ELITAT BELBËZUESE

Ka nga ata, mes nesh, që nuk e zotërojnë shqipen publike, nuk e flasin as e shkruajnë mirë, nuk ia njohin dhe nuk ia përdorin regjistrat dhe stilet, e që megjithatë, të ndodhur përballë dikujt që flet në publik pa e zotëruar shqipen publike, thonë: “ky as shqipen nuk e dika ta flasë (ta shkruajë)”. Këta janë, për çudi, edhe bastioni i fundit i kulturës shqip kundër shthurjes së pakthyeshme të hapësirës publike.

Them i fundit, sepse pas tyre vijnë ata të tjerët, të cilët shqipen jo vetëm nuk dinë ta përdorin, por edhe nuk e kanë të qartë se çdo të thotë ta përdorësh mirë një gjuhë dhe ç’dallim ka kjo prej të folurit e gjuhës sate amtare. Dhe këtyre të tjerëve argumenti i të folurit mirë të shqipes nuk do të jetë më i vlefshëm, sepse nuk do të ketë më kuptim.

Këto javë e kemi dëgjuar shpesh, në mediat dhe në rrjetet sociale, kritikën për figura politike – të reja dhe të vjetra, të konsumuara dhe të pakonsumuara – se “as shqipen nuk e dinë.” Kjo e të folurit shqip mirë ende funksionon si guri i provës për fibrën e një lideri a politikani a intelektuali publik; sepse dëgjuesit këtë e kapin me intuitë. Dhe, gjithsesi, e kanë të qartë se të dish të flasësh mirë shqip nuk ka të bëjë aq me dallimin mes standardit dhe dialektit, sa ç’ka të bëjë me përkushtimin ndaj krijimit dhe mirëmbajtjes së një profili intelektual.

Pyetja lind vetiu: a po e mësojmë dot shqipen në shkollë në atë nivel që të mund ta përdorim publikisht pa ua trazuar ndjeshmërinë të tjerëve? Kjo pyetje vjen me një bisht nga mbrapa, sepse ia përcjell përgjegjësinë shkollës – e cila ka gjithnjë faj. Por pastaj, sa herë që të del përpara dikush që shqipen e flet bukur dhe rrjedhshëm, rrëzohet edhe alibia e shkollës: meqë ka njerëz që kanë arritur ta kapërcejnë këtë handicap.

Mangësitë në të folurit publik dëgjuesi i ndien edhe kur nuk i shpjegon dot; ose kur i shpjegon gabim, duke thirrur në vështrim dialektin, gjeografinë dhe varfërinë e kontekstit social përkatës. Por edhe nuk ka nevojë t’i shpjegojë – sepse i interpreton sakaq si provë se tjetri nuk e meriton t’i dalë publikut përpara, është i papërgatitur, i parafinuar, i pagdhendur; pavarësisht nga eleganca në veshje, në mbathjeve dhe në mirëmbajtjen profesioniste të qimeve të trupit.

Disa prej atyre që na flasin, sidomos nga ekrani, vijnë prej shkollave më të mira anembanë botës – me kredenciale akademike të pashembullta. Janë si të thuash gati të udhëheqin botën, por jo Shqipërinë. Dhe kjo sepse gjuha në të cilën u artikulohet mendimi nuk është shqipja, ose gjuha e publikut që i voton, i mbështet dhe i paguan; por një gjuhë tjetër, zakonisht anglishtja (por edhe frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja).

E kam fjalën për figura publike që shqipen nuk e kanë studiuar më, që prej klasës së tetë.

E megjithatë, vihen të na flasin, me bindjen e papërligjur, madje të gabuar, se gjuha nënë nuk ka nevojë të studiohet; pa e kuptuar se ashtu mbeten në nivelin e atyre që gjuhën nënë nuk e kanë studiuar dot. Nuk ia njohin variantet, pasuritë, regjistrat; e flasin, por nuk dinë ta përdorin.

U përkasin mendërisht kulturave të tjera; dhe, për më tepër, nuk arrijnë dot as të merren vesh mes tyre. Mund të qëllojë që brenda të njëjtit kabinet qeveritar, të përfaqësohen universitete dhe tradita akademike nga gjysma e botës. E kanë më të vështirë të gjejnë një gjuhë të përbashkët mes tyre, se diplomatët në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: mbase një përkthyes do t’u bënte punë.

Le ta pranojmë: dikush që ka studiuar në Oxford, në Harvard ose në Sorbonne, nuk ka pasur as kohë as mundësi ta rafinojë mendjen dhe të shprehurit me mjeshtrit e shqipes, dhe as ta vrasë mendjen së bashku me mjeshtrit e shqipes. Kjo do të thotë: nuk është në gjendje ta paraqitë veten në shqip. Kur hap gojën, nuk është ai që flet, por klishetë që ka dëgjuar poshtë e lart. Subjekti i thëniezimit shqip (ose “drejtori i produksionit gjuhësor”) i ka mbetur në moshë të mitur, i papjekur, i paformuar, i vonuar, simplist, elementar. Dhe inteligjenca mbi mesataren, që pa dyshim këta e kanë, i bën që ta shmangin banalitetin total vetëm duke ua besuar ligjërimin e vet parafabrikateve – e dallojnë edhe ata vetë që po flasin keq, por kjo nuk mjafton, për t’i bërë të flasin mirë.

Ngaqë shqipen gjuhë publike nuk kanë mësuar ta përdorin dot, tani nuk u mbetet veçse të mësojnë të përdorin manifestimet e shqipes së gatshme, të cilat përftojnë rregullisht bullshit.

Prandaj jetës publike shqiptare i duhet urgjentisht një laborator ku të përpunohet dhe të rafinohet shqipja publike, në lartësinë e kohës dhe në vazhdën e traditës që, në këtë fushë, nuk është se na mungon krejt. Elitat politike të tanishme, si në Shqipëri si në Kosovë, me disa pak përjashtime të shënueshme, nuk kanë shpëtim – pse keqartikulimin e kanë pjesë intime të qenies dhe të aksionit të tyre politik; por të paktën të mos i lejojmë të krijojnë traditën e tyre të mjerimit ligjërimor.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

5 Komente

  1. Shqipja zyrtare si shqipe politike mbart difektet e politikes, eshte gjuhe e genjeshtrave. Eshte me e lehte sot te perceptohet si i vertete nje politikan qe fut ne ligjerimin politik elemente krahinore, sesa dikush qe flet shqipen zyrtare. Historikisht, pretendimi i vertetesise ka qene pretendim aristokratik, ndersa populli ka qene mashtrues, pis e i poshter. Kjo do te perkthehej qe shqipja zyrtare te shprehte te vertetat ndersa te folurat krahinore te shprehnin mashtrimet. Enveri u perpoq neper filma qe te ishte vecanerisht shkodranishtja gjuha e dredhive dhe mashtrimeve. Shqipja zyrtare ne politike eshte perdorur masivisht per te mashtruar, aq sa me e mira per te do te ishte qe te perdorej me pak, ne menyre qe shqiptaret te mesohen qe edhe e folura krahinore nuk e ben folesin te vertete apo ligjerimin e tij politik te vertete. Ligjerimi publik me elemente dialektore, perfshin konceptin e te folurit shqip e troc, dmth pa tjerrje, te cilat fshehin nje mashtrim, nje te pavertete, nje dredhi. Ketu eshte me shume nje krize e se vertetes, pra e mosbesimit, cka ndihmon apo edhe mundeson legjitimitetin e te folures publike te varfer e plot krahinizma, por e perceptuar si me afer se vertetes, pra e meritueshme per besim ( aq pak sa mund te jepet ne kushtet e sotme kur pasi shtrengon doren me dike, numeron gishtat).

  2. Ju XhaXha e keni trajtuar në një rrafsh relativisht “të lartë”, duke marrë në konsideratë elitat (dhe jo vetëm) publike. Në një rrafsh më “të thjeshtë”, siç është e folura e përditshme, problemi i njohjes dhe përdorimit të shqipes është në pragun e katastrofës.

    Fatkeqësisht, siç e ka cekur edhe Hyllin në komentin e tij, një rol vendimtar (por përkeqësues) në këtë drejtim ka luajtur shqipja “zyrtare”. Më vjen në mendje italishtja – për krahasim – e cila “ka ditur” dhe është lejuar të ketë një standard më të lartë dhe të rafinuar në të shkruarin zyrtar (qartësisht burokratike, “e lodhshme”, por shumë më e pasur), e cila ka ndikuar më pas edhe të njohjen, zotërimin, të folurën dhe përdorimin e gjuhës në një bazë të gjerë.

    E fundit: Nuk ka gjë më të trishtueshme sesa të argumentosh qartësisht dhe saktësisht, me një përdorim shumë të mirë të shqipes, idenë apo argumentin tënd – qoftë në një tryezë miqësore, qoftë profesionale – e të të shohin çuditshëm, ose e thënë me fjalët e kryeministrit, një vështrim i tipit “What the f@[k”

  3. Mbase nuk po e kuptoj une kete ese, por nuk me duket se autori ka gjesendi kunder “shqipes zyrtare”, eshte nje kategori e nevojeshme, pavaresisht nga te gjitha , por problemi eshte nese shqipja zyrtare ekziston (autori thote se nuk i mungon tradita) dhe pjesa me e madhe e shkrimi analizon rruget me te cilat po masakrohet edhe ajo pak gje qe eshte, krysisht nepermjet mosnjohjes se me te cilen shfaqen ne publik ata qe nuk e njohin, pra te shkolluarit jashte qe e kene nderprere studimin e saj qe nga adoleshenca (te cileve do te shtoja te paditurit autoktone me tituj dhe diploma te blera qe gelojne ne parlament). Edhe une mendoj se nje fare shqipe zyrtare ekziston, me baza interesante qe u hodhen qe ne kohen e monarkise: eshte model i korrekteses, ftohtesise, informacionin pa ekuivoke dhe respektit kallp.(edhe ne France me ka qelluar te marre shkresa te nje natyre te tille: z. x kemi kenaqsine t’ju njoftojme se per mungese fondesh kete fundviti nuk do te keni nje rroge te 13-te etj.) Nje fillim gjyhe zyrtare u rimor nga regjimi i ri, por shume shpejt u kthye ne intstument propagandistik. Edhe nje akt i thjeshte juridik apo informacion komunal permban propagande.
    Nje baze e tille nuk premtonte shume, pas ndryshimit te regjimeve. Pd inversoi treminologjine e urrejrtjes ndersa Ps veçanerisht me modelin e nje letre te perjaveshme qe dilte deri vone nka kabineti i z. Rama dha shembullin e shprehurit me te genjeshtert qe nga viti 1946, ku edhe nje mbledhje te thjeshte kabineti apo hartimi i nje projektligji per faren e lulediellit e paraqiste si nje hap qe Shqiperia hidhte drejt Evropes.
    Dhe ne kete terren dora dores nisen te hyjne te shkolluarit ne vende te ndryshme te botes. Duke qene se nuk kapnin as disa kode te veçanta vendase, keta ishin me te prirur t’i jepnin goditjen perfundimtare te asaj qe kishte mbetur duke perdorur … ” manifestimet e shqipes së gatshme, të cilat përftojnë rregullisht bullshit”.
    Eshte interesante ideja e autorit per nje …”laborator ku të përpunohet dhe të rafinohet shqipja publike”. Por nuk besoj se do te behet gjesendi nga ata qe e kane ne dore nje gje te tille. Se qe ta bejne ata jane te detyruar te njohin se nuk dine… te flasin ne menyre korrekte. Po kujt ia thua ti kete?
    Do te mbetet rruga tjeter, qe edhe ky element i rendesishem i superstruktures te ndertohet si amalgame midis te keqes dhe keqkuptimit. Dhe duke njohur ate rrolin magjik e “pervers” midis gjuhes dhe cilesise se formumlimit te mendimit, nuk ka pse te habitemi qe jemi ata qe jemi.

    1. Lyss, Parmenidi tha qe nuk eshte e mundur te mendohet asgjeja, prandaj mendimi eshte mendimi i qenies, ose te menduarit dhe te qenit jane e njejta gje. Deskarti ne njefare menyre i ra qylit e tha ‘mendoj pra jam’, me vone Hajdegeri i futi nje rregullim metaforik dhe tha gjuha eshte shtepia e qenies. Keshtu qe te kete dicka pertej formulave gjuhesore, duhet te mendosh dhe meqe mendimi eshte mendimi i qenies, atehere nqs qenia eshte politika, atehere te menduarit dhe politika jane e njejta gje ( kjo mund te shtrihet ne cdo aspekt te publikes). Mirepo, ceshtja eshte nqs keta politikane a mendojne ndonje gje rreth politikes, apo ngaqe nuk mendojne rreth politikes, ne fakt nuk mendojne gje ( pranuam barazimin politike=qenie). Pra, nuk mund te pretendohet qe nje politikan i cili nuk mendon asgje rreth politikes, te kete ndonje gje per te thene, por do te perserise formula te njohura. Psh pyetjes se nje gazetari per integrimin europian, ky i riu do i pergjigjej. Si e kane thene, per Shqiperine dielli lind ne Perendim, prandaj ne do bejme te gjitha hapat e duhura dhe do te ndermarrim te gjitha reformat per nje integrim sa me te shpejte ne familjen e madhe europiane ( Teorema Europiane e Pitagores) . Tani, nuk mund te pritet asgje ne shqipen politike, nqs te menduarit politik nuk ekziston. I tha filani, ia futi filani, filani burre i mire, filani do tepsine, filani ka 71 vota etj gjithe ky volum nuk eshte volum i te menduarit politik, sepse ketu politika eshte asgjeja, ketu ka thashetheme, ka moralizim, ka matematike kushtetuese, ka biznes/blerje vote e deputetesh etj. Psh ketu ska asnje kulture politike, asnje tradite apo trashegimi politike qe pershtatet apo perditesohet, nga ana e tij, shteti nuk di as ku ka shkresat e veta ( degjova se neper ministri, po kalojne shkresat nepermjet fotove me celular, pasi nuk i dihet nga plaset origjinali ne leter), me pak fjale, ketu rrezikohet qe brezi i ri ta kete politikisht koken me bosh se brezi i vjeter, me ca qe recitojne frazat e gatitura nga brezi i vjeter. Nuk besoj se mund te ruhet ndonje gje, nqs procesi i nisur eshte shkretimi.

  4. Këta të shkolluarit në Harvard e Cambridge flasin me parafabrikate jo ngaqë nuk e kanë përpunuar sa duhet shqipen (duke qenë me “inteligjence mbi mesataren”, me pak punë e vullnet, mund t’ia dilnin edhe kësaj sfide), por sepse përmes tyre ndërtojnë një zhguall ligjërimor të padepërtueshëm prej realitetit mjeran. Ndaj nuk mendoj se shtrembërimi i gjuhës publike mund të kurohet me mjete gjuhësore – këto veç do ta bënin zhguallin më të shndritshëm e të lëmuar (bunkerin do ta maskonin si BunkArt), por pa ia ndryshuar thelbin manipulativ prej Newspeak-u.

Lini një Përgjigje te LyssAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin