FUQIA E PAKICËS (III)

Kur kam hyrë, nxënës i klasës së parë, me përparëse atlasi dhe jakë të bardhë të kollarisur, në oborrin e shkollës “Avni Rustemi”, do ta kem kuptuar sakaq se nuk flisja si shumë nga çunat e tjerë – meqë nuk dija “tironçe.” I rritur në një familje ku flitej dialekti qytetar i Gjirokastrës, i zbutur me toskërishten letrare (aso kohe ende nuk ish mbajtur Kongresi i Drejtshkrimit, por radioja fliste një formë shumë të afërt me standardin që do të vendosej më pas), i mbrojtur nga rruga si fëmijë i deri atëherë i vetëm, nuk kisha pasur rast të përplasem me Tiranën në gjuhë, edhe pse – për arsye gjithnjë familjare – isha pak a shumë i familjarizuar me shkodranishten.

Kjo më kushtoi jo pak; sepse tironçja si atë kohë si sot ishte një shibboleth, dhe dështimi i “testit” të solidaritetit gjuhësor mund të sillte me vete me gjithfarë persekutimesh dhe ostracizmash në mjediset e dhunshme të çunave të vegjël, ku konformimi luante rolin e virtytit suprem. Megjithatë, them se u përshtata shpejt dhe fillova edhe unë të them “kom shku”, “gjuje topin”, “mër jahu”, “nuk dike me lujt”, e kështu me radhë. Kish edhe të tjerë si unë, fëmijë që sillnin në rrugë dialektin tosk, por që e arkivonin me një urgjencë që ta jep vetëm paniku, për të mos u futur në listat e zeza. Tironçja sundonte e pakontestuar, madje edhe pa qenë dialekti i shumicës: ne nuk e njihnim atëherë konceptin e të qenit “cool”, por që duhej të ishim cool, këtë e dinim mirë; dhe ashtu edhe mësuam jo vetëm tironçen, por edhe mjeshtërinë për të ndërruar regjistër.

Përshtatja zakonisht vepronte vetëm në një drejtim: fëmijët nga familjet tironse vendalije nuk ndiheshin nën trysni për të adoptuar ndonjë akcent ose të folme tjetër; këta madje edhe kur ngriheshin në mësim, i përzienin format e letrarishtes me ato të dialektit nativ. Për shkaqe që nuk është këtu vendi për t’i shtjelluar, fëmijët si unë, që e kishin mësuar të folmen e rrugës nga halli a nevoja, merrnin nota më të mira se të tjerët; vështirësia për të artikuluar tironçen kompensohej me rezultatet në mësim. Kjo nuk lidhej shumë me të folmen e mësuesve vetë: mësuesja ime e parë, zyshë Adelina, fliste elbasanishten (deri edhe unë fëmija isha në gjendje të dalloja një “baje mirë” nga një “boje mirë”); mësuese të tjera përdornin lirisht tironçen, ose ndonjë dialekt tjetër.

Ky status i tironçes, në Tiranën qytet dhe kryeqytet, si gjuhë e rrugës dhe e informalitetit, është ruajtur edhe sot; asnjë formë tjetër e shqipes nuk e ka sfiduar ndonjëherë. E megjithatë, tironçja që flisja unë dhe brezi im, me nivele të ndryshme të distancimit nga standardi, nuk ishte e njëjtë me të folmen native të qytetit të Tiranës dhe të rrethinave – pse e para e kish kryer tashmë kalimin nga variant gjeografik në variant social të shqipes. Natyrisht, ky sukses i erdhi ngaqë u gjet në vendin e duhur dhe në momentin e duhur, për të plotësuar një nevojë – për një formë të shqipes të ndryshme nga standardi, që të shënjonte informalitetin, familjaritetin madje edhe një farë refuzimi të rregullave artificiale të bashkëjetesës socialiste, publike dhe gjysmë-publike. Unë këtu veç po dua të përsiat nëse ky sukses i tironçes, si e folme gegnisht, lidhet edhe me intransigjencën ose refuzimin ose paaftësinë e bartësve nativë të të folmes për t’u përshtatur me standardin.

Kur fillova studimet e larta, u ndesha në një situatë gjuhësore tjetër – meqë në grupin tim, sikurse gjetiu në Fakultetin Histori-Filologji, kish studentë nga gjithë Shqipëria, gjithsekush edhe përdorues i standardit në situata formale, edhe bartës i të folmes ose dialektit përkatës. Përshtypja ime – le të mbetet ashtu, përshtypje – ishte se bartësit e të folmeve të gegnishtes veriore, të së gjitha llojeve; dhe mes tyre veçanërisht shkodranët (edhe katolikë edhe myslimanë nga prejardhja), ishin më rezistentë ndaj standardit; madje duke mos bërë asnjë koncesion edhe ndaj formave të tjera të gegnishtes, në komunikim me ne të tjerët. Kjo, edhe pse zotërimi i standardit shihej si një plus, në përpjekjet për karrierë sociale. Meqë rrethanat ishin të tilla, ku shkëmbimet “ndërdialektore” ishin të pashmangshme, kjo intransigjencë gjuhësore e disa studentëve ndonjëherë i veçonte prej të tjerëve dhe ndonjëherë tjetër na e bënte të folmen e tyre më të pranueshme edhe ne të tjerëve (ua falnim).

Të ngjashme me këtë janë edhe eksperimentet e disa kosovarëve për ta shkruar të folmen e Prishtinës (besoj) në forumet sociale – jo me ironi ose manierizëm, siç ka qenë shkruar ndonjëherë tironçja te Peshku pa ujë, por seriozisht, ose për të komunikuar lirisht me të tjerët. Meqë kjo e folme nuk i ka instrumentet për të përballuar shkëmbimet, përtej një niveli intelektual të caktuar, atëherë nuk më duket se i shërben shumë formulimit të mendimeve dhe ecurisë së debateve; në një kohë që, të paktën për disa prej nesh, vjen fortësisht e ngjyrosur me lokalitet. E folmja qytetare e Kosovës (gjithnjë besoj se e Prishtinës) po fiton terren edhe në tekstet e këngëve, përfshi këtu edhe rap-in, gjithnjë duke u de-lokalizuar; nëse kjo prirje vazhdon, atëherë do të kemi një shqipe të specializuar për muzikën pop; ose pasurimin e kulturës shqipe me një dialekt të ri social.

Teorikisht, kur dy grupe bartës të folmesh të ndryshme të së njëjtës gjuhë bien në kontakt mes tyre dhe u duhet të ndërveprojnë, lëshimet që i bëjnë njëri-tjetrit janë të dyanshme, deri në atë pikë sa të krijohet një ekuilibër ose një lloj lingua franca, që do të jetë edhe kompromis mes diferencave. Megjithatë, në praktikë zakonisht njëri grup tregohet më i hapur ndaj kompromisit se tjetri; çfarë do të thotë edhe se njëri grup tregohet më intransingjent se tjetri. Le të provojmë të përfytyrojmë se çfarë ndodh kur një familje gjirokastrite vendoset në Shkodër, ose e kundërta, kur një familje shkodrane vendoset në Gjirokastër. Nuk më rezulton të jenë bërë studime të tilla, përtej rasteve anekdotike. Në rastin e kontaktit midis tironsve vendës dhe të ardhurve, kam përshtypjen se të parët janë treguar intransigjentë, ndërsa të dytët kanë adoptuar të folmen e të parëve, por në mënyrë selektive; kjo mund të lidhet me atë që të ardhurit nuk përbëjnë ndonjë grup kompakt, nga pikëpamja e dialektit që flasin; sikurse mund të lidhet edhe me nivelet e ndryshme të shkollimit – nëse pranojmë që dikush më i shkolluar e ka më të lehtë ose e gjen më të pranueshme të përdorë regjistra të ndryshëm në komunikim dhe të kalojë nga një regjistër në tjetrin, sipas situatës. Të tjera dukuri sociale, si martesat ekzogamike ose shërbimi ushtarak, e kanë lehtësuar ekspozimin ndaj të folmes së tjetrit në të kaluarën; efekt të ngjashëm ka sot emigracioni i brendshëm. Gatishmëria për të ndërruar të folmen, qoftë edhe sipas kontekstit, lidhet edhe me identitetin; ndoshta edhe rezistenca e shumë të folmeve gegnishte ndaj regjistrit bisedor të standardit shpjegohet me perceptimin prej tyre të standardit si agjent “asimilues.”

Në situata të tilla, kur bartës dialektesh ose të folmesh të ndryshme hyjnë në kontakt me njëri-tjetrin dhe u duhet të komunikojnë, ka interes të shihet edhe nëse palët janë vërtet në gjendje të zgjedhin midis alternativave. Për shembull, kur bisedoj me dikë që i qëndron besnik – për arsye të ndryshme – të folmes lokale, unë nuk është se e kam të pamundur të adoptoj ndonjë formë karakteristike të asaj së folmeje, por gjithnjë parapëlqej – sipas rastit – të flas një formë bisedore të standardit, të spërkatur me ndonjë gegizëm të tironçes; kjo është edhe një mënyrë imja për të prezantuar veten, duke i sinjalizuar tjetrit se parapëlqej të përgjithshmen (standardin) ndaj së përveçmes, por gjithsesi edhe pak informacion për prejardhjen do ta lë të kalojë, veçanërisht kur tjetri më bombardon me informacion për prejardhjen e vet dhe identitetin lokal (sa kohë që më flet në dialekt). Besnikëria ndaj së folmes lokale, në këto rrethana, e zhvendos fokusin e komunikimit nga çfarë thuhet në pjesëmarrësit në komunikim dhe identitetet e tyre. Edhe pse, historikisht, identifikimi i dikujt nëpërmjet akcentit ose të folmes mund të ketë pasur rëndësi, sot refuzimi për të adoptuar një lingua franca, ose të paktën për të treguar gatishmëri ndaj adoptimit, do të perceptohet ose si pak armiqësor, sfidues dhe arrogant ndaj teje “të huajit”, ose si provë se tjetri është i paarsimuar mirë, ose si shenjë se tjetri nuk është mësuar me diversitet gjuhësor dhe ndërrim regjistri; dhe do të ndihej i pasigurt në komunikim, po të largohej sado pak nga zona safe e të folmes lokale.[1]

Përndryshe, kontaktet midis formave të ndryshme të së njëjtës gjuhë, ose ato situata kur folësit gjithnjë mund të merren vesh mes tyre pavarësisht se flasin dialekte ose të folme të ndryshme, bëhen shkas për ndryshime gjuhësore në shkallë të gjerë, sidomos në regjistrat e folur, sa kohë që folësit gjithnjë kërkojnë të komunikojnë, qoftë edhe duke bërë kompromise dora-dorës dhe duke adoptuar forma të ndërmjetme ose format e “tjetrit.” Bartësit e toskërishtes, kur vijnë të jetojnë në Tiranë, shpesh i shkurtojnë pjesoret e foljeve të zgjedhimit të parë (kam punu, kam tregu, kam lexu, e kam pre biletën, e kam fjetë mendjen), por pa e hundorizuar zanoren e foljes ndihmëse paraprijëse (meqë nuk thonë kom punu, kom tregu, kom lexu, e kom pre biletën, e kom fjetë menjen), ose përdorin forma të parotacizuara të gegnishtes, si burrni, fëmini, ose forma si shof, njof, u rraf Reali (në vend të shoh, njoh, u rrah Reali) ose pys (në vend të pyes), shkruj, gjuj, vuj (në vend të shkruaj, gjuaj, vuaj); për arsye të ngjashme, bartësit e gegnishtes përdorin forma të rotacizuara (Shqipëri, uri, dashuri) ose forma të tilla si nderoj, mbush (në vend të neroj, mush, me asimilim të bashkëtingëlloreve d, b), madje edhe kur flasin kryesisht në dialekt; sidomos kur u duhet të përdorin fjalë të përftuara brenda standardit. Ky lloj ndërveprimi, i energjizuar nga jo vetëm nga dëshira për të komunikuar me tjetrin, por edhe nga dëshira për t’ia komunikuar tjetrit këtë gatishmëri, është i pavarur nga autoriteti i standardit dhe nga nevoja për ta përdorur standardin në rrethana formale; duke çuar në kristalizimin e një regjistri të shqipes bisedore si dialekt social.[2]

Po çfarë ndodh kur një grup mbetet intransigjent në zgjedhjet e veta gjuhësore dhe refuzon të adoptojë forma të ndërmjetme ose të kompromisit, megjithëse angazhohet gjerësisht në komunikim me të tjerët? Falë gatishmërisë së të tjerëve për kompromis, ose “fleksibilitetit” të shumicës, për të cilin flet Taleb-i, gjasat janë që format gjuhësore të këtij grupi të adoptohen më shpesh dhe më gjerë prej të tjerëve, ose të kenë më sukses.[3] Tek e fundit, intransigjenca gjuhësore e këtij lloji është një përjashtim, ose aberracion i shkaktuar nga faktorë të jashtëzakonshëm (izolimi, paranoja, frika nga Tjetri), ndërsa në rrethana normale çdo i rritur bartës i një të folmeje të caktuar gjithnjë negocion midis nevojës për të ruajtur identitetin e vet gjuhësor dhe tundimit (impulsit) për të imituar të tjerët ose për t’u përshtatur. Në mjediset ku bartësit e të folmeve kanë nivel të lartë besimi ndaj njëri-tjetrit, një grup intransigjent (ose me nivel të ulët besimi ndaj grupeve të tjera) rrezikon ekuilibrin e përgjithshëm; sidomos kur kjo intrasigjencë gjuhësore shoqërohet edhe me forma të tjera të intolerancës (fetare, politike, etj.). Diçka e tillë mund të ketë ndodhur me indo-europianët, që ua imponuan gjuhën e tyre popullsive vendëse, në lashtësinë parahistorike.

Zhvillime të ngjashme janë vënë re edhe në lidhje me kulturën e shkruar. Në esenë e cituar, Taleb-i sjell shembullin e aramaikishtes, një gjuhë semite në Lindjen e afërt, kushërirë e arabishtes – dhe gjuha që fliste Jesu Krishti. Arsyeja e dominimit të saj në Lindjen e afërt dhe në Egjipt, thotë Taleb-i, ka të bëjë me persianët, ata vetë folës të një gjuhe indo-europiane, që ua imponuan të tjerëve aramaikishten, përndryshe gjuhë e Asirisë, Sirisë dhe Babilonisë. Në fakt, kur persianët pushtuan Babiloninë, ata gjetën aty një administratë me shkrues (skribë) që vetëm përdornin aramaikisht dhe nuk dinin persisht, prandaj aramaikishtja u adoptua si gjuhë e shtetit. Shekuj më pas, historia do të përsëritej, kur arabët e hershëm të përdornin greqishten në administratën e tyre, gjatë shekujve të 7-të dhe të 8-të; dhe pikërisht ngaqë në periudhën helenistike, greqishtja e kish zëvendësuar aramaikishten si lingua franca në Levant dhe skribët e Damaskut i mbanin arkivat e tyre në greqisht. Nga ana tjetër, në përhapjen e greqishtes në Mesdhe luajtën rol të dorës së parë romakët, të cilët e përdorën në administratën e tyre të paktën në Lindje. Deri këtu Taleb-i.

Për t’u kthyer te punët tona, kjo do të shpjegonte edhe përdorimin e greqishtes në trojet ilire – meqë shkrimi aso kohe ishte monopol i grekëve, të cilëve ilirishtja nuk u hynte shumë në punë; në një kohë që ilirëve u duhej greqishtja, si gjuhë e një civilizimi më të përparuar dhe që vinte nga deti. Madje greqishtja vazhdoi të përdorej në trojet ilire të poshtme edhe gjatë periudhës romake, për të njëjtën arsye me atë që sjell Taleb-i për Levant-in: ishte gjuhë e administratës dhe e klasës së atyre që dinin të shkruanin. Kjo e dhënë nuk na thotë asgjë për gjuhën që flisnin popullsitë vendëse.

(c) Peizazhe të fjalës


[1] Më ka treguar një shok, në Tiranë, se kur kish shkuar një herë në Kosovë, për të ndërmarrë një tur në zonat e thella, në suazën e një projekti bujqësor, kontakti dhe shoqëruesi i tij në Prishtinë kish ngulur këmbë që shoku im të merrte me vete një “përkthyes”, pasi përndryshe nuk do t’i kuptonte mikpritësit. Kjo do të ishte shkalla zero e ndërveprimit gjuhësor, e kushtëzuar nga izolimi social.

[2] Ky dialekt social mund të ketë kristalizuar tashmë format e veta hibride, p.sh. duke punu (në vend të toskërishtes duke punuar dhe gegnishtes tu(e)/ tuj punu(e)); ose të ardhmen e llojit do punoj, si formë e thjeshtuar e do të punoj.

[3] Mund të ndodhë edhe e kundërta, ose që një grup që refuzon të integrohet gjuhësisht (ose të hyjë në kompromise gjuhësore afatgjatë – këtu nuk e kam fjalën për standardin), të mbetet jashtë transaksioneve sociale mu për këtë arsye. Këtij rreziku besoj se i ekspozohen më shpesh individët.

1 Koment

  1. Ky thjeshtezim alla Taleb-ian mbi dominimin e gjuhes se shkruar te pakices mbi ate te pashkruar te shumices, eshte vetem thjeshtezim ekstrem i teorive te meparme mbi kete ceshtje, te cilat (keto te fundit) shohin mbi te gjitha jo thjesht nje dominim superstruktural, por edhe nje kulture te metejshme mbeshtetese te kesaj gjuhe. Keshtu, shkodranet me dy kalamaj e ruajne gjuhen e tyre me teper se -bie fjala- kuksianet me 6-7 kalamaj nga fakti se kultura e tyre eshte me e larte se ajo e Kuksit, pra marrdheniet e tyre jetesore jane me te pasura, kane me shume fjale, shprehi, aforizma, etj., pa te cilat i gjithe aktiviteti i tyre do te dukej i varfer. Ndersa kuksiani -bie fjala- gjen jo vetem fjale, shprehi, aforizma, etj., te reja ne kontaktin me banore te tjere, por edhe nje jete me te zhvilluar, me te larmishme, ne cdo aspekt.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: