FJALA QË (NA) DALLON

nga Teuta Toska 

Që fjala dhe mënyra si e përdorim dhe e ndërthurim me të tjera fjalë është diçka që na dallon, kjo është një ide aq e njohur në gjuhësi, sa tashmë e dinë edhe ata që nuk interesohen për këtë shkencë – dhe kuptohet se janë shumë. Prej intuite çdokush arrijnë të dallojë, nga mënyra si e përdor gjuhën dhe posaçërisht fjalën, sfondin gjeografik, shoqëror, kulturor të atij që po ligjëron para syve të tyre. Puna e studiuesit të gjuhës sipas fushave të ndryshme (të leksikologjisë, stilistikës, sociolinguistikës, psikolinguistikës, etnolinguistikës etj.) është, ndër të tjera, ta spikatë këtë zgjedhje, ta inventarizojë sipas fushave, të interpretojë fjalët dhe kontekstet e tyre të përdorimit dhe, nëse ia del, të zbulojë edhe mekanizmat që e vënë në lëvizje dhe e sigurojnë këtë energji të pashoqe që gjuha ka për të na dalluar si qenie të përveçme, të ndryshme. Ajo ka fuqinë t’i sigurojë kështu edhe të menduarit tonë lirinë.

Këtë liri dhe pasuri mund ta perceptosh e shijosh në shqipe edhe në një ligjërim që për nga natyra mbahet si i ngulitur mirë, i pacenueshëm nga zgjedhjet e kombinimet individuale, mbi të cilin vigjilojnë institucione përtej shteteve: ligjërimin fetar[1]. E veçanërisht vigjilenca është edhe më e fortë kur bëhet fjalë për thelbin, bërthamën e këtij ligjërimi: tekstin e shenjtë. Në këtë shkrim ne do të ndalojmë te Bibla, teksti më i përkthyer dhe më i lexuar në botë, dhe të spikasim atë dukuri interesante që shfaqet në përkthimin në shqip: fjalën që dallon.

Bibla sot mes shqiptarëve “jeton” në 4 përkthime, e përdorshme edhe në variante historike (V.Meksi, Kristoforidhi në toskërisht dhe gegërisht), e krahasueshme në pjesë të saj edhe me variante të tjera historike (Buzuku, Anonimi i Elbasanit, “Netët Pellazgjike” të Reinholdit, etj.). Ajo gjendet jo vetëm si tekst i shkruar, por edhe si libër elektronik, në version online, në aplikacione të ndryshme dhe mund ta shkarkosh edhe në shqip. Këtu mund të gjeni përkthimin shqip që përdor Kisha Katolike dhe këtu gjeni portalin më të madh online me përkthimet e Biblës, me 1708 variante përkthimi në 1204 gjuhë të botës. Në këtë portal gjenden 7 tekste të shqipes së sotme dhe historike: Versionin “Së bashku”[2], libra të Dhiatës së Vjetër përkthyer nga Kristoforidhi, Bibla e plotë (versioni Diodati), Dhiata e Re e Vangjel Meksit (viti 1827), Dhiata e Re në gegërisht nga Kristoforidhi (1872), Psalmet në gegërisht (1872) dhe toskërisht (1868) nga Kristoforidhi. Ja, këtu mund të shihni Gjoni 1 përkthyer nga Vangjel Meksi më 1827.

Nuk besoj se në 1203 gjuhët e tjera në këtë portal mund të gjenden variante historike të tekstit biblik. Arsyen e kësaj nevoje për ta pasur në shqip tani, të gjallë, pasurinë tonë të mohuar e të harruar e përligj kjo dukuri interesante e shqipes: pas viteve ‘90 të shekullit që kaloi në përkthimet e Biblës priret të zhbëhet hendeku kohor mes nënsistemeve leksikore historike të shqipes “fetare”. Kështu, futen në gjuhën e përkthimeve të sotme zgjedhje leksikore që nga përkthimet e Buzukut e më tej të Meksit, e më fort të Kristoforidhit, dhe shfaqet pak ose aspak ndikimi i gjuhëve të huaja, në rrafshin leksikor. Aty ku gjuha e përkthimit ka kërkuar fjalë të re, është risemantizuar fjala e leksikut të përgjithshëm ose është krijuar një fjalë e re me brumin e vetë shqipes[3].

Për vetë karakterin e veçantë të tekstit biblik, në dy dekadat e fundit[4] është kryer dhe vazhdon të kryhet një punë e madhe për përkthimin e tij, sjelljen e tij në gjuhën e gjallë, rivlerësimin e shtresave historike e tradicionale të leksikut fetar, krijimin e fjalëve të reja që nevojiten gjatë kërkesave për një përkthim sa më besnik ndaj tekstit në origjinal, edhe pse, duhet ta them, përkthimet e sotme biblike në pjesën e tyre më të madhe (me ndonjë përjashtim) nuk janë sjellë nga hebraishtja dhe greqishtja e vjetër[5].

Interesi ynë në këtë shkrim është të paraqesim një dukuri edhe më të veçantë gjuhësore që shfaqet sot në regjistrin fetar të shqipes: identifikimi denominacional[6] (fetar), pra i përkatësisë fetare e brendafetare, përmes fjalëve në gjuhën e përkthimit të Shkrimeve të Shenjta. Ky regjistër i shqipes karakterizon ligjërimin e besimtarëve dhe i bën ata të dallueshëm gjuhësisht në një shoqëri të caktuar. Por, nga mënyra e përdorimit të elementit gjuhësor në përkthim, i bën të dallueshëm madje dhe brenda vetë krishterimit. Realiteti i larmishëm fetar i krishterimit: katolikë, ortodoksë, ungjillorë, por edhe me më shumë ndarje të tjera besimesh e doktrinash, shfaqet me përzgjedhje të veçanta gjuhësore. Siç do të shohim me shembujt më poshtë, fjala, si njësi gjuhësore, bëhet kështu mjet dallues dhe dallon, identifikon, edhe nga ana fetare.

Kemi shqyrtuar në mënyrë krahasuese 4 përkthime të ndryshme të Biblës në gjuhën shqipe, kryesisht të Dhiatës së Re, që janë sot në përdorim:

  1. Bibla, Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, Diodati i Ri, përkthimi 1991-94, Shoqata Shqiptare e Biblës (ABS), me ribotime të ndryshme; botimi më i fundit “Bibla e studimit”, tetor 2009. Përkthimi është bërë nga italishtja nga grup autorësh, nga përkthimi i gjuhëtarit dhe teologut Giovanni Diodati. Për shkurtim do t’i referohemi këtij botimi si “Diodati”. Ky përkthim përdoret nga kisha ungjillore në Shqipëri.
  2. Bibla, Shkrimi Shenjt, Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re, përktheu dhe shtjelloi Dom Simon Filipaj, “Drita”, Ferizaj, 1994. Shkurt këtij botimi do t’i referohemi si DSF. Ky është përkthimi i kishës katolike.
  3. Dhiata e Re, Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, 2007, përkthyer nga një bashkëpunim mes katolikëve, ortodoksëve dhe ungjillorëve, ndaj shkurt njihet si përkthimi “Së bashku”. Përkthimi është kryer nga J.Lena, M.Paloka, Z.Nikolla.
  4. Shkrimet e Shenjta, përkthimi “Bota e re”, shtypur në 2007. Ky është teksti që përdorin sot grupi i “Dëshmitarëve të Jehovait”. Shkurt do t’i referohemi si përkthimi “Bota e re”.
  5. Ndërkohë do të përdorim për krahasim edhe Dhjata e Re, nga Konstandin Kristoforidhi, në dialektin toskë, 1866, nga botimi “Dhjata e re në krahasim”, nga ABS, botimi 2005. Teksti i Kristoforidhit është burim reference në përkthimet “Diodati”, “Së bashku” etj.

Çfarë karakteristike gjuhësore kanë këto përkthime dhe çfarë e ka nxitur shumëllojshmërinë e lëndës gjuhësore në këtë tekst? Përkthyesit dhe entet botuese të këtij teksti u sjellin lexuesve në shqipe një tekst që priret gjithnjë nga eksplorimi i pasurisë leksikore të këtij regjistri në shqipe, shfrytëzimin e mundësive të leksikut të shqipes, duke krijuar në mënyrë të moderuar fjalë të reja, duke shmangur në çdo rast fjalën dhe “gjurmë” të tjera të gjuhëve të teksteve burimore.

Duhet theksuar që në fillim se ndryshueshmëria në këto përkthime ka të bëjë me faktin se ato u përgjigjen kërkesave të ndryshme, si p.sh. besnikëria me origjinalin (apo tekstin burimor në italisht, kroatisht), e mëtuar nga pjesa më e madhe e përkthimeve, sjellja në një gjuhë sa më të kuptueshme, përdorimi i leksikut të përditshëm e të gjuhës së gjallë, ekuivalenca dinamike, që kërkon sjelljen e një teksti sa më të kuptueshëm dhe sa më afër strukturave sintaksore të shqipes, që synon deri shmangien e hendekut historik që shfaqet në tekst (nga njësi matëse të ndryshme, emra historikë, emra të përveçëm etj.), por edhe ruajtjen e traditës së përkthimit dhe të teologjisë së kishës.

Po edhe historia e trazuar e feve ndër shqiptarë, lejimet e moslejimet e saj (së fundi, gjysma e dytë e shek.XX u karakterizua nga një luftë e vërtetë kundër çdo gjurme fetare në ligjërim të shqipes) ka shkaktuar, më së pari, përdorimin e ndryshueshëm të fjalës në përkthimin biblik dhe qëndrimet e ndryshme ndaj kuptimit të saj fetar ose jo në rrjedhë të kohës. “Hyrjet” e “daljet” e feve në kulturën shpirtërore të shqiptarëve kanë sjellë këtë pamje aq të ndërlikuar dhe aq interesante të përkthimeve, por edhe të ligjërimit popullor fetar të shqipes. Në rrjedhë të kohës një pjesë e leksikut fetar ka humbur (si p.sh. kompozitat e gjuhës së gjallë për emrin e Zotit, forma të ndryshme rasore, që shfaqen te Buzuku, si: Zotynë, Tenëzonë, i Tinëzot, Biri i Tinëzot, n’Sinëzot); e njëjta fjalë ka hyrë disa herë në shqipe (si lëmoshë, mëshirë; apo kem (qem, qemqem), thimjam, temjan; ose i kërshtenë, i krishterë, kristian; Kërshëndella, Krishtlindje), duke pasqyruar faza të ndryshme të zhvillimit të shqipes; për të njëjtën fjalë-koncept përdoren sinonime të plota në shqipe (jetë e përjetshme, e pasosur, e amshueshme, e përhershme); kemi “rifreskime” të leksikut të shqipes, rivlerësime dhe risemantizime, si p.sh. në përkthimet e Kristoforidhit, përdorimi i fjalëve të leksikut të përgjithshëm, si: punë, falje, besë, qëroj, nxënës, bini ndër mend, faj, fajtor, farë, bëj të drejtë etj. Një realitet shumë interesant është pamja e larmishme e varianteve të emrave të përveçëm biblikë, hebraikë (të përhapur në përdorim, si Isak, Izak, Ishak ose edhe pak më të rrallë, si Jozuehu, Jozueu, Josiu, Josheja etj.), ose dhe të traditës jetëgjatë të krishterë, si: Gjon, Joan, Johan, Jan etj.; Pal, Pavël etj. Këtu duhet të themi se kemi dy tradita kryesore të dallueshme: katolike dhe ortodokse. Por shtohet edhe ajo e krishterimit të ri ungjillor me trajta emrash biblikë nga forma që gjendet në tekstin biblik (Luka, Mateu, Mikea, Matia, Joel, Jonathan / Xhonatan etj.)

Por, nga ana tjetër, analiza e përkthimeve të ndryshme do të shfaqë përzgjedhjen e qëllimshme të mjeteve gjuhësore (fjalë e togje fjalësh), që sjellin edhe dallimin gjuhësor mes denominacioneve të krishtera sot në Shqipëri.

Jam përqendruar në konceptet më të rëndësishme të krishterimit për ta sjellë edhe më qartë këtë ndryshim gjuhësor mes përkthimeve, ndryshime që, sipas meje, i ka kërkuar qasja e ndryshme interpretuese mbi tekstin ose që është përvijuar e tillë pas përzgjedhjes së fjalës-shenjë. Dhe janë lënë jashtë hetimit ndryshime që burojnë nga përzgjedhja individuale e përkthyesit/përkthyesve, variacione të pritshme, të trajtës morfologjike dhe rendit sintaksor, të cilat nuk mbartin kësi dallimesh në interpretim. Për të qenë koherentë, ka edhe raste morfologjike që sjellin dallime doktrinare, por këto janë të pakta [p.sh. një e tashme në vend të ndonjë kohe tjetër, të trajtës së shquar në vend të së pashquarës etj.].

Mund të dallojmë fare qartë sipas meje fjalën-shenjë të qasjes interpretuese e doktrinore në këta shembuj: raporti besim/fe: në “Diodati” dhe në përkthimet e tjera fjala “fe” është mënjanuar pothuajse në të mirë të fjalës “besim”. Ai gjendet vetëm në 2 raste në këtë përkthim dhe të dyja rastet në një varg. Kurse në DSF fjala “fe” përdoret gjerësisht. Krahaso, p.sh.: Mateu 9:22, “Ki besim, o bijë! Feja (besimi yt) jote të shpëtoi!”, ndërkohë Kristoforidhi ka një fjalë edhe më të përgjithshme, besa. Ose përkthimi “Së bashku”, Vep.15:9 “Ai i pastroi zemrat e paganëve me anë të besimit…” dhe DSF “…me anë të fesë i pastroi zemrat e tyre.” Si një rast të skajshëm do të përmendim përkthimin “Bota e re”, i cili mëton se sjell përkthimin më besnik të Shkrimeve dhe kështu kërkon edhe një shkëputje nga tekstet e tjera pararendëse për disa zgjedhje, si: shtyllë në vend të kryq, Zotëri në vend të Zot, apo parafraza për fjalë që ekzistojnë në gjuhë posaçërisht si të leksikut fetar, si: dashamirësi e pamerituar për hir; të bësh nderime për adhurim; shërbim i shenjtë për shërbesë etj.

Te Gjoni 5:24 shfaqet qartë dallimi doktrinar në përkthim. DSF ruan mbiemrin tradicional “e pasosur” në konceptin “jetë e pasosur”, e cila shfaqet edhe te përkthimi i V.Meksit (1819), përkthimi Diodati përdor “jetë e përjetshme”, që vjen që nga Kristoforidhi dhe që ka zënë vend gjerësisht në leksikun e shqipes (dhe karakterizohet si fetare, Shih Fjalori, 1980); përkthimi “Së bashku” përdor “jetë e amshuar”, fjalë me ngjyresë tipike tradicionale. Ajo shfaqet që te Buzuku (Ai që kaa bessë mbë muo, kaa gjellënë e amëshuome). Përthimi i “Bota e re”, nga ana tjetër, përdor “jetë e përhershme”. Ky mbiemër, në strukturën e vet, ngaqë përmban në rrënjë një koncept kohor (herë), parapëlqehet kundrejt fjalës tjetër të përhapur që sjell idenë e një jete tjetër (ose të shumë jetëve të tjera) të ndryshme nga kjo e tanishmja. Qartazi një qëndrim teologjik i këtij denominacioni.

Një pjesë e mirë e përkthimeve zgjedhin fjalë të leksikut të përgjithshëm, duke pasur qëllim të kuptohen nga një masë sa më gjerë e lexuesve, ndërsa DSF-ja zgjedh të përdorë në tekst fjalë që qartësisht lidhen me shtresën fetare (të krishterë katolike) në leksikun e shqipes, p.sh. të gjitha përkthimet kanë shpëtim, shpëtoj, Shpëtimtar, i shpëtuar, ndërkohë që teksti katolik ka shëlbim, shëlbej/oj, Shëlbyes, i shëlbyer; ose vullnesa te DSF-ja, ndërkohë që të gjitha tekstet e tjera kanë vullneti (u bëftë vullnesa/vullneti yt, Mateu 6:10); ose fjala “skandal” në Diodati shfaqet kryesisht “shkandull” në DSF, ndërsa “Së bashku” përdor diku një parafrazë, diku një sinonim (po më pengon, pengesë, fyerje etj.), njësoj edhe përkthimi “Bota e re”. Po ashtu mund të sjellim dallimin mes fjalës “lutje”, “uratë” dhe “falje”, sinonime thuajse të plota, veç në përkthime të ndryshme. Shmangia e fjalës “falje” tek të krishterët ungjillorë në të mirë të “lutje” lidhet sot me një interpretim doktrinar, sipas të cilit vepra e Krishtit ka siguruar faljen e plotë. Zgjedhja e njërës fjalë në vend të tjetrës bëhet shenjë për të dalluar veten dhe grupin.

Një rast tjetër interesant është përdorimi i fjalës shabat/sabat/e shtunë. Duke dashur të sjellë një përkthim besnik, por edhe në gjuhën e gjallë, fillimisht “Diodati” zgjodhi në pjesën më të madhe të përdorë në tekst fjalën “e shtunë”. Pas vitit 2009, fjala “e shtunë” është mënjanuar gjerësisht dhe zëvendësuar në tekst me “shabat”. Arsyeja është se “shabati” jo vetëm lidhej me ditën e fundit të javës (që për pjesën më të madhe të shqiptarëve mendohet se është e diela), por edhe se “shabati” shfaqet shpesh në tekstin e Dhiatës së Re jo vetëm si një nocion kohor, por si ditë e veshur me ritual fetar (ditë pushimi, përkushtimi fetar, feste hebraike etj.). Përkthimi DSF dhe “Së bashku” kanë rregullisht “e shtunë”, ndërsa “Bota e re” përdor gjithnjë fjalën “sabat”.

Por, nga ana tjetër, duhet të thuhet se përkthimet e ndryshme biblike shfaqin edhe elemente leksikore dhe ndërtime sintaksore të konsoliduara (kështu mund të themi se Lutja e Zotit, Mateu 6:9-13 [Ati ynë që je në qiell] është një tekst që shfaqet në përkthimet e reja pa ndryshime të rëndësishme, thuajse njësoj). Kështu ndër fjalë-konceptet më të konsoliduara në të gjitha përkthimet janë: agjërim, bekim (bekoj, i bekuar), i shenjtë, pendim, kryq, hir, apostull, besoj, e dhjeta, hyjni, kthej (në besim), i/e pajtuar, rrëfej, bari etj.

Si përfundim, lënda gjuhësore e tekstit biblik ka ndryshuar shpesh, jo vetëm për shkaqe historike (që lidhet me ndryshimin e zakonshëm që pëson gjuha në rrjedhë të kohës). Kjo lëndë gjuhësore është dëshmi e ndryshimeve dhe ndikimeve shoqërore, politike e kulturore, pasqyrë e luhatjeve shpirtërore të një shoqërie sot me një larushi fetare. Por, nga ana tjetër, kjo i ka sjellë shqipes një gjallëri të madhe, pasurim të kësaj shtrese të leksikut, ka vënë në lëvizje fuqinë e saj për t’iu përgjigjur kërkesave të vijueshme prej përkthyesve dhe atyre që i kërkojnë këto përkthime. Kështu, edhe pse një pjesë e vlerësojnë ligjërimin fetar të ngulitur, të ngurtë, dogmatik, që nuk duhet të cenohet prej zgjedhjeve individuale, shqipja ia del për të na dalluar si qenie të përveçme, të ndryshme, të lira për t’u shprehur brenda kornizës së përvijuar qartë të gjuhës së tekstit biblik dhe të doktrinave mbi të.

(c) 2018, autorja


[1] Dy janë institucionet që ruajnë dhe kanë kujdes për përkthimin dhe shpërndarjen e këtij teksti: institucioni fetar i krishterë (Vatikani, Kisha Ortodokse, ente të krishtera që merren me botimin etj.) dhe droja e individit nga Ai që është mbi gjithçka dhe që ky (individi) ka sigurinë se është.

[2] Do t’i shpjegoj më poshtë këto versione në shqipe sot.

[3] Përmendim vetëm gjallërimin dhe zgjerimin e këtyre çerdheve, si: i shenjtë, të shenjtët, shenjtëri, shenjtërim, shenjtëroj, shenjtërore, i shenjtëruar, të shenjtëruar, shenjtor/e. Ose i drejtë, drejtësi, të drejtët, drejtësoj, i drejtësuar, drejtësim etj. Ose nga përlëvdoj, kemi të përdorur edhe përlëvdim, i përlëvduar etj.

[4] Pavarësisht se është teksti më jetëgjatë në shqipe, është, si paradoks, edhe një përkthim i vonuar në shqipe. Bibla arriti të përkthehej e të botohej e plotë në shqip vetëm në vitin 1994. Në këtë vit teksti u botua më në fund në mënyrë të plotë nga dy ente botuese, që përfaqësonin edhe dy drejtime të krishterimit në Shqipëri: ungjillorët dhe katolikët.

[5] Sot ata që mund të mos jenë të kënaqur nga ky fakt dhe duan me domosdo një siguri për saktësinë e tekstit në shqip në lidhje me tekstin origjinal mund ta gjejnë atë lehtë online në http://biblehub.com/interlinear/

[6] Me “denominacion fetar” kuptohet zakonisht një grupim i gjerë i komuniteteve fetare, të bashkuara në një besim dhe emër(tim) të përbashkët, nën një administratë dhe hierarki të njohur ligjërisht. Në këtë studim e kemi më shumë fjalën për ndarjet e larmishme brenda krishterimit, si: katolikë, ortodoksë, protestantë, ungjillorë, baptistë, anabaptistë, kalvinistë, luterianë, presbiterianë etj. Pra, një grup që dallohet prej një interpretimi të veçantë të tekstit biblik, për rrjedhojë edhe të një doktrinë të veçantë fetare dhe që zakonisht ka organizimin e vet.

3 Komente

  1. Po përse duhet t’i vesh fjalët e titullit në kllapa? 🙂

    1. Kuptimi eshte: Fjala qe dallon; nenkuptimi eshte: fjala qe na dallon. Por per te nxjerre kuptimin e kuptimit, duhet lexuar artikulli, gje per te cilen une jam pertac.

      1. Është faji i shtypit tonë, që i përdor me shumicë fjalët në kllapa në titull, aq sa e ka bërë në modë. Pasi gazetarët janë tepër përtacë për të bërë një lojë të thjeshtë fjalësh, ose ta vrasin mendjen të gjejnë një titull për shkrimin – është më e vështirë sesa duket! Gjithmonë më ka bërë përshtypje. Nëse është diçka për t’u thënë, thuhet! Nëse është diçka për t’u lënë pa thënë në titull, mund të lihet. 🙂 Po një bashkëjetesë e këtyre të dyjave, është… nuk e di! S’di ç’të them.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin