EL CAMINO PRIMITIVO

E kisha bërë nijet, Santiagos do t’i drejtohesha edhe një herë tjetër më këmbë, veçse nuk arrija të vendosja nga cili drejtim. Një kohë kisha menduar të ndiqja atë që quhet Via de la Plata që fillon diku në jugë të Spanjës, në Sevilje. Ka qenë një lloj autostrade që nga kohët romake. Aty mendohet se kanë kaluar edhe ushtritë e Hanibalit për të shkuar në Itali. Eshtë interesante dhe plot histori, por tamam kësaj i ruhesha. Lodhja e jashtëzakonëshme, që shpesh kalon deri ne kufijtë e topitjes fizike e mendore, e bjerr disi kureshtjen që meritojnë këto vende.

Një tjetër është El camino de Levante që fillon ne Valencia, në breg të Mesdheut, zbret pak në Alicante dhe nis e ngjitet drejt Toledos, kalon në lindje të Madridit, pastaj në Avila, Zamora, Medina del Campo, vazhdon përmbi kufirin portugez e deri tutje në Santiago. Nuk është keq, por jo rrallë duhet të ecësh në të njëjtën rrugë me makinat, gjë që nuk më entuziasmonte shumë.

Veçanërisht më tërhiqte edhe Camino portugés. Fillon ne Lisbonë, i bie për së gjati Portugalisë, nga jugu në veri, kalon nëpër Santarem, Fatima, Porto e del në pjesën veriore të vendit për të vazhduar në tokë spanjolle, nga Ponteverda drejt Santiagos.

Ndërsa kisha nisur të anoja për këtë të fundit (që me siguri do të mbetet për një herë tjetër), kuptova se kishte diçka që nuk ishte në rendin e duhur të gjërave. E vërteta është se fillimet e pelegrinazhit në Santiado de Compostela e kanë origjinën gjetiu, në kryeqendrën e vjetër të mbretërisë së Asturies, në Oviedo. Eshtë një qytet më shumë se 320 km. larg Santiagos dhe ai itinerar njihet si Camino primitivo (në disa dokumente të hershme del edhe si Camino primero). Aty kishte filluar gjithçka.

Ktheva mendje dhe vendosa të nisem prej aty. 

Gjithsesi, nga përvoja e dija se nuk duhej të mendohesha gjatë përndryshe, duke detajuar problemet që duheshin përballuar, kishte rrezik të mos nisesha kurrë. Kam mjaft të njohur që prej vitesh përgatiten të ndërmarrin një udhëtim të tillë më këmbë, por gjithnjë mëdyshjen, e shtyjnë me sot e me nesër, dyshojnë te vetja, druhen, kanë frikë. Se me sa duket, edhe në një rast të tillë gjithçka duhet përballuar së pari psikologjikisht dhe kjo nuk është aq e lehtë për shumë nga ata që marrin makinën edhe për të blerë bukën te cepi i rrugës. Nga ana ime, problemeve të kësaj natyre u qasem disi tërthoras. Duke e ditur që më parë se do të dal i humbur, i shmang diskutimet e gjata me veten, një mënyrë radikale kjo për të mos lejuar që vështirësitë e një marshimi të tillë të rriten në mënyrë të pakontrolluar në mendjen time, sa vjen një çast që marrin shumëzim “bakterial”, e të mposhtin. Nisem me bindjen se, i mendoj unë apo jo, vështirësitë aty janë, prandaj gjithçka duhej balancuar me dëshirën për t’u nisur. Eshtë ajo që duhet “mirëmbajtur”. Pastaj, kur problemet do të më dalin përpara, atëherë është koha e duhur që të merrem me secilin veç e veç. Përndryshe nuk do të nisesha kurrë…

Në Oviedo mbërrita nga fundi i mbasdites së 2 qershorit. Bujtina e pelegrinëve ishte jo larg ndërtesës së qeverisë së Principatës së Asturies. Qytetet mbretërorë ruajnë një magji të tyren, të papërsëritshme, të pangatërrueshme me qytetet që kanë nxituar të lënë shenjat e aristokracisë së dikurshme nën hijen e strukturave moderne. Pasi zura vend në një bujtinë (ku tashmë ishte një çift italianësh, një franceze dhe tre hollandezë) dola të njihem me qytetin. Më la shumë përshtypje numri i madh i monumenteve prej bronci, që nga shtatoret e zbuluesve të Botës së re, riprodhime të veprave et Boteros, por edhe ato të dy shitëseve të qumështit, të një fotografeje të qëmotëshme me aparatin e saj të madh, të gjitha në bronc… Veçse magjia e vërtetë e qyteteve të tilla spanjolle qëndron më shumë te sheshet e mrekullueshme, kryesisht katrorë, si oborre të mbyllura a hajate të brendshme shtëpish të mëdha, plot bare, vepra arti e kënde lodrash, ku njerëzit enden qetësisht a kuvendojnë para një shisheje birre (që nuk mund të ishte veçse Estrela de Galicia)… Nga mënyra e kuvendimit, përqëndrimi në biseda, interesi që tregojnë për fjalët e tjetrit përpiqem të kuptoj jetën që bëjnë, peshën e stresit të përditshëm, sa janë të lumtur, sa pjesë të gjakut visigot ka ende në latinitetin e tyre aq të veçantë…

Por atë mbrëmje, më të shumtën e kohës ia ngula sytë një televizori që kisha përballë, me shpresë se diçka do të ndryshonte në parashikimin e shërbimit meteorologjik për ditën e nesërme. Në të vërtetë kisha një aplikacion të tillë në telefonin tim, por nuk desha t’i besoj. Ai, për të nesërmen, ditën e fillimit të marshimit, parashikonte shi të madh, rrebesh fare. Por meqë përditësohej nga Meteo France, shpresoja se meterologët lokalë do të kishin të dhëna më të sakta për motin që do të bënte. E kam të qartë se askush në botë nuk është në gjendje të parashikojë kapriçot atmosferike në mënyrë të besueshme më shumë se për tre ditë, por tamam, ishin ato tre ditë që kishin rëndësi të madhe për mua. Udhëtimi që do të filloja të nesërmen kalonte nëpër kordilierën kantabrike, me kreshtat ende të mbuluara nga dëbora, ku edhe pa rënë asnjë pikë shi, ngjitja është e mundimshme.

Zgjimin në mëngjes na e bënë hollandezët, dy burra dhe një grua, që u ngritën të parët. Në të vërtetë, gjumi më kishte zënë vetëm aty nga mëngjezi, për shkak të gërhitjeve të holandezes që flinte mbi shtratin tim. Pak me vështirësi, por u ngrita. Jashtë dukej se bënte ende natë, por nuk ishte aq herët. Hapa menjëherë telefonin. Asnjë shenjë përmisimi të motit. Shiu ishte kryefjala e ditës. Simboli i reve të zeza me tre vija blu që zbrisnin nga qielli, dukej mjaft kërcënues. Nxitova menjëherë te dritarja. Retë mezi linin të dukej maja e katedrales së famshme të qytetit, San Salvador, që ishte vetëm dyqind metra larg. Por për çudi, shi nuk binte ende. Nuk e kuptoja ku kishte ngecur.

Ndërsa po pinim një kafe në kuzhinën e bujtinës, këmbenim edhe ndonjë fjalë midis nesh, por pa shumë humor. E vetmja që dukej më pak e trazuar ishte Maria, një infermiere franceze nga Bretanja, aty te të tridhjetë vjeçët. Edhe kur përtypej me sytë gjysmë të mbyllur të linte përshtypjen se po bënte një seancë meditacioni. Pastaj dolëm me radhë, duke lënë një takim të hapur për në darkë, por pa fiksuar asnjë fshat se ku. Askush nuk e dinte se deri ku do të mund të ecte, sa km. mund të bënte nëpër male në një kohë të tillë. Mund të qëllonte që edhe të shiheshim gjatë ditës, por duke mos patur asnjë siguri, këmbyem numrat e telefonave, nëse do të kishim nevojë për njëri-tjetrin.

Përveç grupeve që niseshin së bashku që nga vendlindja e tyre, përgjithësisht secili kishte dëshirë të ecte në vetminë e mendimeve të veta. Zaten, për një gjë të tillë kishim ardhur deri aty. E vetmja gjë e përbashkët ishte shqetësimi për motin dhe pothuaj të gjithë nxorën e veshën ponçot e tyre prej mushamaje, me të cilat kujdeseshin të mbronin jo vetëm trupin por edhe çantën e shpinës. Kjo u jepte të gjithëve një pamje të çuditshme, atë të një gamileje të prerë përgjysmë, që ecte vetëm me këmbët e para.

Unë vesha vetëm një polo me mëngë të shkurtra. E kisha të pamundur t’u ngjitesha maleve, i mbërthyer me gjësendi që nuk lejonte ajrimin e trupit. Temperatura që krijohej nën pelerinë ishte gjëja që më kishte munduar më shumë në një udhëtim të tillë të mëparshëm. Parapëlqeja më mirë të ecja i qullur nga shiu sesa i përvëluar së brendshmi nga djersa dhe avulli i trupit tim.

Për të dalë nga qyteti, ecnim të gjithë kokulur, duke ndjekur guackat prej bronci të shën Jakut (Jakovit, po deshët), që ishin ngulur në trotuar për të shënjuar itinerarin e daljes deri në periferi, ku niseshin e zevëndësoheshin nga gurë kilometrikë apo shigjeta në ngjyrë të verdhë, që do të na shoqëronin deri në Santiago, edhe pse orijentimi me to nuk ishte gjësendi fort e lehtë.

Rruga kalonte përmes pjesës së vjetër të qytetit dhe detyrimisht para katedrales së tij, por nuk e dija se aty do të shihja edhe një shtatore të mbretit visigot, Alfonsit II, i cili edhe pse quhet El casto (I papërlyeri), është paraqitur me një trup prej playboy-i. Është ai që e ka bërë sefte këtë histori, se ndodhi tamam gjatë mbretërimit të tij, që diku në Galici, kufirin e së cilës do ta kapërcenim pas nja pesë ditë marshimi,  nisën të bien yje nga qielli. Qe një çudi e madhe dhe sikur të mos mjaftonte kjo, nisi edhe të flitet se tamam në atë vend (që do të quhej Compostela, fusha e yjeve) ishin gjetur  eshtrat e Shën Jakut. Atëherë  ky shoku, Alfonsi, u ngrit e tha:  shkojmë e shohim  njëherë çfarë po ndodh atje. Dhe u nis, duke i çelur kështu rrugë një pelegrinazhi që vazhdon prej më shumë se një mijë vjetësh.

Them unë që duhet të ketë thënë ashtu, por ka fort të ngjarë që ai të ketë thënë: pa ma sillni kalin të shkojmë e shohim çfarë po ndodh atje. Këtu qëndron edhe ndryshimi i vogël midis nesh sot dhe atij mikut që na sheh nga maja e shtatores së tij. Ne jemi më këmbë dhe jo në kalë, megjithëse më tej, do të kalojmë nëpër ca rrëpira të frikshme majë maleve, ku më fort do të parapëlqeja që jetën tua besoja më fort këmbëve të mia se sa të atyre të ndonjë kali, qoftë ai edhe kalë mbreti.

Por, gjithsesi më duhet të pranoj që kishte diçka të këndshme e folklorike tek kaloje para një mbreti e vazhdoje tutje në një rrugë që ai kishte

bërë para teje. Ndihesh më mirë se sa kur kalon para dikujt që të thotë: shkoni ju njëherë se unë do vij më vonë…

Por qe diçka tjetër që i uli diçka tonet marciale të atij parakalimi mbretëror, sepse në atë pjesë të qytetit gjendeshin edhe diskotekat më të frekuentuara. E pra, kishte zbardhur dhe ato nuk ishin mbyllur ende. Për më tepër mjaft të rinj e të reja, me ndonjë shishe në dorë, apo duke tymosur ndonjë cigare (që më dukej fort e gjatë), qëndronin me kurriz të mbështetur në muret e vjetër prej guri dhe ne ndjenim një lloj sikleti nga vështrimi i tyre i turbulluar nga droga dhe alkooli, por pa qenë fare të sigurtë nëse vërtet e vinin re ekzistencën tonë apo jo. Kjo, megjithatë, nuk na pengoi të vazhdonim rrugën, ashtu siç kishim bërë edhe një mijë vjet më parë, edhe pse një interesim më i madh për ne do të ndikonte në ngritjen e moralit tonë pak të ujshëm nga kërcënimi i shiut.

Bulevardet e gjëra dhe ndërtesat madhështore që linim pas dhe pastaj shtëpitë që rralloheshin gjithnjë e më tepër e bënin më pak të dukshme daljen nga qyteti, deri sa u gjendem në shpate kodrash të periferisë që ngadalë u lanë vendin shtigjeve malore, kalimi nëpër të cilat vështirësohej nga mjegulla dhe balta e madhe që kishte shkaktuar shiu i natës së shkuar dhe kalimi i pareshtur i bagëtive që u drejtoheshin kullotave malore.

Kur dikur u dëgjua një zë i largët burri të cilit iu përgjigj lehja e një qeni, që pastaj jehuan njëri duke ndjekur tjetrin në një luginë të thellë, unë pata përshtypjen se kisha zbritur në kohërat homerike. Asnjë gjurmë qytetërimi përreth, përveç një bimësie shpërthyese që kishte mbuluar gjithçka dhe ajrit të ngopur në aroma të mrekullueshme, ekzistencën turbulluese të të cilave e kisha harruar.

Megjithatë ajo që më shqetësonte edhe mua, dukshëm nuk linte të qetë edhe të tjerët.

Marien munda ta mbërrij në një qafë mali. Nxori telefonin nga xhepi dhe ma drejtoi mua. Për të gjitha institutet meteorologjikë, këtu po bëhet hataja nga shiu, tha ajo, duke mos ditur nëse duhej ta hiqte pelerinën e saj apo ta mbante. Mbase ndonjë virus u shtrembëron të dhënat në kompjutera, fola sa për të thënë diçka sepse edhe unë kisha që në mëngjes që nuk gjeja shpjegim për atë po ndodhte. Në këtë rast, le të nxjerrin kokën në dritaret e zyrave të tyre dhe të shohin se nuk po bie shi, ia bëri ajo.

Këtë nuk e kisha menduar: inxhinierë që nxjerrin kokën te dritarja dhe u thonë njerëzve se çfarë moti po bën! Po mbase do të ishte më mirë, sepse edhe stacioni meteorologjik i Oviedos që përditësohej automatikisht çdo minutë, kërkonte të na mbushte mendjen se ne po ecnim nën shi.

– Non pensateci tropo, – bërtiti një grua italiane, që vazhdoi të ecë tutje, pas një burrit të asaj – San Giacomo non ci abbandona.

Po sikur të ketë të drejtë, ia bëri Maria duke qeshur.

U ka ndodhur të gjithëve të zhgënjhen nga parashikimet e meteorologëve, por ai rast ishte mjaft flagrant, se nuk bëhej fjalë për ditët a orët e ardhëshme. Për meteorologët ne ishim duke ecur nën një rrebesh të tillë nga i cili veç barka e Noes do të mund të na shpëtonte.

Por ishte e kotë të vrisnim mendjen për të gjetur ndonjë shpjegim. Rrugët e perëndisë, tha, janë të panumërta…

………………

Shënim: Autori ruan autorësinë mbi shkrimin dhe fotot.

(c) 2018, autori.

2 Komente

  1. Shume e forte kjo:

    “Por, gjithsesi më duhet të pranoj që kishte diçka të këndshme e folklorike tek kaloje para një mbreti e vazhdoje tutje në një rrugë që ai kishte bërë para teje. Ndihesh më mirë se sa kur kalon para dikujt që të thotë: shkoni ju njëherë se unë do vij më vonë…”

  2. Kam lexuar librin e Zotit.D.Kokonozi.Pohon per mikpritje,lidhje qe vijne nga mugetirat e kohes,me basket edhe zakonin e”Kuvadas” qe te grave lehona dhe burrave qe shkembenin,klithmat gjate lindjes se grave,ne murin perbri dhe nuk Kur kishin te drejte,ti preknin grate,pa lejen e tyre,zakon i ngelur nga matriarkati,hasej vetem tek basket dhe shqiptaret ne Europe.Udhetimi dikund mbi dymyjor,i Gjon Buzukut per te sosur shtegtimin e Santiago di Compostela,per tu lutur per viset shqiptare,qe vuanin nen thundren e sundimit Osman.Pjese teper kersheruese neper territoret Baske,pershkimi bazuar edhe me kujtimet,e shkrimtarit amerikan”Per ke bien Kembanat”.Si duket ne kte shkrim ka dashur ,te ma tregoje,aftesine e tij shterzyese shpotitese.Vlen te permenden pikturat peisazhiste,tek ishpallati i oficerave,pa kurrfare shije,art per hir te artit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin