PËRSE KONCERT DHE JO PROTESTË PËR VJOSËN?

nga Eda Zari

“Më mirë na pushkatoni, se të na merrni lumin.”

Përse koncert dhe jo protestë për Vjosën? Kjo pyetje, në të vërtetë, ngre një stuhi në gotë, teksa stuhia nevojitet të ndodhë gjetkë.

Dukuria e ndarjes në grupime sociale: të mirë dhe të ligj, të vlerë dhe të pavlerë (sidomos në Shqipëri), është shumë interesante për t’u vëzhguar! Qeniet njerëzore brenda një grupi të caktuar, tek veprojnë për një motiv të dobishëm, pretendojnë se format e tyre “luftarake” janë më efikase dhe kanë vlera të larta, krahasuar me grupin tjetër i cili lufton për të njëjtin motiv, interes apo kauzë, veçse format, mjetet apo toni i tyre ndryshojnë. Për të shpjeguar këtë disonancë mes grupeve do të doja të përdorja vetëm gjysmën e teorisë së Asimetrisë së Atribuimit të Motivit. Artistët nuk janë shprehur se janë të vetmit në mirësinë e motos së tyre, as se janë shpëtimtarë të asaj që po kërkojnë të mbrojnë. Artistët nuk po i amputojnë askujt (qofshin individë, grupe apo shoqata) motivet apo format e tyre të dobishme në mbrojtje të natyrës. Kemi dëshirën (Elina, unë, Vlashenti, Linda, Genti, Oda, Iliri, Eltoni dhe shumë të tjerë artistë shqiptarë dhe nga gjithë trojet e Shqipërisë, por dhe të huaj) të bëhemi pastoralë dhe pajtues kur themi: Duhet të përpiqemi të gjithë së bashku, për të bërë më të mirën në mbrojtje të Vjosës, Valbonës, dhe lumenjve të Shqipërisë. Të gjithë tok në mbrojtje të natyrës, të jetës! Të themi atë që mendojmë të domosdoshme dhe të drejtë në këtë çast, por aspak nuk kemi për ta thënë me dhunë.

Solidariteti nuk është fjalë e huaj. “Mos ma prek Valbonën”, “Lëre lumin të lirë”, “Jo, importit të mbetjeve në Shqipëri” dhe tashmë “Mos ma prek Vjosën” kanë qenë dhe janë kauzat e koncert-protestave prej tetorit të vitit 2016, si dhe atyre që do të pasojnë. Ky është zëri protestues i artistëve, ku së bashku me shoqata pro natyrës, përmend: Friend of Vjosa, River Watch, Econature, apo Thurja, Mos ma prek Valbonën, Toka dhe znj. Bohne, dhe aktivistë të tjerë të dedikuar e të angazhuar prej vitesh brenda dhe jashtë vendit (ndjesë që nuk përmend të gjithë emrat, por janë shumë), bashkë me atë pjesë të shoqërisë që patriotizmin ndaj atdheut nuk e manifestojnë me flamurë krahaqafë, daulle e tam-tame boshe, angazhohen për të kundërshtuar vendimet e politikë-bërësve me kurajën e tyre civile, me ndërgjegjen e tyre të gjelbër, në mbrojtje të natyrës, tokës, ujit, ajrit dhe jetës!

Vjosa (c) Eda Zari

Gjithnjë e më shpesh, teksa vitet shkojnë, përsërisim shprehjen: “Eh, ato ishin kohë të arta…”. Vallë, a mund ta themi këtë edhe për të ardhmen? Jo, jo domosdo. Kur do të kuptojmë se natyra nuk bën asnjë negociatë në dëm të vetvetes? Është mendjelehtësi të bësh “ujdi“ apo të lidhësh kontrata biznesi me jetën e saj. Po, ne jetojmë prej natyrës, por kjo nuk na përligj pandehmën se, meqë jemi “miq” prej kohësh me të, mund të sillemi sikur i kemi prerë kërthizën! Tashmë natyra është krejt e panjohur për ne, sepse njohuritë tona rreth saj prej kohësh i kemi transferuar nga organi ynë më i lartë i arsyes, tek kuleta. Kultura e parasë, fitimi dhe mirëqenia në kurriz të të tjerëve garanton rrënimin e shoqërisë. Në fakt, këtë nuk e zbuluam sot. E dimë se toka nuk po rritet, por kërkesat e njeriut po dynden, padrejtësia dhe pabarazia po rritet.

A duhet të shkatërrojmë lumenjtë për të begatuar jetën e disa kompanive apo individëve? Çfarë shansi u është dhënë banorëve, të cilët urtësisht jetojnë prej gjeneratash pranë Vjosës, Valbonës, lumit të Matit, Lëngaricës, lumit të Shalës dhe gjithë lumenjve të tjerë, shtrati i të cilëve është planifikuar të kthehet në varrezë? Thënë me fjalë të tjera, neglizhenca jonë kolektive mundëson që këto teprime të kthehen në gjëra të zakonshme! Natyra nuk harron. Toka, uji, nuk harron se sa plehra e toksina i ka dhuruar dhe vazhdon t’i dhurojë njeriu! Së fundmi, nuk është halli tek kujtesa e natyrës, janë vetë ligjet e saj që vonojnë, por nuk harrojnë të na kujtojnë se sa të vegjël jemi para saj!

Aktualisht, rrjedha e Vjosës është ende e lirë – por, edhe për sa kohë? Diga e Kalivaçit kërcënon ndalimin dhe “rrahjet e zemrës” të të gjithë sistemit natyror të lumit, duke bllokuar transportin e sedimenteve nga malet, deri në Detin Adriatik.

Nga filmi i mrekullueshëm i Ilir Kasos për sensibilizimin në mbrojtje të Vjosës, me titull “I am the River”, dëshiroj të përmend një apel drithërues të banorëve pranë Vjosës drejtuar pushtetarëve: “Vjosa, çdo vit do të hajë dy ose tre veta, i ka ka kurbanët e saj. Dhe ne në Vjosë kemi kurbanët tanë, qe ia kemi bërë kurban Vjosës. Kështu që nuk e pranojmë një gjë të atillë! Për mua, më mirë u thuaj atyre, kush ka vendosur ta bëjë këtë punë, thuaji atyre, shkoni dhe u merrni jetën një qyteti të tërë prej 13.000 banorësh, vërini të tërë në turmë dhe u merrni jetën, pushkatojini, se sa t’u merrni lumin! Për neve Vjosa është jeta!”

Nuk mund të bëhesh bujar duke lënë më të mirën tënde të sakatohet, për t’u humbur e zhdukur përgjithmonë para syve!

Prej kohësh deficitet ekologjike, natyrore, biokapacitetet, nga viti në vit janë shkatërruar e tashmë shihen dukshëm si të pakthyeshme. Çfarë duhet të presim? Të vërtetojmë, të provojmë apo të testojmë? Boll më me ping-pongun e shkarkimit nga përgjegjësitë institucionale, mjaft më me ngecjen e dopjo-gjashtës së fajit në dorë dhe me teatrin politik, me teoritë tuaja prej Pinoku!

Po, shoqëria jonë ka probleme, i ngjan një fushe të minuar: sistemi shëndetësor, sistemi arsimor, papunësia, aveniri i rinisë, barazia gjinore, dhuna në familje, dhuna ndaj fëmijëve, dhuna ndaj gruas, dhuna ndaj burrit, dhuna ndaj kafshëve, ndotja e ajrit, droga, korrupsioni, mund të shtojmë derte plot. Të gjitha këto tipare, tashmë kanë çuar në krijimin e shumë getove në kryeqytet, qytete, e fshatra, ku kontrasti midis të pasurve dhe të varfërve ka zbehur të mesmen e artë që i nevojitet domosdoshmërisht ekuilibrit të një shoqërie.

Kthehem sërish aty ku varet ekzistenca jone jetike: Natyra, Toka, Uji, Ajri! Vjosa, Valbona, gjithë lumenjtë e Shqipërisë që rrezikohen nga digat! Tek importi i mbetjeve ne Shqipëri! Lajm i mirë është, që ende ka shpresë për Vjosën dhe natyrën e Shqipërisë! Lajm i mirë është që çështja e Valbonës vazhdon të ndiqet me përkushtim nga juristë, prej nga marrim lajme se gjërat do të kthehen në të mirë të Valbonës dhe se do të luftojmë.

A do të mundemi të ndërgjegjësohemi për një të vërtetë të madhe se, as në një të ardhme të afërt, por as të largët, kurrë, s’ka për të pasur një Shqipëri të dytë me këtë natyrë si kjo që kemi? Prandaj ejani ta mbrojmë. Ky është apeli i artistëve si vullnetarë, qytetarë, prindër, fqinjë, miq, kolegë, bashkëkombës, mbi të gjitha si NJERI. Pa iniciativat e banorëve, nismat dhe mbështetjen e shoqatave pro natyrës dhe aktivistëve të përkushtuar, specialistëve dhe shkencëtarëve vendas e të huaj, nuk do të kishim transparencën e nevojshme. Përveç fushatës disavjeçare të organizatave të angazhuara për mbrojtjen e mjedisit, mendojmë se një koncert i tillë është i nevojshëm për të tërhequr vëmendjen ndaj një kauze që nuk u përket vetëm banorëve dhe aktivistëve, por cilitdo që dëshiron dhe shpreson të vazhdojë jetën në këtë vend, në Shqipëri.

Duke mbështetur thirrjen për koncertin sensibilizues, por dhe SOLIDARIZUES: “Mos ma prek Vjosën! Lum Lumi i lirë! dëshiroj të vij në fund të këtij shkrimi duke huazuar fjalët e Hubert Reeves, (astrofizikant kanadez): “Njeriu është i marrë. Ai mbron një Perëndi të padukshme, tek vret një NATYRË të dukshme, pa kuptuar se kjo natyrë që po shkatërron është vetë Perëndia e padukshme”.

Koncerti do të mbahet me datë 18.10.2017 në orën 19.00 përpara Muzeut Historik Kombëtar në Sheshin Skënderbej.

12 Komente

  1. Ide interesante. Me kujton ato koncerte te medha boterore ne fund te viete ’80 qe u organizuan ne disa kryeqytete te medha ne ndihme te zonave te prekura nga lufta, skamja, sida. Vertet nuk do te dhurohen para se nuk ka, por ne thelb eshte e njejta gje, ofrohet solidaritet dhe perkrahje…

  2. Lugina e Vjoses ose me mire baseni i Vjoses eshte nga territoret me dendesi me te ulet popullsie ne Shqiperi. Permet, Gjirokaster,Tepelene, Kolonja e Jugut dhe pjeset e Mallakastres e Vlores deri ne Selenice, kane nje dendesi njerezore per t’u gajasur ose per te qare me lot, ne varesi te kendveshtrimit.

    Njerezit kane kohe qe ia mbathin vrapit nga baseni i Vjoses, qarku i Gjirokastres me 1/10 e siperfaqes se Shqiperise nxjerr 5 deputete, ose 1/28, qe do te thote se ka dendesi popullsie rreth 3 here me te vogel se mesatarja e Shqiperise. Vetem qarku i Kukesit ( Kukes, Has, Tropoje) ka dendesi njerezore te krahasueshme me qarkun e Gjirokastres.

    Aty duhet zhvillim, nuk duhet zone e eger per zogjte e peshqit. Amazonen e Kongon le t’i bejne ne Angli, Hollande, Belgjike apo Gjermani, le t’i prishin ndertesat e industrite e tyre per t’ua rikthyer hapesiren zogjve e peshqve.

    Mund dhe duhet te protestohet per mosrepektimin e kritereve ne ndertim, por jo kunder ndertimit. Mund dhe duhet te protestohet kunder teknologjive te vjetra, por jo kunder teknologjise.
    Te protestosh kunder hidrocentralit si hidrocentral do te thote te protestosh kunder energjise se paster me çmimin me te lire ne tregun boteror.

    Ne presim nga mendjen e ndritura te kombit te na bejne si Belgjika ose Zvicra, mirepo shohim te na tregojne me gisht rrugen e te qenit Zimbabve e Burkina Faso, me pyje, zebra e luane. Normal qe do ia mbathin te gjithe njerezit nga Lugina e Vjoses. Une mendoja sa mire qe po zbrazen malet, qe njerezia te zbrese ne fushe e qytet, tani po na zbrazen edhe fushat e qytetet e Vjoses.

      1. Ne Perendim po, ne bote mbase, po ne mire qe jemi bishti i kavallit ne Europe, por po gjejme ithtare te epokes se gurit, qe e duan Shqiperine si ne kohen e pellazgeve.

        1. Hyllin,

          S’e di pse kam përshtypjen që nuk e ke idene se çfarë flet, sidomos kur përmend pellazgët dhe epokën e gurit si argument. Që ti flet për zhvillim nuk të bën ty patjetër më të zhvilluar.

          E para e punës këto janë ndërtime të privatëve mbi pronë publike. Kjo do të thotë se në ndryshim nga investimet tërësisht private, ku individi merr përsipër edhe rriskun edhe benefitet e investimit, investimet private në partneritet me publiken në shumicën e rasteve tentojnë t’ia lënë rriskun publikut dhe kalojnë benefitet privatit, sidomos kur iniciativën e ka ky i fundit. Në këtë rast nuk ka evidencë që interesat e publikut janë vënë në plan të parë, përkundrazi.

          Po ashtu, kush ka arritur të bëj një studim të integruar të ndikimit të këtyre ndërhyrjeve mbi ekonomitë e tjera, si bujqësia, blegtoria, turizmi, fauna (dru me pre), duke qënë se këto të fundit ende përbëjnë një përqindje të madhe të ekonomisë shqiptare? Dhe nëse kemi vendosur ta përmbysim balancën e prodhimit ekonomik, a ka shifra nëse humbjet në njërën fushe justifikohen nga fitimet e në fushat e reja? Dhe pëse nuk i lihet kjo përmbusje tregut por duhet të ndërhyjë shteti?

          Për të mos thënë se kjo vjen me pasoja në deformimin e tregut (favorizim), duke qënë se nuk janë shumë të qarta kriteret e përzgjedhjes. Dëmi që i bëhët tregut në përgjithësi nga këto praktika, është shumë herë më i madh se benefitet e supozuara të një dege të veçuar.

  3. Hyllin, plot 31 HEC-e janë parashikuar për t’u ndërtuar mbi Vjosë, në anën shqiptare të lumit. Nga këto, tetë janë për HEC-e me diga në rrjedhën kryesore, ndërsa 23 janë në degët e Vjosës. Ndërhyrje të tilla masive – me diga, liqene dhe tunele – në eko-sistemin e basenit të Vjosës kanë pasoja afatgjata dhe janë të pakthyeshme. Për të mos folur për ndikimin mbi mënyrën e jetesës së banorëve të zonës, mbi sistemin e pronave dhe mbi aktivitetet ekonomike ekzistuese – aq sa janë: blegtori, bujqësi, pemtari, kultivimi i bletëve, mbledhja dhe kultivimi i bimëve medicinale – që, në fakt, duhet të jetë dhe kriteri i parë që duhet konsideruar para se të jipen lejet dhe të bëhet ndërtimi.

    Po ashtu, nga ndërtimi i HEC-eve unë nuk shoh përfitime të mëdha ekonomike për banorët e zonës, përjashtuar kohën e ndërtimit 3-4 vjeçar, ku do të punësohen ndoshta 1000 banorë të zonës, nëse marrim për referencë punësimin nga ndërtimi i HEC-eve mbi Devoll nga firma Statkraft. Pas mbarimit të ndërtimit, HEC-et nuk kanë nevojë për shumë personel; vetëm pak punonjës të kualifikuar duhen për kontrollin dhe manaxhimin. Me përfundimin e HEC-eve, energjia e prodhuar aty futet në sistemin kombëtar të shpërndarjes, me efekte pozitive për ekonominë e vendit, por pa efekte direkte në ekonominë e zonës.

    Nuk jam aspak kundër ndërtimit të HEC-ve. Argumentet pro HEC-eve, si prodhuesit e energjisë më të pastër dhe më të lirë për nga kostot e prodhimit, as që vihen në dyshim. Po ashtu vlen plotësisht edhe argumenti që industrializimi i vendit (nëse do të bëhet ndonjëherë!) kërkon energji elektrike me shumicë dhe të lirë – ky është kusht i domosdoshëm, që duhet zgjidhur para çdo hapi drejt ringritjes së industrisë shqiptare. Dhe për këtë HEC-et – ato ekzistuese dhe të reja – janë vendimtare.

    Por kjo nuk do të thotë as që ta mbjellësh Shqipërinë me HEC-e, as të injorosh degët e tjera të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit: turizmi, bujqësia, pemtaria, industritë e tjera që kërkojnë lëndën e parë të jetë në vend. Janë mbi 500 leje ndërtimi për HEC-e të lëshuara nga qeveritë shqiptare në dekadën e fundit, me 160 në proces ndërtimi ose të përfunduara, 360 që presin të ndëtohen dhe me 65 prej tyre në zona të mbrojtura. Nëse ky nuk është vandalizëm mjedisor dhe social, unë nuk di se ç’mund të quhet më i tillë!

    Për më tepër që, nga këto HEC-e, shumica dërmuese janë të vogla, me pak ose aspak leverdi ekonomike dhe energjetike për vendin, por me pasoja të rënda dhe të pakthyeshme si për banorët ashtu dhe për natyrën e zonave të prekura. Sipas inxhinierëve të fushës është mirë që ndërtimi të përqëndrohet vetëm në pak HEC-e të mëdha dhe në sa më pak lumenjë; Devolli dhe tre HEC-et që po ngrihen aty janë nje shembull i mirë i ndërtimit të koncentruar dhe efektiv – ekonomikisht dhe nga ana energjetike – të hidrocentraleve.

    Po ashtu, Shqipëria prodhon pothuajse 100% të energjisë nga burimet hidrike – energji e pastër dhe e lirë – por, me këtë, është njëkohësisht edhe e varur nga një faktor i vetëm: rreshjet e shiut dhe luhatjen e tyre të natyrshme nga viti në vit. Një miks i prodhimit nga burime të ndryshme do i bënte mirë sistemit energjetik dhe ekonomik (sidomos atij financiar). Prandaj ia vlen që të mirren në konsideratë dhe forma të tjera të prodhimit të energjisë, si plotësuese për energjinë që marrim nga HEC-et. Termocentrali i Vlorës doli huq, sa nga planifikimi me të pasmen (ku në botë dhe kush ka ndërtuar në 30 vitet e fundit TEC me naftë, përveçse në Shqipëri? është teknologji e dal nga qarkullimi prej dekadash!), aq dhe nga ndryshimi i çmimeve të tregut, pas përfundimit të TEC-it.

    Në këtë drejtim ia vlen të shihen dhe opsione të tjera të prodhimit të energjisë nga burime të rigjenerueshme, si ato solare apo nga era. Tenderat e muajve të fundit në Gjermani dhe në Britaninë e Madhe për parqe të reja solare dhe atyre të erës për herë të parë nuk kërkuan subvencione nga shteti për të realizuar! Çka tregon se këto forma prodhime energjie janë tashmë konkurruese në treg, pa pasur më nevojë që të subvencionohen nga shteti, siç ishte rasti në dy dekadat e kaluara dhe që e kufizonte përhapjen e tyre vetëm në vendet e pasura. Brenda 5-15 viteve të ardhshme, këto forma të prodhimit të energjisë me shumë gjasa kanë për të pasur një bum dhe përhapje globale dhe ia vlen që edhe Shqipëria të marrë në konsideratë këto zhvillime, kur planifikon zgjerimin e kapaciteteve të saj të prodhimit të energjisë.

    Për t’u kthyer prapë te Vjosa dhe te zona rreth saj: lumi i Vjosës dhe baseni i saj kanë disa tipare pothuajse unikale si lumi i fundit i atyre përmasave në gjendje të egër në Evropë, larmia e faunës, relievit dhe peizazhit përreth, pastërtia e ujit etj. gjë e bën atë për t’u konsideruar edhe si aset me vlerë përtej përdorimit si burim energjie hidrike. Si pasuri kombëtare me vlerë në vetvete për t’u mbrojtur por dhe për t’u shfrytëzuar për përfitime ekonomike si turizmi apo sportet ujore. Në kombinim dhe me objektet turistike të Gjirokastrës, të kalasë aty dhe asaj të Ali Pashës në Tepelenë, zona i ka të gjitha premisat që, me disa investime në hoteleri dhe në infrastrukturë, të bëhet një nga atraksionet turistike të Shqipërisë, me përfitime afatgjata për banorët e zonës.

    Po ashtu – meqë përmendëm industrinë – rajoni aty, rreth Vjosës, ka disa avantazhe shumë të mira për zhvillimin industrial, përtej ndërtimit të hidrocentraleve. Në atë zonë një nga burimet kryesore të të ardhurave para dhe pas ’90-ës, edhe akoma sot, është mbledhja e bimëve medicinale për eksport: sherebela, rigoni, çaji i malit, lavendra etj., (një pjesë e tyre madje bimë autoktone) duke kontribuar në kthimin e Shqipërisë në një nga eksportueset më të mëdha në Evropë për bimët medicinale (lexo te vegëza më poshtë të Agroweb ku shkruhet për Shqipërinë si “eksportuesen më të madhe të sherebelës në botë dhe duke kryesuar tregun evropian të bimëve medicinale”).

    Nëse duam industri, prodhim vendi dhe added value, në këto degë duhet investuar: në përpunimin e bimëve medicinale për nxjerrjen e ekstrakteve, në industrinë kozmetike dhe atë farmaceutike, ku dhe përdoren këto bimë. Ne, edhe pse kemi dekada që mbledhim bimë medicinale, ende i eksportojmë si lëndë e parë, të papërpunuara dhe pa vlerë të shtuar, si vendet koloniale një herë e një kohë!

    Kundërshtimi i ndërtimit të HEC-eve në Vjosë nuk lidhet vetëm me arsye ekologjike dhe sociale – edhe pse ato natyrisht janë të rëndësishme, as me mentalitettin anti-teknologji të disa ambientalistëve radikalë, as me hipokrizinë dhe paternalizimin e burokratëve të Evropës (“bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë” apo “e dimë ne, se ç’është më e mira për ju”) por në radhë të parë me arsye leverdie ekonomike, për zonën dhe për vendin. Është thjesht logjikë ekonomike.

    [Dhe diçka në fund: duket sikur ia vë fajin gjeografisë (basenit të Vjosës, maleve) ose mungesës ë HEC-eve për braktisjen dhe prapambetjen e zonës. Gjeografia luan një rol në zhvillimin e një zone/vendi por ajo nuk është pothuajse asnjëherë primare dhe zakonisht renditet andej nga fundi i listës së faktorëve ndikues mbi zhvillimin. Me pozicionin që ka Shqipëria, unë nuk do e përfshija fare në listë gjeografinë si shkak i prapambetjes. Faktori njerëzor dhe rrethanat historike janë gjithmonë parësore.]

    http://konica.al/2017/10/cfare-po-ndodh-lumin-e-vjoses-nga-dhenia-e-lejes-per-ndertimin-e-hec-eve-deri-tek-vendimi-gjykates/

    http://www.monitor.al/rritje-e-perkohshme-e-biznesit-te-hec-eve/

    http://www.monitor.al/shqiperine-se-shpetojne-hec-et-e-vogla-te-ndertohet-skavica-me-planin-origjinal/

    http://agroweb.org/archive/?id=10&l=1279

    1. Ne kohen e komunizmit u ndertuan aq HEC-e sa ishte nevoja e vendit, dmth pak por te medhenj se aq ishte nevoja. Nqs do te ishte nevoje me e madhe energjitike do te ishin ndertuar aq sa do te duheshin dhe mos pandeh se nqs do te ishin shume e te vegjel, ndokush do t’i hidhte ne ere qe te rikthente egersine e flores dhe faunes.
      Uji dihet qe eshte nje nga pasurite me te medha per fryme te Shqiperise (vendi i dyte ne Europe pas Norvegjise, por Norvegjia eshte edhe mbi 10 here me e madhe si siperfaqe), pasuria me e madhe nqs do te shfrytezohet potenciali energjitik i tij. Eshte energji e rinovueshme, qe do te thote miniere floriri e pashtershme.

      Ka kosto ambientale. Ok, po keto jane kostot e civilizimit, Anglia (shteti jo Britania e Madhe) ka vetem 8% pyje, ka zhdukur ujkun qe ne shek XVI, ne nje kohe qe kete vit degjova zera se ujku ka zbritur ne Myzeqe (pas nje mungese prej dekadash). Ne kemi po aq pyll sa Anglia, diku tek rreth 10 mije km2( te pakten ne vitin 1990, kur llogaritej 36% e territorit pyll), veçse Anglia ka gati 20 here me shume banore, dmth ne kemi (pasur ne 1990) per fryme popullsie 20 here me shume pyll sesa Anglia.
      Atehere çfare ka per panik ambiental kur ne krahasim me anglezet ne dalim njerez pylli ?

      Nuk i likujdoj si broçkulla te pashembullta, sepse ne Shqiperi akush nuk zbaton asnje kriter, por te kishim te benim me nje shtet te pergjegjshem ketyre paranojakeve nuk u duhej lene asnje hapesire.

      Turizmi, bujqesia, bimet mjekesore etj, i ke ne zonen e Sarande-Delvines. Dendesia e kesaj zone eshte sa e Dibres. Gjithe ajo ultesire e bukur, kur e sheh nga Lekursi apo Finiqi ka te njejten dendesi me Dibren, turp i Zotit. Aty mund te jetojne 200 mije fryme, ne vend te 55-60 mijeve aktuale.

      Ne nje llogaritje me perafersi, ish rrethet e Sarandes, Gjirokastres, Tepelenes, Permetit e Kolonjes, kane po aq popullsi rezidente sa Durresi, diku tek 170-180 mije fryme.
      Kjo eshte kriza e vertete e Jugut dhe jane po aq te vlefshme sa groshet e tretura, te thuash se kjo gje do nje strategji, do investime, do kete e do ate, por duhet ruajtur natyra e bletaria (te cilen meqe ra llafi s’e gjen gje nga HEC-et).
      Asnje kacidhe strategjike nuk ka per te shkuar, do te heqe picirr si Tirana, Durresi, Vlora e Fieri, ku banoret e zonave te Jugut preferojne t’ua mbathin me te katra. As nuk ka per te ndryshuar ndonje gje sa te jemi gjalle e as pasi te kemi vdekur, o do mbash natyren me te eger ne Europe o do te zhvillohesh, nuk pajtohen keto gjera, se po te pajtoheshin do i kishin bere anglezet e hollandezet.

      Shifrat e rritjes se numrit te HEC-eve nqs shoqerohen me prodhim energjie, jane ne radhe te pare shifra zhvillimi, padyshim edhe punesimi afatgjate se HEC-et kane nevoje per mirembajtje. Njerezit veç perfitojne ne shifra konkrete, pastaj kostot ambientale jane shifra spekullative, aq me teper qe kemi 20 here me shume pyll per fryme sesa Anglia dhe mund t’ia lejojme vetes ca kosto te tilla. Me nje Shqiperi qe ka 2/3 male nuk eshte natyra ajo qe ka nevoje per ndihme, por njerezit. Malin aty e ke pase dhe do e kesh, edhe pyllin, edhe kulloten, edhe burimin, edhe perroin e lumin malor; HEC-et nuk hane male.

      1. Uji dihet qe eshte nje nga pasurite me te medha per fryme te Shqiperise (vendi i dyte ne Europe pas Norvegjise, por Norvegjia eshte edhe mbi 10 here me e madhe si siperfaqe), pasuria me e madhe nqs do te shfrytezohet potenciali energjitik i tij. Eshte energji e rinovueshme, qe do te thote miniere floriri e pashtershme

        Pikërisht. Sepse Shqipëria ka një potencial të tillë rezervash ujore që mund të shfrytëzohen, ajo ka dhe avantazhin e përzgjedhjes se ku të ndërtoj hidrocentrale dhe ku të shfrytëzoj format e tjera të energjisë së rigjenerueshme, si ato nga dielli apo era; ku të zhvillojë bujqësinë, pemtarinë dhe të ngrej industritë e përpunimit të bimëve medicinale, dhe ku të përdor natyrën – ujin, florën, faunën, atraksionet e zonës – për zhvillimin e turizmit. Të mbjellësh me 525 hidrocentrale një vend si dhe sa Shqipëria, pa asnjë plan, studim, strategji paraprake, por vetëm pas motos “t’i nisim njëherë, pastaj të dalë ku të dalë”, është si të mos kesh mësuar asgjë nga 27 vite gafash dhe dështimesh.

        Po xhanëm, ne kështu i bëmë të gjitha punët në tranzicion – që nga Terapia e Shokut, te ndarja e pronave, te nafta e Bankers-it, te Rruga e Berishës dhe te pallatet dhe koncesionet e Ramës – pse mos i bëjmë dhe hidrocentralet kështu, me “o burra, o derra”. Vetëm të mos habitemi pastaj, pas 10-15 vitesh, kur dhe rezultati i Vjosës me 31 HEC-e i tillë të na dalë: ushqim derrash.

        Groshët e tretura, që shkruan ti, i kanë prodhuar, madje me shumicë, qeveritë shqiptare të këtyre 27 viteve, ashtu si by-product me MUNË e madhe që i kanë bërë atij vendi.

        1. Tek kriteret e ndertimit te HEC-eve jemi dakort, po ketu kemi te bejme me principe ambientaliste anti-zhvillim, me keto nuk jam fare dakort. Gjithe bota funksionon kryesisht me TEC-e, se nuk para kane aq pasuri hidrike, kurse kush ka si psh Norvegjia e kane varesine gati 100% nga HEC-et.
          Tek ne jane te gjithe ambientaliste, TEC-et nuk i do njeri as ne ere, as te riun e Vlores, as te vjetrit e Fierit,Kuçoves apo Korçes, HEC-et i duan tek ”lumi i tjetrit”, diellorja dhe e eres kushton, ka ngelur vetem fryma e shenjte per te prodhuar energjine elektrike.

          Kane dale edhe ata qe jane kunder lopeve qekur doli se pergjegjesia kryesore per rritjen e metanit ne nivel global u takonte pordheve te lopeve.

          Nje vend brekegrisur, qe nuk do te zhvilloje asgje qe i ka falur Zoti apo natyra, me parimin me mire brekegrisur dhe ambientaliste sesa te jetojme mire, por me kosto mjedisore.
          Bota prodhon energji me HEC-e dhe TEC-e qymyrguri , nenprodukte te naftes ose gaz natyror. I kemi te gjitha dhe jo vetem sa per veten tone, por edhe te eksportojme. Shtetet bejne luftera per t’i vjedhur tjetrit uje, nafte, gaz e minerale gjithfaresh ne i kemi dhe nuk na duhen.

          Keta duan Greqine qe s’ka asgje apo Italine qe po ashtu zere se s’ka asgje. Po ça faji ka Shqiperia qe eshte e pasur ne krahasim me keto dy shtete. Fshatari mbahet universalisht si figure e pagdhendur e tipit di dhia ç’eshte tagjia, mirepo tek ne rolin e fshatarit e luajne me mire qytetaret, sa me qytetare aq me fshatare jane.

          Kapacitetet hidrike te Shqiperise jane shume larg te qenit te ezauruara, Zvicra mbahet si vend me kapacitete hidrike thuajse te ezauruara. A ka mundesi qe te behemi si Zvicra me kapacitete hidrike thuajse te ezauruara ?

          Nqs Shqiperia nuk fillon te shfrytezoje burimet natyrore, nuk mban dot as 1 milion banore, si dendesia e Jugut me 30-40 banore per km2 do katandiset gjithe vendi, do vazhdoje emigracioni derisa te katandiset vendi ne 2 milion rezidente, pastaj kriza demografike do e çoje 1 milion, ja per te mos qene katastrofiste 1.5 milion.

          Kur u mund Gjermania ne L2B, amerikanet paten disa projekte per Gjermanine e re. Nje prej tyre ishte rrafshimi i gjithe industrise gjermane dhe kthimi i Gjermanise ne vend agrar (dhe turistik, bletarist etj), si e vetmja menyre qe Gjermania te mos e ngrinte me koken e te behej rrezik per paqen.
          Ambientalistet kryejne te njejtin funksion qe do kryente ky projekt. Nuk eshte çeshtje konspiracioni, eshte fakt i mirenjohur historik, me prova gjithfaresh qe nje vend agrar e ambientalist eshte vend i mbaruar me te gjitha.

          E vetmja gje pozitive qe ka kapitalizmi i eger eshte se ne afatgjate ve poshte çdo projekt qe frenon kapacitetet ekonomike te nje vendi, shkakton deme te panumerta, po avantazhi i krahasuar eshte i pandalshem ne dhenien e fruteve ( te vetmin kusht ka stabilitetin politik ).

          Ne, Gjilpera jemi nje shoqeri qe s’ka asnje vizion ekonomik, as dime ça bejme, as dime per çfare protestojme, ne keto kushte hidrocentralet do te ndertohen ashtu pa asnje kriter, thjesht sepse rikthimi i kapitalit behet maksimumi brenda 10 vjeteve, keshtu qe eshte biznes fitimprures. Disponibiliteti i energjise do te beje me pak te kushtueshme investime te tjera, te cilat do behen prape pa asnje kriter. Kete e meritojme sepse nuk dime as ça bejme, as ça protestojme, as ça çaprashisim, as ça duam e as ça mundemi.

  4. Ideja e koncerteve ne mbrojtje te lumenjve dhe faunes prane tyre eshte e persosur. Gjynah qe s’behen keto koncerte kur jane shumica e emigranteve aty, korrik-gusht. Persa i perket Vjoses, jane bere studime nga inxhinieret e hidroteknikes ne vitet 50, 60, 70, (ne 80-at u diskutua serish), dhe eshte arritur ne perfundimin (duket nga shumica e tyre) se ky lum eshte mjaft i sheshte per diga dhe hidrocentrale, pra nuk eshte per ‘to. Tani ata do bejne nje midis zonen se Ballshit dhe Memaliaj, do zene gjithe ate toke bujqesore, dhe per sa kilovate?!

  5. Dje lexova një shkrim-përgjigje të KM drejtuar një studenteje tropojane, Edona Haklaj, ku në një kuptim metaforik kurajoz në llojin e vet dhe ndoshta intimidues për studenten, Valbona (po edhe Vjosa me siguri) shihej mes rreshtash si gocë e turpshme. Në mbyllje premtohej (s’di bazuar ku) se me ndërtimin e dy hidrocentraleve, Valbona thjesht nuk do të jetë më virgjëresha që ishte, por që gjithsesi do të mbetet një shtojzovalle e mrekullueshme.

    Shkrimin e gjeni në këtë vegëz: http://www.360grade.al/lifestyle/item/106350-vajza-i-nisi-letren-per-valbonen-vjen-pergjigja-e-rames-nuk-shkaterrohet-thjesht-nuk-do-te-jete-me-virgjeresha-qe-ishte

    Ndjesë për udhëtimin retro, po çika e paprekur Valbonë më kujtoi parrullën e socializmit: “T’u qepemi maleve e kodrave e t’i bëjmë pjellore si fushat.”

    Parë nën lupën e Ekopsikologjisë, të dyja këto fraza kanë një problem: kompleksin e Edipit, ku Nëna Natyrë gjunjëzohet para njeriut, birit të saj.

    Dhe nuk ka të bëjë me ndonjë mangësi të trashëguar shqiptare në perceptimin e Natyrës. Jo, për fat të keq është në sintoni të plotë me një teori të vjetër që origjinon politikisht majtas, po që të majtë e të djathtë ndër anët tona i kanë dhënë hak me bëmat e gjëmat e tyre. Në librin e tij “Letërsia dhe Revolucioni” (1924), Leon Trotsky shkruante:

    “The Socialist man will rule all nature by the machine, with its grouse and its sturgeons. He will point out places for mountains and for passes. He will change the course of the rivers, and he will lay down rules for the oceans. The idealist simpletons may say that this will be a bore, but that is why they are simpletons.” Me pak fjalë, Njeriu Socialist do ta sundojë të gjithë natyrën me makinën e vet, duke bërë atë që do me malet e lumenjtë, pa pyetur për leshkot idealistë.

    Vazhdon profecinë socialiste Trocki, më tej: “Faith merely promises to move mountains; but technology, which takes nothing “on faith,” is actually able to cut down mountains and move them. Up to now this was done for industrial purposes (mines) or for railways (tunnels); in the future this will be done on an immeasurably larger scale, according to a general industrial and artistic plan. Man will occupy himself with re-registering mountains and rivers, and will earnestly and repeatedly make improvements in nature. In the end, he will have rebuilt the earth, if not in his own image, at least according to his own taste.”

    Sendërtimi i kësaj ideologjie të mykur me bëmat e saj të lavdishme frymëzoi dikur Michael Jackson të këndonte “Earth Song”, ashtu si edhe artistët shqiptarë që organizuan koncertin për të mbrojtur Vjosën, një pjesë të të cilit e ndoqa edhe unë. Më kanë mbetur në mendje nga ajo mbrëmje fjalët e ekologut gjerman Ulrich Eichelmann: “Jeni ende në kohë për të mos bërë të njëjtat gabime që kemi bërë ne dikur në Gjermani, Austri e vende të tjera të Europës. Mos i prekni lumenjtë! Ka plot forma të tjera për ta prodhuar energjinë.”

    Në fakt, Shqipëria ka fatin të jetë ndër vendet e para në Europë për numrin e ditëve me diell dhe njihet gjithashtu potenciali i saj për të gjeneruar energji nga turbinat e erës. Klima po ngrohet, lumenjve ka nisur t’u zvogëlohen prurjet për shkak të mungesës së reshjeve, po ne të frymëzuar nga zelli i një bote imagjinare nuk e ndjekim, por duam ta vëmë poshtë Natyrën.

    Që të mos ndodh kjo, duhet shumë më tepër se koncerte e protesta.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: