RESTAURIME DHE RRËNOJA

Fjalori i gjuhës së sotme shqipe e përkufizon kështu foljen restauroj: “Sjell përsëri në gjendje të mirë një vepër arti të dëmtuar; e bëj siç ka qenë ose ndreq një monument, një ndërtesë të lashtë me vlerë etj.” Çfarë mund të deduktohet nga ky përkufizim, është se objekt i restaurimit mund të jetë një vepër arti ose një monument a ndërtesë (e lashtë, me vlerë); të cilat (1) sillen në gjendje të mirë, pasi kanë qenë dëmtuar ose (2) bëhen siç kanë qenë. Ajo “përsëri” te sjell përsëri parakupton që objekti i restaurimit ka qenë dikur në gjendje të mirë, duke futur në përkufizim elementin kohë; ndërsa folja ndreq parakupton që objekti në fjalë është i dëmtuar dhe ka nevojë të riparohet, për t’u kthyer “në gjendje të mirë”, cilado qoftë kjo.

Këtu do të na duhej të ndaleshim, sado pak, në natyrën e “dëmit” ose të “dëmtimit” që mund t’i ndodhë një objekti material me vlerë – sepse jo çdo dëmtim shkaktohet nga vjetrimi, amortizimi ose thjesht entropia; një ndërtesë mund të dëmtohet edhe qëllimshëm, ose aksidentalisht; një pikturë mund të “prishet” duke pikturuar mbi të një pikturë tjetër; një ikonostas mund të dëmtohet nga zjarri ose nga krimbat, e kështu me radhë. Vetë përkufizimi i dëmit lidhet edhe me mënyrën si e shohim objektin, ose si e duam të funksionojë: kishat e Voskopojës mund të jenë dëmtuar në gjithfarë lloj mënyrash – nga vjetrimi, nga neglizhenca e atyre që duhej të kujdeseshin për to, nga vandalizmi – por këto dëmtime, nga pikëpamja jonë sot, nuk është se kanë të bëjnë shumë me funksionalitetin e mirëfilltë të atyre ndërtesave si kisha, ose objekte kulti.

Konceptit dhe praktikës së restaurimit i duhet t’i japë zgjidhje një dyzimi themelor – dhe pikërisht, konfliktit midis dëshirës për ta bërë objektin “siç ishte”, ose për ta kthyer së prapthi në kohë; dhe dëshirës për ta kthyer objektin në funksionalitetin e vet bazë, ose që ky të punojë “si i ri”. Kur restaurojmë një ndërtesë të vjetër, kujdesemi që t’i heqim asaj shenjat e vjetrimit; për ta “rinuar”, ose për ta bërë të duket (dhe ndonjëherë edhe të funksionojë) siç ishte në fillimet e saj. Natyrisht, mosha e një objekti nuk matet vetëm me shenjat e vjetrimit të tij; një orë xhepi është e vjetër edhe pa qenë fare materialisht e vjetruar – sepse e vjetër është praktika e mbajtjes dhe përdorimit të orëve të xhepit, teknologjia e orëve mekanike, zakoni i mbajtjes së një ore në xhep etj. Prandaj restaurimi i mirë duhet t’ia heqë një objekti vjetrimin (amortizimin, rrëgjimin), por jo vjetërsinë.

Sipas standardeve federale amerikane, restaurimi është “akti ose procesi i paraqitjes së formës, tipareve dhe natyrës së një objekti ashtu siç ato dukeshin në një periudhë kohore të caktuar, duke hequr që andej tipare (features) nga periudha të tjera historike dhe duke rindërtuar tiparet që i mungonin.” Gjithsesi, në SHBA restaurimi ndryshon nga preservimi a konservimi, meqë i pari lejon heqjen e materialeve historike për të krijuar një paraqitje të saktë të një periudhe kohore të caktuar, që nuk përkon detyrimisht me origjinën ose gjendjen përfundimtare të objektit.

Sipas kësaj logjike, ajo çfarë u bë tani vonë me hamamin në Krujë do të ishte restaurim, ndërsa ndërhyrjet sistematike që bëhen, ta zëmë, në Butrint ose në Apoloni do të jenë më shumë preservim, ose përpjekje për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të rrënojave; edhe pse tek-tuk me ndonjë element restaurimi.

Italishtja ka edhe një folje tjetër, ripristinare, që e përdor krahas “restaurare”; dhe që do të thotë “kthej në funksionalitet”, siç mund të bësh me një ndërtesë të vjetër ose një apartament në gjendje të keqe ose me fasadën e një kishe; Treccani e përkufizon këtë si “rimettere nello stato pristino, nelle condizioni di prima”; dhe më tej edhe “rimettere in funzione” (por këtu na intereson përkufizimi i parë, duke e lënë mënjanë konceptin tërësisht praktik dhe funksional të rinovimit). Emrin e veprimit ripristino, ky burim autoritar e përkufizon si operacionin për t’i rikthyer një objekti pamjen dhe konsistencën që kishte në një epokë të caktuar, zakonisht në lashtësi; dhe që ky objekt i kish humbur si pasojë e ndërhyrjeve të mëpasme për transformim dhe përshtatje. Edhe këtu, të vihet re që bëhet fjalë për kthimin jo doemos në origjinë, por vetëm në një epokë të caktuar në të kaluarën; dhe për rikthimin e disa tipareve që ky objekt i kish humbur si pasojë e ndërhyrjeve të mëpasme – dhe jo doemos vjetrimit në rrjedhë të viteve (shekujve). Edhe ripristinare, edhe ripristino lidhen, në thelb, me latinishten pristinus, që ka kuptimin “i mëparshëm, paraprijës, origjinal” dhe që është etimologjikisht e afërt me prior dhe primus.

Gjithsesi, atributi i të qenit pristino, angl. pristine, githnjë i referohet një cilësie të dëshiruar të një objekti, i cili gjendet në gjendjen e vet origjinale, ose i paprishur nga koha dhe përdorimi (unspoiled), dhe u shoqërohet atributeve të tjera të së qenit pa njollë, i pastër, i pacen, i virgjër, i kulluar, etj.; prandaj edhe mbiemri përdoret, për shembull, për të cilësuar pyjet tropikale (të paprekura nga njeriu), ose një plazh të pavizituar; ose dëborën e pashkelur në një majë mali.[1] Edhe këtu nuk mungojnë lidhjet me filozofinë se objektet kanë maksimumin e vlerës (funksionale, estetike) në origjinë, ose kur sapo janë krijuar (ndërtuar); dhe se fillojnë ta humbin këtë vlerë shkallë-shkallë, teksa përdoren. Kjo filozofi i kundërvihet idesë se një objekt mund të fitojë vlera të reja gjatë përdorimit – për shembull, qendra historike e një qyteti, ose një çezmë fshati disa-shekullore, përfshi këtu edhe atë lloj vlere që mishëron vjetrimi vetë, ku hyn edhe vlera sentimentale.

Të vihet re, në këtë kontekst, edhe dallimi dramatik midis shprehjeve e bëj të re dhe e bëj si të re; sepse e para i referohet një krijimi të ri, ndërsa e dyta një rikrijimi që, gjithë duke qenë i ri, në fakt i rikthehet një gjendjeje të shkuar të objektit, për ta imituar (një diçka duhet të ketë një farë vjetërsie, për t’u rinuar ose ripërtërirë). Nëse e shohim nga ky këndvështrim, atëherë çdo operacion restaurimi, përtej konsideratave praktike, mbështetet mbi një filozofi sipas të cilës koha, rrjedha e kohës, i rrëgjon vlerat materiale; prandaj edhe nevoja për kthim (përfshi këtu edhe kthimin në identitet); një filozofi e cila, megjithatë, bashkëjeton me filozofinë (ose ideologjinë) tjetër të adhurimit jo të së shkuarës në vetvete, por të vjetërsisë dhe të vjetrimit, ose të moshës së objekteve.[2]

E megjithatë, rrënojat – sidomos ato të lashtësisë por jo vetëm – kanë një bukuri (po e quaj kështu), që nuk lidhet drejtpërdrejt me pamjen që kishin ato ndërtesa ose monumente, në kohën kur u ndërtuan, ose në fillimet e tyre. Këtë e provon edhe praktika e rrënojave të rreme (anglisht folly) të tempujve romakë, kishave mesjetare gotike, pagodave kineze etj., që u bë e modës në Europën perëndimore të shekujve XVIII-XIX, edhe pse jo doemos në kontekstin e romantizmit.

Objekte të tilla nuk kanë synuar kurrë të gënjejnë vizitorët dhe aq më pak shijuesit e tyre të rregullt, e për t’i bërë të besojnë se kanë përpara rrënoja autentike; por thjesht kanë dashur të funksionojnë si ornament në kopshte, parqe dhe hapësira të ngjashme, për të përftuar një atmosferë të lakmuar, të tillë si në parqet dhe në vilat e Romës, ku rrëonja të tilla ishin autentike. Ironikisht, edhe rrënojat false kanë nevojë të mirëmbahen, të ruhen dhe të restaurohen.

Rrënojat e rreme në parkun e Schoenbrunn-it, Vjenë.

Kush ka vizituar pallatin e Schönbrunn-it, në Vjenë, do t’i mbajë mend “rrënojat romake”, të ndërtuara në park nga arkitekti Johann Ferdinand Hetzendorf von Hohenberg; ironikisht, ky ansambël hortikultural i ngritur në 1778 u la gradualisht pas dore dhe filloi të rrënohej përnjëmend, duke i shtuar efektit artificial të arkitektit edhe një efekt tërësisht natyral të shkatërrimit; derisa nuk u mor vendimi për ta restauruar në gjendjen e vet “fillestare” (si rrënoja të qëllimshme).

Në këtë kontekst, është për t’u përmendur edhe koncepti i vlerës së rrënojës (gjermanisht Ruinenwert), i popullarizuar veçanërisht nga arkitekti nazist Albert Speer; sipas këtij koncepti, një ndërtesë duhej të projektohej në mënyrë të tillë që, edhe po të shkatërrohej ndonjëherë, do të linte mbrapa rrënoja estetikisht të këndshme, që të jetonin gjatë pa pasur nevojë për mirëmbajtje.[3] Vetë Hitleri magjepsej pas forcës dhe madhështisë që projektonin, në kohët moderne, rrënojat monumentale të Romës, të cilat kishin mundësuar dhe amplifikuar, mes të tjerash, edhe retorikën imperiale të Mussolini-t.

Për t’u kthyer tani në punët tona, mbase do t’ia vlente një diskutim për Ruinenwert të objekteve të tilla të spikatura, si Piramida dhe Hotel Dajti në Tiranë; ose “vila e Zogut” në Durrës; për Piramidën, do të thoja se po e fiton një farë hijeshie të varfër, falë edhe ekspozimit të saj ndaj publikut të rastit, përfshi këtu edhe vandalët; ndërsa Hotel Dajti, në trajtën që ka marrë prej vitesh, është thjesht një kërmë që e kutërbon krejt bulevardin. Përkundrazi, monumente më të vjetra, si kalatë e shpërndara anembanë Shqipërisë, e meritojnë jo vetëm të ruhen si rrënoja, por edhe të nxirren nga mitologjia e qëndresës shekullore – me ato pak përjashtime të njohura, si Shkodra dhe Kruja. Që shumë nga këto kala në fakt janë ndërtuar, rindërtuar, rehabilituar dhe përshtatur nga administrata osmane, nuk duhet të pengojë funksionimin e tyre të tanishëm, si shenja të historisë së shqiptarëve (dhe as të errësojë historinë e restaurimeve që u janë bërë në rrjedhë të kohës).

E njëjta dilemë i del përpara operatorit kulturor edhe kur bëhet fjalë për rrënoja industriale, të epokës totalitare – të cilat i gjen anembanë territorit, shpesh të braktisura, të lëna në mëshirë të elementeve, të vandalizuara, ose pre e shfrytëzimit prekar, në margjinalitet të jetës sociale. Uzina, kombinate, hangare, kapanone, magazina, silose dhe gjithfarë strukturash të tjera, të cilat meritojnë të paktën një alternativë ndaj asgjësimit total, ose përvetësimit nga privatët. Ndoshta brezat e rinj, që nuk e kanë përjetuar industrializimin dhe as i kanë përdorur ndonjëherë këto struktura si hapësira për riprodhimin e marrëdhënieve të punës, mund të kenë nevojë t’u qasen nga një këndvështrim tjetër dhe të zbulojnë atje çfarë ne të tjerëve na është mohuar. Aq më tepër, kur shumë syresh janë depërtuar tashmë nga gjelbërimi i egër, mund të përfytyrohet edhe mundësia e shfrytëzimit të tyre si skenografi dhe sfond për manifestime kulturore të tilla si koncertet, galeritë e artit, teatrin dhe aktivitete të ngjashme. Kjo do të kërkonte një investim – shpresoj minimal – për rehabilitimin e tyre dhe garantimin e kushteve të sigurisë. Edhe këtu, koncepti i Ruinenwert mund të përshtatej, në rrethanat kur urbanizmi po ndahet më dysh midis entropisë së objekteve ekzistuese të braktisura, dhe ndërtimeve të reja, që shpesh refuzojnë deri edhe të përfshihen në marrëdhënie estetike me publikun.

Por kjo sipërmarrje do të kërkonte, të paktën, një çlirim të institucioneve publike, si Ministria e Kulturës, nga obsesioni gjithnjë e më kitsch me “vjetërsinë” e stilizuar të Mesjetës dhe këmbëngulja, në prag të histerisë, për ta trajtuar trashëgiminë kulturore si komponente të turizmit dhe si lopë për t’u mjelë nga shteti; meqë trashëgimia kulturore materiale, nëse do të vlejë në përgjithësi, do të vlejë para së gjithash për publikun në Shqipëri dhe qytetarët, të cilët do ta përjetojnë – le ta themi në këtë rast – si pjesë të proceseve identitare. Nëse në shkrimin paraprijës u përpoqa të tregoj se ç’kontradikta të pazgjidhshme sjell me vete koncepti kyç i “kthimit në identitet”, aq i abuzuar nga politika, këtu po mjaftohem të sugjeroj, në mbyllje të këtyre përsiatjeve, që ndoshta duhet të flasim më shumë dhe më seriozisht për rehabilitime, edhe me synimin për ta ruajtur gjithnjë dallimin aq të rëndësishëm midis kulturës dhe fitimprurjes.

(c) Peizazhe të fjalës


 

[1] Këtu do të mund të shtohej edhe një diskutim i konceptit të purizmit në politikat kulturore ndaj gjuhës, meqë purizmi, si ideologji dhe si praktikë e ndërhyrjes në gjuhë, ka mbizotëruar në kulturën shqipe të paktën që nga Rilindja e këtej. Kam shkruar një libër për këtë, Kundër purizmit, por më duket sikur vetëm sa e kam gërvishtur dukurinë në sipërfaqe.

[2] Të mbahet parasysh, këtu, këmbëngulja në mediat dhe në folklorin intelektual për “lashtësinë” e gjuhës shqipe; e cila gjithashtu lidhet me parimin se vjetërsia, ose mosha, ia legjitimojnë vlerat një objekti, qoftë ky material ose ideal.

[3] I njëjti koncept ushqen, në thelb, modën e veshjeve casual që kanë pamje të vjetruar; të tilla si xhaketat e lëkurës dhe jeans-et e grisura (distressed) ose të zbërdhylura (acid-washed). Ka edhe një estetikë pop që neveritet nga “e reja” dhe kërkon ta fshehë ose të paktën ta maskojë.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: