FAJ DHE TURP (II)

Fjala turp në shqipe ka dy kuptime themelore në thelb të kundërta: “druajtje, frikë se mos dalim keq, poshtërohemi a bëhemi qesharakë para të tjerëve” dhe “punë a sjellje e pahijshme dhe e pandershme që të ngjall përbuzje”. Kuptimi i dytë i përgjigjet pak a shumë besnikërisht fjalës latine turpis, turpe nga e cila shqipja turp në thelb ka rrjedhur. Përkundrazi, kuptimi i parë do t’i përgjigjej më shumë latinishtes pudor, pudoris që ka edhe kuptimin “modesti, dëlirësi”. Sado paradoksal, zhvillimin kuptimor e gjen edhe te fjala latine, meqë pudor ka edhe kuptimin “ndjenjë turpi, poshtërim”; një zhvillim të ngjashëm e ndesh edhe në italishten vergogna, sa kohë që dëgjon të thuhet “il bambino ha vergogna/si vergogna di recitare le sue poesie, quando c’è qualche estraneo”; po ashtu “arrossire di vergogna”.

Nga ana tjetër, shqipja turp përcjell edhe kuptimin “ndjenjë turbullimi e hutimi që provojmë kur bëjmë diçka keq, ose kur shkelim një parim moral, ose kur na fyen ose na tall dikush” (it. imbarazzo). Kështu, turpi që ndjen dikush dhe që e mban në hije, ose nuk e lë të tregohet para të tjerëve është diçka krejt tjetër nga turpi që ndjen dikush pasi ka bërë diçka të pahijshme, ose e kanë tallur a vënë në lojë. I pari në parim synon që të shmangë të dytin – fëmija “ka turp” sepse ka frikë se mos “bëhet me turp”, ngaqë do ta vënë në lojë ose do të qeshin me të. Është për t’u vënë re që shqipja i lejon lirisht këto dy kuptime të përcjella nga e njëjta fjalë, madje edhe brenda çerdhes fjalëformuese: i turpshëm thuhet për dikë që ka turp (angl. shy), por edhe për një akt që e mbulon dikë me turp: një vajzë e turpshme në thelb ka frikë se mos bën ndonjë gjë të turpshme në publik; ose kërkon të shmangë reagimin negativ të Tjetrit (real ose imagjinar). Për fëmijën që fshihet pas prindit, kur i kërkojnë që të recitojë një vjershë thuhet se ka turp ose i vjen turp (njëlloj edhe i vjen zor); fëmijës tjetër, që sillet keq ose bën diçka që nuk duhej ta bënte, i thonë: nuk ke turp? ose (si) s’të vjen turp? Këtë dinamikë mund edhe ta përfytyrojmë kështu: turpi është në thelb një akt i censurueshëm nga morali, etiketa, etj.; ai që ka turp përpiqet ta shmangë; ndërsa ai që nuk ka turp e ka kryer tashmë. Një çun i vogël mund të ketë turp të urinojë në park, ndërsa një çun i vogël që urinon në park e bën sepse “nuk ka turp.” I pari është i turpshëm, ndërsa i dyti kryen një akt të turpshëm. Turpi i parë, ose ajo ndjenjë negative që na frenon, është diçka që “e ke”: ka turp; por mund edhe të vijë: i vjen (shumë) turp; nëse, përkundrazi, nuk e ke ose nuk të vjen, atëherë i kalon aktit ose sjelljes sate, duke marrë kuptimin tjetër. Megjithatë, një fëmijë të cilit i del turpi nuk është e thënë se do të bëjë gjëra të turpshme; këtu i del turpi lidhet me familjarizimin. Përndryshe, kur fëmija – ose edhe i rrituri, me metonimi – bën diçka të turpshme (sepse nuk ka turp), atëherë i themi: Turp! çfarë do të ishte një lloj qortimi nëpërmjet konstatimit; por që nuk ka ndonjë forcë ilokutive të ngjashme me atë të urdhërores (Mbylle gojën!) ose të dëshirores (T’u thaftë goja!). Tek e fundit, mund t’i kërkojë fëmijës që të ketë turp – pa çka se turpi nuk është reagim emocional i komandueshëm. Më i butë do të ishte, në këtë kontekst, qortimi Sa turp!, ndonjëherë duke e zgjatur zanoren u dhe duke e ngritur tonin në fund të fjalisë; qëllimi këtu është t’i mësohet fëmijës se çfarë është turpi, pa e shoqëruar këtë me ndëshkim, madje as me censurë të fortë (kam dëgjuar t’ua thonë këtë shprehje qenve dhe maceve). Gjithsesi, sa turp! është më e dobët se Mos! ose Jo!.

Të turpshme nuk janë vetëm aktet (gjestet, sjelljet, thëniet) por edhe një kategori fjalësh – që ndryshe njihen edhe si fjalë të ndyra (fjalë të pista); këtu quhen rëndom fjalë turpe ose llafe turpe. Metafora e papastërtisë leksikore na shpie te Mary Douglas dhe përkufizimi i saj për pisllëkun (dirt) si “lëndë që nuk është në vendin e vet (matter out of place)”; fjalët turpe janë fjalë që nuk duhet të kenë vend në ligjërimin e dikujt. Këtu vijnë në vështrim disa tabu elementare, si ajo e ekskrementit (emrat për fekalet, aktin e jashtëqitjes, etj.) ose ajo e seksit (emrat e organeve gjenitale dhe të akteve seksuale), të cilat bashkëlidhen me sende dhe akte që nuk janë të censurueshme në vetvete, por vetëm në rrethana të caktuara – p.sh. në prani të së tretëve, ose të publikut. Është pjesë e edukimit fillestar të çdo fëmije që ky të mësojë çfarë fjale është turp, në mënyrë të pavarur nga akti; dhe ashtu, të mësojë që akti mund të jetë ose jo i turpshëm në varësi nga rrethanat dhe nevojat, por emri përkatës gjithnjë është. Këtë fëmija mund ta mësojë edhe duke filluar të disiplinojë prindërit, kur këtyre u shpëton ndonjë fjalë turpe.

Në shoqëri si jona, ku turpi lidhet ngushtë me nderin dhe në marrëdhënie mes tyre përcaktojnë edhe fytyrën (faqen, cipën) e dikujt në publik, shmangia e një sjelljeje, akti ose fjale të turpshme ndihmon për të rregulluar (lubrifikuar) raportet sociale; gjithkush kujdeset që të ruajë fytyrën që u tregon të tjerëve (nderin, namin, reputacionin) edhe duke censuruar me forcë gjithçka që mund t’i bashkëlidhë kësaj fytyre turp: një vajzë që ikën nga shtëpia për të jetuar me të dashurin e bën familjen me turp, ose i sjell turpin në derë (i nxin faqen). Këtu turpi është edhe pasqyrim, në mos thjesht perceptim, i qëndrimit mosmiratues ose mohues a përçmues të Tjetrit; ose një formë elementare e papastërtisë morale (si sjellje ose akt që nuk është në vendin e vet). Brenda konteksteve tradicionale, ky lloj turpi lidhet para së gjithash me shkeljen e rregullave, ritualeve, zakoneve; madje edhe kur kjo nuk sjell pasoja negative. Ideja është që mënyra si e prezanton dikush veten në publik (fytyra) duhet edhe të jetë e parashikueshme prej të tjerëve; përndryshe do ta marrin për të pafytyrë, të pacipë, cipëplasur, faqezi, surratsëz. Shprehja e njohur turp e faqja e zezë i kombinon së bashku turpin dhe fytyrën (faqen), ku faqja e zezë shënjon prishjen e reputacionit publik. Në këtë kontekst, të vërehet edhe popullariteti i tanishëm i shprehjes nuk është turp të jesh…, e cila vjen me funksion emancipues (nuk është turp të jesh homoseksual) dhe nënkupton e paravendon tabunë përkatëse (pikërisht, që të jesh homoseksual).

Për t’u shënuar shfaqja tejet e energjizuar e turpit në diskursin politik, sidomos si municion për sulmet ndaj kundërshtarit; madje edhe pa shtuar që politikanit të sotëm do t’i shkonte bukur përkufizimi si “dikush që nuk ka turp”, qoftë sepse pushteti e ndihmon të heqë qafe skrupujt që përndryshe i kishte si njeri i zakonshëm (ose kur disa gjëra i bënte “sa për sy e faqe”) ose të kursejë energjinë psikologjike të vetëkontrollit; qoftë sepse nuk kujdeset më për të ruajtur fytyrën, ose burrninë e vijueshmërisë në mendime dhe në qëndrime. Shprehja “turp të kesh!” (dhe të tjera të ngjashme) është shkalla zero e ndëshkimit publik të dikujt, sepse veç shpreh distancim të egër dhe armiqësi, por nuk shoqërohet me ndonjë kërcënim (një ditë do ta paguash), sikurse nuk shoqërohet me ndonjë fyerje (hajdut ke qenë dhe hajdut mbetesh). Ideja është që kundërshtarin ta mbulosh me turp duke ia bërë publike turpet që ka bërë ose që ka thënë.

Shih edhe FAJ DHE TURP gjithnjë për këtë temë, por nga një këndvështrim tjetër.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin