HERONJ TË HESHTUR, HERONJ TË LËNË NË HESHTJE

Kaq e kanë tepruar me mburrje dhe legjenda, vitet e fundit, heronjtë e zhurmshëm si nga Shqipëria (si dhjetoristët) dhe sidomos nga Kosova (komandantët legjendarë), sa e kanë risjellë në ligjërim epitetin kitsch hero i heshtur, të cilin regjimi totalitar i Hoxhës e përdorte për punonjësit e Sigurimit të Shtetit, zbuluesit, kundërzbuluesit, hafijet dhe provokatorët.

Por sot ky hero i heshtur nuk është se doemos vë kokën në rrezik ose martirizohet “në krye të detyrës” (ja një klishe tjetër), pa kërkuar doemos bujë, mirënjohje, dekorata, ofiqe dhe parada; sepse epiteti, për shkak të një rrëshqitjeje semantike karakteristike për kohët që jetojmë, ka filluar të përdoret rëndom për të shënjuar njeriun modest, “pa llafe”; atë që nuk ngre zërin, që “nuk bën zhurmë”, që nuk ankohet, që nuk proteston, që “nuk kërkon protagonizëm”; njeriun “që sheh punën e vet” dhe nuk revoltohet, madje as kur sheh dhe i bëhet e qartë se frytet e kësaj pune po ia gëzojnë të tjerët. Nëse është hero, është sepse duron pa protestuar.

Rikthehuni qoftë edhe pak sekonda te karakteristikat e mësipërme – dhe ashtu do të gjeni, në to, portretin e vartësit model të një shefi e sidomos të një bosi arrogant, i cili kërkon nga të tjerët që t’i bëjnë punët, por të mos i hapin punë; duke u shndërruar madje në mishërimin ideal të mjedisit ku ëndërron të punojë e të menaxhojë Arroganca. Ky pseudo-virtyt kinse i krishterë, i nxjerrë nga ndonjë katekizëm i dorës së tretë dhe i grasatuar me hipokrizinë etike të shkollave të së dielës, lëvdon njeriun kokulur, të bindur, të urtë, besnik, të gatshëm të zbatojë gjithçka që i kërkohet dhe pastaj ta thyejë kurrizin më dysh sa herë që i del përpara eprori; ose pikërisht atë personazh që – le ta themi – ua mundëson bosëve të sotëm të sundojnë të pasfiduar, të pakontestuar, të pavënë në dyshim e në diskutim. Ky njeri që shpesh përfundon i përdorur si qilim ku autoritetet dhe pushtetarët duan të fshijnë çdo ditë këpucët e llangosura, për t’i dhënë vetes iluzionin se “ka edhe njerëz të ndershëm, të virtytshëm, të drejtë…”, si antidot ndaj paranojës se “jemi të rrethuar nga mosmirënjohës, xhahilë, dembelë…”

Po çfarë e mundësoi pikërisht këtë rehabilitim të heroit të heshtur në diskursin publik? Me gjasë, ishte përçudnimi i të drejtës së fjalës, së fituar rishtas dhe ndoshta për herë të parë prej qytetarëve të republikës, dhe të rrëgjuar sakaq në lehje, pëllitje, angullimë, blegërimë, hingëllimë, zhuzhimë, zukamë, hungërrimë; ose përdorimi i fjalës si armë për të shpifur ndaj tjetrit, për ta mbuluar këtë me të pëgëra, për të shpifur, për të provokuar, për të nxjerrë inate të vjetra; shkurt, abuzimi me fjalën dhe trajtimi i saj si produkt ekskremental të mendjes. Përballë kësaj lukunie ulëritësish, ata të tjerët – më të drojturit, më të butët, më të tërhequrit, më të mbyllurit në vete, kushedi edhe më sqimatarët; por edhe më frikacakët, ata që e kanë mizën nën kësulë, ata që kanë ndërgjegje të keqe, ata që presin shkeljen e syrit, befas e panë veten të ngjitur në piedestalin e virtytit.

Dhe ndoshta jo po aq befas, pushtetarët – të kundërshtuar, të përgojuar, të kritikuar, të llangosur, herë me të drejtë e herë pa të drejtë, nga të gjitha anët; për dështimet e tyre, paaftësitë flagrante, gënjeshtrën, hipokrizinë, egërsinë, nepotizmin, korrupsionin, ose edhe thjesht pordhën – zbuluan se njeriu i duhur, ose subjekti që do të dëshironin të kishin marrëdhënie dhe t’i kërkonin votën, zbatimin e urdhrit, fjalën e mirë, lajkën, taksën, duartrokitjen, tufën me lule, fëmijën për t’ia pagëzuar, besnikërinë (“besën e shqiptarit”) ishte pikërisht ky hero i heshtur, njeriu që nuk flet, njeriu që nuk qesh, njeriu që i mban të gjitha përbrenda, njeriu që ka frikë, njeriu që ka drojtje, njeriu që djersin në publik, njeriu që është kapur peng i shqetësimeve për pasojat.

Në një botë ku jo të gjithë janë njëlloj ekstrovertë, të guximshëm, të gatshëm për të kërkuar drejtësi dhe për të ngritur zërin në protestë, të urtët e panë kështu veten të përzgjedhur si qytetarë shembullorë, të cilëve meritat gjithnjë do t’ua përmendin pushtetarët, këta të fundit në kërkim të shelbimit, ose të një shkasi sado qesharak, për t’u rehabilituar moralisht në sytë e vetes dhe të ndjekësve që u kanë mbetur.

Po e ilustroj këtë, ngaqë e kam më të lehtë, me maninë që i ka zënë disa për t’i quajtur përkthyesit letrarë – zakonisht menjëherë pasi këta vdesin – heronj të heshtur. Edhe pse profesioni dhe sidomos pasioni i përkthimit është i tillë, që të përqafohet zakonisht nga njerëz introvertë, që preferojnë vetminë ndaj shoqërisë së zhurmshme, që punojnë në studio dhe në biblioteka (ndonjëri madje edhe në krevat), që nuk janë ekzibicionistë dhe as synojnë ta kalojnë fundjavën duke u ushtruar në sportin e bukur dhe popullor të aeronautikës akrobatike ose në sportin tjetër, po aq të bukur dhe popullor, të mundjes në baltë. Janë, pra, vërtet të heshtur, sepse vështirë të përfytyrohet një përkthyes të themi i Dickens-it ose Musil-it të kalojë kohën me muhabete të zjarrta te një pikë bastesh, ose i ftuar përnatë në debatet televizive, duke i thënë tjetrit: “unë nuk të ndërpreva kur ti fole, tani mos më ndërpre ti mua”. Nëse janë apo jo heronj, kjo është çështje tjetër dhe duhet debatuar; por në kushte të barabarta, unë do të quaja hero më shumë dikë që futet në një ndërtesë të përfshirë nga zjarri për të shpëtuar një plak paralitik, sesa atë tjetrin, që e kalon ditën në tavolinën e punës, me macen në prehër. Nëse hero është ai që admirohet për akte të guximshme, vetëmohuese, ose virtyte tejet frymëzuese, atëherë ky cilësim do t’u shkonte më shumë deri edhe agjentëve under cover të Sigurimit të Shtetit, që depërtonin në bandat anti-komuniste gjatë viteve të para pas Çlirimit, të cilët të paktën e vinin vërtet kokën në rrezik, për hir të një kauze tek e cila besonin. Përndryshe, nuk ka ndonjë gjë veçanërisht heroike që të përkthesh, dhe as e sidomos që të pranosh pa protestuar anonimitetin, përvetësimin e punës dhe sidomos të lavdisë, injorimin prej autoriteteve, nëpërkëmbjen dhe lënien mënjanë. Të gjitha këto të fundit, nëse ndodhin, të bëjnë viktimë; por ka një distancë, madje një hendek në mos humnerë, që e ndan viktimën nga heroi.

Para pak ditësh, në një ceremoni kushtuar çeljes së “Klubit të leximit të letërsisë austriake”, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro përmendi, në fjalën e saj, edhe përkthyesin Afrim Koçi. Modeli perfekt i përkthyesit hero të heshtur, e quajti Kumbaro këtë përkthyes; duke elaboruar më tej: “rrallë në shoqërinë shqiptare i është dhënë vendi i merituar figurës së përkthyesit, bashkautorit të fshehur të veprave letrare, lëvruesit dhe pasuruesit të mençur të gjuhës shqipe, urëndërtuesit të paemër që i gëzohet shkëmbimit kulturor pa pretenduar asnjëherë autorësinë e sipërmarrjes munduese. Afrim Koçi përbën modelin më të mirë të kësaj figure.”

Ka shumëçka që nuk shkon në këto përdëllime. Mua nuk më rezulton që në shoqërinë shqiptare të mos i jetë dhënë vendi i merituar figurës së përkthyesit – ne që merremi me letërsi dhe kulturë, kemi dëgjuar të flitet shpesh me nderim për Fan Nolin, Dhimitër Paskon, Gjon Shllakun, Pashko Gjeçin, Spiro Çomorën, Halit Selfon, Bujar Dokon, Pashko Gjeçin, Sotir Papariston, Vedat Kokonën, Klio Evangjelin, Mahmut Bobratin, Neka Turkeshin, Sotir Cacin, Ali Hashorvën, Robert Shvarcin, Isuf Vrionin, Misto Treskën, Enver Ficon, Petro Zhejin, Jorgji Doksanin, Henrik Lacajn dhe më të rinjtë, si Afrim Koçin, Edmond Tupen, Aurel Plasarin, Mira Meksin, Shpëtim Çuçkën dhe Ardian Klosin[1]; sa për të përmendur disa pak emra. Puna e tyre admirohet dhe shpesh sillet si shembull.[2] Nëse ka pasur përkthyes vërtet “të heshtur”, në kuptimin “anonimë”, këta kanë punuar nga burgjet dhe kampet e internimeve; dhe ata nuk janë lejuar të përmenden, si autorë të përkthimeve përkatëse. Përndryshe, puna e tyre jo vetëm është njohur rregullisht, në kuptimin që nuk ka pasur gjë “të fshehur” në punën e tyre, por edhe është paguar. Aq më e vërtetë është kjo sot, kur përkthyesit vazhdojnë të paguhen – edhe pse si rregull jo në standardet europiane – në një kohë kur artistët, me pak përjashtime të rralla, nuk përfitojnë asgjë nga veprat e tyre origjinale.

Më pak është studiuar kontributi i përkthyesve në “lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe” – një fushë e cila pa diskutim do të meritonte vëmendje dhe përkushtim; por nga ana tjetër ndoshta më mirë që nuk është studiuar, sepse po të gjykojmë nga cilësia e hulumtimeve ekzistuese, në hapësirën shqiptare, për kontributet e shkrimtarëve në “lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe”, do të konstatojmë se këto janë kryer me një metodologji primitive, tejet të ideologjizuar, shpesh krejt të gabuar, që i trajton fjalët si të ishin collectibles dhe që e keqkupton ose nuk e kupton fare raportin midis neologjisë stilistike (ose figurave leksikore), terminologjisë dhe pasurimit të mirëfilltë të leksikut.

Edhe më enigmatik është përcaktimi i përkthyesit si “urëndërtues i paemër që i gëzohet shkëmbimit kulturor pa pretenduar asnjëherë autorësinë e sipërmarrjes munduese” – dhe jo thjesht sepse është pa kuptim, ose bombastik. Nëse përkthyesi i gëzohet apo jo shkëmbimit kulturor, kjo është diçka irrelevante; ose po aq relevante sa edhe, të themi, që përkthyesi i gëzohet dacit që i është ulur në prehër. Që përkthyesi “nuk pretendon asnjëherë autorësinë e sipërmarrjes munduese” kjo është thjesht e pasaktë, në mos e pavërtetë; sepse shumë përkthyes janë në ballë të këtyre sipërmarrjeve – sikurse Ministrja Kumbaro e di mirë, ngaqë edhe punon me ta në të njëjtin institucion. Po aq i flluCkët është edhe epiteti “i paemër” (për të mos folur për neologjizmin urëndërtues, i cili e ka vendin në ligjërimin biblik); sepse përkthyesi nuk është i paemër, përveçse kur e lë censura pa emër; dhe mundimi i tij, sikurse e cekëm më lart, nuk është dhe kaq më i madh se, të themi, mundimi i një furrtari që pjek pica ose i një kirurgu plastik që skulpturon cica. Nëse përkthyesi, si punëtor i mendjes, është po aq viktimë e sistemit që mban në këmbë dhe riprodhon qeveria – e së cilës është anëtare edhe Ministrja Kumbaro – sa edhe pjatalarësi, punonjësja e call center-it, ose furrtari i pizza-ve, ose manikyristja e TV Kamzës kjo nuk i riderdh gjë këta në bronzin e heroit; dhe nëse të nëpërkëmburit vendosin të rrinë të heshtur, kjo i shndërron ata dashur pa dashur në riprodhues të një sistemi që ua përvetëson punën dhe gëzimin e jetës; sërish, asgjë për t’u mburrur, sa kohë që Ministrja Kumbaro nuk është edukatore kopshti, që ngazëllehet ngaqë fëmijët i rrinë urtë dhe nuk i krijojnë probleme.[3]

Regjimi totalitar pat abuzuar me përkthyesit – sidomos me ata që vinin nga shtresa të përndjekura e të deklasuara, dhe që e kishin akumuluar kulturën e tyre, edhe atë gjuhësore, në regjime të tjera. Fati i Isuf Vrionit, që përfundoi një ditë përkthyes i zgjedhur i shkrimtarit Kadare, të miratuar të përfaqësonte letërsinë shqiptare të Realizmit Socialist në Perëndim, nuk duhet të na lejojë të harrojmë të gjithë ata Vrionë të tjerë – këtë herë përnjëmend të heshtur – që nuk u lejuan të shfrytëzojnë kapacitetet e tyre kulturore të jashtëzakonshme, si përkthyes, si artistë, si inxhinierë, si ekonomistë, si njerëz të talentuar dhe produkt investimesh të brezave paraprijës. I gjithë ky persekutim i shkëlqimit intelektual, në emër të luftës së klasave, ende pret historianët e vet kulturorë që ta përshkruajnë.

Por sot nuk mund të flitet me të njëjtën gjuhë; dhe sërish, kur një Ministre e Kulturës thotë se “rrallë në shoqërinë shqiptare i është dhënë vendi i merituar figurës së përkthyesit, bashkautorit të fshehur të veprave letrare […]” vështirë të mos mendosh se kjo pushtetare e lartë, e ngarkuar me detyrën që të kujdeset për kulturën, madje e paguar nga qytetarët për t’u kujdesur për kulturën, e ka në dorë të bëjë shumë për ta ndrequr këtë “diskriminim” që ka konstatuar, në trajtimin e “përkthyesve heronj të heshtur”, për shembull duke vendosur madje imponuar tarifa standard për përkthimet letrare dhe duke mos lejuar që shtëpitë botuese të abuzojnë me tarifat; por edhe duke imponuar standarde të cilësisë për përkthimin të tilla që të ndihmojnë evidentimin e profesionistëve të mirëfilltë, përkundrejt përfituesve, sharlatanëve dhe parazitëve. Praktika e dhënies së disa ndihmave ministrore “simbolike” për përkthime veprash letrare është jo vetëm e pamjaftueshme, por edhe e tillë që e maskon problemin, duke i lejuar palët të fshihen prapa gishtit (të manikyruar). Madje, nëse gjatë kohës së regjimit totalitar përkthimit letrar, si veprimtari kulturore, i duhej të përballej me censurën e rreptë dhe ksenofobinë shtetërore, sot ky lloj përkthim, për shkak të mangësive financiare dhe shpenzimeve krejt të zhbalancuara të institucioneve përkatëse, përfshi këtu edhe vetë Ministrinë e Kulturës, është kthyer në një apendiks të departamenteve kulturore të fondacioneve shtetërore të vendeve mike dhe të ambasadave përkatëse, të cilat mbështetin financiarisht vepra që përkojnë me interesat e tyre politike; në një kohë që vetë Ministria dhe institucione të ngjashme shpenzojnë shuma marramendëse në valutë, për të mbështetur aktivitete me natyrë populiste, propagandistike, kitsch-kombëtariste, kitsch-folklorike dhe thjesht kitsch-turistike.

© 2018, Peizazhe të fjalës. Ndalohet çdo lloj riprodhimi pa lejen e një administratori të kësaj reviste.


[1] Po citoj nga kujtesa; me siguri kam lënë jashtë emra të shquar.

[2] Nga Afrim Koçi kam lexuar gjëra të mira, edhe pse nuk hyn ndër përkthyesit e mi të preferuar. Por përkthimi i tij i vonë, i romanit “Kasandra” nga Christa Wolf, më është dukur përgjithësisht i palexueshëm.

[3] Në një ndërhyrje tjetër të para ca muajve, po kjo ministre ka quajtur deri edhe Kasem Trebeshinën “njeriu pa bujë” – ose pikërisht njeriun që nga disa të tjerë njihet si nga të paktët disidentë të hapur të pushtetit totalitar.

6 Komente

  1. Te midisit,ndermjet dy skajeve,heronjte ngrehaluca,rrehagjoksa&heronjve larg turmes,lukunise.Keta deledashe me mendesi bujkrobi,jane force qenderikse,jo qendersynuese.Flasin me mburrje per lemi qe i njohin siperfaqsisht,ndersa hiqen si teper te ditur,ne lemine per te cilen jane diplomuar,kur diplomen jo vetem e kane marre ne nje Universitet fantazem,si Kristali por me e keqja,e kane marre me sekser,me para nen dore.Flasin gjith kohen ne shkalle siperore,per bashkshortet papushim,kur kane nje jete familjare rrenoje.Flasin ne shkalle siperore pa pushim per prinderit,kur me ta i bashkon vetem e diela,pasi te dalin bashke per nje shetitje,te shkojne bashk ne bregdet apo per verim,ose eshte e parrokshme,ose jane peng te lagjes,kujtimeve te qytezes prej nga vijne,ose shohin sebashku emisione edukative”Big brother Portokalli E diela Shqiptare Lufta e nuseve Dua te bej te lumtur etc”.Me pak fjale perftim virtual kenaqesie,permes majmunerise se cirkut karnavalesk,qe dikton media e spektakeve mediokre,shto si pjese te menyse telenovelat,qe shihen familjarisht.Flasin per libra dhe te keshillojne,kryeveprat e Brunilda Zllamit dhe Daniele Steel, apo Dan Brown Harry Potter.Flasin per muzike,ndersa jane ndjekes te thekur te,Kenges Magjike Festivalit te RTSH Çmimeve te MTV Virtuozet e Rinj(me Inva Mulen) Voice Kids Voice per te Rritur etc., per kinematografi, shohin filma Aksion Horror Triller Fantashkence Pornografik,tek kinema Millenium,ku kta filma shfaqen per jave te tera,kurse nje Film Autor nuk e kan pare,pasi kinemaja si biznes qe eshte,e ka pare qe kta filma skane shikueshmeri,edhe dy dite qe qendrojne,as çereku i salles se kinemase se vetme,ne kryeqytet nuk mbushet.Flasin gjithmone ne numrin shumes,te grigjes se pangjyre,te njetrajtesise shkretinore,qe perfaqsojne.Kta jane pjese e limbos Danteske,heronjte e heshtur,qe as te vrasin,e as te falin,pjese e pezullise pluskuese te Detit te Vdekur.Dy fjale per perkthyesit:Orhan Pamuk”Un jam e Kuqja” perkthyer nga Drita Çetaku,Meša Selimoviç”Dervishi dhe Vdekja” perkthyer nga Ben Andoni,Bohumil Hrabal”I kam sherbyer Mbretit te Anglise” perkthyer nga Pirro Milkani,tre perkthime nga origjinali,shume te mira te tre kryeveprave,te panjohura nga shijuesit,e letersise se mirfillte,te tre perkthyesve,qe nuk e kane zanat te mirfillte,perkthimin.

  2. “Heroi” “anglo-sakson” ka zene hapsirat publike te shqiptarve te varfer, ne dominim ndaj “mos-krenarise” “greko-romake”, (i futa ne thonjza per ta kuptuar pllakatizmin qe po perdor, e i cili na ndihmon ta kuptojme “heroizmin” e tanishem “shqiptar”), si me i thjeshte ky ne identifikimin dhe identitetin personal, bashkngjitur (ne fakt: arnuar) atij kombetar, dhe per shkak se kjo bote e ashtuquajtur anglo-saksone po dominon sot jeten ne Europe, perfshi edhe Shqiperizen e mbetur troke dhe te varur nga kjo bote e pasur anglo-saksone. Kjo lloj forme “e re” identifikuese, vazhdim i asaj “socialiste” te heronjve te heshtur komuniste, e c’emulson faktorin kombetar, duke i dhene kultures se caktuar popullore nuancat e koloneve, dikur atyre ushtarve te bindur te “internacionalizmit komunist”, sot te “europianizmit” perendimor liberal. Me shume nuk i duhet kapitalit te madh perendimor, per te kontrolluar nje vend.

  3. Harrova te shtoj se, padashur edhe Ardiani ka rene ne kete gracke “heronjsh”, (panvarsisht se ai e kritikon kete fenomen), teksa gjate trajtimit te ketij fenomeni nuk dallon ate kryesoren ne punen e djeshme te perkthyesve, qe ata formuan ne mase te madhe ndergjegjen dhe karakterin e 1-2 brezave me punen e tyre, pra futen tek nje pjese e madhe e popullsise karakteristikat me njerezore te njeriut/ njerezimit permes librave te perkthyer, pa te cilat nje popullsi e caktuar mund te shperbehet pergjate kolizioneve te ndryshme. Ndaj puna e perkthyesve shqiptare pergjate “socializmit” eshte mjaft per tu nderuar. Pastaj trajtimet “anglo-saksone” te heroit dhe jo-heroit, jane thjesht tregues te ndikimit te kesaj bote dhe, jo ralle, tregues te shperberjes se nje kombi te caktuar.

  4. Ajo që më ka bërë gjithmonë përshtypje në lidhje me heroin socialist, si dhe “njeriun e ri” – koncept kushtetues ky – të socializmit në përgjithësi, është mungesa e asaj që të lashtët e quanin “hybris” – një përbërës i domosdoshëm i tragjedisë greke, diçka pa të cilën ajo nuk mund të shpalosej dot. Dhe më shkoi ndërmend se në shoqërinë komuniste të para viteve ’90 furnizimin me “hybris” e bënin gjithë të tjerët; ishim ne sfondi përballë të cilit njeriu sublimohej e ngritej në rang heroi pikërisht për faktin se ishte treguar konsekuent me vijën e partisë etj. etj. Përballë heroit ishte e pamundur të ruaje një pamje të qetë, pasi brenda tij strehohej ajo grimcë plot shkëlqim e ndërgjegjësimit politik e klasor të cilin masat duhej ta ndiqnin si shembull e ta vinin plot zell në zbatim. Kjo e fundit përligjte edhe ekzistencën e këndeve të emulacionit.
    Hybrisi natyrisht mund të vinte vetëm nga mbeturinat e së kaluarës, pasi nuk ishte inherent i sistemit socialist – gjithë qëndrimet e gabuara politike, sjelljet e këqija gjatë dhe pas luftës shërbenin si katalizatorë për përftimin e kësaj substance kaq të pakëndshme dhe në të njëjtën kohë, kaq të domosdoshme për rendin në fuqi.

  5. Sado të rënda të kenë qenë humbjet, heronjtë i ke gjithnjë më të shumtë pas fitores, sesa para.

    Stanislaw Lec

    1. E ka thënë dhe Andreotti: Antifashizmi është si puna e verërave – rëndësi ka viti në shishe. 🙂

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin