhdueshëm. Të lodhur e të regjur. Nuk mund t’i zgjedhim përfaqësuesit tanë politik e as nuk mund të bëhemi bashkë, për arsye të panjohura. Jemi të heshtur, të detyruar të heshtim, të nëpërkëmbur. Mbase një lexim i mundshëm i krizës së sotme politike jemi ne. Mbase një lloj faji mëkohet në buzë e lidhet në frymë me dyzimin tonë. Jemi të vendosur të mos-vendosim! Kështu mbajnë më pak përgjegjësi të gjithë. Por, si po thoja, jetojmë në një gjendje makthi të vazhdueshëm, dhe meqë ndërkombëtarët kanë përzemër drejtpeshimet e demokracisë, ne Mazhoranca, dhe unë në Emër të tyre, këmbëngulim në kërkesën tonë të Çlirimit.

Nuk do jetë aq e vështirë kjo punë. Që nga koha e Venedikut, kohë e statuteve të Shkodrës, ne nuk kemi qenë nën kujdesin e një force që të na japë një zgjidhje në lëmin e ekonomisë. Kjo është vramendja jonë. Meqë prej ekonomisë një numër i lartë nesh don të largohet, rreth 70%, dhe një nga vendet e zgjedhura e të parapëlqyera është Gjermania, në këtë mënyrë, falë kësaj akrobacie, do vrisnim dy zogj: që juve mos të na prisni të gjithve në tokën tuaj; që të mos braktiset e jona. Sikur të kishte një idé sado të vagullt mbi çfarë do të ngrihet ekonomia e nesërme e vendit, nuk do shpërndaheshim kështu si zogjtë e korbit.

Nuk dimë pastaj në cilën foltore të thërrasim botërisht krimin mbi lumenjt. Sepse këtu masmedia ka vendosur të bëjë rolin e çakallit. Edhe pse përsërim lart e poshtë mjaft me këtë masakër, me këtë maskaradë të përzishme, të gjithë bëjnë shurdhin. Meqë nuk jemi në kohën e vetëgjyqësisë, edhe pse kush vriste atëherë kishte burrërinë ta thoshte emrin e tij, nuk dimë (anisé e dimë shumë mirë) kujt t’i kërkojmë dëmin.

Ndoshta një qeveri me të vërtetë çliruese do të miklonte pak me ne. Nuk do të ishte aq e huaj. Dhe ndoshta me ndihmën Tuaj do u ndalej hovi  pashallarëve të zi të korrupsionit. Akoma Znj. Ambasadore na ushtin në vesh Shansi gjerman në dalje të komunizmës. Aty na ka ngelur Ora!

Se si do zhvillohet i gjith’ çlirimi besoj do gjehet kohë e vend për ta shestuar. Mjafton që kjo e mirë të mos kthehet, për fatin tonë të keq, në diçka shterpë. Mirë do ishte të mos binim në propagandë.

Me të mira,

Mazhoranca

6 Komente

  1. Do sugjeroja për mbyllje: “Mazhoranca e heshtur*” (The silent majority)

  2. Kurse une propozoj te shkembejme territore.
    Neve te na japin Turingjine, e te levizim atje.
    Dhe gjermaneve tu japim Shqiperine e te levizin ketu.

    Edhe vandalet, qe jane “gjysherit” e gjermaneve, mbasi i rane Europes permes si me qene nje ciklon i kategorise 5, kur perfunduan ne Kartagjene, te ciles kishte kohe qe ia kishin mbjelle token me kripe, brenda 100 vjetesh e shnderruan ne nje nga qytetet me te pasura te kohes.

  3. “Na, wunderbar”, murmuriti ambasadorja kur lexoi kërkesën e çuditshme, të cilën sekretari, si çdo kërkesë tjetër që mbërrinte në email-in e ambasadës, e kishte printuar dhe ia kishte lënë mbi tavolinë. “Diesem Unsinn werde ich nicht antworten”*, tha me vete duke e lënë letrën mënjanë. Por vetëm një moment më pas diçka e bëri që ta merrte letrën prapë në dorë. Në buzëqeshje e lehtë i ndriçoi fytyrën. Me një lëvizje të shpejtë u ngrit nga tavolina dhe me hapa të vendosur iu drejtua bibliotekës, të vendour përgjatë murit përballë, pranë derës. “Da ist es”, tha pas një kërkimi të shkurtër me sy, duke tërhequr nga rafti i parafundit një libër me kapak të bardhë, pak të vjetëruar nga koha, me një portret burri të skicuar me laps mbi të. Filloi të shfletonte librin në ecje e sipër drejt tavolinës së punës, tashmë me hapa të ngaldaltë dhe me një pamje serioze. “Und gefunden!”, iu drejtua ajo sekretarit, i cili po e ndiqte tërë kohës me një vështrim pak të hutuar, dhe u ul përsëri në karrigen rrotulluese. Pasi e fiksoi librin e hapur te faqja që donte, tërhoqi para vetes tastaturën e kompjuterit, dhe, duke kaluar vështrimin sa nga libri te ekrani para saj, filloi të shkruante përgjigjen:

    Sehr geehrter Herr Biba, sehr geehrte Leser und Leserinnen der Online-Zeitschrift “Peizazhe të Fjalës”,

    Aus hoffentlich auch Ihnen verständlichen, sowohl politischen als auch diplomatischen und moralischen Gründen, muss ich Ihren Antrag zur Besetzung Albaniens von der Bundesrepublik Deutschland ablehnen. Gleichwohl möchte ich Ihnen bei der Lösung des von Ihnen in dem Antrag dargestellten Problems behilflich sein und Sie auf die folgenden Worte hinweisen, vor gut hundert Jahren von albanischem Schriftsteller und Publizisten Faik Konica geschrieben, den ich sehr hoch schätze:**

    Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri!

    Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim.

    Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit.
    Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot.

    Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga, tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara.

    Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari.

    Daher mein bescheidener Rat an die ihre Heimat liebenden Albaner:*** Es ist Zeit, endlich erwachsen zu werden. Është koha që të dilni nga adoleshenca!

    Mit freundlichen Grüßen,
    Die Botschafterin der Bundesrepublik Deutschland in Albanien

    —————————————————————————————————–

    “Kësaj marrëzie nuk kam për t’iu përgjigjur”
    ** I nderuar zoti Biba, të nderuar lexues dhe lexuese të revistës online “Peizazhe të Fjalës”,

    Për arsye politike, por edhe diplomatike dhe morale, të cilat shpresoj se janë edhe për Ju të kuptueshme, më duhet të refuzoj kërkesën Tuaj për pushtimin e Shqipërisë nga Republika Federale Gjermane. Megjithatë unë dëshiroj që t’ju ofroj ndihmën time për zgjidhjen e problemeve që Ju keni paraqitur në kërkesën Tuaj dhe t’ju kujtoj fjalët e shkruara para më shumë se njëqind vjetësh nga shkrimtari dhe publicisti shqiptar Faik Konica, të cilin unë e vlerësoj shumë.
    *** Prej këtej edhe këshilla ime modeste për shqiptarët që e duan Atdheun e tyre.

  4. Pushtimi nuk mund te behet per disa arsye. 1. Pajisjet luftarake, si aeroplane, helikoptere, etj. jane me difekte te her pas hershme, 2. garnizonet ushtarake kane nevoje per vende ku do te ngrihen kapanonet e tyre, gje qe nuk eshte e mundur, pasi tokat jane zene gjithandej dhe nuk ka me toka shteterore, pervecse neper maja malesh, 3. nje vend si Shqiperia ka nevoje per disa mijra ushtare, rezerviste, personel te prapavijes dhe gjithshka tjeter te llogjistikes, vendosja e te cilve aty do te ngrinte jo vetem cmimet e ushqimeve, duke i bere keto te papaguara nga popullata shqiptare, jo vetem do te shtonte buxhetin ushtarak te Gjermanise, por vete Gjermania nuk ka per momentin forca ushtarake (as civile biles) te lira. Soorrrryyyy! Gjermania ka nevoje vete per disa mijra shqiptare me e pa zanate, te cilet i duhen per pjatalares, personel sherbimi neper spitale, neper fusha bujqesore si sezonale, pa llogaritur pastaj neper fabrika, etj. Ideja e mesiperme eshte e mire, por e vonet.

  5. Të nesërmen e pushtim-çlirimit, duke përdorur si manual meditimin e shoferit të furgonit të kuq të mishit në romanin e madh “Dimri (akoma më) i madh” të shkrimtarit ku e ku më të madh se romani dhe dimri ( duke bërë korrigjimet përkatëse në kontekstin e ndryshimeve të Tiranës), le të fillojë festa…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin