MENDIME TË PAKREHURA (XLII)

(nga Stanislaw Lec*)

Pas shumë vjetësh studime intensive, arrita ta fsheh padijen nën shtresa të trasha njohurish.

Ka ca që kërcejnë fill nga e shkuara tek e ardhmja, teksa mbi të tashmen u bie vetëm hija.

Inxhinierët e shpirtrave nuk besojnë në to.

Proletariati po fiton në Poloni – është gjithnjë e më i shumtë në numër.

Më lini një sekondë vetëm, dua të flas me ju.

Një herë më tradhtoi qeni: rrinte pa lëvizur, por hija i tundte bishtin.

Ka pasur vite kur të vjelat e historisë kanë qenë të bollshme: shporta plot me koka.

Njerëzit janë altruistë. Në kujtimet që lënë, shkruajnë kryesisht për të tjerët.

Është superior ndaj gjithçkaje, asgjë nuk është për të tepër e ulët.

Mos harroni: edhe të mundurit marrin pjesë aktivisht në fitore!

Ndonjëherë, për të mos u bërë pis, duhet mbuluar dora me një bankënotë.

Edhe maskat mbulohen nga rrudhat.

Ndonjëherë më kap frika se mos jemi tashmë në parajsë.

Çfarë është për disa rrota e torturës, është për disa të tjerë karusel.

Kryqi është shumë i përshtatshëm për të matur madhësinë për së gjati dhe për së gjëri.

Çfarë del nga eksperiencat më të thella? Gjaku.

Deri edhe mbi kallot mbeten gjurmët e epokës.

Ata që lëpijnë këmbët e kanë gjuhën të lëmuar.

Mos lufto me veten, se e ke humbjen të sigurt.

Është vështirë ta bësh dorën grusht, pasi të kanë vendosur aty lëmoshën.

Do ta flijonte me gjithë qejf jetën për të marrë pensionin.

Po duartrokisja frenetikisht. S’mbushesha dot me frymë.

Ndonjëherë distancën që na ndan nga dikush e zvogëlon një i tretë.

Disa poste janë si sëmundjet: herë të trashëguara, herë ngjitëse.

Mos e zgjo të kaluarën, por fli bashkë me të.

Ti je kufiri mes dritës dhe hijes.

 

(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin