“DJEGIA E MANDATEVE” DHE TAGRI I PËRFAQËSIMIT

 Agron Alibali

  1. Hyrje; 2. Roli i Gjykatës Kushtetuese; 3. Përfaqësimi në të drejtën kushtetuese dhe të drejtën pozitive; 4. Përfaqësimi në të drejtën zakonore; 5. Rregullat e kuvendimit; 6. Përfundim 7. Post scriptum

Hyrje

Rasti hipotetik është ky: Gjergj Mullaga është deputet i Partisë Shqipëria e Re nga një zonë zgjedhore në rrethin e Tiranës. Shaban Murrizi është zgjedhës i tij nga Zall Bastari. Gjergj Mullaga vendos të tërhiqet nga detyra e deputetit pa u këshilluar me zgjedhësit.  Murrizi e ankimon aktin e Mullagës në Gjykatën Kushtetuese me arsyetimin se akti apo vendimi i Mullagës është nul, pasi ka shkelur tagrin e përfaqësimit. Çfarë vendimi do të japë Gjykata Kushtetuese?

Roli i Gjykatës Kushtetuese

Rasti ynë hipotetik është katërcipërisht brenda kompetencave të Gjykatës Kushtetuese. Dispozitat subtanciale kontrolluese do të ishin Neni 2 [sovraniteti i takon popullit, i cili e ushtron atë përmes përfaqësuesve ose drejtpërsëdrejti), dhe Neni 70.1 [“Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues”].

Gjykatës në rastin tonë do t’i duhet të interpretonte rastin e deputetit Gjergj Mullaga bazuar “në doktrinën e mandatit të lirë”, dhe duke u mbështetur edhe në jurisprudencën e saj, sikurse do të shpjegohet më poshtë. Gjykata do të shqyrtonte paraprakisht nëse tërheqja e Mullagës [djegia e mandatit] ishte njëmendësuar përmes një urdhëri partiak, apo këshillimi të drejtpërdrejtë me zgjedhësit.  Nëse nga shqyrtimi i fakteve dhe rrethanave të çështjes do të dilte se deputeti vërtet kishte vjelur përgjithësisht mendimin e zgjedhësve, atëhere vendimi do të ishte kundër ankuesit. Përndryshe, në rast se tërheqja e deputetit rezultonte të ishte pasojë e urdhërit partiak, atëhere me gjasë Gjykata Kushtetuese do ta shpallte nul aktin e tërheqjes të deputetit.

Mirëpo në realitet, sot në Shqipëri Gjykata Kushtetuese është jo-funksionale. Atëhere, ç’duhet bërë?

Kemi mendimin se mosfunksonimi i Gjykatës Kushtetuese, megjithë vakuumin e theksuar institucional, nuk përjashton interpretimin dhe zbatimin nga ana e organeve shtetërore dhe shoqëria shqiptare. të Kushtetutës, si frymë dhe si gërmë.

Ndihmë  në rastin tonë mund të përcjellë edhe urtësia  popullore e përcjellë përmes normave të së drejtës së pashkruar, të transmetuara brez pas brezi ndër shekuj.

Përfaqësimi në të drejtën kushtetuese dhe në të drejtën pozitive

Kriza e sotme politike në Shqipëri është kryesisht krizë përfaqësimi. Shoqëria shqiptare në thelbin e saj është pjesëmarrëse. Mirëpo pushteti sot është përqëndruar në duart e kryetarëve të partive dhe kryetarëve të bashkive. Zëri i zgjedhësve dëgjohet vetëm një herë në katër vjet, ndërsa ndërmarrja e nismave referendare është e vështirë, për të mos thënë i pamundur.

Kuptohet se tagri i përfaqësimit ka kuptim të ndryshëm në të drejtën kushtetuese, të drejtën civile dhe atë zakonore. Në të drejtën kushtetuese ka mbizotëruar mendimi se tagri i përfaqësimit në Kuvend është “i lirë”, d.m.th. deputeti – pasi zgjidhet – nuk ka detyrim të përfaqësojë zgjedhësin. Sipas këtij interpretimi, mandati i tij nuk është “detyrues”, pasi deputeti përfaqëson popullin në tërësi, dhe jo domosdoshmërisht zgjedhësit e tij. Debati përcillet si qasje kundërvënëse midis pikëpamjeve të J.J. Rousseau për “sovranitetin popullor” me ato të C. Montesquieu  për “sovranitetin kombëtar”. [1] Kjo qasje “anti-sovraniste” është argumentuar më tej kinse si relik i vendeve ish-socialiste të Europës Lindore.[2]

Mirëpo mandate detyrues ose imperativ, apo parime të tij, përdore në Indi – vendi më i madh demokratik në botë, si dhe në SHBA, përmes procedures së çzgjedhjes [recall].

Sikurse dal nga analiza e normave kushtetuese, ligjore dhe jurisprudences përkatëse, rasti shqiptar ngjan me një hibrid apo përzierje midis mandatit përfaqësues me atë detyrues. Mandati i përfaqësimit është de facto “i lirë”, por “de jure” raport midis përfaqësuesit dhe zgjedhësit është bashkëpunues e dinamik.

Kjo nënkuptohet edhe me Nenin 2.1 të Kushtetutës, ku shpallet se sovraniteti popullor ushtrohet “nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërdrejtë”.

Edhe Neni 71, që në dukje ekskludon mandatin detyrues, priret në thelb kah mandati hibrid. Së pari, ai nuk mund të kuptohet i veçuar nga Neni 2.1 i Kushtetutës. Së dyti, fraza që “deputetët përfaqësojnë popullin”, nuk mund të mos interpretohet ngushtë se “deputeti përfaqëson zgjedhësit e tij”.

Mandati hibrid shfaqet më kthjellët në Ligjin për Statusin e Deputetit.[3] Për shembull, lidhja midis deputetit dhe zgjedhësve të tij shprehet qartë tek kodifikimi i marrëdhënies deputet-zgjedhës përmes përcjelljes në Kuvend të “mendimeve të zgjedhësve”,[4] si dhe tek “takimet periodike” dhe këshillimi me ta.[5]

Për mandatin përfaqësues dhe detyrues është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese.[6] Në disa pasazhe relevante në çështjen për konstantimin e papajtueshmërisë së deputetit Ilir Beqja[7], Gjykata është shprehur:

“…Parlamentarët, nëpërmjet mandatit të marrë nga zgjedhësit, ushtrojnë sovranitetin kombëtar. Mandati parlamentar, në parim, është i përgjithshëm, domethënë parlamentarët përfaqësojnë kombin si të tërë dhe jo një grup votuesish, gjithashtu, ai është dhe përfaqësues, që do të thotë se deputetët nuk janë të lidhur pas ndonjë urdhri apo dëshire që vjen nga elektorati. Parlamentarët gëzojnë pavarësi të plotë përballë elektoratit por edhe ndaj grupimit politik ku ata bëjnë pjesë. Ata mund të largohen apo bashkohen sipas dëshirës dhe vullnetit të tyre. Për këtë arsye, pranohet se mandati parlamentar në një demokraci është i parevokueshëm.”.[8][Theksimi A.A.]

Dhe më tej:

Nga parimi i mandatit përfaqësues dhe të pavarur nga urdhrat dhe ndikime të tjera rrjedhin disa pasoja juridike të tilla si: mosdetyrimi i deputetit për të qenë apo mbetur pjesë e një grupi parlamentar të caktuar, mosrevokimi i mandatit nga zgjedhësit apo partia politike etj. Mandati i deputetit duhet të kuptohet së pari si një akt përfaqësimi individual që lidhet me deputetin si individ dhe më pas me partinë politike ku ai bën pjesë. Si i tillë, deputeti ushtron në pavarësi të plotë mandatin e tij duke vendosur në bazë të veprimtarisë së tij interesin e të përfaqësuarve. Këtë ai e bën duke marrë vendime me vullnet dhe bindje të plotë, të cilat jo gjithmonë korrespondojnë me vullnetin e zgjedhësve që ai përfaqëson ose të grupimit politik ku bën pjesë. [Theksimi A.A.][9]

Dhe më tej:

“…Nëse një deputet, për arsye të ndryshme, ndalohet ose pengohet të ushtrojë funksionin e tij si pjesë e parlamentit, atëherë cenohet parimi i përfaqësimit, si dhe raporti shumicë/pakicë i vendosur nga vullneti i zgjedhësve dhe që duhet të gjejë patjetër pasqyrim në parlament gjatë gjithë legjislaturës….”.[10] [Theksimi A.A].

Dhe së fundi:

Gjykata thekson se neni 70/1 i Kushtetutës parashikon shprehimisht se deputeti gëzon mandate të lirë. Kjo mbrojtje kushtetuese shtrihet natyrshëm edhe ndaj ushtrimit faktik të tij. Deputeti ushtron mandatin e tij të lirë nga çdo lloj ndërhyrje, në pavarësi të plotë, dhe pa iu nënshtruar urdhrave apo kërkesave të ndryshme, por vetëm bindjes dhe ndërgjegjes së tij… Nga tërësia e karakteristikave që mbart në vetvete mandati parlamentar, është e qartë se deputeti gjatë ushtrimit të detyrës së tij nuk i nënshtrohet urdhrave, ndryshe nga pjesa tjetër e punonjësve ose nëpunësve të shërbimit civil. Ai pranon në mënyrë krejtësisht të lirë mandatin e tij dhe vendos me përgjegjësinë e tij të plotë mbi mënyrën e ushtrimit të mandatit. Veprimtaria e tij si deputet duhet të përshkohet gjatë gjithë kohës që ai ushtron këtë funksion nga përgjegjshmëria, ndershmëria dhe korrektesa. Ky detyrim për deputetin fillon që në momentin e fillimit të mandatit parlamentar.[11]

Një parim tjetër i rëndësishëm i konceptit të mandatit parlamentar është se ky duhet të ushtrohet realisht dhe efektivisht. Bojkoti nuk lejohet, madje është antikushtetues.[12]

Ndalimi i bojkotit apo mospjesëmarrjes në Kuvend del edhe në drejtën e pashkruar shqiptare. Gjoba parashikoheshin për mospjesëmarrjen e “vogjlisë”, por ato ishin pesëfish më të rënda kur “Plaku i fisit,katundit apo bajrakut, …pa arsye në ditë të caktueme, nuk del në kuvend…”.  Madje, sanksione të ngjashme parashikoheshin edhe për lajmëtarin [kasnecin] nëse për faj të tij nuk paraqiteshin në kuvend “vogjlia” ose pleqtë. [13]

Përfaqësimi në të drejtën zakonore

Në traditën e lashtë vetëqeverisëse shqiptare, kuvendet shquheshin për pjesëmarrjen e tyre të plotë e të gjerë. Kjo pjesëmarrje materializohej mandej me vendimmarrjen, që buronte nga debati i gjallë, sipas rregullash të qarta e të prera, për çështjet për të cilat duhet të vendoste kuvendi i thirrur.[14]

Duhet të qartësojmë se e drejta pozitive, apo ligji i shkruar, nuk përbën domosdoshmërisht kriterin parësor të vlerësimit të një akti apo veprimi politik. Dihet se Anglia, si një ndër vendet me demokraci më të lashtë e të konsoliduar, udhëhiqet nga një kushtetutë “e pashkruar”.  Ndër burimet e saj janë edhe “konvencionet”, që janë “tradita të konsolidura për një kohë të gjatë, jo pse i nënshtrohen sanksoneve në rast moszbatimit, por sepse thjesht janë shndërruar në një mënyrë të gjithëpranueshme të sjelljes”. [15]

Në të drejtën e lashtë zakonore shqiptare pjesëmarrja në Kuvend ndahej në:

  • pjesëmarrje me përfaqësim, përmes krerëve ose sipas parimit “burrë për shpi”;[16] dhe
  • pjesëmarrje e drejtpërdrejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Kjo e fundit materializohej përmes Kuvendit të Burrave të Dheut, i cili, pasqyronte shkallën më të lartë të pjesëmarrjes në vendimmarrje,[17] si dhe të “mençurisë” popullore.[18] Kuvendi i Burrave të Dheut në shumë aspekte ngjan sot me referendumin.

Përfaqësimi, pjesëmarrja e gjerë dhe rrahja e imtë dhe e kthjelltë e mendimeve haset gjerësisht edhe në të drejtën zakonore të Jugut. Kësisoj, në krahinën e Bregut, cdo fshat vetëqeverisej nga një pleqësi e zgjedhur, e përbërë nga 5 pleq, të cilët përfaqësonin interesat e fshatrave të tyre në kuvendet krahinore, por edhe në raport me të huajt.[19]

Përfaqësimi, në rastin tonë pra, ishte njëfarë lidhjeje apo kontrate e pashkruar midis të përfaqësuarit dhe përfaqësuesit.

Thelbi i tagrit të përfaqësimit sipas së drejtës së pashkruar është përcjellja në kuvend e vendimit, mendimit dhe interesave të të përfaqësuarve, pa i ndryshuar apo cenuar ato. Në asnjë rast ky tagër nuk mund të tejkalohet duke përcjellë një vendim a mendim të ndryshëm, pa u marrë paraprakisht miratimi i të përfaqësuarve. Nuk e gjejmë këtë parim të shprehur më mirë se sa tek Kanuni i Skanderbegut. Shpallet aty:

“Para mbledhjeve të përgjithshme të bajrakut[20], zakonisht bahen mbledhje katundesh; burr per ship e secili katund e ban nji mendim qe do ta paraqesi mandej plaku i katundit në mbledhje të bajrakut”;[21]

dhe

“Kur mbledhja bahet vetëm prej parisë, secili plak flet fjalen e fisit a të katundit të vet e pertej fjalës qe të kenë pasë nuk mund të vendosin pa u marrë vesht edhe nji here secili plak me fis e katund të vet”.[22]

Kuptohet që ky është shembull i pastër i mandatit detyrues në trajtën e vet origjinale e të lashtë. Duhet thënë se mandati detyrues në të drejtën e pashkruar shqiptare haset krahasimisht edhe në të Drejtën Romake dhe në Spanjën Mesjetare.[23]

Rregullat e kuvendimit

Nuk mund të mos përmendim këtu disa “rregulla të kuvendimit”, që kanë relevancë edhe sot. Po i përcjellim përmes të drejtës zakonore të mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi dhe Frano Illia. Nuk lypin koment.

Neni 1118: Në kuvend, sá të flasë njani, të tjerët do të ndigiojn e të heshtin.

Neni 1122: Fjala e randë nuk bâhet në kuvend.

Neni 1123: Kanûja s’bán qi të shahet kush në kuvend; po bani kush ket pûnë, do të giobietet mje në 5 desh.

Neni 1124: Po i tha kush kuej se rrênë në kuvend, do të giobitet mje në 500 grosh.

Dhe nga Kanuni i Skënderbeut:

Neni 1971: Burrat në kuvend flasin me rend. Pa krye njeni ç’ká per të thanë, nuk mund ta ndërpresë tjetri. Sa flet njeni, të gjithë të tjeret veshtrojnë.

Neni 1972:…Kush don të marri fjalen në kuvend, çon doren në drejtim të parisë dhe me të mbarue parafolsi thotë fjalën e vet.

Neni 1972. Burrat në kuvend kanë të gjithë njisoj të drejtë fjale.

Neni 1980: Në çdo kuvend burrat do te nderojnë njeni – tjetrin dhe kurrë s’do të theren me fjalë as do ta ngasin njeni tjetrin as shtruet as me bende.[24]

Përfundim

Përfundimisht, dhe mbështetur në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, por edhe në konvencionin kushtetues të buruar nga e drejta e pashkruar shqiptare, a ka të drejtë deputeti Gjergj Mullaga të heqë dorë nga tagri i tij i përfaqësimit si deputet apo “ta djegë mandatin” pa u këshilluar paraprakisht, dhe pa marrë mendimin e zgjedhësit të tij, Shaban Murrizit nga Zall Bastari? Nëse jo, a nuk është nul veprimi i tij bojkotues, apo mospjesëmarrës?

Nga zhvillimet kushtetuese të çerek shekullit të fundit del qartë se reformat kushtetuese dhe ajo e pushtetit vendor e kanë minimizuar pjesëmarrjen e popullit në vendimmarrje, duke e përqendruar pushtetin tek kryetarët e partive dhe kryebashkiakët.

Mirëpo në praktikat demokratike ndikimi i zgjedhësit tek deputeti prevalon ndaj ndikimit të partisë. Sikurse theksohet në një analizë krahasimore të Komisonit të Venecias “deputeti, pasi zgjidhet, përgjigjet maspari para votuesve që e kanë zgjedhur, dhe jo para partisë së tij politike. Kjo rrjedh nga fakti se mandati i deputetit buron nga populli, dhe jo nga partia e tij”.[25]

Duke iu kthyer kazusit tonë hipotetik, ndofta parlamenti e KQZ-ja mund ta kishin refuzuar aktin e tërheqjes, apo “të djegies së mandateve”, duke i kërkuar deputetëve t’u drejtoheshin zgjedhësve të vet, të paktën për t’u konsultuar.

Normalisht deputetin e kanë zgjedhur votuesit, dhe pra, vetëm ata të paktën duhet të konsultohen kur deputeti vendos të tërhiqet. Prandaj, aktet përkatëse të parlamentit për miratimin e tërheqjes, dhe të KQZ-së për zëvendësimin e tyre, janë po aq nul, sa edhe akti i largimit i deputetit.

Gjithsesi, ndërkohë që kriza politike e përfaqësimit në Shqipëri vijon, kujtojmë thënien e dikujt se politika është art i kompromisit. Kompromisi ndofta do të lypte zbatimin e parimit status quo ante, d.m.th. kthimin e gjendjes në momentin përpara krizës.

Përfundimisht mund të shtrohet kjo pyetje: A nuk do të ishte më e arsyeshme një strategji bashkëpëlqyese, që do të sillte zgjerimin e hapësirave demokratike të zgjedhësve, rritjen e pjesëmarrjes në vendimmarrje të popullit, duke ndërmarrë nisma kushtetuese dhe ligjore përkatëse që:

  • do të vendosnin një sistem të pastër maxhoritar për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë;
  • do të sillnin ndërtimin e një Kuvendi me dy dhoma, ku Dhoma e Lartë do të garantonte përfaqësimin e barabartë sipas rretheve dhe krahinave[26], pavarësisht nga dyndja migruese e popullsisë në kahjen rrethe – kryeqytet dhe fshat – qytet;
  • do të lehtësonin ndjeshëm nismat referendare në nivel kombëtar dhe vendor; dhe
  • do të zhbënin reformën e qeverisjes vendore, duke rivendosur rrethet dhe duke zhvendosur pushtetin vendor nga duart e kryebashkiakëve për tek atje ku ka qenë gjithnjë, tek populli?

Post Scriptum

Trajtesa e mësipërme nuk ka aspak si qëllim që të “rikthejë” Kanunin e Skënderbegut apo të Lekë Dukagjinit në Shqipëri.  Përkundrazi, në analizën tonë për tagrin e përfaqësimit, e drejta kushtetuese përgjithësisht pajtohet me të drejtën e pashkruar në disa parime të rëndësishme.

Duhet thënë se e drejta e pashkruar shqiptare [jus non scriptum], ose e drejta zakonore, sot përgjithësisht nuk kuptohet, keqkuptohet, keqinterpretohet, e shumë shpesh shtrembërohet e keqzbatohet.  Gjaku e gjakmarrja, cenimi i rolit të gruas dhe dhuna ndaj saj[27], për të përmendur vetëm këto, janë përgjithësisht shmangie të rënda dhe të papranueshme të së drejtës së pashkruar shqiptare. Por pavarësisht nga këto njolla, e drejta e pashkruar shqiptare përbën një vlerë të rrallë e të pamohueshme të kombit shqiptar. Institute të lashta të saj, si ndorja, besa, mikpritja, pleqësitë, rregullat e përfaqësimit, sjelljes dhe debatit në kuvend, përbëjnë elementë thelbësorë të kodit gjenetik të shqiptarit.

Jo më kot, në veprën e vet madhore “E drejta e pashkruar në Shqipëri” studiuesja dhe zbuluesja britanike Margaret Hascluck pat shkruar: ““Vetëqeverisja e malësorëve shqiptarë – ishte shumë më tepër se sa një demokraci e mirëfilltë në kuptimin anglo-amerikan të asaj fjale aq fort të shpërdoruar. Në paraqitjen e saj më të hershme ajo ishte me të vërtetë një qeverisje e popullit, prej popullit, për popullin.”[28]

 

© 2019, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Një vështrim krahasimor për mandatin detyrues jepet nga Komisioni i Venecias tek:  https://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2009)027-e. Shih edhe Mandati dhe Imuniteti Parlamentar, Leksioni 10 – Mandati Parlamentar, tek https://shtetiweb.org/wp-content/uploads/2013/01/Leksioni-10.pdf  Autori nuk jepet.

[2] Mandati dhe Imuniteti Parlamentar, Leksioni 10 – Mandati Parlamentar,

[3] Ligj Nr. 8550, dt. 18.11.1999 , Statusi i Deputetit, i ndryshuar. Tek www.parlament.al

[4] Neni 4.3, “Deputeti ka të drejtë të shprehë lirisht mendimet e tij dhe të zgjedhësve që përfaqëson, nëpërmjet diskutimeve, propozimeve, debatit, interpelancave, pyetjeve, mocioneve, deklaratave dhe votës.”

[5] Neni 5. Deputeti takohet periodikisht me zgjedhësit ose kur e kërkojnë ata. Deputeti i përfaqëson ata duke iu marrë mendime apo duke iu dhënë shpjegime për projektligje, amendamente, vendime, rezoluta apo deklarata që shqyrtohen dhe miratohen në Kuvend.

[6] Shih Vendimin Nr. 44, datë 7.10.2011, si dhe mendimin paralel të Gjykatësit Vladimir Kristo në Vendimin Nr. 25, dt. 8.5.2012.

[7] Vendim Nr. 44, datë 7.10.2011, F.Z. Nr. 138, 7 tetor 2011, ff. 6231 – 6244.

[8] Po aty, Pjesa III, paragrafi 18.

[9] Po aty, paragrafi 20.

[10] Po aty, paragrafi 21.

[11] Po aty, paragrafi 23

[12] Shih Mendimin paralel i Gjykatësit Vladimir Kristo në Vendimin Nr. 25, dt. 8.5.2012. “Në këtë kuptim është e domosdoshme të bëhet dallimi midis bojkotit si pjesë e luftës politike me bojkotin e institucioneve kushtetuese, në rastin konkret Kuvendit. Ndërsa e para është një praktike normale në veprimtaritë me karakter politik të partive politike, përkundrazi, bojkoti i Kuvendit për çfarëdolloj arsye është një praktikë antikushtetuese, e papranueshme për një shtet të së drejtës. Nga momenti i certifikimit të zgjedhjeve politike dhe konstituimit të Kuvendit pjesëmarrja e deputetëve në veprimtarinë ligjvënëse të tij është e detyrueshme në kuptimin kushtetues për të formuar atë që quhet “mandati kolektiv i parlamentit”, si dhe vullnetin politik të zgjedhësve.” F.Z. 55, 18 maj 2012, F. 2783

[13] Po aty. Përkatësisht neni 1985 dhe Neni 1986, 1988, f. 135.

[14] “Kuvendarët e Nëntë Maleve të Dibrës, para se me u mbledhë kuvendi, i jepnin njëri-trejtrit “leje kuvendi”, garanci e plotë mos me përdorë armë për gjakmarrje e për asnjë arsye tjetër. Kuvendin e hapte kreu i Malit ku bëhej mbledhja…që tregonte përmbajtjen e qëllimin e kuvendit, shrtronte problemet që do të diskutoheshin. Kivendarët flisnin për problemin e shtruar, jepnin mendimin si duhej vepruar. Kura to mendime nuk gjenin kundërshtim, zgjidhja quhej e drejtë. Drejtuesi i Kuvendit ngrihej e pyeste të pranishmit: “A e lamë kështu”?  Kur të gjithë thoshin “e lamë”, kuvendi kishte marrë fund. Ata që kishin mendime të  kundërta, detyroheshin me i ndejtë kararit [vendimit, A.A.] të vënë prej shumicës.” Kanuni i Dibrës, mbledhur nga Xhaferr Martini, Botimet M&B, Tiranë, 2016, f 140, Shënim në fund të faqes.

[15] “Conventions are not law, but long-established traditions which tend to be followed, not because there would be any legal sanction if they were not, but because they have simply become the right way to behave.” English Legal System, by Catherine Elliott, Frances Queen, 9th Edition, Pearson Education Limited, 2008, ff.  1-4.

[16] Kanuni i Dibrës, mbledhur nga Xhaferr Martini, Botimet M&B., Tiranë 2016, Neni 953, f. 138.

[17]Kuvendi i Burrave të Dheut ishte Kuvendi më i madh që ka njoftun Dibra”, ku nuk kishte asnjë kufizim në pjesëmarrje, pasi “aty vinte kush e quente veten burrë”. Po aty, Neni 975, f. 144.

[18] “Kuvendet e krenve të Maleve s’e kanë arritê shkallën e naltë të mençurie të Kuvendit të Burrave të Dheut, Populli kishte në mes vedit mendjet më të ndrituna. Shumë prej ktyne mendjendritunve as që njifeshin.” Po aty, Neni 980, f. 145.  Shih edhe Kanunin e Lekë Dukagjinit: “Sa të jenë në kuvend burrat e dheut s’ka tager kush i huej me u përzie nder  ‘ta”.  Neni § 1115.

[19] Pleqtë përfaqësonin njësi të tëra të popullsisë së Bregut, në rastet tona, fiset, farët, katundet, fshatrat apo lagjet përkatëse të tyre. Ata ishin përfaqësues të popullit të tyre i cili, si i përfaqësuar, i kishte mandatuar apo dhënë pleqve besimin që të mernin vendime në emër të tyre. Pleqtë gjykonin çështje civile dhe penale dhe, për çështje me rëndësi të përgjithshme për komunitetin thirrnin kuvendin. Si rast i pastër i demokracisë së drejtpërdrejtë, pas diskutimit e debatit, pleqtë propozonin, propozimi hidhej në votë dhe vendimin e merrte populli. Shih, Pëllumb Xhufi, “Arbërit e Jonit”, raport i të dërguarit të Venedikut, Mocenigo, v. 1691, Tiranë, Onufri, 2016, f.  1231. Në disa raste pjesëmarrja dhe përfaqësimi vështirësonin vendimmarrjen. Kësisoj, në raporte të Venedikut vërehej se pleqtë e Bregut [Himarës] nuk sillnin dot një mendim të vetëm e të përbashkët në negociatat e tyre me të dërguarit e Serenissimas. Po aty.

[20] “Në realitet, pa marrë parasysh emrin, shumë herë “bajrak” nuk është tjetër veçse një fshat i rritur, prandaj një bajraktar nuk është tjetër veçse një krye i një rangu më të lartë. Një “krye”, në krahasim me bajraktarin, është si i pari i lagjes”. Tek Franc Nopça, Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e Drejta Zakonore e Tyre, përkthyer nga Dr. Jur. Mihallaq Zallari, QSA, Instituti i Historisë, Tiranë, 2013, ff. 253-354.

[21] Kanuni i Skanderbegut, Mbledhë e kodifikue nga Dom Frano Illia, Editrice La Rosa, Milot 1993, Neni 1976, f. 134.

[22] Po aty, Neni 1978.

[23] “The origins of imperative mandate are to be found in Roman law. In Medieval Spain and particularly in the Kingdom of Leon and Castilla, representation of cities and towns in the Cortes (i.e. the Parliament) was based on imperative mandate.”  Raport i Komisionit të Venecias për Mandatin Imperativ [Detyrues] dhe Praktikat e Ngjashme, Studim Nr. 488/2008, CDL-AD(2009)027, Strasbourg, 16 qershor 2009, f. 7.

[24] Po aty, f. 134.

[25] Raport i Komisionit të Venecias për Mandatin Imperativ [Detyrues] dhe Praktikat e Ngjashme, Studim Nr. 488/2008, CDL-AD(2009)027, Strasbourg, 16 qershor 2009, f. 7. “Once elected, deputies should be accountable primarily to the voters who elected them, not to their political party. This flows from the fact that they hold a mandate from the people, not from their party.”

[26] Duke garantuar moscenimin e tërësisë territoriale të vendit.

[27] “Gruja asht magjja e jetës”, është një ndër normat themelore të së drejtës zakonore të Shqipërisë Verilindore, që e vendos gruan në qendër të botës shoqërore, shpirtërore e juridike të shqiptarit. Kumtuar gojarisht autorit kohë më parë nga U. B., njohës i thellë i së drejtës zakonore të Tropojës.

[28] Margaret Hasluck, The Unwritten Law in Albania, Cambridge University Press, 1954, f. 11.

12 Komente

  1. Nuk e kuptoj se si mund te kete gjykata (cilado gjykate) juridiksion mbi nje individ qe thote nuk dua ta bej me kete pune!
    Gjykata mund ta detyroje nje person qe te paguaje ( fjala vjen) rrogat e parapaguara, ose dietat, ose fjala vjen demet qe ka pesuar shteti per renovimin e zyres se ketij tipit por nuk mund ta detyroje qe te rrije ne detyre.
    Mandamus ketu nuk hyn.
    Nje pyetje i nderuar, jashte debatit juridik: ne rast se deputeti i dorehequr nuk i bindet gjykates per te ndenjur ne pune, cfare do propozoje ti si mase shtrenguese ndaj tij?
    Gjykates Kushtetuese do te mund ti hynte ne pune “urtesia popullore” thua.
    Me cfare mekanizmi do propozoje ti do ta inkorporonte gjykata kete “urtesi “ ?
    Dhe, a do shnderrohej ne “norme ligjore” kjo “urtesi “ me kete akt inkorporimi?
    Faleminderit shume nese me pergjigjesh.

    1. Mesa duket mesazhi i ketij shkrimi nuk eshte kuptuar nga ju. Behet fjale per nje tradite mijravjecare e cila nuk mund te mos gjej vend ne legjislacionin e popullit tone. Behet fjale per parime dhe frymen demokratike qe ka egzistuar ne Kanunet shqipetare, te cilat regullonin jeten shoqerore sipas nje themeli shume te vjeter te urtesise popullore. Kushtetuta si ligj themelor duhet ti permbaj keto parime thellesisht demokratike dhe plotesisht te drejta, pasi historia ka treguar se kane funksionuar ne menyren me te mire te mundur. Keto principe moralo-juridike i rezistuan pushtimit 2000 vjecar te vendit tone, ato u braktisen zyrtarisht dhe u hodhen poshte ne periudhen e diktatures sllavo-komuniste dhe megjithate, ne mentallitetin tone ato rrojne akoma. Cdo shqipetar i gjykon politikanet, shtetin dhe admionistraten mbi bazen e ketij morali dhe mentaliteti te trasheguar. E drejta per popullin tone eshte nje koncept i lidhur ngusht me moralin dhe mentalitetin e trasheguar, i cili arbitrarisht u konsiderua i prapambetur ne teresine e tij, pa u studiuar filozofia e lashte e kondesuar aq bukur ne te.

    2. I/e nderuar,

      Falemnderit për komentin. Në shkrimin tim nuk bëhet fjalë për “mandamus”, apo detyrim qëndrimi në detyrë, por thjesht për vlerësimin nga gjykata nëse është kryer hapi i domosdoshëm i këshillimit me zgjedhësit. Shpallja nul e aktit të “tërheqjes”, për shkak të moskëshillimit, nuk përbën detyrim për qëndrim në detyrë. Bëhet fjalë vetëm për detyrim për t’u këshilluar me zgjedhësit, çka prevalon ndaj urdhërit partiak. Vetëm kaq.

      Besoj se kjo qartëson edhe pyetjet e tjera?

  2. Nga pikepamja juridike, djegia e mandateve, eshte nje problem qe po gjen zgjidhje fare lehte, dhe pa pengesa, sipas ligjit dhe Kushtetutes. Ne KQZ po vazhdon procedura, sipas ligjit, dhe askush nuk po e konteston.
    Problemi eshte politik dhe moral. Ata, zoterinj dhe zonja, qe po i japin zgjidhje problemit ne pikepamjen juridike, ne te njejten kohe, po e rendojne edhe me shume ate politikisht. Problemi i vertete, ne fakt, eshte pikerisht ky paradoks.

  3. Përshëndetje Agron,

    Shumë faleminderit për këtë shkrim informues, të qartë dhe jo-polemik.

    Nuk e di sa e mundur do të ishte t’ju dërgohej të gjithë Deputetëve tanë me shpresën se do të kishin dëshirë, mundësi dhe aftësi ta lexonin, kuptonin dhe reflektonin. (Ndoshta po t’ju japim ndonjë “bakshish” mund të presim rezultate më të mira!)

    Gjithë të mirat,

    Iliri M

    1. Ju falenderoj, z. Mitrushi, për komentin tuaj.

      Nuk i di statistikat e lexueshmërisë të “kuvendarëve”, por besoj se lexueshmëria e Revistës “Peizazhe të Fjalës” duhet të jetë e lartë, si forumi serioz, cilësor e i paanshëm i zhvillimeve në Shqipëri, dhe që madje na ka shtrënguar që të anashkalojmë edhe ndonjë organ të vetëquajtur “më i miri” i shtypit të shkruar, por që mëton më shumë “klikueshmërinë”, se sa cilësinë…

      Agron

  4. Debati, ajme se nen ze dhe (cuditerisht) jo ne arena publike (studio tv) ne lidhje me sa thuhet ne shkrim eshte bere, por tashme qe procedurat kane marre rruge, duket se s’ka me as interes doktrinar. Ne kete pike, z.Alibali meriton te falenderohet qe e beri publik mendimin e tij. Shkrimi eshte me tej akoma edhe interesant e informues, ndonese ceshtja meriton thellim te metejshem.
    Per sa me takon, vleresoj (packa se pa rendesi per shkrimin) se fakti kushtetues i sjelle per diskutim ka pak ose aspak gjasa te behet ceshtje kushtetuese, duke qene se qytetari/zgjedhes Murrizi nuk ka legjitimitet ratione personae per ta investuar GjK. Ne gjykimin tim, justifikimi i interesit te tij te dpd ne kuptim te cenimit praktik te nje te drejte te tij kushtetuese do te ishte i mundur vetem permes nje interpretimi te shqyer te pikave 1 e 2 te nenit 2 te Kushtetutes. Pyetja kushtetuese eshte “a eshte cenuar marredhenia e perfaqesimit nga ana e deputetit te dorehequr?”
    Diskutimi vjen e zbret atje ku do te duhej te ishte zhvilluar qe ne krye te heres, te koncepti i mandatit perfaqesues, ne perballje me konceptin e mandatit detyrues (imperativ).
    Per ndonje qe pyet a do te mund te detyrohej dikush te bente “pune te detyruar” ne demokraci, pergjigja eshte JO, por praktikat kushtetuese boterore (psh italiane) na ndrocojne permes shembullit se, ne raste te ngjashme, senati italian nuk ka pranuar doreheqjet (me arsyetimin se nuk jane bere per shkaqe te pranuara nga rregullorja e Senatit). Perfaqesuesi (senatori) nuk eshte detyruar perdhunshem te marre pjese ne seancat perkatese, por ai nuk eshte c’regjistruar si senator (nuk eshte celur vakanca), thjesht nuk i eshte paguar me rroga, per mospjesmarrje.
    Ne rastin tone, mendoj se konsiderimi “nul” i vebdimmarrjes se Kuvendit (e per pasoje edhe i vendimmarrjes se KQZ, qe bazohet tek e para) eshte qasje e ekzagjeruar. Rastet e pavlefshmerise jane te njohura e te identifikuara. Veshtire te thuash se pranimi i doreheqjeve individuale te deputeteve te opozites eshte nul, packa se, nqs e kuptova drejt autorin, ideja eshte qe jo vendimi i Kuvendit por vete doreheqjet jane nul.
    Ideja “a jane doreheqjet nul”, apo thene ndryshe “a mund te japesh heqesh dore nga perfaqesimi i sovranit”, sic thashe eshte debatuar ne rrethe te ngushta juristesh te interesuar, por nuk ka pasur konkluzione bindese. Shkrimi me lart eshte ushqim per mendjen, por as ai nuk eshte shterues.
    Nuk duhet te harrojme se, ne fund te fundit, edhe nirmat kushtetuese nuk jane vecse konvencione njerezore, me deshiren e mire per te jetuar normalisht ne nje shoqeri te organizuar.

    1. I nderuar koleg,

      Falemnderit shumë për komentin tuaj. Natyrisht që pajtohem për sa i takon moslegjitimimit ratione personae të zgjedhësit Shaban Murrizi. Janë të njohura në ligj dhe praktikë modalitetet e vënies në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese.

      Sikurse mund ta keni kuptuar, kazusi është thjesht hipotetik, dhe ana procedurale është thjeshtuar për kthjelltësimin e argumentit.

      Lidhur me “zinxhirin” e nulifikimit. Nëse “Akti C” rrjedh nga “Akti B” dhe ky i fundit është pasojë e “Aktit A”, dhe nëse “Akti A” është nul, vetëkuptohet se do të tillë do të jenë edhe Akti B e C.

      Thelbi i analizës është lidhja “deputet – zgjedhës”, krahasimisht me varësinë “deputet – kryesi partie”. Teza e argumentuar është se e para prevalon ndaj së dytës. Kjo shprehet më së miri edhe me Ligjin për Statusin e Deputetit.

      Pyetja themelore është se si mund të dilet nga kjo krizë përfaqësimi?

      Duke patur parasysh përqendrimin e pushteteve sot tek kryetarët e partive dhe tek kryetarët e bashkive, a nuk del i domosdoshëm (i) vendosja e sistemit të pastër maxhoritar; (ii) zhbërja e reformës së pushtetit vendor (iii) ndërtimi i Kuvendit me dy dhoma, dhe (iv) lehtësimi i nismave referendare, sikurse zbatohet në Zvicër, ku tradita vendimmarrëse pajtohet me tonën?

      Jo më kot i kam vënë me pikëpyetje këto ide, me dëshirën për t’ia nënshtruar debatit konstruktiv dhe me mirëbesim.

      Natyrisht na ndriçon edhe “urtësia” popullore, e përcjellë përmes normave të “jus non scriptum”, aq shumë e vlerësuar nga Hascluk.

      Falemnderit edhe njëherë.

  5. Bravo Agron, shkrimi yt eshte i qarte dhe godet ne shenje aty ku duhet. Tradita shqipetare eshte thellesisht demokratike ne kete pikpamje. Ajo i rezistoi kohes mijevjecare deri sa partia antipopullore vendosi ti eleminoje me motive fallse te “progresit”. Ne fakt ne fushen e demokracise dhe zbatimit te vullnetit te popullit ndodhi regresi me i madh. Parulla, sllogani se partia ben cfare do populli ka qene nje mashtrim i madh, po keshtu dhe te gjitha vendimet “ne emer te popullit” ishin antipopullore. Ky eshte thelbi i c’ekuilibrimit te shoqerise shqipetare. Jurisprudenca shqipetare ne fakt nuk eshte shqipetare, por eshte nje grumbull regullash te marra nga popujt e tjere pa asnje adptim ne raport me traditen tone. Eshte nje plagjiature e bere keq nga ligjvenesit medioker te pa afte. Besoj se do gjesh kohe Agron ta thellosh me tej kete teme kardinale per mbarevajtjen e shoqerise shqipetare.

    1. Dicka nuk me ra ne sy mua ne shkrim, ndoshta e kam kaluar pa vemendje, betimi i deputetit per ti sherbyer interesave te zgjedhesve dhe popullit. Ai eshte betuar te punoje per keta, cfar do te thote se vetem arsye madhore mund ta detyrojne te djege mandatin! A jane dhene arsye/ shkaqe konkrete dhe madhore nga sejcili deputet i larguar per aktin e tij?! Apo jane kerkuar keto arsye/ shkaqe nga… kush e ka te drejten t’ua kerkoje kete?!..
      Nejse, cfar kerkojme dhe ne nw njw vend rrompalle!

      1. I/e nderuar r.th.

        Betimi është akt solemn dhe thelbësor për mandatin e deputetit.

        Nëse mund ta sjell ndryshe këndvështrimin tuaj, pyetja është nëse “djegia e mandatit” përputhet me aktin e betimit apo përbën shkelje të tij?

        Këndvështrimi tuaj qëndron, dhe ndofta lyp analizë të plotë e të thuelluar.

        Ju falenderoj.

  6. Ka edhe një këndvështrim tjetër që mund të frymëzohet nga analiza e mësipërme, në kuptimin që ka dicka tjetër që nuk shkon pavarësisht Kushtetutës.

    Për mendimin tim problemi janë vetë partitë politike si organizim social që nuk i përshtaten të drejtës zakonore dhe indit të brishtë organizativ dhe ekzekutiv (drejtues) të shoqërisë shqiptare. Shteti Komb modern shqiptar qysh nga themelimi – si një organizëm që duhet të qëndronte mbi të gjitha grupimet, individët, shoqatat, rracat dhe etnitë – ka pasur tendencën të shndërrohet në veglën totalitare të një Partie dhe grupi të vetëm.

    Fakti që edhe Kuvendi ose Parlamenti, pavarësisht nga Kushtetuta dhe Kodi Zakonor, është shndërruar vazhdimisht nga përfaqsues i zgjedhësve, në përfaqsues të partive, tregon se problemi nuk është me Kushtetutën dhe Kodin Zakonor që nuk arrin të zbatohet, por me vetë organizimin e partive politike si instrumenta të totalitarizmit për aq kohë sa janë: (1) Demagogjike, dhe (2) uzurpuese të pushtetit dhe vetë Shtetit.

    Kjo natyrë e partive politike si instrumenta të pushtetit total nuk është vetëm fenomen shqiptar, por ndikimi i shpërpjestuar i tyre në shoqërinë shqiptare, dhe mungesa e një organizmi shtetëror modern të stabilizuar e bën natyrën e tyre, në kontekst, thellësisht destabilizues.

    Kufizimi i rolit të partive si organizata private, dhe ndikimi ityre në shoqëri, them se duhet riformatuar. Sidomos në influencën që ato duhet të kenë mbi deputetët dhe ekzekutivin. Në fakt diçka e tillë parashikohet me rolin e Presidentit i cili jep dorëheqjen nga funksionet partiake. Ndërkohë edhe pamundësia e ekzekutivit për t’u grupuar, në kuptimin konspirativ të fjalës, duhet konsideruar. Bie fjala duhen parë ligjet e konfliktit të interesit, kontrollit parlamentar të ekzekutivit nga një minorancë, etj. Them se e gjithë kjo mund të realizohet fare mirë duke ruajtur të drejtën kushtetuese të shprehjes së lirë, të drejtës për tu organizuar, dhe përfaqsuar.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: