Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

BONJOUR NGA ZELANDA E RE

Neo-zelandezi Nigel Richards u shpall tani së fundi fitues i Kampionatit Botëror të Scrabble-it për vendet frankofone.

Asgjë për t’u habitur këtu, përveçse që Richards nuk di frëngjisht.

Sikurse njofton The Guardian, atij iu deshën vetëm nëntë javë për të memorizuar listën e fjalëve të frëngjishtes, që i duheshin për të fituar në Scrabble.

Të gjithë ne që luajmë Scrabble për qejf, e dimë se njohja e gjuhës – zakonisht e anglishtes – ndihmon. Po të kish pasur Scrabble në shqipe, me siguri që disputet e zjarrta në fushën e drejtshkrimit do ta kishin bllokuar krejt Federatën Shqiptare të Scrabble-it dhe kushedi vetë kampionatet.

Por kjo parantezë ende i përket Fanta-Scrabble-it. Në realitet, ekspertët mendojnë se në nivele të larta, njohja e gjuhës luan më pak rol se kujtesa fotografike, syri dhe njohuritë matematike.

Fitorja e tanishme në Scrabble-in frankofon, e një personi i cili nuk di frëngjisht, duket se e konfirmon këtë.

scrabble_LargePër të fituar, Richards-it iu desh të memorizonte një listë shenjash, pa e vrarë mendjen për kodin; ose për kuptimin e tyre.

Edhe një softuer do t’i ishte qasur lojës kështu; vetëm se softueri mund t’ia lejojë vetes atë që në mjediset e AI e quajnë “brute force” – ose testimin e të gjitha varianteve kombinatorike të shkronjave, për një hapësirë të caktuar.

Përkundrazi, një kampion i Scrabble-it duhet të ndjekë një rrugë tjetër – ose “ta gjejë” fjalën brenda një kohe të caktuar.

Linguistët gjithnjë ngulin këmbë se thelbi i një gjuhe është gramatika, sintaksa, ose rregullat si kombinohen mes tyre “fjalët” për të përftuar kuptim të ri.

Fitorja e Richards-it dhe sidomos metoda e tij, i përkasin, gjithsesi, universit gjuhësor të Google-it; ku mbretëron atomizimi dhe leksiku (stringat e shkronjave).


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading